Kreu Letërsi Shënime mbi libra Lindita Aliu Tahiri: Rrëfimi brenda lirisë së fjalëve

Lindita Aliu Tahiri: Rrëfimi brenda lirisë së fjalëve

Në librin e tij për shkrimin kreativ joletrar – si biografia, intervista, shkrimi gazetaresk, në raste edhe ai shkencor, autori  Bill Roorbach (2001) e krahason këtë formë të prozës me ushqimin e stilizuar, apo ushqimin e përgatitur për fotografi dhe reklama, që nuk është i njëjtë si ushqimi për konsum. Ai thotë se përgatitja e ushqimit i cili duhet të duket i shijshëm ashtu siç është vërtet , në disa raste kërkon edhe përbërës helmues, dhe kjo është e vetmja mënyrë që të transmetohet për publikun shija e vërtetë . Fotografia e ushqimit faktik do të ishte mashtrim, sepse ushqimi do të dukej i shëmtuar dhe pa shije, dhe po kështu, thotë Roorbach,  ndodh me shkrimin kreativ: shkrimtari bën përpjekje për ta transmetuar përvojën e vërtetë, më shumë se sa realitetin i cili konsiderohet si faktik. Faktet e verifikueshme nuk janë gjithmonë të vërteta, dhe shkrimtari anon më shumë kah e vërteta se sa kah faktet.

Me secilën shkronjë të hedhur në letër, në romanin e fundit të Krajës “Liria ime”, rrëfimi mëton ta rikrijojë përvojën ashtu si ka qenë vërtet, e përmes saj edhe dijen për të vërtetën, e cila del e ndryshme nga modelet e stereotipet kulturore të njohjes,  nga metarrëfimet mitike për lirinë, patriotizmin, njerëzoren, të cilat e dominojnë mënyrën e të menduarit të shoqërisë sonë dhe i legjitimojnë institucionet shoqërore dhe politike. Edhe nga romani më i ri i Krajës, ashtu si në librat e tjerë të tij,  dalin rrëfime alternative të historisë që e rikonceptualizojnë raportin mes faktit dhe fiksionit, dhe kjo bëhet me përftesa të fuqishme stilistike. Për ta ilustruar veçantinë stilistike të kësaj proze po e shohim një fragment:

Në restorantin e hotelit “Sirius”, pas më shumë se dhjetë vjetësh, Drita dhe piktori Fatmir Kastrati qëndruan gjatë përballë njeri-tjetrit, ata nuk folën asgjë dhe nuk dihet se çfarë menduan për njëri tjetrin, më pas kundruan që të dy natën e ngjitur pas xhamave dhe hijet mbrëmësore të qytetit të ndrojtur, Prishtina, e copëtuar nga dritat, e pleksur mes kodrinave që zbrisnin kuturu luginave të errëta, ngjante e ftohtë dhe e braktisur, e tërhequr anash jetës së njerëzve, sikur donte ta vriste ndërgjegjen e vet, që banuesit e saj nuk kishin qenë asnjëherë aq të lumtur në dritë hijet e saj të mjegullta, Drita e pyeti piktorin nëse e zeza e pikturave të tij mund të ishte ngjyrë identitare, ai i çoi vetullat dhe i lëvizi më lart syzet me kornizë të hollë, por nuk tha diçka të qartë, mund të jetë natë brenda natës, mërmëriti, ose një shkretëtire e errët brenda një shkretëtirë tjetër të errët, ngjyra e zezë nuk është ngjyrë, ajo është depresion i ngjyrosur me natë, pastaj mblodhi supet dhe tha…. (66)

