Kreu Opinion Letërsia për fëmijë që ka mbijetuar nga idealizmi i autorëve

Letërsia për fëmijë që ka mbijetuar nga idealizmi i autorëve

Nga Rudina Çupi

Nisma ime për të reaguar dhe për ta sjellë në vëmendje temën delikate të krijimtarisë për fëmijë − së cilës sekush i qaset si “e vobektë” − zuri fill në panairin e nëntorit 2018, kur mungoi çmimi “Libri më i mirë për fëmijë”, me arsyetimin se nuk ka autorë cilësorë [kupto: çmim = letër (pa vlerë monetare) e vlerësuar nga një juri, anëtarët e së cilës ka gjasa të mos kenë “ekspertizën e fushës”− nuk di cila nga të dyja e bën autorin të ndihet më keq, pasi të dyja janë mini-elementare].

Asokohe shkrova artikullin “Djerrimin e letërsisë për fëmijë mos ua lini vetëm autorëve”, shkrim ky me nota rebelizmi ku, ndër të tjera, theksoja se nuk i duhet lënë VETËM autorit barra e një produkti kulture, për të cilin duhet një punë skuadre dhe se disa shtëpi botuese që e paragjykojnë autorin shqiptar të kësaj krijimtarie (siç u shpreh njëra nga botueset) nuk kanë politika botimi (apo vlerësimi, kuti është: nëse nuk je “person mediatik” nuk të kthejnë as përgjigje me e-mail) dhe as infrastrukturën e nevojshme (sidomos ilustruesin, por edhe psikologun, redaktorin e recensentin moshor – tagra këto që i takon t’i ofrojë enti botues), duke u mjaftuar ta bëjnë ATA rolin e viktimës e duke treguar me gisht autorin shqiptar si jocilësor, duke mos kuptuar se përsosja nuk vjen si një fat nga qielli apo me një të rënë të sëpatës, por për të duhet kontribuuar dhe vazhdimisht. Pikërisht mungesa e bashkëpunëtorëve të tjerë të domosdoshëm ka pas sjellë që vetëm zhanri i librit për fëmijë, ndryshe nga llojet e tjera të librimit (që mirë-a-keq janë zhvilluar këto 30 vjetët e fundit) të flasë kaq vonë shqip (deri më sot ka “belbëzuar”). E pambështetur nga strukturat shtetërore, nga entet private botuese e ato shpërndarëse, por edhe nga mediat, kjo ka qenë një letërsi (krijimtari) që ka mbijetuar vetëm nga idealizmi i autorëve, siç shprehet një autor (R. B.) në një postim të vetin.

