Kreu Letërsi Shënime mbi libra Majlinda Toçi: Poezia e qetësisë që thumbon

Majlinda Toçi: Poezia e qetësisë që thumbon

Recension kritik për librin “Ëndrrat janë fiksion”
të poetit Vehbi Miftari

Me librin “Ëndrrat janë fiksion”, Vehbi Miftari paraqitet para lexuesit si një poet që ka kaluar kaherë fazat e provës, kërkimit të zërit dhe përballjes me figuracionin. Ai nuk vjen këtu me energjinë shpërthyese të një autori të ri, por me qetësinë e dikujt që e ka ndërtuar këtë botë prej vitesh dhe tashmë e njeh mirë kufirin mes dhimbjes dhe ironisë, mes imagjinatës dhe zhgënjimit, mes thjeshtësisë dhe thellësisë.

Ky libër është dëshmi e pjekurisë së tij estetike.

Për nga mënyra si i afrohet absurdit të përditshëm, Miftari të kujton herë Kafkën e mikrosituatave njerëzore, herë Wisława Szymborskën e tonit të ulët dhe filozofik, herë Danilo Kišin në aftësinë për të ndërthurur mitin me rrëfimin intim. Por krahasimet janë vetëm orientuese: zëri i tij mbetet i veti, i pandikuar nga nevoja për të impresionuar, i zhveshur nga patetikja dhe i ndërtuar mbi qartësinë e vargut të matur.

1. Poezia që nuk kërkon të mahnisë, por të qëndrojë

Në ciklin e parë të librit, Miftari sjell një seri “takimesh” me njeriun e keqedukuar, me mashtruesin e Zotit, me Antikrishtin që endet në Parajsë, me atë që nuk e njeh moshën, me të përhumburin në mendime, me hapësin e portës së rreme. Këto nuk janë figura fantastike për hir të fantazisë; ato janë metafora të gjendjes së sotme njerëzore, pasqyra ku realiteti shfaqet me një zhvendosje të lehtë, por aq sa mjafton për të nxjerrë thelbin në pah.

Është një botë lehtësisht absurde, e ngjashme me surrealizmin etik të Ionesco-s, por e zbatuar me ton të përmbajtur ballkanik. Nuk ka shpërthime dramatike; poezia rrjedh e qetë, me fjalë të thjeshta, por me një thumb filozofik që vjen pas leximit, si jehona e një mendimi që rikthehet pa të pyetur. Aty ku poetë të tjerë do të kërkonin ngarkesë simbolike, Miftari zgjedh thjeshtësinë. Ai s’ka nevojë të mbivendosë figura të ndërlikuara që vetëm e lodhin leximin. Poezia e tij është si një fletë e pastër ku absurdja rri si një vizatim i hollë, por i domosdoshëm.

Një poezi që nuk trondit menjëherë; ajo të qëndron gjatë. E lexon një herë dhe mendon se e ke kuptuar, dhe pastaj një varg të rikthehet në mendje në heshtje, duke të detyruar të mendosh më thellë. Kjo është aftësia e një poeti të pjekur.

Ky është tipari më i bukur i ciklit të parë: poezi e butë, por inteligjente; e qetë, por ngacmuese; e thjeshtë në sipërfaqe, por me disa shtresa poshtë.

Një poezi me thumb filozofik, që nuk e thotë me zë, por e lë të ndihet.

2. Thjeshtësia e vargut dhe qartësia e mendimit poetik

Në një kohë kur një pjesë e poezisë bashkëkohore mbërthehet pas dendësisë metaforike dhe figuracionit të rënduar, Miftari zgjedh rrugën më të vështirë të poezisë: thjeshtësinë e thelluar. Ky stil kërkon guxim, sepse thjeshtësia është e rrezikshme, mund të bjerë lehtë në të zakonshmen. Por tek Miftari nuk ndodh. Ai i jep vargut një ritëm të ngadaltë, të matur, që të kujton frymëmarrjen e një njeriu të urtë që ka parë shumë, ka lexuar shumë, ka menduar shumë, dhe tani nuk ka më nevojë të imponojë asgjë.

Vargu i tij është i zhveshur nga zbukurimet, i lirë nga patetikja, i fokusuar tek ideja, i pastolisur me dekorime të panevojshme.

Thjeshtësia e tij nuk është varfëri shprehëse, por shenjë e kontrollit estetik. Vetëm poetët e sprovuar arrijnë ta mbajnë fjalinë kaq të pastër, kaq të ngushtë, pa i humbur thellësinë. Autori nuk i shmanget filozofisë, por nuk bie në abstraksion; ai nuk frikësohet nga simbolika, por nuk e përdor për spektakël; ai nuk i bie realitetit me patos, por e çjerr me qetësi.