Periudhat  janë të stërzgjatura  dhe i grumbullojnë fjalitë, të ndara vetëm me presje, (kujtojnë stilin e Nobelistit portugez Saramago),  i mbivendosin një pas një përshkrimet, thuajse gjuha ka shpërthyer nga brenda, i ka sfiduar rregullat, foljet i humbin kryefjalët, vazhdimisht shtohet material i regjistruar nga jashtë, në mënyrë tejet besnike, sepse mendimet e personazheve nuk dihen, e ndërkaq, fjalisë vazhdimisht i shtohet ngarkesë, duke u krijuar përshtypja se rrëfimi nuk përfundon asnjëherë. Shkrimtari është i lirë të rrëfejë romanin variant, ashtu si e emërton, kapitujt e librit janë të lirë e të palidhur njëri me tjetrin, lexuesi është i lirë t’i lexojë sipas radhës së vet, por rrëfimtari nuk është asnjëherë i lirë nga rrëfimi, e këtë e shfaq edhe figurativisht përmes digresioneve të metalepsisit, apo të adresimit të drejtpërdrejtë që e ndërpret rrëfimin për t’iu drejtuar lexuesit, si në këtë fragment:

Kur u shfaq për herë të parë në derë të zyrës sime, sapo më përshëndeti dhe më tha se kush ishte, ndërsa u ul përballë meje, pikërisht aty ku në orët e gjata të ditës rrinte e ulur vetmia ime dhe më shihte me sytë e saj të zgropuar, e pandeha si njërin nga ato personazhet e mija të shkalluara, të cilat kërkonin me ngulm të më rrëfenin historitë e tyre të çmendura, sepse pikërisht në një nga ditët e shkuara po në atë vend kishte qëndruar një personazh imi budalla, me sy të skuqur, i cili donte të dinte si krijoheshin mendimet, nuk kam fjetur mbrëmë gjithë natën, më thoshte personazhi im, i kuptoj ato shkarkimet elektrike në tru, por nuk e di kush i krijon, kush i kontrollon, nuk kam vu gjumë në sy gjithë natën, nuk e di si shndërrohet një gjë materiale në diçka jomateriale, pastaj nuk e di, kur çmendet njeriu, çfarë ndodh me ato shkëndijat e trurit, a çmenden edhe ato dhe si duken ato, kur janë të çmendura. (82)

Projektimi ndëraktiv i botës aktuale dhe asaj fiktive e përfton metalepsisin, duke e shfaqur rrëfimtarin brenda dhe jashtë tekstit njëkohësisht, duke demonstruar kështu plotfuqishmërinë e zërit rrëfimtar, që depërton përbrenda aktit të të rrëfyerit, madje përbrenda vetë procesit të të menduarit, duke e portretizuar hollësisht e fiziologjikisht aktivitetin mendor. Kjo strategji bën sinkronizimin e aktit të rrëfimit me ngjarjet e rrëfyera, si në fragmentet e shkëputura më poshtë, të cilat ndodhen brenda një kreu, dhe këtu nxiren të shkurtuara:

Megjithëse shkrimtar, unë nuk kisha më asnjë ide, se çfarë mund të bëja me Halil Demajn në një mbrëmje si ajo, mund ta ktheja në apartamentin e tij, që atje të mbyllte një ditë të pazakonshme, të shikonte televizorin deri pas mesnate, pastaj ta fikte dritën dhe ndonjë orë e më shumë të sillte në përfytyrim imazhet e përsëritura të udhëtimit, të mendonte gjatë sesi e kaluara ishte rrënuar në jetën e tij….. Por ai nuk bëri asgjë nga këto: u ndal nën dritën e fundit të rrugës, nxori telefonin dhe, duke picërruar sytë, gjeti numrin e Astritit, djalit të tij në Amerikë, pastaj një copë herë u mor me një ditë të larët mbi oqean, u mundua të kuptonte nëse ishte anije ose ….  Ndërsa tani, nën dritën e fundit të rruginës pranë portit të jahteve në qytetin Galuej të Irlandës, Halil Demaj u hamend një çast, sërish hapi telefonin dhe gjeti numrin e Astritit, deshi t’i binte, por kishte një dyshim se jonet e errësirës që silleshin vërdallë nëpër atë qiell të nxirë vështirë se mund t’i bartnin fjalët e tij të mbushura me zhgënjimin e plakur dhe të vjetëruar brenda, prandaj edhe mua m’u duk më e arsyeshme që ai ta kthente telefonin në vendin e vet, megjithëse, pikërisht megjithëse, unë nuk dija se çfarë mund të bëja më pas me këtë njeri, ngase ai tani ngjante si i përfshirë nga një çast i madh dhe i qetë, i ngjashëm me oqeanin që kishte zënë vend pak më andej, prandaj, kur e pashë atë natë Halil Demajn të nisej në drejtim të klubit të marinarëve, mendova se ai shkonte atje që t’i pinte dy gota dhe kështu ta rrënonte të kaluarën… (32-33-35)

