Kreu Letërsi Bibliotekë Lemony Snicket: Do të të dua

Lemony Snicket: Do të të dua

Përktheu: Xhoina Salaj

Gjithmonë. Pa u ndaluar. Me rritjen e frikës dhe venitjen e shpresës.

Do të të dua pa ia vënë veshin veprimeve të armiqve tanë apo xhelozisë së aktorëve. Do të të dua pa ia vënë veshin zemëratës së prindërve apo mërzitjes së miqve. Do të të dua pa e çarë kokën se ç’shërbehet nëpër kafenetë e botës apo ç’lojë luhet gjatë çasteve të pushimit. Do të të dua pa e çarë kokën se me sa e sa zjarre do të na duhet të luajmë apo se ç’vizatohet në dërrasën e zezë me një shkumës të turbullt e të mërzitshëm. Do të të dua pavarësisht nga gabimet e pafundme kur përpiqem të thjeshtoj thyesat dhe sado i vështirë të jetë mësimi përmendësh i tabelës periodike. Do të të dua pa e vrarë mendjen se cili është kombinimi i dollapit tënd apo si ke vendosur ta kalosh kohën në sallën e studimit. Do të të dua pavarësisht nga performanca e ekipit tënd të futbollit nëpër turne dhe pa ia vënë veshit njollave në veshjen time si nxitës tifozësh. Do të të dua edhe nëse nuk të shoh më dhe do të të dua edhe nëse të shoh çdo të martë. Do të të dua nëse shkurton flokët dhe do të të dua edhe nëse ua shkurton të tjerëve. Do të të dua nëse heq dorë nga prapësitë dhe do të të dua nëse tërhiqesh nga teatri dhe zgjedh një profesion tjetër, më pak të rrezikshëm. Do të të dua edhe nëse e lëshon mushamanë e shiut në tokë, në vend që ta varësh, dhe do të të dua edhe nëse i del kundër tët eti. Do të të dua edhe nëse thua se poezia e Edgar Gestit është më e mira në botë dhe do të të dua dhe nëse thua se vepra e Zilfa Kitli Shnajderit është e padurueshme dhe e lodhshme. Do të të dua nëse braktis tereminin dhe merr harmonikën dhe do të të dua nëse ua fal marmosët kopshtit zoologjik dhe bretkosat M.-së. Do të të dua ashtu siç do ylli i detit koralin dhe siç do kudzu pemët, edhe nëse oqeanet kthehen në pluhur dhe pemët bien në pyll pa i dëgjuar kush. Do të të dua ashtu si pestoja do pastat fetuçine, si rrepa do Miagin, si tempura do ikurën dhe si peperoni do picën. Do të të dua si foka do lulelakrat dhe si njollat e errëta duan leopardin, si shushunja do kyçin e një lejleku dhe si një kufomë do sqepin e një grabitqari. Do të të dua ashtu si mjeku do pacientin e vet më të sëmurë dhe ashtu si liqeni do notarin më të etur. Do të të dua ashtu si mjekra do nofullën, si thërrimet duan mjekrën, si ajo dreq pecete e njomë do thërrimet, si ai dokument i çmuar do lagështinë e pecetës, si syri i mprehtë i lexuesit do të bardhën mbi të zezë të dokumentit, dhe si lotët rrëke duan syrin që përpëlitet, teksa keqkupton atë që është shkruar. Do të të dua si ajsbergu do anijen, si pasagjerët duan varkat e shpëtimit, si varkat e shpëtimit duan dhëmbët e balenës dhe si dhëmbët e balenës duan shijen e uniformave të marinës. Do të të dua ashtu si një fëmijë do të dëgjojë bisedat e prindërve të vet, ashtu si prindërit duan vërshimin e zërave të tyre gjatë grindjeve dhe ashtu si një stilolaps do të shkruajë në fletore një për një fjalët që këta zëra shqiptojnë. Do të të dua ashtu si zalli do të bjerë nga çatia në një ditë të vranët e të zaptojë mjekrën e një inatçiu dhe si furra do të mos punojë kur piqet gjeli i detit. Do të të dua ashtu si një aeroplan do të bjerë nga qielli i kristaltë dhe si një shkallë lëvizëse do shallet e shtrenjta tek ngatërrohen nëpër mekanizmat e vet. Do të të dua ashtu si një letër e njomë do të bëhet shuk e të hidhet pupthi në tavanin e tualetit dhe ashtu si një gomë do të lërë pluhur në flokët e njerëzve fjalaman. Do të të dua ashtu si një manshetë do të shkëputet nga këmisha e të jetojë për hesap të vet dhe ashtu si një palë doreza të bardha duan të rrëshqasin me delikatesë në brokën e ponçit. Do të të dua ashtu si një taksi do spërkatjen me baltë nga një llucë dhe ashtu si një bibliotekë do tiktakun e duruar të orës. Do të të dua si një hajdut do një galeri, si një korb do tufën e vet, si një re do lakuriqët e natës dhe si një mal do kodrën e thepisur. Do të të dua ashtu si fatkeqësitë duan jetimët, si zjarri do pafajësinë dhe ashtu si drejtësia do të ulet serbes e të shohë gjithçka që shkon si mos më keq. Do të të dua ashtu si një fushëbetejë do djelmoshat dhe si menta do alergjitë e tua, dhe do të të dua si lëkura e bananes do këpucën e një burri