Kreu Letërsi Shënime mbi libra Emin Azemi: Xhabir Ahmeti, shkrimtar i rëndësishëm i krahut letrar në mes...

Emin Azemi: Xhabir Ahmeti, shkrimtar i rëndësishëm i krahut letrar në mes të Drinit dhe Vardarit

Tregimet e përzgjedhura në këtë libër janë shprehja më e autentike e artit letrar të Xhabir Ahmetit, i cili duke u shkëputur nga konvencionaliteti i të rrëfyerit, nxit te lexuesi kurreshtjen për të depërtuar në botën e brendshme të individit dhe në deshablonizimin e raporteve në mes të individit dhe kolektivitetit. Me një strukturë të ngjeshur dhe binare të narracionit, autori i këtyre tregimeve flet për një kohë tjetër, për një kohë të shkuar e cila e ka edhe jehonën e së tashmes, sepse lufta për të mbijetuar në rrethana e situata sfiduese, përpos që përshkon gati gjithë fushën fabulare të tregimeve, ajo vazhdon të mbetet edhe sot aktuale, por me forma e metoda të tjera.


Libri “Një govatë druri dhe hija e manit të madh” i shkrimtarit Xhabir Ahmeti, botuar nga ShB “Agoraprint”  e Shkupit, është ndërtuar mbi një strukturë të mëparshme të prozës së përzgjedhur tregimtare të këtij autori, e shtrirë kryesisht në dy librat me tregime “Degët e një druri” (1982) dhe “Përveç fjalëve të këngës” (1989) por edhe mbi një prurje të re që ai sjell me tregimet e shkruara më vonë, e që nuk janë të përfshirë në asnjë libër deri më tani (“Me gjyshin në kurtnaja”, “Lezja”, “Gryka e buzukëve”, “Njeriu në park”, “Vetmia”, “Leka dhe Rina”, “Nëna”, “Emira” ,”Dëbimi”, “Nata”, “Djaloshi”, “Bosholl! bosh oll! bosholl!” , “Kloshari”, “Ta pyesim musën”, “Guri”, “Fizja”, “Iki që të kthehem”).

 Xhabir Ahmeti ka shkruar prozë (tregime, romane) dhe dramë kryesisht. Shquhet edhe me një angazhim të palodhur në fushën e publicitikës dhe esetitikës, por dhe si përkthyes (kryesisht nga maqedonishtja në shqip dhe anasjelltas).

Tregimet e përzgjedhura në këtë libër janë shprehja më e autentike e artit letrar të Xhabir Ahmetit, i cili duke u shkëputur nga konvencionaliteti i të rrëfyerit, nxit te lexuesi kurreshtjen për të depërtuar në botën e brendshme të individit dhe në deshablonizimin e raporteve në mes të individit dhe kolektivitetit. Me një strukturë të ngjeshur dhe binare të narracionit, autori i këtyre tregimeve flet për një kohë tjetër, për një kohë të shkuar e cila e ka edhe jehonën e së tashmes, sepse lufta për të mbijetuar në rrethana e situata sfiduese, përpos që përshkon gati gjithë fushën fabulare të tregimeve, ajo vazhdon të mbetet edhe sot aktuale, por me forma e metoda të tjera.

Njeriu i Xhabir Ahmetit është periferik dhe margjinal në jetën e përditshme, por është një hero letrar, një metodë kjo gogoliane e cila edhe njeriun e vogël e të parëndësishëm ia del ta shndërroj në hero të tregimit, mbase edhe personazhi si figurë simbolike që është latmotiv i kohës apo rrjedhës së ngjarjeve, si në tregimet e Kafkës ( “Keqa i keq keqës”, “Plaku që tregonte me gisht”, “Ngjarje në luhajë”, “Me gjyshin në kurtnaja”, “Leka dhe Rina” etj.) Historia dhe aktualiteti, koloriti i ambientit dhe tipologjia e karaktereve, vijnë të kombinuara brenda një lënde narrative ku lexuesi gjen thërmija të panumërta të një mimesisi jetësor i përpunuar letrarisht. Në rendin kronologjik të këtij narracioni, autori e bën më të shkathët artin e të rrëfyerit përmes poentimit të qenësisë shumëdimensionale të psikologjisë së njeriut, sepse siç do të thoshte Teodor Adorno, të rrëfesh diçka do të thotë të kesh diçka të posaçme për të thënë.

