Kreu Letërsi Bibliotekë “Lumturia e të tjerëve”, poezi nga Olimbi Velaj

“Lumturia e të tjerëve”, poezi nga Olimbi Velaj

Vëllimi më i mirë poetik i vitit, “Botimet “Aleph”, Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2022

Lumturia e të tjerëve

Rrethanat hapen
si gropa, pa interpretime të mëparshme
këtu njerëzit sulmohen thjesht
duke treguar historitë e tyre të lumtura
mes veti
Ai tjetri përballë buzëqesh
duke qarë përbrenda
për rrethanat e veta munguese
Këtu nis hamendja rreth të vërtetave
sepse rrëfyesit e historive të lumtura
sajojnë e përsërisin
për t’u vetëbindur
në prani të të tjerëve
Lavdia e tyre ngrihet
në anën tjetër
nëpër imagjinatën e atij tjetrit
si pirg i madh dheu
gjersa ai bie në një nga gropat
duke rrëshqitur vazhdimisht
për në botën e shpikur
ku s’është më
as lumturia e të tjerëve.


Ra edhe kjo natë

Ra edhe kjo natë
në fundin e legjendave
si një tingull uji
në terr u fundos bota
kësaj ane të heshtur
Vetëm zëra shpendësh sunduan ajrin
teksa lindi tek unë
ngjarja e shkuar
nën të njëjtët yje
me po atë rrëfim dhe etje
të një të marri në paqe
Dhe ashtu shkova
fushave, shpirtit tim
që s’qe i rrafshët
në këtë terr ngrehinash të lashta


Iluzioni

Si një ushtar i gjymtuar
po kthehem, në këto vise të heshtura
ku fluturimthi qeshë nisur
Skeleti im tani fundoset
i paqartë, nëpër delire heronjsh
që kurrë s’patën rrojtur
Dhe e di
shumë vise kanë humbur
nëpër trokun e flashkët të kandrrave
ndërsa njerëzit binin
duke mos dyshuar për ngjitjen
E tmerrshme ish
stuhia e verbër e fatit
Si një dorë e lodhur ata ranë
në rërën e verdhë të hiçit
dhe u prehën
pa pranuar asgjë nga rrethanat
Në këtë stinë qeshë zgjuar
mes mizërisë së tyre
kur s’kishte më kohë
për paqen e mbrame


Gjendje

Edhe më ti do të kridhesh
në fundin e etjes dhe moskuptimit
përtej të gjitha pasditeve dhe gjendjeve
që sytë i humbën në delire të fshehta
e përsëri do të flasësh për nënën
me sekrete që çahen
përtej qumështit të saj
E flashkët është endja jote
përbri meje dhe tingujve
nëpër ajër bie
trupi yt
me kockat e brishta
ngulur në ëndërr
edhe më ti humb
si kuptimi i lodhjes
mbi një vend
ku kurmet pafajshëm përvidhen
e digjen pa kohën
që mat
sosjen tonë të pakthyeshme


Koha e kambanave

Shpresojmë, por
vjen koha e kambanave
me të vdekurit që psherëtijnë
nën kostmet e zeza
dhe lulet e thata
Ajri tendoset nën peshën e heshtur
të ankthit, në oborrin e kishës
qarkuar me aromë parafine
Engjëj baresin nëpër mure
sipas besimit dhe dëshirës
tjetër trajtë ka koha
nën fytyra të lodhura shenjtorësh
dhe psalmesh buçitës
Do të doja të vdisja
në ndonjërën nga këto ditë
pa ateizmin tim
dhe erotikën e largët
që mbërrin qiellin
përpara lutjeve dhe qirinjve


Kushtim

Për ty gjithmonë do të qaj
përbrenda
me togfjalësha të gjymtë vajtojcash
që endin në ajër thirrje fëmijësh
që kurrë s’do të jenë bashkë
ashtu si ti dhe vetvetja
kurrë s’ishit
dhe katastrofat
s’kanë për të qenë më klithma
por çati të brejtura
ku mjegulla kullon
për në sytë e tu pendestarë
Ditët do të shurdhohen
në atë prag të vjetëruar
nga një palë hapa të vdekshëm
Kurrë më s’do të të shohim
dhe funerali yt
do të jetë vetëm një lajm
si kjo histori
nisur befas
mes mungesës dhe hijes së fajit


Gjyshes

Varri i saj është nën një mimozë të vjetër
në anën veriore të varrezave
Mbi pllakë ka një foto të hershme me gjyshin
ditën kur morën letërnjoftimet
Dilte rrallë nga shtëpia
një herë në muaj, për të tërhequr pensionin në bankë
Koha tjetër shkonte midis dhomave tona gjysmë të ndriçuara
dhe igrasisë që na shoqëroi me vite
Gjithmonë e pat pengun e shtëpisë në kodër
korijen, përroin e kishës, lopën…
Patëm jetuar gjatë bashkë
por jo mjaftueshëm për të ndier dhimbjen e saj
që mbartej nëpër apartamente
Kur ndjeu sa pak i kish mbetur, na e kujtoi ikjen:
“Atë ditë shtëpinë lyejeni me gëlqere
e më varrosni vetëm, pa plakun.
Janë të ngushtë varret në qytet
të merret fryma vet’ i dytë…”
Qemë çuditur e patëm qeshur me frikën e saj…..
Tani prehet nën mimozën e vjetër
me gjyshin përkrah
njëlloj si atë ditë kur u nisën për të dalë në fotografi
e unë i vështroja deri në fund të rrugës
gjersa u shndërruan në dy pika, atje larg…


Rendi i përjashtimit

Nuk e di si mbeta në të shkuarën
kohët u prenë në tehun e një çasti
rendi u prish, e tashmja mbërrin përbri
si trami i fundit i drejtimit të kundërt
me shijen e pashpjegueshme të humbjes
vulosur në sytë e udhëtarit
që befas mëson se s’ ka mundësi tjetër.
Tani endem si shpirti i një ushtari që bredh nëpër fushë
dhe nuk e kupton se i përket një të vdekuri
Lufta ka mbaruar, shokët po shkojnë
me një gëzim të zymtë në zemër
Ai nuk e di se është veç zë që vazhdon nëpër ajër
Ata keqardhen pa ia ndier praninë
Shkojnë të harrohen, të festojnë jetën
I shohin edhe një herë fotografitë e të dashurave
dhe kërkojnë deri në dëshpërim shfrimin.
I vdekuri nuk di më të trishtohet
Ai mbërrin në shkronjat e telegramit, ku për të fundit herë
ia kanë përmendur zyrtarisht emrin
Pavetëdijshëm fillon të mësojë rendin e përjashtimit
që nis me zhvendosje si shtjellat e ajrit buzë tokës
ato ngjiten sipër e humbasin në heshtje me të ftohtin.

Exit mobile version