Koha i dha të drejtë dhe përgjigje pyetjes sime në artikullin e sipërpërmendur: “A do të shpreheshit njësoj sikur Ministria do të shpallte ndonjë projekt shpërblyes në mbështetje të këtyre autorëve?”, me nismën që është për t’u përgëzuar të Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë, ku ne (unë si autore dhe ime bijë si ilustruese) morëm pjesë me librin “Kakarina”. Më vjen mirë që kjo ndodhi: më vjen mirë që autorët pjesëmarrës − paçka afatit dhe përhapjes së kufizuar të informacionit (vetëm në pak kanale njoftimi) − ishin të konsiderueshëm në numër (rreth 27) dhe në zhanër (së paku 5); më vjen mirë që finalistë me prurjet dhe me emrin e tyre të përvojë në këtë zhanër i dhanë vlerën e merituar konkurrimit; më vjen mirë që strukturat shtetërore e hodhën një hap nismëtar dhe shpresëdhënës dhe uroj ta pasojnë së paku duke e bërë traditë − për t’i dhënë rëndësinë e munguar lexueshmërisë e cila kultivohet qysh në vegjëli, duke hapur sektorë të posaçëm për të promovuar për afrimin autor-lexues, përderisa edhe mënyrat e komunikimit në ditët e sotme ofrojnë mundësi të pafundme, për t’i shërbyer lexuesit të sotëm e të nesërm, sa jemi ende një vend me shumë fëmijë dhe rini.
Uroj që kjo nismë të shërbejë si nxitje besimi dhe largpamësi për shtëpitë botuese që të mos ngurrojnë të investojnë në një autor të ri, për atë bëjnë pjesën takuese në zhvillimin e kësaj lëmie që sot më shumë se kurrë ka nevojë të përparojë ‒ ndoshta sot për sot jo me cilësinë e ëndrrave, por pa këtë farë sot nuk kemi pemën mot.
Uroj që kjo nismë të shtrihet edhe në universitete, ku të studiohet e të mësohet shkrimi krijues në përshtatje me moshën, për të përgatitur shkrimtarë të rinj të profilizuar enkas, por edhe ilustrues të posaçëm e bashkëkohorë për këtë zhanër − të cilët të ecin në këtë rrugë që sapo ka nisur të shtrohet, në mënyrë që në një të ardhme të afërt t’i afrohemi krahasimit me autorët e huaj − të cilët bëhen duke kaluar në procesin e duhur akademik dhe me mbështetjen e duhur institucionale − për të pasur me ç’të prezantohemi në panairet ndërkombëtare, se deri tani jemi prezantuar me rafte bosh. Kjo nismë duhet të nxitë edhe Ministrinë e Arsimit, e cila është ndër të parat që ia mbyll derën autorit shqiptar me listat përjashtuese të leximeve jashtëshkollore apo me mospërditësimin me tituj të rinj (mjafton një listë e botimeve të përvitshme në Bibliotekën Kombëtare) dhe me burokracinë që shoqëron marrjen e një lejeje për të përhapur leximin e veprës së autorit shqip në shkolla. Por, mbi të gjitha, uroj të bëhet diçka që mësuesit e letërsisë të lexojnë libra për fëmijë (shumica, sidomos ata që nuk i kanë të vegjël fëmijët e tyre, librin e fundit për fëmijë e ka lexuar qysh se kanë qenë vetë fëmijë – bëni një anketë dhe do të shihni sa alarmante është) që të mos skandalizohen kur nxënësi në detyrën e shtëpisë zgjedh fjali nga librat e Roald Dahli-t, të Dawid Williams-it apo të Rodari-t, si dhe që të kenë mundësinë që t’u rekomandojnë nxënësve të tyre tituj për lexim, si dhe t’i diskutojnë ata bashkërisht në “orë biblioteke”, duke mprehur kështu mendimin kritik që të formatojnë në banka individë e qytetarë.