Xhabir Ahmeti jo vetëm që i jep tonalitet të theksuar mënyrës së të rrëfyerit, ai kujdeset që në tregimet e tij parondomësia e jetës të merr një dimension të posaçëm, si në rrafshin e resemantizimit të shenjave dhe kodeve mbi të cilat funksionon jeta, po ashtu edhe në inkarnimin e fateve njerëzore në botën komplekse të shkak-pasojave, sepse, fundja, siç thoshte Cvetan Todorov, çdo rrëfim është përshkrim karakteresh (“Dritare dylli”, “Ku ku vaj ka”, “Një govatë druri dhe hija e manit të madh”, “Druvari”, “Kalorësi” etj.) Veçoritë përmbajtësore e shprehëse të këtyre tregimeve përmbysin klishetë që i diktonte metoda desktriptive e shikimit të gjërave përmes efekteve epizodike të veprimit, por tepër domethënëse në aspektin e letrarizimit të ngjarjeve, ashtu siç vepronte edhe Edgar Alan Poe, i cili e vënte theksin kryesor te efekti, si tipar themelor i tregimit.

Një shkrimtar si Xhabir Ahmeti, mjeshtrinë shkrimit e ka sprovuar me sukses pikërisht në tregim, sepse shumë autorë të famshëm botorëror, në mesin e tyre edhe Fokneri, Borhesi, Bucati, Moravia, Markezi, Edgar Alan Poe, Çehovi, Gogoli, Mopasani etj. konsideronin se të shkruarit e tregimit si formë letrare është një nga më të vështirët. Sipas tyre, mundi për të shkruar një tregim, është po aq intenziv sa mundi për të nisur një roman.

Shkrimtari Xhabir Ahmeti, intelektualisht është i lidhur me ambientin social e kulturor të cilit i takon, dhe kjo shprehet edhe përmes gjuhës që ai e përdor në letërsi.Kjo gjuhë vjen edhe si jehonë e rrëfimeve të moçme shqipatare, të cilat vishen me petkun e një “garderobe” të kultivuar gjuhësore dhe për rrjedhojë mjeshtria narrative del e mbështjellur me pëlhurën artistike të tipizimit të personazheve dhe të karaktereve (“Vetullholla e kobshme “, “Mе çetele”, “Njeriu i bardhë”, “Dëbimi”, “Të urtit kësaj bote i dhurojnë” Xhabir Ahmeti ka filluar herët të merret me letërsi.

Është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm në këtë krah të letërsisë, në mes të Drinit dhe Vardarit, sidomos me romanin “Lulet në tjegulla” dhe dramën “Pahintikë në ëndërr”. Ai si edhe ndonjë krijues tjetër i këtij krahu letrar, padrejtësisht vuajnë pasojat e mosvëmendjes kritike, por edhe të një megalomanie të qarqeve të caktuara letrare në Tiranë e Prishtinë, të cilët mosnjohjen e letërisë së këtij krahu e mbulojnë me injorim dhe shpesh herë me injorancë.

Skica dhe tregime e para, Xhabir Ahmeti i botoi në faqet e revistave dhe gazetave shqipe që botoheshin në Jugosllavi gjatë viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar. Ai i takon brezit të shkrimtarëve: Teki Dërvishi, Beqir Musliu, Resul Shabani, Musa Ramadani, Ymer Shkreli, me të cilët ka edhe afanitete të përbashkëta (estetike dhe të formimit letrar). Në vitin 1977 u botua romani i tij i parë me titull “U kthye përsëri”. (Në redaksi u dorëzua me titullin “Ezopi u kthye në fshat”, por udhëheqja e atëhershme shprehte dyshime te Ezopi se mos, ndoshta, me këtë emër aludohej në diçka që është kundër sistemit të atëhershëm politik, prandaj ky emër u hoq nga titulli). Në vitin 1979 në “Flakën e vëllazërimit” u botua libri me dy drama, me po këtë titull – DY DRAMA (sërish pas kërkesës së udhëheqjes së atëhershme që nuk pranoi që libri të botohej me titullin DRURI I ZI. Mbase edhe këto drama ishin të botuara më parë në faqet e revistës së atëhershme “Jehona). Në vitin 1982 u mblodhën tregimet e botuara nëpër faqet e shtypit të atëhershëm dhe u botuan nga ana e “Flakës së vëllazërimit” me titull “Degët e një druri”. Në vitin 1984 redaksia e botimeve e Rilindjes (Prishtinë) ia botoi romanin “Lule në tjegulla. Në vitin 1989 u mblodhën sërish tregimet e botuara nëpër revista e gazeta dhe u botuan në “Flakën e vëllazërimit” me titull “Përveç fjalëve të këngës”.