Gjithçka duket e kontrolluar: kadenca, pauzat, balanca mes imazhit dhe mendimit, raporti mes reales dhe simbolikes, vetë zëri poetik.

Është pjekuri që nuk shpallet, por jetohet.

3. Koha dhe kujtesa: dy akset e pandashme të librit

Në shumë poezi, koha dhe kujtesa trajtohen si entitete të gjalla. Në vargje si:

“Koha lidhet nyjë në rrëfim”

“Duhet të dalësh nga vetja për të hyrë në veten tënde”

“Mitologjia njihet vetëm pasi të jesh shndërruar në kujtesë”

koha nuk është vetëm matje lineare, por substancë morale që formon njeriun. Në këtë aspekt, autori afrohet me poetë që e kanë trajtuar kohën si trup, si Paul Celan, ku koha është plagë, ose si Mark Strand, ku koha është dritë që shndërrohet.

Por ndryshe nga ta, poeti Miftari e vendos kohën në një peizazh të qetë emocional. Nuk ka agoni, por ka një vetëdije të butë se njeriu është krijesë e zhvendosjeve të veta. Poezitë e tij flasin nga një hapësirë ku koha nuk kalon; ajo gdhendet.

Në poezinë “Koha lidhet nyjë në rrëfim”, koha s’është më kronologji, është trup që ngjitet, zvarritet, derdhet, rikrijon botën. Miftari e sheh kohën me një sy të butë, por të mprehtë. Ai i njeh humbjet, zhvendosjet, zbrazjet e saj. E sheh si faktor që na rrit, na tret, na rikthyen, na harron.

Kujtesa ngjan si një fushë e mjegullt ku ngjarjet nuk janë të sakta, por të lëvizshme, si reflektime mbi ujë. Kjo i jep librit një ton meditativ që e shoqëron lexuesin gjatë. Është poezi që nuk trondit, por “ngjithet” me ty ngadalë.

4. Mitologjia e ulur në nivelin e tokës

Një tipar i dukshëm në libër është ndërthurja e mitit me përditshmërinë. Kjo vjen pa zhurmë, pa hyjni që shfaqen madhështorë. Zoti, Antikrishti, yjet, të përhumburit, zonat metafizike, të gjitha këto zhvendosen nga piedestali i tyre dhe vendosen në terrenin e njeriut të zakonshëm.

Kjo mënyrë poetike e sjell Miftarin pranë Szymborskës, e cila i trajtonte konceptet e mëdha me ton të ulët dhe me humor të heshtur. Te Miftari, ky proces është më meditim, më modernballkanik: mitologjia nuk vjen për të shpjeguar botën, por për ta bërë atë më të lexueshme.

Për Miftarin, mitologjia nuk është stoli, është mënyrë për ta interpretuar njeriun modern. Shpesh, referenca mitike shfaqet për të ndriçuar një gjendje njerëzore. Nuk është e rastësishme që shumë poezi, përmendin: yje, qiej, zota, figura arketipale, hapësira metafizike, nuk qëndrojnë lart si figura të shenjta, poetit i intereson zhvendosja e shenjtërisë në tokë. Një nga vargjet kyçe është:

“Mitologjia njihet

vetëm pasi të jesh shndërruar në kujtesë.”

Ky varg, që mund të lexohet edhe si një poezi më vete, tregon një mendim të thellë mbi mënyrën si njeriu krijon mite, jo nga madhështia, por nga mungesa, nga koha, nga harresa.

5. Emocioni i heshtur: poezia që rrjedh brenda lexuesit

Ka poetë që mbështeten tek intensiteti emocional, por autori ynë është e kundërta e tyre. Poezia e tij është e butë, por kurrë e lehtë; e qetë, por kurrë e shuar; e matshme në ton, por e pamatur në thellësi. Kjo sjell një emocion të veçantë: një trishtim të pastër, një reflektim të thellë, një buzëqeshje të hidhur që lind nga njohja e vetes.

Në poezitë për miqësinë, për rënien, për misterin e ëndrrave, lexuesi përfshihet jo nga drama, por nga e vërteta. Poezia e tij nuk përpiqet të qajë, ajo kërkon të tregojë se nga vjen e qara. Nuk janë poezi me zhurmë, janë poezi që veprojnë nën lëkurë.

6. Peizazhi poetik bashkëkohor

Ndër poetët shqiptarë të sotëm, Vehbi Miftari zë një vend të veçantë, sepse nuk e ndjek linjën e emocionalitetit të fortë (si Visar Zhiti), as hermetizmin e theksuar (si Moikom Zeqo), as poetikën e ngarkuar të rebelimit (si Agron Tufa). Ai zgjedh një rrugë të katërt: rrugën e qartësisë filozofike, të ngjashme me poezinë bashkëkohore europiane që i jep prioritet mendimit të përmbajtur. Në këtë kuptim, Miftari është më afër poetëve nordikë sesa poetëve mesdhetarë: i ftohtë në sipërfaqe, i ngrohtë në thelb; i qetë në ton, por i mprehtë në ide.

