Bisedoi Ylli Drishti, Historian & Kurator Arti
Y.D.– Cili është mesazhi që ekspozita i ofron spektatorit shqiptar nga dy kuratoret e saj Alba Zgarbi dhe Artan Shabani?
Ekspozita synon t’i ofrojë spektatorit shqiptar një përvojë të pastër vizuale, ku gjuha universale e vizatimit dhe teknikave mbi letër thekson gjestin origjinal të artistit. Punimet vendosin në ekuilibër idetë mbi cilësinë e krijimit, të formuara nga koha historike dhe traditat akademike. Galeria shndërrohet në një hapësirë të vetme ku format dialogojnë mes tyre, duke krijuar një atmosferë poetike. Në thelb, veprat janë reflektime të brendshme të shpirtit krijues të artistëve.
Y.D. – Çfarë i bashkon artistët e kësaj ekspozita sipas konceptit kuratorial?
Artistët i bashkon vizatimi dhe grafika, si forma më e pastër dhe e drejtpërdrejtë e mendimit vizual, ku testohet ideja, forma dhe emocioni. Këto gjurmë të sinqerta të mendjes së artistit shërbejnë si thelb i procesit krijues. Në artin bashkëkohor, vizatimi nuk është më fazë përgatitore, por një vepër autonome dhe e plotë.
Y.D.– Si lindi bashkëpunimi i dy kuratorëve dhe për sa kohë u përgatit ekspozita?
Bashkëpunimi me Albën ka nisur para rreth pesë vitesh, gjatë një udhëtimi të përbashkët kulturor në Shqipëri me grupin e drejtuar nga Vittorio Sgarbi. Miqësia e mirë mes nesh solli natyrshëm dëshirën për të zhvilluar ide kuratoriale dhe projekte të përbashkëta. Ekspozita aktuale, përgatitur brenda tre muajsh, mbart si kënaqësinë ashtu edhe përgjegjësinë e një pune serioze.
Y.D.– Sa piktorë shqiptarë janë në ekspozitë?
Piktorë me origjinë shqiptare janë 15 artistë, ata janë nga qytete dhe nga treva të ndryshme si: nga Tuzi i Malit të Zi dhe në këtë rast kemi artistin e njohur Gjelosh Gjoka, po ashtu nga Orashi i poshtëm në Maqedoni, piktorin e njohur në Evrope Ben Kamili, po ashtu artistë nga Shkodra, Tirana, Korça, Berati, Fieri, etj.
Adrian Çene, lindur në Tiranë më 1969, u ndikua herët nga piktura dhe pati një përvojë vendimtare në Itali në vitin 1991, e cila tërhoqi vëmendjen e koleksionistëve evropianë. Ai u rikthye në Shqipëri për të përfunduar studimet në Akademinë e Arteve, duke u diplomuar në vitin 1992. Stili i tij karakterizohet nga forma të guximshme, ngjyra ekspresive dhe një energji e fortë vizuale. Përmes një qasjeje optimiste, Çene i jep artit të tij një mesazh pozitiv mbi tranzicionin shqiptar, pa humbur forcën dhe origjinalitetin e shprehjes.
Lumturi Blloshmi (1944–2020), lindur në Tiranë, u rrit mes traumave familjare dhe humbjes së dëgjimit në fëmijëri. Ajo u diplomua në Akademinë e Arteve në vitin 1968, por nga 1974–1984 iu hoq e drejta e krijimtarisë, duke e penguar të ekspozonte. Gjatë viteve punoi në shtypshkronjë, në botime shkollore, në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë dhe në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Ekspozitën e parë vetjake e çeli në vitin 1988, ndërsa pas viteve ’90 u shqua si një nga artistet më të rëndësishme bashkëkohore shqiptare. Praktika e saj përfshiu pikturë, vizatim, fotografi dhe instalacion. Veprat e saj janë ekspozuar në institucione të njohura ndërkombëtare dhe ndodhen në koleksionin e GKA-së. Blloshmi ishte artistja e parë grua që përfaqësoi Shqipërinë në Bienalen e Venecias (edicioni i 59-të) kuruar nga Adela Demetja.
