Kreu Letërsi Bibliotekë “Kur nuk do të jem”, poezi nga Zuvdija Hoxhiq

“Kur nuk do të jem”, poezi nga Zuvdija Hoxhiq

Përktheu nga origjinali Dimitrov Popoviq

FEDERIKO GARSIA LORKES

Në këtë kohë pa shpresë veshur në të zeza
Edhe unë zemrën në vend t’qiririt ndeza.

Dhe si ty të mirit në pyllin e Granadës
më sillen rreth kokës gjatë kësaj nate.

Plot shqetësim dhe me klithje do të më tretin
Mjerë për ty, o botë, çdo të bësh pa poetin.


MERMERI

Ja këtu pushoj unë
Që në tri beteja kam shkuar
Por nuk kam nxënë
Në emër të kujt kam luftuar
Në emër të kujt kam rënë.


KUR NUK DO TË JEM

Kur nuk do të jem
Atë fotografinë time të rinisë
Në të cilën ngjajmë si të ishim binjakë
Djali do ta rrisë, do e futë në kornizë dhe do ta vendosë
Në vendin ku do ta shikojnë të gjithë.
Do ta lëvizin kur të lyejnë shtëpinë
Dhe të ndërrojnë vendin e fotografive.
Një natë do t’i thotë gruas:
Mendo, e vogla ka pyetur se ku është fotografia e gjyshit.
Është mirë që e kemi hequr
A e di se sa ka qarë ajo atëherë
E ka dashur shumë.
Nesër do t’i blejë një plejër
Me të do të dëfrehet.

Kur nuk do të jem
Në fjalën përshëndetëse në takimet letrare të Plavës
Kryetari i Këshillit do të përmendë dhe emrin tim
Poezitë do t’i kem
Në përmbledhjen e poetëve të vendlindjes
Të botuar me rastin e jubileut.
Në emisionin “Ka ndodhur në ditën e sotme”,
Në prag të lajmeve në TV
Do të shkruhet se në atë ditë, para dhjetë vitesh
Ndërroi jetë Zuvdija Hoxhiq,
Poet, publicist, shkrimtar.

Kur nuk do të jem
Ndonjë nxënës nga Shkolla fillore “Xhafer Nikoçeviq”
Në Leximin letrar të klasës së gjashtë
Poshtë fragmentit nga libri “Dikush thërret”
Do të lexojë shënimin për shkrimtarin
I çuditur se është lindur në Guci
Do ta lexojë përsëri
I kënaqur ashtu si unë
Kur në librin e gjeografisë të tim vëllai
Kam lexuar se Vruja është lumi më i ftohtë në Jugosllavi.


VDEKJA E SIZIFIT

Me ngulm duke kënduar gurin shtyn
Turpshëm duke rënë nën atë peshë
Si të mbante fjalë. N’sa shtërgata shfryn
Stoliset me pikëllim si me lule veshë.

Mbeti ai gur në majë i shtrirë
Dhe Sizifi s’di ç’të bëjë më
I vetëm, ndërsa liria rjep si egërsirë
Kobi shkruhet, kur egërsira të zë.

Koka e vet punon për veten e tij
Mendimi që u thur – habiti poezinë
Si komandant i bindur në vendimin e drejtë

Se është më mirë të humbësh betejën
Vetë e shtyu gurin teposhtë në pjerrtësi
Duke e rrokullisë në vjershë më vështir’ se n’lartësi.


BIJA IME

Bija ime
Anëtare e klubit të hipizmit “Perjanik”
Si luftëtar hun, si ullan polak
Si korier tartar, si kusar hungarez
Si Apash, si beduin
Si ledi angleze
Si mbesë e Sheqos
Kalëron mbi kuaj me qime të verdha, allatë, doratë
Laramanë, të zinj, izabelë, të hirtë,
Ahaltekinë, anglezë, hungarezë,
Arabë, boshnjako-malorë
Më bindin se ata më shumë duan
Kur ajo është hipur mbi ta
Ajo me çdonjërin në gjuhën e tyre bisedon
Bija ime nuk thotë: Do të të lind një nip
Bija ime thotë: Do ta kesh Pegazin me krahë
Që kur të vijnë ato mizat e tua
Të mundesh të fluturosh në Guci
Dhe të kthehesh në gjendje normale.


BALADË PËR NE

Kemi gjetur atë lëkurën e dashit të artë
dhe që pafatsia të ish më e madhe: ishte e bukur.

Nga bashka e artë asgjë – ky fat na ka përcjellur
Nga vargmalet tek sirenat koha na ka hedhur,
Pagjumësia e bardhë nëpër fytyrë na ka kulluar,
Atëherë zogu nga kënga, si nga kafazi është larguar,
Dhe shenj i keq: në mesditë ra muzgu i murrmë,
Ja ku bashkës së dashit t’ artë i ramë në gjurmë.

Rojat të ndryshkur nga vetmia shkuan në kërkim
Duke udhëtuar rrugën harrojnë. Me ne në takim
Qartë duke shënuar rrugën që çon te bashka e artë
Kështu të gënjyer u humbëm si në një shtërgatë
Duke e kërkuar humbëm qetësinë dhe të dashurën Itakë,
U endëm kudo nëpër botë, ndërsa e kishim në prag.


NISJA

Çdo ditë ne jemi gjithnjë e më pak
Na ha Dielli, gurishtja dhe besimi.
Lëvizin nga rëra eshtra dhe kafkë
Në rrugën tonë drejt qytetit dhe qëllimit.

Ngjitemi kodrave, horizontet ngushtohen
Ndonëse të fortë nuk di a do të durojmë?
Mos vallë është qyteti sa më larg që ecim
A thua do ta gjejmë dhe a do ta dallojmë?

Vendqëndrimi ynë u shfaq më në fund
Në pejzazhin e imët. Po gjë nuk po shohim:
Tek porta jemi, ndërsa roja kurkund
S’na lejon ne, dhe pse kodin ja njohim.

Exit mobile version