Kreu Letërsi Bibliotekë “Lërmë të jem kisha jote”, poezi nga Arbër Selmani

“Lërmë të jem kisha jote”, poezi nga Arbër Selmani

Dy vëllezër i ke të sëmurë
Motra, prej e vogël me meningjit
Të janë tharë lulet, pianoja është mbushur pluhur
Koka është mpirë prej ilaçeve
Të është shpenzuar djathi, kokrrat e rrushit janë kalbur
Të është plasaritë zemra në pjesë që nuk numërohen
Të dhemb qafa, të dhembin nyjet, dhemb tensioni i ulët i gjakut,
Je në burgun më të keq të botës
E di, po të luhatet ekuilibri i durueshëm i qenies,
Lejomë të jem unë Kisha jote.

Nuk është e lehtë ta nisësh mëngjesin në infuzione
T’i vjellësh lëngjet, por edhe ditët
Sot e vizitove varrin e babait
Një numër njerëzish mendojnë se të kanë lënë trutë
Edhe detit, verës, i përplasesh ftohtësisht
Të djeg Dielli mbi barkun e bardhë qumësht
Të djegin veshët, të djegin vrimat e hundës
Çdo ditë, në orarin e njëjtë, nis dhimbja e lukthit
Eja rrëfehu te unë, te dikush duhet,
Lejomë të jem unë Kisha jote.

Edhe nënën e ke në momente të kalbura
As emrin tënd shpesh nuk e kujton, të harron
Të janë vërsulur kilograme vuajtjesh e mallkimesh
Një autostradë e tërë shtruar lot, e ke para e pas
Ndrisin sytë e skuqur prej shqetësimit
Dridhesh kur mendon se ke një zemër e rreth saj ka ujë
Edhe për ty, mjekësia e ka një fletore historie
Të dhimbsen fëmijët e tu, anipse ti nuk ke asnjë fëmijë
Eja me dënesje, të duhet dikush
Lejomë të jem unë Kisha jote.

Ankthi frikësohet prej teje
E albumi i fotografive ndjehet si i një tjetër familjeje
Janë rrudhur duart ose i ke lënduar ti me dashje
Je shëmtuar, se vuajtja e mërzia këtë punë e kanë
Të tjerët kurrë nuk të kuptuan, kurrë nuk të pranuan, kurrë nuk të panë
Të irritojnë barnatoret, të zemërojnë gjyshet në rrugë
Pasditeve, pronare e shtëpisë bëhet kokëdhimbja
Dhe janë të kota tentimet që të lahesh, e lahesh, e lahesh,
Nëpër shi, me ombrellë, nuk është mëkat nëse vjen
Lejomë të jem unë Kisha jote.

Ka kaq shumë pyetje pa përgjigjje, veçmas për ty
Njëjtë sikur edhe për të tjerët që kanë fatin tënd
Merimangat kanë zaptuar fundin e mureve të shtëpisë
Të është qetësuar takikardia, janë në gjumë tani vëllezërit, edhe nëna, edhe motra
Babai fle në një tjetër shtrat, rrethuar me barishte
Duhet të kesh qenë dikur njeri i lumtur
Duhet të të kenë puthur, të të kenë shtrënguar
Këngën tënde, në një dekadë të vjetër, dikush do ta ketë dëgjuar
Por unë jam këtu, nisu ose po nisem,
Lejomë të jem unë Kisha jote.

Meqë as ditëve nuk ka dritë, te ti gjithçka përkthehet në natë
Në terr, në ngjyrë të zezë, në plagë, në muzikë të vaktë
Janë disa çaste kur bëhesh trup i qetë, mendje e paprishur
Kur i sheh të gjitha nuancat e të kaltërtës
Gjithmonë të ka pëlqyer ajo
Në vend që sot ta kesh të kaltër nurin e fytyrës, petkun e jetës
Të kaltëruara janë dozat e marramendjes, sulmet e panikut,
Vetmia është e kaltërsishme
Këtë ngjyrë e ka edhe kisha ku nuk shkove kurrë, por unë jam rrugës për tek ti,
Lejomë të jem unë Kisha jote.

Banesa jote dallon prej të tjerave në këtë lagje
Ti gatuan ndryshe, ti pastron dyshemenë ndryshe, ti frymon ndryshe,
I falesh fesë, përherë në 3 të mëngjesit,
Të vjen të bërtasësh, por kjo botë ka njerëz që bëjnë gjumin në atë orë
Të hahet një çokoladë, një biskotë, një gur i fortë
Merr flakë stufa, merr flakë tërbimi brenda teje
Dikush lart është inatosur tmerrësisht me ty
Edhe këta poshtë të ushqejnë me pjatën ku veten e kanë pështy
Janë qindra arsye pse unë ende të shoh
Lejomë të jem unë Kisha jote.

Brenda meje jeton çdo muzikë kishtare, çdo prift
Çdo klerik
Çdo kambanore, çdo shërbëtor,
Çdo letërsi, çdo stemë mbretërore,
Çdo ikonë, çdo altar, çdo foltore, përkujtimorja,
Një katedër, një kryqëzim, gjashtë qirinj
Një legen me ujë të shenjtë, çdo histori biblike
Një Bibël, një rrëfyese, ku unë të pres,
Të vish, në këtë Kishë,
Një kishë prej njeriu me gjak
Ngushëllohemi bashkë.

Lejomë të jem unë Kisha jote.

Exit mobile version