Y.D.– Cilët janë piktoret e tjerë?
Artistët e tjerë janë Peter Assmann, Stefano Albanese, Elvira Bach, Renate Gabriele Bachem, Michael Bette, Marion Eichmann, Marco Fantini, Leonor Fini, Conrad Felixmüller, Käthe Kollwitz , këta artist historik dhe bashkëkohor vijnë nga Argjentina, Gjermania, Austria, Italia. Artistët e prezantuar janë të njohur në skenën e artit ndërkombëtare dhe personalisht me vjen mirë që këto emra sot gjënden në një hapësirë si ajo e MAG Gallery.
Nga Austria kemi Peter Assmann (lindur më 1963 në Tirol) është një artist, kurator dhe drejtor muzeal me një karrierë të spikatur në Europë. Ai studioi histori arti, histori dhe gjuhësi gjermane në Universitetin e Innsbruck-ut dhe punoi në projekte kërkimore në Itali e Francë. Nga 1992–2013 drejtoi Galerinë dhe më pas Muzetë Shtetërore të Austrisë së Epërme, ndërsa më vonë udhëhoqi Palazzo Ducale në Mantua dhe Muzetë Shtetërore të Tirolit. Ka qenë president i Shoqatës së Muzeve Austriake dhe anëtar i bordit të rrjeteve evropiane muzeale. Për kontributet e tij, qytete italiane i kanë dhënë titullin “Qytetar Nderi”. Që nga viti 1995 është aktiv si artist pamor dhe shkrimtar, pjesë e disa grupeve artistike dhe institucioneve prestigjioze si Vienna Künstlerhaus. Ka botuar një sërë veprash letrare dhe në 2024 iu kushtua një vëllim përkujtimor me rastin e 60-vjetorit.
Gjate 2026 disa nga artistët si Assmann, Cene, Nallbani, Kamili, do të kenë ekspozita vetjake në Vlorë, Tiranë, Shangai dhe Berlin.
Y.D.– Nga cili vit është vizatimi, grafika apo pasteli i parë dhe cili punim është ai i fundit si vit?
Käthe Kollwitz (1867–1945) është artistja më e hershme e përfaqësuar në ekspozitë dhe një figurë e jashtëzakonshme që u afirmua në një botë arti të dominuar nga burrat. E lindur në Königsberg, ajo u përqendrua tek gratë dhe klasa punëtore, duke i dhënë zë vështirësive dhe realiteteve të tyre përmes një stili natyralist të fuqishëm e emocional. Humbja personale dhe puna e saj pranë njerëzve në nevojë ushqyen motivet e saj, ndërsa vijat e dendura dhe kontrastet e forta i dhanë veprave një intensitet të veçantë. Fillimisht piktore, ajo u orientua drejt grafikës, gdhendjes dhe litografisë, duke e thjeshtuar gjuhën vizuale pa humbur autenticitetin. Punime si cikli “Lufta” sjellin imazhe të dhimbjes dhe qëndresës njerëzore, ndërsa vetë Kollwitz e konsideronte artin e saj një detyrë morale ndaj shoqërisë. Dhembshuria e saj e thellë dhe angazhimi ndaj realitetit njerëzor e kanë bërë një nga zërat më të rëndësishëm në artin grafik modern. Sot, ajo mbetet e njohur jo vetëm për tematikat sociale, por edhe për mjeshtërinë dhe eksperimentimin e saj të gjerë artistik.
Y.D.– Sa janë vizatime – teknika e tyre; sa janë grafika – teknika e tyre dhe sa janë pastele dhe autoret e tyre, a ka ndonjë artist risi shqiptar qe nuk e njohim mirë ?
