Kreu Letërsi Shënime mbi libra Yzedin Hima: Një roman i ekzistencializmit në letërsinë shqipe

Yzedin Hima: Një roman i ekzistencializmit në letërsinë shqipe

Romani “Një shaka e vogël me vdekjen” me autor shkrimtarin Bashkim Hoxha është një tekst i nyjëtuar sipas estetikës së letërsisë ekzistencialiste të absurdit. Duke lexuar tekstin, të lindin një sërë pyetjesh tipike ekzistencialiste si: Ç’është jeta? Ç’është përjetësia? Ç’është përkohëshmëria? Pse duhet të jetoj? Si lipset ta jetoj jetën?

Ngjarja ftillohet në një qytet provincial, ku prej kohësh nuk ndodh asgjë. Jeta njerëzore zvarriset sikurse lumi ujëpakët, që rrjedh mespërmes tij. Postmodernizmi ka ardhur edhe në këtë qytet me cektësinë e tij në të gjitha përmasat e jetës së banorëve. Rutina e përditshmërisë ka tjetërsuar pothuajse krejt qytetin.

Omer Lamallari, prokurori i qytetit, është i lumtur me përditëshmërinë e punës së tij, me gruan dhe fëmijët që rriten, polic Saimiri është bërë një me stolin e klubit të vjehrrit të tij, Kristos. Kristua tronditet nga lajmi se dikush në qytet po bën kërkime për të zgjatur jetën e njeriut dhe shprehet se mezi po e shtyjmë këtë jetë që na ka caktuar perëndia, jo më të jetojmë aq sa jeton një breshkë. Helena, aktorja e teatrit të qytetit e jeton jetën në mënyrë hedonistike, me mendjelehtësinë prej helene. Akili, mësuesi i kimisë, e ka jetën të përkufizuar krejt si një reaksion kimik. Tjetërsimi nga rutina ka mbërthyer të gjithë qytetin deri te shkollarët që duan të bëhen mjekë, inxhinierë, profesorë, por nuk i duan dhe nuk i hapin kurrë librat. Qytetit i bën hije një mal madhështor, më i larti në të gjithë krahinat rreth e rrotull. Mali, në këtë tekst, është shenjë semantike e përhershmërisë së gjithfuqishme. Dhuna që ushtron mali mbi banorët e qytetit është dhuna që ushtron përhershmëria mbi përkohëshmërinë. Hija e tij kufizon diellin dhe hënën, duke i kujtuar banorët në çdo çast se janë të thjesht udhëtarë në këtë jetë, ndërsa ai, mali, është i përhershëm.

Në këtë tekst, ku jeta e njerëzve rrjedh në një shtrat të njëjtë dhe monoton, ka një personazh që i ka shpëtuar tjetërsimit, Hektori, inxhinieri teknolog. Simbolikisht, Hektori vjen si onoma nga letërsia homerike. Homeri, me figurën e Hektorit, i dha qytetërimit botëror modelin e qytetarit të kohëve moderne.

Në këtë tekst, Hektori nuk ka pësuar tjetërsimin e banorëve të tjerë. Ai i ndruhet turmës, pikërisht se atje humb identitetin. Ai është ekspert i talentuar në profesionin e tij, por kërkon që njohuritë e marra dhe aftësitë që i ka dhënë Zoti t’i vërë në shërbim të njeriut, pikërisht se e tmerron rutina e përditëshmërisë që ka mbërthyer qytetin duke krijuar një ekzistencë absurde të banorëve të tij. Ai, sikurse pohon vetë, merret me kërkime, jo nga një nxitje prej shkencëtari, por thjesht për t’i shpëtuar përsëritjes së përditëshmërisë në mënyrë identike, gjë që mbërthyer krejt qytetin, duke e tjetërsuar atë.