Ndërhyrja e hapur e rrëfimtarit në rrëfim, shfaqja e mendimeve, ndërprerja e tyre, zbulimi i herëpashershëm matafiktiv, e konstrukton një rrëfimtar që flet natyrshëm. Në rrëfim ndodhin pak gjëra, ai ec ngadalshëm, dhe ka ngjashmëri me gjuhën e folur. Ritmi i rrëfimit nuk vjen nga ndodhitë në të, por del nga ngjyrimet e zërit të rrëfimtarit.

Njëkohshmëria e të qenit brenda dhe jashtë rrëfimit, shfaqet me efikasitet stilistik sidomos gjatë rrëfimit të kujtimeve, kur ato peshojnë më fuqishëm se saktësia e verifikueshme , si në fragmentin më poshtë:

Në kujtimet e kohës së shkuar, të nesërmen e asaj nate ndodhi që Sanijen e dhunuan dhe Selimi nuk mund ta dinte nëse fëmija që ajo e mbajti në bark për gjashtë muaj ishte i tij ose i tre dhunuesve që iu hodhën përsipër te qafa e malit, mitra e saj nuk kishte arritur të ndante farën e tij nga fara e tre burrave që bënë të njëjtën gjë, ai i ndihmoi Sanijes ta vriste fëmijën që kishte në bark, duke e goditur me grushte në pëqinj dhe kudo tjetër që e pa të arsyeshme, derisa ajo polli një copë mish të përgjakur dhe tri javë qëndroi në agoni midis jetës dhe vdekjes. Por as atëherë dhe as tani, Selimi Selimi Selimi asnjëherë nuk kishte kuptuar pse pse pse ndihej aq i vetmuar, kur bota ishte e mbushur përplot me njerëz të vërtetë dhe me giasmat e tyre. (173)

Në tekst nuk rrëfehet ndodhia por kujtimi për atë çka ka ndodhur, dhe shpërfaqen elemente të tilla si përsëritja e fjalëve të cilat e intensifikojnë mprehtësinë e kujtimit dhe përjetimit të tij, dhe përdoren efektshëm në vazhdimësi gjatë rrëfimit në këtë roman. Raporti mes kohës së rrëfyer dhe kohës të të rrëfyerit del si reflektim për burimin e rrëfimit dhe motivimin e tij. Studiuesi Ruben Borg (2010) thekson se ndryshimet radikale narrative të shkrimtarëve si  Beckett dhe Joyce, janë shembull i artikulimit modernist lidhur me natyrën e të vërtetës faktuale dhe fiksionale, dhe në tekstet e këtyre autorëve çdo ngjarje ekziston njëkohësisht faktualisht dhe fiksionalisht.  Personazhet brenda romanit të Krajës, nuk mund ta ndajnë të kaluarën nga e tashmja , e tashmja është e kaluar dhe e kaluara është e tashme, dhe ata janë të zhytur në këtë dyfishësi nga e cila nuk arrijnë të dalin.

 Ngjarja është vetë akti i të mbajturit mend,  përpjekja për të mbajtur mend e për t’i dhënë kuptim jetës, përmes rrëfimit.  Narrativiteti, rrëfyeshmëria në këtë rast del jo nga e rrëfyera por nga të rrëfyerit, e kjo nganjëherë artikulohet në mënyrë eksplicite në tekst, si në fragmentet e shkëputura më poshtë:

Por historia e Muharremit dhe zonjës Mo, kështu siç e paraqita tani, nuk do të kishte kuptim, sikur në kohën pararendëse të këtyre ngjarjeve të mos kishin ndodhur zhvillime të tjera, që i kishim të njohura shumë kohë përpara se zonja Mot ë shfaqej në këtë rrëfim, sepse në spitalin e qytetit të Stenfordit në Amerikë, i rrethuar me një pyll mështeknash … Vetë Muharremit nga ajo kohë nuk i kujtoheshin shumë gjëra, ndonjëherë më thoshte se ajo perde e errët, e cila kishte mbuluar një pjesë të mirë të jetës së tij, dita ditës, si një organizëm i gjallë, si një gangrenë , si një antimaterie, shtyhej në anën e këndejme, duke ia mjegulluar pamjet, pastaj duke i zhdukur ato përgjithmonë, këtë e thoshte me një humor të trishtë, që nuk më linte krejt indiferent, sepse e kisha bindjen se Muharremi m’i rrëfente shumë gjëra pikërisht për t’i shpëtuar nga zhbërja, por këtë e bënte në një mënyrë shumë të kursyer…. ika prej shtëpisë dhe shkova tek Ura e Gurit, ato ditë kishte ra shumë shi dhe nën urë rridhte ujë i turbullt, edhe vorri i babës ishte mbushë me ujë, edhe currilat e Shatërvanit kishin ma shumë rrjedhë, qëndrova mbi urë tre sahat, tue shiku rrjedhën e Bistricës dhe, dhe, dhe mendova, pse uji që rrjedh nuk është kurrë i njajtë, një herë tjetër ndeja mi urë me Talin e mëhallës sonë…. Çka po ban o tal? Po baj nji vrimë në ujë thoshte, nji vrimë, një vrimë, një vrimë!… nxora zarfin me letrën e Muharremit dhe e hapa ngadalë, nëpër gishtërinj hetova prekjen e flashkët të ca gishtërinjëve të huaj, teksa pashë se brenda zarfit ishte bërë palë një letër e bardhë, në të cilën nuk ishte shkruar asgjë, një letër pa asnjë shkronjë mbi të, e ktheva letrën disa herë, letra ishte e zbrazët dhe e vjetëruar, e rrotullave zarfin nëpër duar dhe aty pashë sërish të shkruar emrin tim, i cili tani ngjante me gjurmë të panjohura mbi borën e shkrirë…. (195-196-202-213)

Personazhi i rrëfen ngjarjet për t’i shpëtuar nga zhbërrja, dhe akti i rrëfimit del vendimtar për të kuptuarit, njohjen, dijen.  Por kujtimet për ngjarjet, ashtu si “uji që rrjedh”, nuk janë kurrë të njëjta, dhe rrëfimi zgjat pafundësisht, pa arritur të bëjë “një vrimë” në kohë. Figurshmëria rrëfimit të vetëdijshëm dhe vetë-reflektiv  është e fuqishme, pothuaj me ngjashmëri metonimike, kur rrëfimtari e merr letrën, pranon një rrëfim të shkruar nga dikush, por letra është bosh, dhe ka vetëm emrin e tij.  Figurshmëri e ngjashme e metafiksionit shfaqet edhe në tekstin më poshtë, ku emri i rrëfimtarit është i shkruar në kordelen e luleve mbi varrin e personazhit, dhe zëri rrëfyes nuk dëgjohet:

  Shkova dhe mora në dorë tufën e luleve, më pas e ngrita dhe e ktheva kordelen e kaltër, me të cilën ishin lidhur ato. Mbeta i stepur. Në atë kordele ishte shkruar vetëm emri im. U ktheva me vrik, që t’i thosha diçka gruas me kapelë dhe dorashka të zeza, por ajo tani po largohej me hapa të shpejtë rruginës së shtruar me zhavor…. Universi është vend vetmie, zonjë, thashë, por çuditërisht nuk i dëgjova as fjalët e as zërin tim.(274)

Ndërhyrjet metafiktive të kësaj natyre nuk komentojnë vetëm për përmbajtjen e rrëfimit, por edhe për funksionin e rrëfimit, për përjetimin e asaj përmbajtjeje.  Studjuesja Manja Kurschner (2018), e sheh rrëfimin si kuazi-mimetik, që synon të riprodhojë përvojën e vërtetë jetësore, të riprodhojë vetëdijen për ato përvojë. Sipas saj, mund të ketë rrëfime pa ndodhi, por nuk ka asnjë rrëfim pa ndonjë lloj përjetimi apo përjetuesi në ndonjë nivel të rrëfimit.