Vizatime në këtë ekspozitë janë rreth rreth 38 dhe grafika rreth 26, secili prej autorëve ka individualitetin e vet dhe kjo e bën me tërheqëse tensionin artistik në panelet e galerisë. në këtë ekspozitë kemi risi artistin Çatin Saraci i cili njihet shumë pak dhe më lejoni ta prezantoj pak më thellë. Çatin Saraçi, i lindur në Shkodër, u arsimua në Vjenë ku u miqësua me Ahmet Zogun dhe më pas ndoqi një karrierë të gjatë diplomatike, shpesh të trazuar nga akuza dhe lëvizje të shpeshta detyre. Pas largimit nga diplomacia më 1938, ai u takua në Londër me Oscar Kokoschkan, me të cilin krijoi një miqësi dhe bashkëpunim të ngushtë artistik. Nën ndikimin e Kokoschkës, Saraçi zhvilloi një stil që e përfaqëson në historinë e artit anglez si pjesë e impresionizmit britanik. Ai hapi ekspozitën e parë në Redfern Gallery në vitin 1945 dhe më pas ekspozoi rregullisht në Londër, Dublin dhe Paris. Pas vdekjes në 1974, u organizuan ekspozita përkujtimore, përfshirë një të rëndësishme në Pride Gallery në 1988.
Grafika: Në sallat e galerisë nuk mungojnë dhe grafikat e autoreve historik por dhe bashkëkohore, janë të dukshme lidhjet midis personazheve. Bëhet fjalë për përkimin e imagjinatës së artistit me atë të shikuesit në një mënyrë të re për të kuptuar dhe ndjerë njëri-tjetrin, një hapësirë ku shpërfaqen ndjesi më të thella, edhe pse jo të drejtpërdrejta, pasi ka të bëjë me një përfytyrim të përjetshëm. Nga autorët më të spikatur në grafike është artisti Gjokaj. Gjelosh Gjokaj (1933–2016), artist me origjinë shqiptare nga Tuzi, u formua në Novi Sad, Pejë dhe më pas në Akademinë e Arteve në Beograd, ku u specializua në grafikë. Ai dha një kontribut të rëndësishëm si pedagog në Prishtinë dhe ishte ndër nismëtarët e Fakultetit të Arteve. Pas studimeve dhe vizitave në Francë, Itali e Gjermani, vendosi karrierën në Itali, ku në vitin 1977 u shpall piktori më i mirë i vitit. Më vonë u vendos në Gjermani, duke vazhduar krijimtarinë e tij të suksesshme. Gjokaj ekspozoi gjerësisht dhe u vlerësua në arenën ndërkombëtare, përfshirë një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës në vitin 2000. Ai ishte anëtar i shumë akademive dhe shoqatave prestigjioze. Në vitin 2010 mori statusin e krijuesit të jashtëzakonshëm kulturor. Sot konsiderohet “babai i artit grafik të Kosovës”, me një trashëgimi të rëndësishme në artin pamor të rajonit.
Nga veprat me teknikën e pastelit janë dy veprat e artistit me banim ne Princton USA, Alkan Nallbani, dhe dy punimet e Ardit Boricit. Alkan Nallbani, i lindur në Berat më 1971, zhvilloi karrierën e tij artistike kryesisht në Itali, ku gjeti një ambient frymëzues për krijimtarinë. Ai u diplomua me nderime nga Akademia e Arteve në Tiranë dhe më pas vazhdoi studimet në Firence dhe në Corcoran College në Uashington, D.C. Puna e tij përqëndrohet te piktura me vaj, vizatimet dhe gravurat, duke alternuar mes stileve përfaqësuese dhe abstrakte. Alkani mban studio në Tribeca, New York dhe në Firence, duke zhvilluar punën në dy kontinente. Karriera ndërkombëtare përfshin Bienalen Harnett 2010 dhe Bienalen e Pragës 2009, si dhe ekspozita të shumta personale dhe në grup. Veprat e tij spikasin për fuqinë vizuale dhe originalitetin. Ai ka konsoliduar një vend të rëndësishëm në skenën bashkëkohore artistike.
Y.D.– Kujt i përkasin këto vizatime? Autoreve apo ndonje koleksionisti shqiptar apo te huaj?