Kërkimin për zgjatjen e jetës së njeriut Hektori e realizon në shtëpinë e tij. Për eksperiment, përdor breshkat, këto kafshë që jetojnë 300 vjet. Autori nuk na shpjegon se cilat qenë arritjet e Hektorit në kërkimin e tij shkencor, por e nis romanin e tij pikërisht te arratisja e pashpjegueshme e kimistit. Ai shkon në mal bashkë me të dashurën e tij, Ritën, që të gjithë e thërrasin gabimisht Margarita. Ky Hektor i antikitetit, që shfaqet në kohën postmoderne si Faust, (sikurse ai i zhgënjyer) largohet qyetit për të shpëtuar nga hija e dhunshme e malit. Ngjitja drejt malit është shpëtim nga shtypja e përherëshmërisë ndaj përkohëshmërisë. Mund të mendohet se lëvizja e tij nga qyteti në mal është lëvizje që mbart disa përmasa: si shpëtim nga dhuna e malit, si largim nga koha e tashme për në kohën e shkuar, (Jeta në shpellë dhe larja nudo në ujëvarën e malit, ushqimi rrethanor etj.), si largim nga tjetërsimi, si largim nga turma, si zhgënjim nga dështimi i kërkimeve për ta shpëtuar njeriun nga përkohëshmëria, si arratisje nga fronti i luftës së njerëzve kundër natyrës dhe bashkim me natyrën. Mali lart dhe jeta moderne poshtë janë mokrat ku bluhet individi.

Ndër pyetjet që të lindin gjatë leximit të tekstit janë: A e jetojmë jetën që na ka caktuar Zoti, natyra?! A është e mundur që gjatë një jete të shkurtër fizike të mund të realizojmë të gjitha projektet dhe dëshirat tona? A ia vlen të jetosh jetën e gjatë breshkës, me ngadalësinë e saj, me zvarritjen e saj? Pse nuk na bëri Zoti- natyra të pavdekshëm si kandili i detit?! Njeriu vdes njëherë, apo vdes përditë nga pak?

Të tilla pyetje ekzistencialiste herë marrin përgjigje, herë lihen në mendjen e lexuesit si nisma meditimi.

Autori personazhet i nyjëton si perso-nazhe-ide, Hektori lëviz në tekst si mbartës i idesë së qendresës ndaj tjetërsimit, si i ndryshmi që nuk turmëzohet, si njeriu që, ndonëse ka “abortuar” mjaft dëshira gjatë jetës së tij, është në kërkim të identitetit të tij, më tepër se jashtë, brenda vetes. Edhe udhëtimet e tij meditative në yllësi janë largime nga vetja, largime nga hapësira dhe koha në një tjetër dimesion kohor dhe hapësinor. (Kujto emërtimin e tij antik dhe qendrimin për një kohë të gjatë me sytë nga qielli). Thënia e Marsel Prustit “Gjithnjë përpiqu të mbash një copë qiell sipër jetës sate”, e cituar në këtë tekst, është moto e jetës së Hektorit.

Akili, miku tij i vetëm, përcjell idenë e njeriut të tjetërsuar nga hero në një mësues kimie i klasës së nëntë, ku nuk ndërton me autoritetin e tij as një orë mësimi, ndërkohë që nxënësit i futin zhapinj në sirtarin e shkumsave (Me ç’duket “thembra” e Akili tonë janë zvarranikët).

Nëna e Akilit, Kristina, nuk ka asgjë të përbashkët me nënën e Akil hyjnorit të antikitetit, Tetidën. Ajo i ngjet qytetit të vjetër, ku nuk ndodh asgjë dhe përtyp si çamçakiz të shkuarën. Akili e gjen atë duke prerë perden e kuqe për të formuar shaminë e pionierit, sepse do t’i dhurojë lule udhëheqësit, madje reciton edhe një vjershë për të. Sikurse nëna e moshuar e Akilit që rijeton fëmijërinë e saj, edhe qyteti jeton të kaluarën e afërt dhe atë të largët, foshnjërinë e tij. Autori na kujton se në këtë qytet ka kohë që nuk ndodh asgjë.

Kristua, pronari i lokalit, përcjell idenë se koha e sotme është kohë ku lulëzojnë pragmatistët, njerëzit e zhveshur nga çdo idealizëm, të cilët shquhen në cektinën ku pllaqaritet shoqëria e sotme. Breshka, kjo kafshë rudimentare e primitivitetit është e pranishme duke mbartur idenë e vjetërsisë dhe jetëgjatësisë. Ka një përqasje midis breshkës dhe qytetit, të dy të vjetër, dhe jetëgjatë. Në tekst jetëgjatësia shihet si rrjedhojë e lëvizjes së ngadaltë, lëvizje që zgjat takimin me vdekjen: “Po të ishte sekreti te ngadalësia, ky qytet do ishte bërë që tani i pavdekshëm”- thotë një nga personazhet.

