Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ernest Marku: Në besë të tatuazhit tënd, apo… dashnisë

Ernest Marku: Në besë të tatuazhit tënd, apo… dashnisë

Romani Në besë të tatuazhit tënd i Andreas Dushit, nuk manifeston aspak dhimbsuni për lexuesin, kërkon gjithnjì vëmendje maksimale për me kuptú kohën, vendin apo përsonazhin të cilit i atribuohet veta e parë. Ajo që përshfaqet aty âsht krej njerzore, por konteksti apo mndyra e paraqitjes nuk âsht aspak racionale. I molepsur nga ndërlidhjet, nëntekstet, kontekstet apo paratekstet e supozueme, në lojën joshëse të zbërthimit të mesazheve; herë të duket se po noton në njì habitat buzzati-an dhe herë të tjera, të duket vetja si i zanun në grackë mes simbolikave kafk-iane; të duhet me i pas pasë lexú disa kapituj, për me kuptú se intriga letrare, nuk asht tjetër veçse njì origjinalitet letrar i autorit. Në fillim të duket sikur personazhi po lëviz në kohë, nga djalë i ri në nji burrë tridhjetë vite martuar; për me kuptú pastaj se koha qëndron në vend, kurse personazhet janë dy: babë e birë. Pak më vonë kupton që edhe koha nuk âsht racionale, për një rrugë dyqind metra me makinë, dialogu dostoyekvsi-an, i përzier me monologje nga e njajta kuzhinë, zgjat me kilometra të tana bisedë. Dhe si paratekst letrar, në kuzhinën krijuese të autorit, nuk mund të mungonte qershia mbi torte, Camaj me realizmin e tij magjik.

Në parantezë, Adreasi na çon larg në kohë, tue thirrë në ndihmë besytni të lashta, me simbolikën e së cilave kërkon me spjegú dramën ekzistencialiste të personazhit të tij, në përqasje dhe në antitezë me problemin filozofik të Kirkegard-it. Nji mallkim i gjarpnit të shpisë, i cili nuk e ka përcaktú se në cilin brez ka me goditë, sillet si shpata e Damokleut mbi kokën e të birit dhe të atit; tuj na paraqitë brengat apo paranojat e secilit brez. Andreas Dushi, ka krijú edhe njì vetje tjetër, përveç asaj autoriale dhe dy personazheve kryesorë në vetë të parë; e cila na prezantohet në vetë të tretë, nëpërmjet personazhit bir, por që në fakt, me shumë mundësi, ajo âsht njì alter ego e të njajtit personazh. Arroganca e ktij të fundit, nuk asht gja tjetër veç kërkesa ndaj vetes për përsosmëni; kur ai i drejtohet personazhit bir (gjoja shok fminisë), tuj e kshillú me hjekë dorë prej letërsisë pasi nuk ban për té; nuk âsht tuj ba gja tjetër, veçse tuj përshfaqë dilemat e mrendshme mbi nivelin artistik të krijemeve të tija letrare; parakusht ky, për me u ba letrar i mirë.

Ndërkohë babai takon të shkuemen, i lodhun me të tashmen; si njì paradigmë për të birin dhe dështimin e tij të pritshëm. Kujtesa âsht kurth, e ardhmja si Sfinks me mallkimin e gjarpnit, kurse e sotmja dilemë e përzieme me trishtî. Herë pas here, âsht edhe koha që lëviz drejt së shkuemes, baba kthehet si burrë i ri dhe djali u kthehet lodrave të fminisë. Nuk flitet akund për atvrasjen, po ajo i rri mbi kokë lexuesit tuj zhgënjý pritshmënitë pajadâ; për me u befasú pak ma poshtë, me deklaratën e birit se baba “… asht edhe ma i mirë se nana”. Ngjashmënitë por edhe dallimet mes brezave, as nuk shuhen dhe as dominojnë; e përnbashkëta i thekson edhe ma tepër kundërshtitë, teksa ndasitë përputhen në vulgaritetin çlirues. Letërsia shqipe bashkëkohore, e ka përqafú pothuejse e tana, maninë për mos mos me pasë skrupuj të moralit, sidomos në folmen e perzonazheve. Andreasi e përdor kët gja, pikërisht për me e kontrastú me shpirtnoren, të bukrën, të vyeshmen; e cila, edhe pse e zbehtë dhe e përmbytun nga banalitetet e përditshme, âsht gjithnjì aty, e gatshme për me i dhanë vlerë jetës.

Në krerët e dytë, apo kapitujt e fundit, rrëfimi bahet ma i thukët dhe ma kuptimplotë, situatat intesifikohen, realja dhe irracionalja shkëmbehen me njana-tjetrën pa kenë kurrë i sigurt se cila prej tyne mbizotnon gjatë leximit. Jemi para njì shpie të braktisun, apo njì i verbën sheh ma mirë se ne, dikush flet me zogjtë, apo zogu asht organi i mashkullitetit; asnjiherë nuk je i sigurt për qëndrimin e autorit. Dallimi mes besimeve të ndryshme, nuk jepet aq i randësishëm sa divergjencat mes besimit dhe mosbesimit, feve judaiste dhe paganizmit, materializmit dialektik dhe imagjinatës krijuese. Mistika dhe metafizika, ashtu si besytnitë ballkanike, janë aleate të autorit në shtresëzimet kuptimore që ndërton, ashtu siç janë edhe aleate të lexuesit në proçesin e vshtirë të dekodifikimit dhe të çlirimit prej hermetizmit letrar. Megjithatë, dy-tre krerë nga fundi, mrrina me e kapë mesazhin e veprës, ai del i kjartë si drita e diellit:

“Ne jena të mallkuem qysh në lindje. Mallkimi vjen prej nélt dhe i ka rrâjët thellë në histori. Jeta jonë duket si e pashpresë, por e ka njì pshtim: Dashninë. Vetëm ajo e prish mallkimin biblik apo mistik kjoftë dhe shkëlqen si njì dritë e mrenshme, dritë e cila e mund “terrin” e Dritës së Diellit”.

Pas këtij momenti, nuk ia vlen të thuhet mã asgjâ, ndaj edhe dy kapitujt e fundit janë të paqtë, ndonëse tragjikja âsht gjithnjì e pranishme, por tashmã, jo edhe aq e frikshme. Tani po e kuptoj Mira Meksin që e cilëson két vepër si roman dashurie, edhe pse gjatë leximit të krerëve të parë, mendoja se e kishte gabim. Po, ky âsht njì roman dashnie, madje ndër ma të denjët dhe ma të thellët, si përsa i përket qasjes, ashtu edhe formës e stilit letrar.

Exit mobile version