Kreu In memoriam Lili Sula: Po unë, a do të kem fatin të ngopem së...

Lili Sula: Po unë, a do të kem fatin të ngopem së lexuari? (Mbi letrat e Vilsonit dërguar Lumturi Blloshmit)

Tekste të shquara të letërsisë botërore bazohen tek epistolari, zhanër i njohur qysh te Heroidet e Ovidit, për të kaluar te letrat e filozofit dhe teologut Pietro Abelarit të shek. XII drejtuar Eloizës, apo vepra e lëvizjes “Stuhi dhe vrull”, Vuajtjet e djaloshit Verter të Gëtes; Letrat e fundit të Jakopo Ortis të Ugo Foskolos, që shënoi romanin e parë epistolar në letërsinë romantike, si dhe vepra më të vona: Frankenstein, ose Prometeu modern i Mari Shellit, Drakula iBram Stokerit apo veprat e shekullit XX, Letra të një fillestari i Guido Piovenes, Ngjyrë vjollcë i Alis Uoker e shumë të tjera. Nga ana tjetër, është e vështirë të gjejmë një shkrimtar a poet të letërsisë sonë që të mos ketë dërguar e marrë letra me personalitete shqiptare ose të huaja të kohës, qofshin këta artistë, politikanë apo persona me funksione të caktuara (nga Budi, Bardhi, De Rada, Skiroi, Serembeja, Asdreni, Kuteli, Lasgushi, Konica, Fishta e deri te bashkëkohorët Kadare, Agolli, Camaj, Zhiti etj.). Njerëzit e letrave shkruajnë letërsi dhe dinë të këmbejnë letra të bukura dhe, me ç’duket, do ta gëzojnë këtë fat për sa kohë nuk do të duan ta zëvendësojnë këtë përvojë me forma alternative. 

Interes të posaçëm përbëjnë letërkëmbimet në raste autorësh të censuruar, të burgosur e të ekzekutuar, si Vilson Blloshmi, duke u shndërruar në burim të dhënash për anë të panjohura të krijimtarisë dhe personalitetit të poetit e, njëherësh, duke u integruar në mozaikun e veprimtarisë së tij letrare. Nga letërkëmbimi i Vilsonit me Lumturi Blloshmin, kemi ndër duar 11 letra, që poeti ia dërgoi me postë Lumes, përgjatë viteve 1968, ‘72, ‘73, ‘74, ndërkohë që atyre u mungon zëri tjetër, nuk dimë përgjigjet që i ka kthyer piktorja, duke e drejtuar vëmendjen kështu vetëm nga njëri kah i këmbimit – Vilsoni letërdërgues. Le të kujtojmë ndërkaq se, pas mbarimit të shkollës pedagogjike në Elbasan, më 1966, Vilsoni gjatë viteve të letërkëmbimeve, qe ushtar në brigadë pune në Tale dhe Zejmen të Lezhës e më pas punoi si druvar në Stravaj dhe minator në Përrenjas. 

Po kush është Lumturi Blloshmi? Kushërira e Vilsonit, e cila jetonte në kryeqytet, ku edhe kishte kryer studimet për pikturë, filloi krijimtarinë në prag të viteve të vështira 1973–‘74, përgjatë të cilëve mjaft artistë u dënuan, internuan, burgosën, madje, edhe u ekzekutuan nga pushteti totalitar. Në këtë periudhë, Lume Blloshmi u mor kryesisht me peizazhe e portrete realiste, të cilat u paraqitën në ekspozita kombëtare të kohës dhe në ekspozita vetjake. Pas rënies së diktaturës, ajo spikati si një nga piktoret më të mira bashkëkohore me tablo ekspresioniste e simboliste, si dhe përmes modelimeve moderne të figurave (cikli i tablove nudo). Tema të rëndësishme sociale dhe shpirtërore, gjithashtu, gjetën shprehje figurative në pikturat e Lume  Blloshmit, siç është cikli kushtuar eksodit të shqiptarëve të viteve 1991–‘92. 