Libri i tij i afrohet rrymave moderne ku poezia nuk duhet të shpjegojë, por të ndriçojë; nuk duhet të kërkojë emocione, por t’i fshehë ato, që lexuesi t’i gjejë vetë. Ky libër nuk të merr për dore për të të çuar diku. Ai të fton të ecësh pranë poetit, në një ritëm të njëjtë, në një udhë të qetë, ku nuk ka shpjegime të mëdha, por dritëza të vogla që bien këtu e atje.

Ëndrrat janë fiksion” është libër që shkëlqen në mënyrë të përmbajtur, është poezi e pjekurisë, e maturisë intelektuale dhe emocionale. Vehbi Miftari është poet që nuk ka nevojë të prezantohet me zë të lartë; mjafton të lexosh katër vargje dhe e kupton menjëherë se ke të bësh me një zë që ka kaluar nëpër vite ndërtimi të brendshëm. Ky libër nuk është rrëfim i një bote të jashtme, por përpjekje e një poeti për ta kuptuar njeriun në marrëdhënien e tij me kohën, mitin, gabimin, zhvendosjen dhe vetveten. Poezi që nuk përpiqet të jetë madhështore, por bëhet e tillë, pikërisht për shkak të përmbajtjes së saj. Poezia e tij është e butë, por inteligjente; e qetë, por ngacmuese; e thjeshtë në dukje, por me shtresa nën të. Dhe mbi të gjitha, është poezi që nuk mahnit me zhurmë, ajo mahnit me qetësi.

Një qetësi që të thumbon…

POEZI të zgjedhura nga libri për të shoqëruar shkrimin

1.
Takim me Antikrishtin në Parajsë

Ti do të jesh i fundit që do të hysh
nëpër portën e madhe

Pas do ta lësh namin e këtejbotshëm
emrin tënd që s’barabitet me asnjë tjetër

Kopshtijet e ëndërruara dhe turma e grave
që të zhburrëruan presin afshin tënd

Krenar do ta kalosh pragun
i ëmbël e plot dashuri si hija jote mbi tokë

Nga gjirizi do të jehojë emri yt
duke u thirrur nga një mijë pehrritë që ti i pate shaluar
atje tej në botën e pasme
së cilës nuk do t’i kthehesh më

Duar të shtrira ylberë shumëngjyrësh
këngë e shpresës së fundit
dhe sheshi i gjerë plot sy që vështrojnë ëmbëlsisht

janë përgatitur për ty

Po ajo shtizë ngulur në mes të sheshit
pse e ndan diellin më dysh?
Po ai besim që ti e bart me vete
pse po shuhet në ngazëllimin e ditës?

2.
Ëndrrat i përkasin një bote tjetër

Jam i bindur se po të mos ekzistonte kryqi
epshi i njerëzve nuk do të përmblidhej në vdekje

Jam i bindur madje
se çdo moment mund të jetë vendimtar

Xhami mund të bjerë
kufiri me botën e këtejdheshme

Vetëm pak më sipër Lumi
gjarpëron nëpër qiell sikur valë përpijëse
duke na e mat’ durimin dhe shpresën

Ëndrrat tona i përkasin një botë tjetër
të cilën poetët na e përshkruan si lulishte të paskajë

E kush u beson poetëve se

A nuk fluturuan ata tej kujtesës sonë
duke u hapëruar nëpër qiell
njësoj sikur ne në këtë fushë të paskajë

A nuk e matën ecjen e tyre me lirinë e zogut
ndenjur përvajshëm majë një kreshte mali?

A nuk qenë ëndrra dhe trishtimi
sikur ky bisht ylli

fashitur në mua këtë mëngjes

3.
Nji ditë kam me u zhdukë

Nji ditë kam me u zhdukë
nga dashnia e tepërt

Mbuluar nga t’puthuna dashnie
n’ikjen e mbramë nga kjo jetë

Hirit që e merr era kam me i ngja
e gjurmë kam me lanë veç n’shej lisi

që ti e gërryeve me ‘i karficë
mbi t’cilën kishe vu emnin tem

Djegun sysh të përlotun
vrapin tand buzë nji mështekne kam me e kërkue
n’ajrin që i mbështjell kujtimet tona

Deri atëherë me t’puthuna kam me ta nxi ditën
trupin që digjet si ashkël druni në verë

Po, n’zi kam me ta mbulue at trup të bardhë
që edhe n’andërr me i besue rrezes së diellit

E duke vrapue pas saj…
n’shtegtar t’përjetshëm kam me u shndërrue

n’kujtim të asaj që përftoi e iku

Exit mobile version