U arratis me Max Ernst, pinte me surrealistët, dhe e mbante çajin të kyçur me dry.
Charlotte Higgins mbi jetën dhe artin magjepsës të Leonora Carrington
Nga Charlotte Higgins
Leonora Carrington ishte një debutante e cila u arratis me surrealistët. E lindur në 1917, ishte në të njëjtën moshë me Jessica Mitford – e cila u martua fshehurazi me nipin e Winston Churchill-it në luftën civile spanjolle. Përveçse klasës së tyre (Carrington, një bukuri mahnitëse me një re flokësh kaçurrela të errët, u prezantua si debutante në 1935), të dyja gratë kishin diçka tjetër të habitshme të përbashkët: të dyja u “shpëtuan” nga Spanja nga mbrojtës të dërguar me nëndetëse prej familjarëve të tyre të shqetësuar. Churchill e dërgoi një për të marrë Mitford dhe nipin e tij; dadoja irlandeze e Carrington-it arriti me një mjet të tillë transporti te një azil të çmendurish në Santander ku artistja ishte burgosur në vitet e hershme të luftës së dytë botërore.
Jeta e Carrington-it u qetësua dhe u bë e qëndrueshme kur u shpërngul në Mexico City me bashkëshortin e saj të dytë Chiki Weisz, me të cilin u martua në 1943. Jetoi aty nga fundi i viteve ’40 deri në vdekjen e saj në 2011. Elementi i qëndrueshëm ishte arti i saj: piktura të mrekullueshme të cilat përzienin fantazitë e Bosch-it, elegancën dhe kuptimin hapësinor të quattrocento-s dhe mitologjinë e saj personale (vizatime nga krishterimi, misticizmi hebre dhe elementet kelte për të krijuar një simbologji tërësisht individuale dhe ndonjëherë të papenetrueshme). Gjithsesi, pavarësisht elementëve të tyre fantastikë, kur i sheh të duken natyralë dhe familjarë: mund të jenë piktura nga ëndrrat e tua. Siç shkroi njëherë Luis Buñuel për veprën e saj, “na çliron nga realiteti i mjerë i ditëve tona”.
Sidoqoftë, Carrington, ishte larg prej të qenurit “thjesht” piktore. Novela e saj, gazmorja dhe e trazuara “The Hearing Trumpet” mbahet me të drejtë si klasik. I mbushur me një shpirt të lirë e të shkëlqyer feminizmi, ngjarja vendoset në një shtëpi për plaka (të turpshme); heroina e saj 92-vjeçare mban “një mjekër gri e cila njerëzve të zakonshëm u dukej e shpifur. Personalisht, mua më duket disi fisnike”. Ajo ishte eksperimentuese në shumë media. Kishte dizenjo dhe kostume për shfaqje (me tekste të saja si dhe vepra të Shekspirit). Kishte tekstile, të krijuara në bashkëpunim me një familje meksikane endësish mjeshtërorë. Kishte skulptura dhe një murale katër metra të gjatë; kishte gravura, litografi, poema të ilustruara dhe dizenjo kapelesh të jashtëzakonshme.
Carrington ishte bijë e parave të reja – babai i saj ishte pasuruar nga industria e tekstileve, dhe u bë aksioneri kryesor te Imperial Chemicals (ICI); mamaja e saj ishte fëmija e një doktori fshati në Irlandë i cili kishte deklaruar se ishte afruar me shkrimtaren Maria Edgeworth. Arti i saj shpesh prek alkiminë dhe magjinë; në kujtimet e saj të çmendurisë shkruan se kishte lexuar gabim shenjën Imperial Chemicals si “kimi dhe alkimi”.
E kaloi pjesën e parë të fëmijërisë së saj në një rrënojë gotike të zymtë në Lancanshire duke kalëruar (dhe duke gjuajtur lepuj, gjë për të cilën u pendua më vonë). Ishte e pasionuar ndaj kafshëve, një dashuri që zgjati dhe është e dukshme te bishat magjike në artin të saj, pikturat e saj janë një menazheri macesh dhe qensh dhe zogjsh por edhe grifonë e salamandra dhe shumë krijesa pa emër që qëndrojnë mes njeriut dhe kafshës. U përjashtua nga disa konvikte katolike, dukej sikur kishte një urrejtje të ngulitur brenda ndaj institucioneve dhe autoriteteve të çdo lloji. Tregimi i saj i shkurtër “Debutantja” – në të cilën rrëfyesja e re e historisë ndërron vendin me një hiena te një ballo që mbahet në nder të saj, me pasoja të tmerrshme – të jep një ndjesi të urrejtjes së saj absolute ndaj shtresës së lartë (dhe gjithashtu, ndoshta të neverisë madje dhe dhunës të fshehur nën edukatë dhe ritualeve të mirësjelljes). Sidoqoftë, shkrimi i saj ka një lloj shkëputjeje kristalore dhe ironie të lehtë që e lidh me klasën e saj dhe me një traditë letrare që përfshin Lewis Carroll dhe Edward Lear.