Gjithëvështrim

Si redaktore prej shumë vjetësh e librave për fëmijë, si përkthyese dhe si autore, më ka qëlluar ta ndjek librin për fëmijë edhe me qëllimin për të gjykuar se me ç’ushqim shpirtëror do të mëkohej ajo. Ndaj kësaj here zgjedh të flas si vëzhguese raftesh të bibliotekës për fëmijë dhe jo me tagrat e sipërpërmendura. I. Në panairet e fillimit, librat e huaj që përktheheshin në shqip përzgjidheshin sipas dy shtyllave vertikale bazë: përrallat dhe enciklopeditë, ndërkohë që klasikët e përkthyer dikur shtoheshin tek-tuk me ndonjë titull për qëllime të përmbushjes së detyrimit të leximit të librit jashtëklase. Poezi të përkthyer kishte pak ( përveçse Rodari, Dr. Seuss etj.), për vetë specifikën sfiduese të të bërit bashkë në përkthimin e gjuhës pritëse: edhe përmbajtjen, edhe metrikën, edhe ritmin dhe rimën, si dhe elemente të tjera letrare.
Pas tejmbushjes me këto linja bazë, biblioteka fëmijërore filloi të pasurohej edhe me libra të natyrave të reja e më bashkëkohore (linja e larmisë horizontale), siç janë librat me enigma, librat kulinarë, librat me aventura, fantastikë, biografi të personaliteteve dhe së fundi, edhe novela grafike dhe libra me mistere e me hetime, si dhe seri librash për mbështetjen psikologjike për problemet e kohëve moderne (synimi i të cilëve nuk ishte katërçipërisht komercial, por vizionar), duke mbuluar kështu fashën moshore të lexuesit të vogël të mëvetësishëm, por duke lënë pa vëmendje librin për të rinj. Të gjitha këto përmbushën atë etjen e lexuesit për kërshëri të reja, duke e bërë letërsinë për fëmijë veçse një copë në pazëllin e madh të prirjeve të tjera kulturoro-librore.
Ndër të mirat e zhvillimit ishte se librat erdhën në seri, duke u botuar gati njëkohshmërisht me daljen në vendin e origjinës e duke bërë që lexuesi ynë të ndihet bashkëkohor me lexuesin e vendeve të tjera të zhvilluara. Nuk harroj të përmend se shumë libra erdhën të ndërthurura edhe me elemente të teknologjisë, të pajisura me lapsa/ mause/ elemente zanore, duke e bërë librin gjithnjë e më shumë mjet argëtimi, përveçse mjet të dijes.
Ajo që bie në sy në pothuajse të gjithë librat e huaj, përveç trashësisë dhe përmasave të posaçme të përshtatur sipas moshës, është se në koperinë ka emrat e të dy krijuesve: të autorit dhe të ilustruesit. Si mund të ishin librat e Roald Dahl-it pa ilustrimet shpërthyese të Quentin Blake-t? Po ashtu, nëpër kopertina vihet re një rritje e autoreve/ ilustrueseve femra, raport që në çdo kohë ka anuar rëndshëm nga kahu mashkullor. Ndërsa, sa për përkthimin, ardhjen në shqip, më mirë të flasim një herë tjetër, se ajo është andrallë më vete.
Sa i përket letërsisë, përzgjedhjet fillestare të botuesve qenë përrallat dhe klasikët, por më vonë erdhën duke u zgjeruar në larmi e në zhanre, duke iu përshtatur sidomos kërkesës kryesore të komercializmit: joshjes (bestseller) në tekst dhe në ilustrim, duke sjellë në shqip libra ku mbizotëron humori e duke përmbushur kështu ndër të gjitha ushqyerjet estetike që përcjell letërsia më së shumti tiparin argëtues dhe gjithnjë e më pak atë didaktik.
Efekti i kësaj letërsie solli një mosqasje ndaj letërsisë klasike. Për ta thënë më konkretisht, vajza ime pësonte një krizë dhembshurie sa herë lexonte klasikët, si “Pinoku” (origjinali), “Tom Sojeri”, “Shitësja e vogël të shkrepëseve”, “Kozeta” etj., dhe më pyeste shumë shpesh për varfërinë, si një ndër mbresat kryesore e të paperceptueshme për të, gjë që i dallonte këta libra nga librat me tematika moderne, por edhe nga realiteti i sotëm, në të cilin “mirëqenia” është fjalë e ditës. Këtë mbresë nuk e kanë, siç duket, vetëm lexuesit tanë − mundësia e përzgjedhjes së të cilëve varet nga nuhatja e përzgjedhjes së botuesve − por edhe lexues të vendeve të tjera. Këtë e them pasi shumë nga librat klasikë kanë ardhur në shqip jo vetëm në origjinal, por edhe në formë të ritreguar, të përshtatur për disa grupmosha dhe për shijet bashkëkohore të lexuesit, ku pjesët me nota vunerabiliteti janë fashitur vende-vende, dhe libri është hijeshuar me ilustrime më moderne e të këndshme.