Dy kushërinj, dy artistë të një brezi me botë të përbashkët artistike dhe me interesa të njëjta kulturore këmbejnë ide, mendime e kode mbi leximet e parapëlqyera të filozofëve e autorëve të shquar botërorë, për sigurimin e librave dhe fjalorëve që qarkullonin në mënyrë të kufizuar apo ishin ndaluar, për përkthime të shkrimtarëve të letërsisë së huaj, ekspozita pikturash, për vlerësime e parapëlqime për kompozitorë e të tjera. Të rrëfyera në vetë të parë, me një ligjërim elegant, plot erudicion e herë-herë me tone humori, këto letra, që shpesh kanë trajtë eseistike, përcjellin një prerje të kohës në të cilën jetoi Vilsoni dhe plotësojmë profilin poetik e përkthimor të autorit, pikëpamjet artistike e intelektuale të tij mbi poezinë, përkthimin, muzikën, kulturën, si dhe pamjen njerëzore të poetit, gjendjen e tij shëndetësore dhe jetën e përditshme, raportet familjare e shoqërore etj. Mungojnë këtu pikëpamjet për shoqërinë dhe politikën e kohës dhe, sigurisht, që Vilsoni ka qenë i kujdesshëm që të mos shprehet rreth tyre. Ai e dinte që ishte pjesë e familjeve dhe dyerve më të mira e më me autoritet të zonës, si dhe pjesë e klasës së përmbysur politike (ishin shpallur kulakë nga regjimi), dinte po ashtu se punonte në minierë pasi i qe refuzuar e drejta e ushtrimit të profesionit të mësuesit dhe se për të nuk kishte hapësirë për të botuar krijime artistike. Trajta e autocensurës në rrafsh të ligjërimit politiko-social, në letrat e shkruara në shqip, dritësohet e receptohet përmes artikulimeve për shijet estetike, admirimin për poetët e ndaluar simbolistë, Bodler, Vërlen, Rembo, Mallerme, që nuk shkruanin sipas parimeve të realizmit socialist, si dhe me interesimet e përkthyesit për të shqipëruar perlat e poezisë franceze. Pamundësia e shprehjes së lirë artikulohet në kundërvënie bipolare ndjenjë–fjalë, si pazotësi e kësaj të fundit për të komunikuar e shprehur ndjenjat, që nënkupton peshën kuptimore në rrafsh implicit përkundrejt atij eksplicit. “Sado që të shkruaj nuk ia arrij dot komunikimit”, shkruan poeti, “sa keq që fjala është zhvilluar pas ndjenjës dhe shumëfish më pak se ajo” (Letër pa datë: Vilson Blloshmi, Vepra I, Tiranë, 2008, f. 188), duke tërhequr vëmendjen e marrëses së letrës në kode gjuhësore të nënkuptuara e në lexime zonash të bardha midis rreshtash, e shumë më tepër në perceptime ndjesore, që rrjedhin nga përkatësia e përbashkët farefisnore e nga interesat e përbashkëta kulturore në kohën e errët të diktaturës. Lexues e vlerësues i majave të letërsisë botërore, që rrezatohet në krijimtarinë poetike e atë përkthimore e që në letrat drejtuar Lumes shprehet si dëshirë e kërkesë për lexime veprash të rëndësishme ase vlerësime për autorë e filozofë të shek. XX (si ekzistencialistët  A. Kamy Zh. e P. Sartri), më 12 tetor 1972, Vilsoni i shkruan Lumes: “U bëra ca ziliqar kur mora vesh se po lexoje La mort dans l’ame të Zhan Pol Sartrit, përfaqësuesit më të madh të ekzistencializmit, këtij artisti të vërtetë që ka lëvruar të gjitha gjinitë letrare dhe ka pasur suksese të mëdha në të gjitha… por suksesin më të madh e korri në mendjemadhësi pikërisht në vitin 1964, kur refuzoi çmimin Nobel… Më thoshe, se kishe lexuar mbi jetën e Artur Rembosë. Mirë, po pse nuk më çove ndonjë copë poezi nga Remboja? Përse nuk më tregon asgjë për sonetin e famshëm të ngjyrave. Përse nuk më shkruan asgjë për atentatin e bërë nga Pol Vërleni kundër Rembosë? Shkruamë për këtë.” Në këtë e të tjera letra drejtuar piktores, rrezatohet kultura e poetit, e formuar prej leximesh nga Eskili, Dantja, Shekspiri, Hygoi, Dostojevski, Shatobriani, Lamartini, Bodleri, Sartri, Kamyja, Remboja, Vërleni, Remarku, Skoti, nga kompozitorët Moxart e Bethoven e të tjerë, që nuk përmenden, nga artet pamore e nga mbarë bota e artit. Këmbehen (dërgohen) ide e diskutime që na çojnë të gjitha te pyetja: “Po unë, a do të kem fatin të ngopem duke lexuar?” (Letër Lumes, 1973, pa datë) dhe na përvijojnë një raport shumë dinamik e gjithnjë në kërkim të poetit me artin, kulturën dhe dijen.

