Kreu Letërsi Bibliotekë “Malli, kjo utopi e shpirtit!” ese nga Donjeta Sh. Gashi

“Malli, kjo utopi e shpirtit!” ese nga Donjeta Sh. Gashi

Ah bre që mu kall gjoksi …

Nuk po du ma as me pa e as me marrë frymë … se nuk muj … jom nda në gjysmë e si gjysmë nuk du me jetu ma!

Këto janë fjalët e Nanës, që i tha në ditën, kur ajo në stacionin e autobusëve po e përcillte djalin, i cili e la atë e Kosovën, në kërkim të vetes dhe një jete më të mirë.

Nana nuk shkroi asnjëherë poezi e as prozë. Nuk e di a dinte, ani pse gjithë jetën ia dedikoi punës në Universitetin e Prishtinës, por ajo i tha dhe i tha zëshëm, shumë shpesh këto fjalë. I qau me lot!

Që nga ajo ditë, Nana nuk ishte e njëjtë. Nuk qeshte shumë, nuk fliste shumë. Që nga ajo ditë, as si shpirt por as si trup AJO nuk ishte mirë. Dhe kjo zgjati deri në ditën që vdiq.

Për ironi të jetës, këto fjalë u bënë edhe “epitafi i saj”!

E pikërisht ajo ditë foli shumë! Në fakt vulosi edhe fatin e familjes. Atë se kush do të bëheshim dhe si do të jetonim. Praktikisht, ne nisëm të jetojmë me mall. Krijuam një botë paralele. Atë se si do të ishte po të mos ndaheshim në dy anë. Në atë të kilometrave larg në dheun e huaj dhe në atë që ne po e jetonim. Krijuam një ritual imagjinar, se sa e mirë do të ishte jeta jonë bashkë. Se sa shumë do të qeshnim, do të dilnim, do të përqafoheshim, do të kërcenim, qanim, e se di do të frymonim bashkë, si Një. Në këtë ritual imagjinar, Nana udhëhiqte me dedikimin më të palëkundër, që mbase do t’i ngjasonte ndonjë kulti.

Pra ne, pavetëdijshëm krijuam një utopi, brenda shpirtit e shtëpisë tonë, për botën dhe jetën përfekte që do ta kishim.

#

Malli i ikjes, ndarjes e largësisë nuk ishte ndjesi, përtjetim dhe realitet i familjes tonë. Këtë e kishte përjetuar pothuajse cdo njeri, cdo shtëpi e cdo shoqëri. Këtë e kemi lexuar e ndjerë edhe në romanet e lexuara, e me emocion të vecantë në letërsinë shqipe e te shkrimtarët tanë.

Shoqëria shqiptare, mallin e nostalgjinë për vendlindjen e ka të dokumetuar mirëfilli përmes emrave më të njohur të penës, që pothuajse gjeneratë pas gjeneratë, të shtyrë kryesisht nga rrethanat politike emigruan, lanë atdheun, për ta gravuar gjithmonë në shkronjat e tyre emrin e tij. Kush më shumë e kush më pak, i shkroi këtij malli, kësaj utopie shpirtërore.

Ismail Kadare madje ndër të tjerash në romanin e tij “Prilli i Thyer” krijoi edhe toponimin gjeografik, Rrafshin. Aty ku ai e “zhveshi” gjithë historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ku zbërtheu zakonet, virtytet, dashurinë, jetën e vdekjen. Shkroi për cdo cep të Shqipërisë e për cdo rrethanë historike. Për mallin e nostalgjinë, për një ditë më të mirë se si do të ishte, po të ishte ndryshe.

#

Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,

Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë,

Ky varg nga poezia “Atdheu” e Naim Frashërit jep një tjetër vështrim për mallin dhe idenë e krijuar në mendjen e shkrimtarit për atdheun e tij, atë që nuk e jetoi.

Begatoje, o Zot, ti këtë vend!

Është thirrja e shkrimtarit, për vendlindjen, për atdheun, që ta shoh atë më bukur dhe më ndryshe se realiteti i jetuar. Pra malli te kjo poezi shpërfaqi edhe botën paralele të krijuar në mendjen e shkrimtarit, atë të bukurën, përfekten.

E për Konicën, pikërisht qëndrimi larg vendlindjes e shton peshën e dashurisë, mallit e nostalgjisë. Në tregimin e tij “Malli për Atdheun”, Konica shkruan se

“Duhet jeshë jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç`forcë e ç`bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri!”