Në kreun e fundit të romanit më të ri të Krajës, përjetuesi dhe folësi është qeni, i cili gjithashtu manifeston tipare metafiksionale :

 Për ata që nuk e dinë, më duhet të them se unë jam ende qeni i zonjës Dita, ajo është aktore, në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, i botuar së fundmi, ishin shkruar tre-katër rreshta për të, zonjës Dita pak më parë po në këtë vend i ra damllaja… (276)

Si thotë studiuesja Joela Jacobs në parathënien e librit “Narratologjia e kafshëve” (2020), të rrëfyerit shihet si diçka që i dallon njerëzit nga krijesat tjera, e megjithatë në letërsinë botërore, jo vetëm në përralla dhe fabula,  ka mjaft raste kur autorët vendosin të flasin përmes zërit të kafshëve, për ta çrëndomësuar mënyrën se si njeriu e sheh botën. Studiuesi Mayfield (2020), thotë se në zhanrin e romanit fillimisht rrëfimtarin qen e shfrytëzon Servantesi, dhe ai e përmend novelën “Diskutimi i qenëve”, ku zëri rrëfyes krijon metaperspektivën rrëfimore, që është tipike për romanin e sotëm postmodern.

Rrëfimi i kreut të fundit nga perspektiva e qenit, konstrukton një kënd alegorik dhe cinik interpretimi, dhe është interesant se etimologjia e fjalës “cinik” vjen nga fjala greke për qenin, duke u ndërlidhur me filozofin grek Diogjenin, të cilit athinasit ia vunë nofkën e qenit, për shkak të stilit të jetës që e bënte, në shpërputhje me normat civilizuese sipas tyre.

Jemi shprehur më herët (Tahiri, 2019) për metafiksionin historiografik të romaneve të Krajës  të cilat e përballin lexuesin me ripërkufizimin dhe riinterpretimin e temave të lidhura me identitetin kombëtar, që mund të ketë efektin e psikoterapisë kolektive. Metakomentet në prozën e deritashme të Krajës kanë dalë në raste si satirë e historiografisë, duke e shpërfaqur historinë si rrëfim dhe duke nxitur diskutimin  për dimenzionin ideologjik të përfshirjes të lexuesit në këtë rrëfim.

 Ndërkaq, në romanin e tij më të ri rrëfimi shkon “përtej ironisë”, ashtu si shprehen sot studiuesit për romanin bashkëkohor (Virginia Pignagnoli, 2018; Nicoline Timmer, 2010). Kryesisht të nxitur nga analizat e veprës së shkrimtarit të njohur amerikan Wallace, kritikët letrarë po flasin për zhvendosjen nga ironia kah sinqeriteti . Disa studiues si Kelly (2016) e shohin ironinë dhe sinqeritetin si të ndërlidhura në romanin bashkëkohor, si një lojë të dyfishtë nga e cila del e ironizuar dëshira për sinqeritet. Ironia dhe sinqeriteti bashkë, dalin të pleksura në stilin rrëfyes të romanit të ri të Krajës: koncepti klasik i rrëfimit si  prezantim i ngjarjeve, i ndryshimeve të sjelljeve apo të situatave, duket i paaplikueshëm dhe hapur pranohet si i tillë.

Narratologia e njohur gjermane, Fludernik (1994) duke folur për romanin e metafiksionit historiografik, thotë se për fat të keq në botën post-moderne po përjetojmë ngjarje të paimagjinueshme, që as në fantazitë më të këqija nuk kemi mundur t’i paramendojmë, dhe paradoksaliteti, pakuptimshmëria e tyre e tejkalojnë çdo vepër letrare, gjë që i ka nxitur fillet e këtij romani, i cili përqendrohet në diskursin kulturor, duke i nxjerrë në pah kufizimet e historiografisë dhe duke e nxitur dekolonijalizimin e imagjinatës. “Liria ime” është liri për ta vënë në pikëpyetje pushtetin, i cili nuk lidhet vetëm me forcën militare dhe strategjitë ekonomike, por edhe me forcën morale të metarrëfimeve që dalin nga letërsia.

Exit mobile version