që sapo u godit me një zall që ra nga çatia e një shtëpie. Do të të dua ashtu si një shërbim zjarrfikës vullnetar do të rendë drejt ndërtesave që shkrumbohen dhe si ndërtesat që shkrumbohen duan që ata të zhduken nga sytë këmbët, si një parashutë do të lërë dirizhablin dhe si një parashutist do ta ndjekë pas atë. Do të të dua ashtu si thika do shpinën e dikujt, si dikush do tunikat rezistente ndaj thikave, si tunikat rezistente ndaj thikave duan të shkojnë në një pastrim kimik dhe si një punonjës i pastrimit kimik do të qëndrojë zgjuar gjithë natën me një palë tejqyra, duke parë një fabrikë thikash për orë të tëra, me shpresën për të kapur një hajdut, dhe si një hajdut do t’i bishtnojë njerëzve me tejqyra, sepse papritur kujton që e ka lënë thikën në shtëpi. Do të të dua ashtu si një sirtar do një qoshk të fshehtë, si një qoshk e fshehtë do një sekret, si një sekret do të bëjë dikë të gulçojë, si dikush që gulçon do një gotë me raki për të qetësuar marazin, si një gotë rakie do të thyhet në dysheme, si zhurma e qelqit që thyhet në dysheme do të bëjë dikë tjetër të gulçojë, si dikush tjetër që gulçon do një tryezë që të mbështetet pak, edhe pse mbështetja pas tij cek një dorezë që do një sirtar me një qoshk të fshehtë. Do të të dua derisa të hapen dhe zbulohen të gjitha qoshqet e tilla dhe derisa të gjitha të fshehtat të kenë gulçuar nëpër botë. Do të të dua derisa të gjitha kodet dhe zemrat të jenë thyer dhe derisa çdo anagramë dhe vezë të jetë qëmtuar. Do të të dua derisa çdo zjarr të shuhet dhe derisa çdo shtëpi të rindërtohet nga pyjet më të bukura e më të ndjeshme, dhe derisa çdo kriminel të prangoset nga policët më të dembelosur. Do të të dua derisa M.-ja të urrejë gjarpërinjtë dhe J.-ja të urrejë gramatikën, dhe do të të dua derisa C.-ja të kuptojë se S.-ja nuk është i denjë për dashurinë e tij dhe N.-ja të kuptojë se ai nuk është i denjë për V.-në. Do të të dua derisa zogu të urrejë folenë dhe krimbi të urrejë mollën, derisa molla të urrejë pemën dhe pema të urrejë folenë, dhe derisa zogu të urrejë pemën dhe molla të urrejë folenë, megjithatë, nuk mund ta ndërmend dot këtë ndodhinë e fundit, sado të përpiqem. Do të të dua ndërsa rritemi, gjë që sapo ka ndodhur, dhe ka ndodhur, dhe ka ndodhur jo më larg se para disa ditësh, vazhdimisht, vite të tëra para, dhe do të vazhdojë të ndodhë ndërsa akrepat e çdo ore dhe faqet e çdo kalendari shënojnë kalimin e kohës, me përjashtim të atyre që njerëzit kanë harruar të kurdisin orët dhe të vendosin kalendarët në vende të qarta. Do të të dua ndërsa e gjejmë veten gjithnjë e më larg njëri-tjetrit, ku dikur ishim aq të afërt sa ndanim edhe pipën plastike dhe lugën e gjatë të hollë mes buzëve dhe gishtërinjve tanë. Do të të dua derisa mundësitë që ne të takohemi sërish të shuhen nga një pikë e mundshme në zero, derisa fytyra jote të vishet nga një kujtim i largët, derisa kujtimi yt të përballet me një mjegull po të largët, derisa mjegulla jote të kujtohet nga një fytyrë e largët, dhe derisa distanca jote të bëhet edhe më e largët nga kujtimi i një mjegulle të mjegullt. Do të të dua pavarësisht nga ku shkon dhe kë sheh, pavarësisht se kë shmang dhe kë nuk sheh, dhe pavarësisht se kush të sheh duke shmangur vendin ku po shkon. Do të të dua pavarësisht se çfarë ndodh me ty, pavarësisht se si do ta zbuloj se ç’po ndodh me ty, pavarësisht se ç’më ndodh ndërsa zbuloj këtë të fundit dhe pavarësisht se si do të jem pas asaj që më ndodh, ndërkohë që zbuloj këtë zallamahi. Do të të dua nëse nuk martohesh me mua. Do të të dua nëse martohesh me dikë tjetër, ndoshta me partnerin tënd, ose Y.-në, apo edhe O.-në, ose kushdo nga Z.-ja deri tek A.-ja, madje edhe me R.-në, edhe pse, fatkeqësisht, besoj se do të kalojë goxha kohë derisa dy gra të lejohen të martohen, dhe do të të dua nëse ke një fëmijë, dhe do të dua nëse ke dy fëmijë, ose edhe tre, apo edhe më shumë, edhe pse mendoj se tre dalin e mjaftojnë, dhe do të të dua nëse vendos të mos martohesh fare e të mos kesh fëmijë, dhe i kalon vitet duke uruar që në fund të fundit të ishe martuar me mua, e të them të drejtën, në netët e vona e të ftohta, zemra më gufon për këtë skenar nga të gjithë skenarët e tjerë që kam përmendur. E kështu, Beatriçe, do të të dua ndërkohë që bota vazhdon në rrugën e saj meskine.

Exit mobile version