Më i ashpër në shpërfaqjen e emocionit për atdheun dhe largësinë ishte Fan S. Noli. Në poemën e tij “Anës Lumenjëve” e shkruar që në vitin 1928, shkrimtari denesë duke kërkuar një botë ideale, për atdheun, atë që nuk e pa dhe nuk e gjeti derisa e jetoi.

Atdheut dhe vizionit të një jete më të mirë, i shkroi edhe shkrimtari me famë botërore Selman Rushdie, kur botoi veprën e tij “Fëmijë të Mesnates” në vitin 1981 në të cilën India, vendlindja e tij paraqitet e ndarë në shumë pjesë, në një tranzicion të pakthim dhe në një ankth për një të nesërme. Rushdie shkroi edhe për shumë fenomene të tjera, të një shoqërie që është në kërkim të një identiteti, të një rruge, parë nga sytë e një fëmiu, që për shumë kritikë ishin vet sytë e tij si një fëmijë i rritur në këtë vend përpara se të emigronte në Britani të Madhe dhe në SHBA. Ky dedikim dhe më vonë në vepra të tjera, për fenomenet e lindjes, gati sa nuk i kushtoi atij me jetë.

E fëmijërinë e lumtur përpara emigrimit dhe përmbysjes së një kulture në shoqërinë e tij e dokumentoi edhe shkrimtari afgan Khaled Hosseini në romanin “Gjuetari i Balonave”. Ndjenja e fajit, e nostalgjisë, mallit e idealit u portretizuan dhe mishëruan në dy personazhe fëmijë të Khaled, për ta zhveshur një shoqëri të tërë, në një rrugëtim ndryshimesh drastike për jetën në Afganistan, mes pushtuesve që nuk njohin shpirt dhe as nuk mëtojnë të kuptojnë një jetë, jetën e fëmijëve.

“Rrëfim për dashurinë dhe errësirën” i shkrimtarit Amos Oz, kalon në një tjetër nivel portretizimi të kësaj dyndjeje, kufij pas kufiri, të një shoqërie të tërë, që vihen në shënjestër shekullore, vetëm për shkak se i takojnë një besimi, një fakti historik. Ky roman, që në thelb është një sagë familjare e shkruar në stilin e autobiografisë, shfaq një rrugë shekullore, të një familjeje, një shoqërie, një shteti, mes dashurisë dhe errësirës, jetës dhe përndjekjes, vdekjes dhe ëndrrimeve. Të gjitha këto parë në sytë e një fëmije. Vend pas vendi, shtëpi pas shtëpie, emocion pas emocioni, ky roman, sa komik aq edhe tragjik, kalon kufijt e një historie familjare, historisë së vet shkrimtarit, për të përjetuar universalen e një shoqërie të tërë, e vënë në shënjestër.

Holokausti dhe vetëvrasja e nënës së tij, janë dy momente kulmore. Ndonëse Oz pothuajse gjithë jetën e kaloi në Jerusalem, në këtë roman ai paraqet rrugëtimin e trungut familjarë për një shekull të tërë.

Trungut familjarë, gjenezës, frikës nga një e kaluar e errët dhe pa identitet, do t’i sillte një shkrimtari tjetër edhe cmimin Nobel për letërsinë. Kujtimet e fëmijërisë, të mveshura nga një realizëm magjik i pashoq i gjyshës Luise, të jetuara si ndjesi malli e nostalgjie, i dhanë letërsisë botërore, një nga romanet më të njohura, “Njëqind vjet vetmi” nga Gabriel Garcia Marquez.

Fëmijëria e lumtur në shtëpinë e gjyshërve, por me shumë të panjohura prapa perdeve, përshkruhet në detaj pas detaji në këtë roman. 

Gabo ndjente mall, nostalgji për ditët e netët e pafundme në shtëpinë e madhe prapa plantacionit të bananeve. Mall e nostalgji nga rrëfimet e gjyshes dhe pushteti i gjyshit.

  #

Epo ky është njerëzimi, një simbiozë emigrantësh që ikin e vijnë, secili me historinë e vet, me dhimbjen e gëzimin, me kujtimet e mallëngjimet, me nostalgjinë dhe shpresën, duke kaluar kufi kas kufiri, në kërkim të dickaje te vetja apo te tjetri, të një identiteti të ri që do të fshijë gjurmët e vjetra, plagët dhe kujtimet, apo të një rilindjeje që i forcon ato, për t’i mbajtur strukur me fanatizëm në shpirtin dhe mendjen tonë.

Një botë paralele, e vërteta dhe e vërtetdukshmja. Një botë malli e nostalgjie, që përplasen në këtë utopi, për aq sa mund të zë një shpirt njeriu.

Shtator, 2022

Prishtinë

Exit mobile version