Veprat vijnë nga koleksione familjare, pronësia e vet artistëve dhe koleksionistëve, si për shembull veprat e Guri Madhit dhe Ben Kamilit. Disa vijnë edhe nga koleksione modeste personale. Qëllimi kryesor është që shikuesi të gjejë kënaqësi dhe të hyjë në thelbin e veprave. Në këtë përvojë, ai ndjen gjurmët artistike të krijuesve. Pa bashkëpunimin me koleksionistët ekspozitat muzeale kudo në Botë do të ishin të cunguara dhe shpesh të vaktë, koleksionistët kanë dëshire intelektuale dhe një ndër ta është miku im Ben Kamili. Koleksionimi lind nga kurioziteti për të zbuluar vlerën e brendshme të veprës, dëshira për posedim dhe një lidhje sentimentale me artin. Ben Kamili, i lindur në Maqedoni më 1969, është një piktor pasionant i stilit plein air, i frymëzuar nga peizazhet natyrore të papërpunuara. Ai studioi në Universitetin Teknik të Berlinit dhe më pas në Universitetin e Arteve nën profesor Klaus Fußmann, duke zhvilluar një teknikë të veçantë vizatimi dhe përdorimi të bojës. Pikturat e tij dallohen për shtresat e trasha bojë dhe teksturat relievike që i japin jetës dhe volumit. Zgjedhja e motivit shoqërohet me proces të kujdesshëm pune në natyrë, duke përfshirë transportin e materialeve dhe pozicionimin e trekëmbëshit. Ngjyra dhe syri i stërvitur i Kamilit kapin elegancën dhe gjallërinë e peizazheve. Veprat e tij gjenden në koleksione prestigjioze publike dhe private dhe janë ekspozuar në shumë vende të botës. Galeritë dhe koleksionet ku shfaqen punimet përfshijnë Galerie Conzen, Sammlung Carmen Würth, Museum Detlefsen dhe Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Y.D.– Mendoni që kjo ekspozitë të jetë e përvitshme?
Ekspozita synon të udhëtojë në Berlin, Shanghai dhe Itali, duke promovuar artistët bashkëkohor shqiptar, veçanërisht ata që kanë pak hapësirë në vendin tonë. Artistët eksplorojnë gjuhën vizuale dhe tejkalojnë gjetjet artistike. Madje edhe lojërat grafike shfaqin reflektime perceptive dhe fuqinë e fshehur të ngjyrës.
Y.D.– Cili është mendimi juaj si kuratorë mbi gjininë e vizatimit dhe rëndësia e saj në Shqipëri?
Kam vite që promovoj këtë gjini elegante dhe sqimatare, duke filluar me ekspozitat në Torino, Paris, “Pera Museum” në Stamboll dhe “Maca Museum” në Kalabri. Veçanërisht unë përmend ekspozitën “100 vite vizatim shqiptar” në Galerinë Kombëtare të Arteve,Tiranë ku kontribuan me vlerë Suzana Varvarica dhe Ylli Drishti. Vizatimi shqiptar është promovuar gjerësisht dhe përcjell ndjesi të ngrohta dhe aftësi pasqyruese të thella. Kur flasim për grafikën dhe vizatimin, lind natyrshëm kureshtja për origjinën dhe zhvillimin e saj në Shqipëri. Këto ekspozita ndihmojnë në kuptimin e emrave, kontekstit historik dhe rrugëtimit të vizatimit shqiptar.
Pak informacion lidhur me shkollëne vizatimit në Shqipëri.
Në vitin 1931 filloi në Tiranë, Kursi i vizatimit me piktorin Andrea Kushi. Shkolla e vizatimit u zyrtarizua në vitin 1933 dhe pedagogët e parë ishin italiani Mario Ridola dhe Andrea Kushi, ku Ridola ishte drejtori i parë, më pas u zëvendësua nga Odise Paskali. Pedagogët e parë përfshinin Andrea Kushin, Abdurrahim Buzën, Lasgush Poradecin, Hajro Xhungën dhe Mihal Zallarin. Shkolla e vizatimit, ishte e vendosur në shtëpinë e Prefektit Qamil Pepa, ku studiuan artistë që më pas fituan bursa në akademi ndërkombëtare. Ideja për të bashkuar veprat e artistëve shqiptarë në të njëjtin zhanër ishte një projekt i veçantë personal.