Xhabir Ahmeti shumë pak ka folur për jetën e tij, e mbushur me plot dramacitet, por në këtë fjalë hyrëse po veçoj disa sekuanca ku ai rrëfen në vetë të parë: “Unë jam i lindur pas luftës së dytë botërore, kur ende është ndjerë era e barotit nëpër fshatrat tona dhe kur marshet e partizanëve kanë përhapur frikë ndër njerëz. kam shkuar në shkollë në fshatin e lindjes, në përshefcë, kurse klasat e larta të fillores i kam mbaruar në tearcë. ishte një kohë kur, përveç abetares vështirë se mund të gjendej ndonjë libër shqip. ndërkaq, në klasën e katërt, deshi fati, më ra në dorë një libër i këngëve popullore shqiptare. i lexoja me kënaqësi. më pëlqenin trimat si Halit Gashi, Rexhep Gërçari, Keqë Hyseni e ndonjë tjetër, sepse mosha ime ishte në ato vite kur njeriu ka nevojë të ketë figura mitike me të cilat do të identifikohet. por nga të gjithë heronjtë për të cilët lexoja, më së shumti më linin mbresa trimëria e mujit e halilit dhe e skënderbeut për të cilët, krahas leximit, na flisnin mësuesit. Natyrisht e para në këtë mes është figura e Skënderbeut. e mendoja Skënderbeun si një njeri i madh me shtat, i guximshëm dhe si njeri të cilin nuk e rrok plumbi. një trim identik me Mujin.. Këto ishin disa nga ëndrrat e mia fëmijërore. Ajo ana e bukur e fëmijërisë. Ndërkaq… Ndërkaq… Pjesa më e madhe e fëmijërisë është e zymtë, e ngarkuar me një realitet absurdi, me mundime dhe është një fëmijëri pa fëmijëri. Brezi im qysh në fëmijëri është ballafaquar me urrejtjen, me shovinizmin, me ksenofobinë që ka ushtruar pushteti ndaj nesh. Në fillim të gjitha poshtërimet që na i bënin përmes aksioneve të ndryshme pushtetare: otkupi, heqja e dhunshme e havalesë, mbledhja e taksave, plot taksa me emra të ndryshëm, ndjekja e etërve dhe gjyshërve tanë si “armiq” të pushtetit dhe, naty- risht edhe varfëria, ishin çaste që kanë lënë mbresa të pashlyeshme ose më drejt më kanë ngarkuar me trauma. Mua nuk më harrohen milicët, shumarët, poreznikët dhe çinovnikë të ndryshëm që kalonin nëpër fshatin duke lënë pas vetes hijen e tmerrit.. Le ta theksoj se e gjithë kjo dhunë bëhej para syve të fëmijëve. Me këto kujtime u rrita, me këto jetoj edhe sot…” (Gazeta “Koha”, 30.07.2017).

 Me botimin e këtij libri, shtëpia botuese AGORAPRINT e Shkupit vazhdon të rikthejë nderimin dhe vlerësimin për ata që vunë bazat moderne të lerësisë te ne, duke mos harruar se rruga e suksesit të tyre kalonte nga cenzura në autosenzurë, nga mohimi në eksKomunikim, por gjithmonë të dinjitetshëm në ruajtjen e drejtpeshimeve njerëzore e etike, politike e kombëtare. Një nga ata është edhe Xhabir Ahmeti, vepra letrare e të cilit pritet të përjetoj një komunikim më dinamik me lexuesin e sotëm në mbarë hapësirën kulturore shqiptare.

Exit mobile version