Me kundërshtinë e familjes së saj studioi art, duke u regjistruar në akademinë Amedée Ozenfant në Londër. Një shoqe e saj e shkollës ishte Ursula Goldfinger, gruaja e arkitektit që më vonë do të ndërtonte Trellick Tower në Londrën perëndimore; ishte Goldfinger ajo që e ftoi për darkë për t’u takuar me artistin surrealist Max Ernst. Pati një coup de foudre në momentin që ai nxorri gishtin për të ndaluar birrën e saj së u rrokullisuri nga tavolina. Ajo, e sapo dalë nga adoleshenca, u arratis për në Paris me të, ai 26 vjet më i madh. Aty u bë pjesë e grupit të surrealistëve në Paris, duke pirë në kafene me Louis Aragon, Paul dhe Nusch Eluard, Marcel Duchamp dhe André Breton. Në 1938, Carrington dhe Ernst u shpërngulën në Provence, së paku për t’i shpëtuar tërbimit të kuptueshëm të gruas së braktisur të Ernst-it. Në Ardèche, punuan me ngulm, u kujdesën për vreshtat, shkruan, pikturuan, krijuan reliefë apotropaike të jashtëzakonshëm bishash në kopshtin e tyre. Mysafirët mund të zbulonin se Carrington ishte futur fshehurazi në dhomën e tyre gjatë natës, u priste ca fije floku, dhe ua shërbente në omëletë në mëngjes.
Kjo paqe e përbashkët nuk zgjati: kur plasi lufta, Ernst ishte në një pozicion dyfish të pasigurt si një i huaj armik (për sa u përkiste francezëve) dhe piktor “arti të degjeneruar” (për sa u përkiste gjermanëve). U arrestua; gjendja mendore e Carrington-it u përkeqësua. Miq arritën dhe e shtynë të kalonte kufirin spanjoll me ta; më pas u shtrua në azil dhe iu dha Cardiazol, një ilaç i projektuar për të nxitur konvulsione të ngjashme me ato të elektroshokut. Kujtimet e saj për këto ndodhi janë tepër të tmerrshme; titullohet “Down below” sikur eksperienca të kishte përfshirë një zbritje shpirtërore për në nëntokë; vërtetë, pikturat e saj shpesh përshkruajnë vende të cilat qëndrojnë mes të zakonshmes, botës së përditshme dhe një zone tjetër ëndrrash ose vdekje.
Edhe arratisja e saj nga kjo situatë është gjithashtu mbresëlënëse. Prindërit e saj kishin planifikuar ta dërgonin në një institucion tjetër, kësaj here në Afrikën e Jugut, dhe e shoqëruan në Lisbonë për të marrë tragetin. I tha shoqërueses se i duhej të shkonte në tualet, u fut në një kafene, u arratis nga dalja e pasme për te një taksi dhe më pas për te ambasada meksikane, ku njihte një diplomat, Renato Leduc. Ai i erdhi vërtet në ndihmë – duke e martuar dhe duke e marrë me vetë në Meksikë (nëpërmjet New York-ut, ku njëherë ajo i shërbeu André Breton-it një vakt me lepur të egër të mbushur me midhje). Nuk e pa më kurrë babain e saj. Nuk ishte për t’u habitur, ndoshta, se pas kësaj jete me përmbysje, arratisje, përjashtime dhe ekzile, kishte nevojë për rutinë në Mexico City. Një ditë, fqinjët i dërguan punëtorë për të krasitur degët e varura të pemës që kishte mbjellë në oborr dekada përpara. Me pasion, me inat, iu lut t’i linin rehat ato degë të hapura gjerë.
Marrë nga The Guardian
Përktheu Enxhi Hudhri