Kreu Letërsi Bibliotekë “Kur vetmia veton”, poezi nga Afrim Demiri

“Kur vetmia veton”, poezi nga Afrim Demiri

Afrim Demiri

1.
Kur vetmia veton

Kur vetmia veton
në zemrat e vrame
lirikat pikojnë
si qershitë

Nga shekët e krisura
rrjedhin kujtimet
e trishta

Një magjistare në jermi
i lidhë udhët nyje
dhe mallkon yje

Në gjembat e trëndafilave
të pa çelur
shkyhet këmisha e pranverës
së humbur

Lulet në herbarium
ruajnë polenin
e ringjalljes

2.
Përpirësi

Jam vetëm
një përpirës
i mllefit vetmitar
i pështymës
që nuk e nxjerri
jashtë

Përpijë tështimen
time si nje vullkan
që s’guxon
të shpërthejë

Fjalët i kafshojë  si
kupat e kallamoçit
të mos i lëshojnë
stërkalat mallkuese

O vetveten përpijë
si një virus
që duhet të mbytet
të mos vijë
tek ju

Koha koha si lëmsh
leshi nuk po përpihet
Dot
derisa e nesërmja
të më liron nga
Përpirja

3.
Torzo e çmendur

As nuk  më prek kush
as që preku kënd

Mungesa e prekjes
ma ka tha lëkuren
si gëzhojë të veve
të prishura

Trajtat kanë humbur
përmasat si në mjegull

Me duart e stërkequra
me gishtat si krande të thata
me krahët e ngjitur për shtati
nuk jam ma unë 
Kam mbet
një Torzo e çmendur
si  dordolec pranvere

Nga shikimet e trishta
frika më shiton
si prekje meduze
nuk e njoh as kurmën
time

Edhe le të më pickon
dikush
vetem le të me prekë
ta dije që jam gjallë
nga kjo dergjë e keqe

4.
Shikim nga kati i shtatë

Kulmeve vetmia
ka dalë për gjah
si mace e pangjyrë
hija e reve të zemruara 
mbulon trumcakun
e dremitur në qeremide
Ulluqet mbledhin
pikëllimin e ditëve
të izolimit

Xhita e humbur
në qiellin e mërzitur
vizaton zik-zaket
e frikës në renë 
me portret fëmije

Oxhaqet nuk tymojnë
pëllumbat e teneqes
nuk tregojnë kah fryejnë
erërat e pritjes

Shikim nga kati i shtatë
Teleskopi i vërbuar
e huq Siriusin

Poshtë atje poshtë
udhët si litarë cirku
presin udhëtarët
që s’vijnë
Automobilët janë kthyer
në breshka të ngordhura

Malli për hijet e njerëzve
kacavjerret nëpër rrufepritës
dhe përplaset për tokë

Nga kati i shtatë
nuk shihen gjurmët
e coronavirusit

5.
Vetmia virusale

Brenda
vetmisë virusale
herë jam një orendi
herë perde plastike
në dritare mbylli dritën
e rrejshme

Sa për librin e fundit
s’jam tjetër përpos
një lexues prej dylli

I mbështetur për frigoriferi
si skulpturë e refugjatit
të uritur jam
e pasderës së dhomës
shportë e stërmbushur
e mbeturinave

Në qoshen artistike
aty ku rri ora e zallit
jam vazo për lulen
pikëlluese të orchides

Prej ditës në ditë
si rruzare të njëjta
jam peri që pret
të këputet

E rruzat kobndjellëse
të shkojnë në theqafje

6.
Syth i pranverës virusale

Fytyrën ma mbulojnë
myshqet dhe likenet
si një guri të humbur
kohe

M’i fshehin
grimasat e vetmisë
me maskën green
kundër coronavirusit

Vrushkull rrezesh
tejpërtej hijes time
rrezojnë shpresat
e humbura honeve

Jam një syth
i pranverës virusale
në trungun e lisit
të vrarë rrufeje

Lumi rrjedh
brenda meje
si drejt detit
pa pyetur
për kohën
për virusin

Exit mobile version