Një personazh interesant është jevgu Demkë, varrmihësi, klienti i përhershëm i pijetores së Kristos. Kur merr vesh se Hektori është duke kërkuar një formulë jetëgjatësie për njeriun, ai trishtohet thellë. Jeta e tij dhe e fëmijëve të tij është e përcaktuar nga vdekja. Nëse njerëzit do të jetojnë gjatë, ai dhe fëmijët e tij do të vdesin nga uria. Puna e tij si varrmihës krijon të ardhura për mbijetesën e tij dhe të familjes, ndonëse një pjesë të madhe të të hollave i le te pijetorja e Kristos. Ideja që i ka ngarkuar mbi supe këtij personazhi është se jeta nuk mund të ekzistojë pa vdekjen. Ato janë simbiozë e ekzistencës njerëzore. “Ka njëmijë e një gjëra me të cilat mund të merret njeriu, pse pikërisht me këtë: të largojmë vdekjen. Po, sigurisht, vdekja për ty është e zezë, po ama për mua është e bardhë… E dëgjove mirë, për ne varrmihësit vdekja është e bardhë, e zezë na është jeta.”- thotë jevgu Demkë.

Autori i romanit, nënvizon fort se ky tekst është një tekst ekzistencialist kur shkruan: “Një heshtje pa përgjigje është jeta”. Te kjo thënie përkufizohet thelbi i ekzistencializmit.

Vili H, dramaturgu, në këtë tekst është alteregoja e autorit. Si subjekt mendues ky personazh përcjell idenë se te njerëzit njëherësh ekziston edhe jeta edhe vdekja. Njerëzit sillen rrotull gjysëm të gjallë e gjysëm të vdekur. Aborti i dëshrave të të tyre, është edhe vdekja e një pjesëze prej tyre. Autori nënvizon se njeriu përditë vdes nga pak:

Jeta ime – një marshim i pafund dhimbjeje,

gjysëm i gjallë e gjysëm i vdekur.

Te fjalët e personazhit të Helenës fshihet e gjithë kuptueshmëria dhe perceptimi i kohës së sotme nga shumica e qytetarëve. Qytetërimi i sotëm jeton mëndjelehtësinë e Helenës, e cila, siç thotë shkrimtari i madh Niko Kazanzaqis, pati fatin e madh se ra në sy të një poeti dhe u bë e pavdekshme.

Helena e romanit të Bashkim Hoxhës nyjëtohet e tillë: “Helena tha se nuk besonte se mund të gjendej pavdekësia në një gjatësi horizontale vitesh apo shekujsh. Jetëgjatësia e njeriut duhet kërkuar vertikalisht, në brendësi të çastit. Sekreti është si të jetohet ky çast që ikën dhe vdes, për ta bërë të pavdekshëm.”

Helena e kohës sonë thotë se atë nuk e ka rrëmbyer askush, përkundrazi, ajo i rrëmben të tjerët dhe i jeton për vete.

Hektori në fund të librit gjykohet dhe paragjykohet herë me zë dhe herë në heshtje nga policë, qytetarë të tjerë dhe sidomos nga prokurori, i cili mendon në përballjen me Hektorin: ”Të urrej. Të urrej, sepse edhe ti e urren ditën time. E ndjeva përcmimin tëndnë fjalët jeta e të tjerave. Sepse ti mendon se nuk je si netë tjerëtqë bëjmë një jetë të zakonshem pa fantazi, sipas teje…”

Të gjithë e dënojnë Hektorin vetëm për faktin se është ndryshe nga të tjerët, nuk është tjetërsuar, nuk u nënshtrohet ligjeve të pashkruara të metamorfozës që zbaton prej shumë kohësh qytetërimi: “…Iki nga kjo jetë monotone dhe e pavlerë për të krijuar një botë tjetër…Është rezistenca që unë i bëj kësaj jete banale që janë të detyruar ta bëjnë të gjithë të tjerët.”- i thotë Hektori gjatë hetimit prokurorit.

Më pas atë e heqin zvarrë, sikurse Hektorin e Iliadës, sikurse dënohet me vdekje sivëllai i tij Mërsoi te romani i famshëm i Albert Kamys, “I huaji”.

“Hektor quhej. Deomos do ta tërhiqnin zvarrë, tha Vili, kur e dëgjoi këtë histori, që ia përmbysi gjithë dramën.” – përfundon romani, ndërsa kredoja e subjektit mendues vjen përmes fjalëve të Fjodor Dostojevskit: “Misteri i ekzistencës së njeriut nuk qendron në faktin që është gjallë. por në gjetjen e një qëllimi përse duhet jetuar…”

Radhimë, më 04.07.2022

Exit mobile version