II. Ndërsa libri shqip në zhvillimin e pas-viteve-’90 vazhdoi “ripërtypjen” e një letërsie vazhduese me atë të mëparshmen, në zhanre për moshat e ulëta, kryesisht poezi (kryesisht me rimë), gjëegjëza, fabula e përralla, ndërsa proza e gjatë kushtuar lexuesve të mëvetësishëm hasej rrallë dhe ajo për të rinjtë thuajse mungonte, duke bërë që kjo krijimtari të mos ngrihet dot në letërsinë e mirëfilltë. Në vijim kësaj shporte iu shtuan libra didaktikë, kanalizuar në thellim njohurish të një lëmi, edukatë qytetare apo ndërgjegjësim për mbrojtjen e mjedisit.
Titujt dhe autorët ishin sporadikë (jo seri), librat ishin me përmasa të mëdha sa një dispensë (shumica variant A4), pra, me përmasa të pastudiuara në përputhje me moshën, me trashësinë e një fletoreje, bardhezi ose të ilustruara me minimum ngjyrash e teknikash dhe thuajse me cilësi të një lloj letre me shkëlqim, si dhe me qepje a ngjitje që e bënte shpejt librin të papërdorshëm. Përmbajtja e stisur në dukje, tematika e kufizuar dhe kujdesi gjuhësor në nivelet minimale.
Por autori është një, nuk mund t’i bëjë vetë të gjitha proceset, ndaj kjo ishte pasojë e moskontribuimit apo e kontribuimit minimal të shtëpive botuese, që vepra të kalonte nëpër hallkat e domosdoshme dhe me parametrat e duhur të botimit. A nuk janë po këta botues që flasin për autorë jocilësorë?
Ndaj, risjellim edhe një herë të vërtetën e mësipërme, të hidhur, por ekzistuese, që kjo është një letërsi (krijimtari) që ka mbijetuar vetëm nga idealizmi i autorëve. Pasioni i këtyre autorëve që ka mbajtur gjallë këtë lloj krijimtarie mund të thuhet se ka qenë heroik, sidomos kur e dimë se me sa zor u është dashur të gjejnë shumën për faturën e botimit, të paguajnë redaktor (disa) e ilustrues, të trokasin në dyert të mezihapura të shtëpive botuese dhe pastaj, pas ekzaltimit bosh të pasbotimit, t’i futen një odiseade tjetër: atë të të bredhjes në dyert e librarive, edhe këto dyer që shpesh u janë mbyllur në fytyrë: librarët ose nuk i pranojnë se këta libra janë “në të zezë”, ose ngaqë “autori shqip nuk ecën”, ose se “me përralla janë mbushur raftet” ose se me përmasat e një kioske “libraria nuk mban dot çdo titull” që i ofrohet… dhe autori mendon: “Vepra ime nuk është me sifiliz.” Mëshiruese, apo jo? Po shtëpia botuese? I ka marrë paratë “llokum në xhep” pa vramendjen më të vogël, duke bërë thjesht ndërmjetësin mes autorit dhe shtypshkronjës, pa ofruar as redaktim, as rencencë, as ilustrues, as shpërndarës, duke u mjaftuar vetëm me ofrimin e logos së saj dhe ISBN-së që është falas. Por edhe në rastet kur shtëpia botuese ka marrë përsipër botimin e një vepre të një autori shqiptar, aktivitetet promovuese kanë qenë shumë të rralla, ndryshe nga ç’do të bënte një biznes i çfarëdoshëm që prodhon çdolloj produkti tjetër.
Gjërat kanë filluar të lëvizin, realiteti po ndryshon përditë nga pak dhe gjendet tek-tuk ndonjë derë që nuk i mbyllet në fytyrë shkrimtarit shqiptar, jepet një dorë, por që në fakt nuk është kundrejt tij kjo zgjatje e dorës: është edhe kundrejt lexuesit që ka të drejtën të ndihet i përfaqësuar edhe shqip, edhe kundrejt kësaj krijimtarie së cilës i është munguar vëmendja prej rreth 30 vjetësh, edhe kundrejt vlerave kulturore shqip që do të jenë tulla ndërtuese të qytetarëve të nesërm, edhe kundrejt vetë letërsisë, e cila duhet të ecë si të gjitha simotrat e arteve të tjera.
Megjithatë, ju siguroj se “në terren” hallka e drejtpërdrejtë me lexuesin që është edhe përftuesi fundor, është shumë ndryshe dhe pikërisht aty mes të vegjëlve gjendet pjesa më e mirë e këtij zinxhiri kulturor që përçon fjala e shkruar, se aty jo vetëm që nuk ndihesh i diskriminuar, por tepër i vlerësuar. Vetëm atje e ndien shpërblesën: etjen e fëmijëve për lexim, ngazëllimin që ndiejnë kur të pyesin: “Ti je një autore?”, sikur të pyesin “Ti je një dinozaur?” apo kënaqësinë e të shprehurit kreativ duke e bërë menjëherë të vetën filozofinë e atmosferën e librit.
Unë jam një autore që botoj “libra të papërkthyeshëm”, pra, të destinuar vetëm për lexuesin shqiptar, pasi janë libra të bazuar në lojën gjuhësore që shqipja e ofron me bujari (çka do të thotë se do të kem “famë” të kufizuar”), por jam ndier e përmbushur çdo herë në takimet që kam kryer në biblioteka lagjesh apo në shkolla të disa qyteteve për të lexuar vepra të botuara, por edhe të pabotuara, lexime të shoqëruara edhe me aktiviteteve argëtuese multiartistike e ndërvepruese, kam mbetur e magjepsur nga dashamirësia, mprehtësia, gjallëria, interesi dhe kureshtia e fëmijëve kundrejt leximit. Ata janë motivi. Mjafton thjesht të jemi të pranishëm!

Exit mobile version