Kemi të bëjmë me dy elitarë, që dinin gjuhë të huaja e lexonin në origjinal autorë botërorë, përkthenin kryevepra të poezisë franceze dhe europiane, shkruanin poezi, muzikonin tekste, modelonin ngjyra, donin dhe admironin kulturën perëndimore, së cilës i përkisnin. Nga Bërzeshta, Vilsoni i shkruante letra kushërirës në frëngjisht, duke krijuar për kënaqësinë e tyre një “mikroklimë europianiste”, – siç i quan I. Kadare përpjekjet e tyre, që “në Shqipërinë e tharë prej propagandës komuniste, të mbanin gjallë ca rrezatime, ca trille, ca ‘mondanitete’ të një belle epoque, versioni ballkanik i viteve ‘30” (Ismail Kadare: Blloshmi dhe Leka, poetët e vrarë nga shteti,- Në: V. Blloshmi, Vepra II, 2008,  f. 147). Dy prej letrave dërguar Lumes janë shkruar në frëngjisht, ndërkohë që në të tjerat gjejmë rregullisht shprehje e fraza të përzgjedhura autorësh francezë (në ndonjë rast edhe në anglisht), tekste këngësh, vargje e poezi franceze, që ndërkallen në tekstin e letrës ose e shoqërojnë dhe i bashkëngjiten atij, duke interferuar me burime tekstore të fuqishme artistike, që lanë gjurmë në poezinë e Blloshmit. Letrat në frëngjisht, të shkruara nën frymë bodleriane, përcjellin brengën, vetminë e trishtimin e poetit, që burojnë nga leximet e poetëve simbolistë e parnasistë po aq sa dhe nga situata socio-politike në të cilën gjendej. Të shkruarit në frëngjisht, përpos se shprehje vlerësimi, nga ana e poetit,  për gjuhën e artit e të kulturës, është përzgjedhur si kod gjuhësor individual ndaj dallojnë këto letra për shprehjen hapur të qëndrimeve politike në kundërshtim me politikën shtetërore. Në letrën e parë në frëngjisht, Vilsoni 24-vjeçar bën fjalë për “mendime të ashpra që i kalojnë në mendje” e shprehet qartë: “Unë di vetëm një gjë, dhe ti e di, dhe gjithë bota e di. Po jua them: ‘nëse sensi i vërtetë i njeriut nuk vdes në këtë kohë të tmerrshme, ai nuk ka për të vdekur kurrë” (Ma pouvre cousine! Bërzeshtë, 6.11.1972). Ndërsa në letrën e 24 nëntorit 1973, poeti luan me kuptimet gjuhësore dhe kapërcen nga ndjesia vetjake tek imagjinata, teksa e cilëson veten “shtëpia e mërzisë” e më pas, duke cituar V. Hygoin e Sh. Bodlerin si për t’i shpëtuar vigjilencës së sigurimit, shkruan Lumes: “E dua merimangën, e dua hithrën…/ sepse të gjithë e urrejnë”. Këto tekste, të shkruara në gjuhën e njerëzve më të kulturuar të kohës, na vijnë si testamente, si oaze shpëtimi e copëza lirie (jo vetëm vetjake), hapësira shprehjeje të fjalës së lirë, e cila vetëmbrohej përmes frëngjishtes aq sa mundte nga sigurimi i shtetit dhe operatorët e zonës. Studiuesi i V. Blloshmit dhe G. Lekës, prof. Sadik Bejko e shqyrton në tërësi veprimtarinë letrare e kulturore të Blloshmit dhe thekson se ajo ishte “kultivimi i një lirie shpirtërore nën trysninë e mbytjes së çdo lirie tjetër”  (Poeti që e pagoi me peshën e jetës artin dhe bindjen e tij, – në: V. Blloshmi, Vepra 1, f. 71). 

Vilsoni dhe Genci u akuzuan dhe u dënuan me ekzekutim[1]* për sabotim në grup dhe agjitacion e propagandë, si nxitës dhe drejtues të një grupi me veprimtari jashtëzakonisht të rrezikshme kundër pushtetit popullor të kohës; u pushkatuan më 17 korrik 1977 (Vilsoni 29 vjeç dhe Genci 36 vjeç) – edhe pse në kampin socialist nuk ekzekutoheshin më poetë – sepse lexonin dhe pëlqenin poetët dekadentë, madje i lexonin në origjinal dhe i përkthenin; u dënuan me pushkatim për trishtimin dhe mërzinë që përcillnin poezitë e tyre në kundërshtim me entuziazmin e heroit pozitiv të socrealizmit dhe lavdeve që i thureshin partisë. U ekzekutuan se s’reshtnin së ngopuri me dijen, duke paguar me jetë dashurinë për të bukurën, të cilën ngado që e vështronin dhe e krijonin, i drejtonte kah Perëndimi.

Ekzekutimi i dy poetëve, 45 vjet më parë, shënon një nga krimet më të rënda të “Saharasë” shqiptare, gjë që sot duket e pabesueshme, sidomos për brezin e ri, i cili i percepton të largëta vitet ‘70 të shekullit të kaluar dhe di pak për mynxyrat e komunizmit, ndaj mbetet mision (dhe jo detyrë) krijimi i kujtesës së afërt të të rinjve, e cila pa dyshim duhet të kalojë nga një aradhe dosjesh, ende të mbyllura, për të ngritur përmendoren e pendesës.


[1] * Për absurditetin e ngritjes së akuzave dhe pushkatimit të dy poetëve, si dhe për mekanizmat e funksionimit të sigurimit, policisë dhe drejtësisë së kohës së diktaturës, shih: Dosjen operative, Raportin e bashkëpunëtorit të sigurimit, për librat dhe autorët që lexonte V. Blloshmi dhe G. Leka, Aktekspertizat letrare, Fletarrestin e V. Blloshmit, Dosjen hetimore, vendimin e Gjykatës së rrethit Librazhd dhe të Gjykatës së Lartë, urdhrin e ministrit të Brendshëm për ekzekutimin me pushkatim e të tjera dokumente,- në: Vilson Blloshmi, Vepra II, f. 167- 190.

Exit mobile version