Kreu Letërsi Shënime mbi libra Sokol Zekaj:”Andrra e jetës”, një lexim i poemës së Ndre Mjedës

Sokol Zekaj:”Andrra e jetës”, një lexim i poemës së Ndre Mjedës

1

Mbi njëqind vjet më parë Ndre Mjedja shkruante poemën Andrra e jetës. Mendohet ta ketë filluar pasi është vendosur me punë në Kukël në vitin 1906. Atëherë qe dyzet vjeç, në lulëzim të aftësive të veta krijuese. Qe arsimuar e pajisur me dije të larta. Kishte jetuar në perëndim, dinte plot gjuhë të huaja, përfshirë edhe latinishten. Ishte autor i shumë lirikave e poemave të njohura me frymë romantike dhe atdhedashëse. Poema që përmendëm u botua për herë të parë në Juvenilia, në vitin 1917 në Vjenë.

Andrra e jetës është kryevepra e Mjedjes. Nuk kemi të dhëna për procesin krijues, por mund të besojmë se të shkruarit e saj ka qenë kënaqësi për autorin. Vetë ideja e poemës e ka gëzuar pasi tashmë, qe i mbushur nga jeta për të dhënë plot gjëra, të cilat ende nuk i dinte, por që i ndjente brenda vetes: shumëllojshmëri vargjesh e rimash,  figurash e imazhesh, ndjenjash e përvojash. Vërtetë, poema do të kishte përsosmërinë e një vepre të madhe muzikore. Më duhet të them se, te Juvenilia më ka lindur ëndrra e jetës sime: ajo është vendlindja ime e poetit.

2

Mjedja është si ari: ai nuk u zhvlerësua në asnjë kohë, ndonëse kaloi nëpër hijedritë. Duhet ta besojmë se, sa ishte gjallë, siç na thonë bashëkohësit, qe i mënjanuar e i pavlerësuar sa e meritonte. Kjo ndodhte për shumë arsye të cilat janë thënë e shkruar, por edhe për faktin se poezia e tij ishte e rafinuar artistikisht, dhe donte një edukim estetik për ta shijuar, në një kohë kur në Shkodër shkruante Fishta, i aftë për të hyrë në rezonancë me dëshirat dhe shijet e lexuesve, madje duke bërë edhe edukimin estetik të tyre, siç bëjnë të gjithë poetët e suksesshëm.

Edhe Lasgushi bëri një poezi të ngritur nga ana cilësore. Veçoria është se, siç thotë me të drejtë Frida Idrizi, toni dhe ritmika e poezisë së tij ishin më pranë poezisë popullore, asaj të jugut, madje në më shumë se një rast, ai bëri inkursione poetike të vërteta drejt kësaj fushe. Këtë gjë, në mënyrën e vet, e pati bërë edhe Fishta në Veri. Mjedjes asnjëherë nuk i shkoi mendja për “lëshime” të tilla. Formimi dhe vetëdija e tij estetike ishin solide dhe gati hermetike ndaj tyre.

Nga ana tjetër, Lasgushi nuk krijoi dashakëqinj në jetë, ndërsa pati mbështetjen e vyer të Çabejt, të Kutelit e të Asdrenit. Kurse Mjedja, ndoshta edhe për sqimën artistike dhe intelektuale, më shumë ndjeu heshtje rreth vetes, dhe njerëz që e shihnin shtrembër. Por ai nuk ndryshon, don me qenë i vërtetë, thotë atë që ndjen, dhe sidomos nuk thotë të kundërtën e asaj. Ndoshta në vitet e fundit, qe edhe i lodhur nga jeta. Koliqi, një shkrimtar dhe poet bashkëkohës shkodran, na e paraqet “si një prift katundi ndër ma të lanunit…verë e dimën mbërthye në një pallto të randë të  zezë”.

Por mund të thuhet edhe kjo: veshja e klerikut, nuk rri mirë në staturën e tij të poetit. Kjo gjë s’ka pse thuhet për Fishtën. Lasgushi nga ana tjetër, merrej si ishte, civil dhe modern, dhe kjo e ndihmonte. E njëjta gjë ndikoi më vonë në popullaritetin e Migjenit, me histori dashurie, me albume të fotografive, me plot kujtime shokësh e miqsh, e me përjetime e përkujdesje fisnike familjarësh. Ndërsa autori i Juvenilias nuk e pati këtë fat. Ai mund të jetë parë me dyshim, edhe nga besimtarët edhe nga jobesimtarët. Të parët e gjykojnë, të dytët e paragjykojnë.

Veç kësaj, te Mjedja jetojnë dy personalitete poetike: njëri i qetë dhe soditës, tjetri nevrik dhe stigmatizues. Unë për vete pëlqej të parin, padyshim. Por, disa gjëra nuk zhbëhen: realiteti dhe karakteri i tij, siç ndodh me të gjithë poetët e vërtetë në çdo kohë e në çdo vend, ishin dy ingranazhe që nuk përkonin. Sidoqoftë, qysh në fillim të viteve tridhjetë, ai u njoh si mjeshtër i madh, mes tjerëve edhe nga një poet i iluminuar si Lazër Shantoja, ndonëse me pak, me shumë pak zë!

Më tej, pas luftës së dytë botërore, ideologjia komuniste nuk gjeti dot arsye për të mos e çmuar e nderuar poetin Mjedja gjatë gjithë gjysëmshekullit. Koha e sotme është sot, në shekullin e ri. Në të vërtetë Mjedja është poeti që na ofron një vepër të begatuar me kuptimsinë e jetës, por duke trupzuar në vetvete elementët e artit elitar.

3

Mjedja bën pjesë te ata poetë, emri i të cilëve lidhet me vepra konkrete: ashtu si emri i De Radës lidhet me Milosaon, i Naimit me Lulet e verës, i Fishtës me Lahutën e Malcis, emri i Mjedjes lidhet me poemën Andrra e jetës. Fundja, emri i poetit jeton veçse përmes veprës së vet. Është vepra monumenti, nëse është. Tashmë kjo thuhet qysh prej Horacit.

Duhet patur në vëmendje se kjo poemë shënon realizimin kulmor, ku poeti do të investojë vetveten. Ndonëse poemë e gjatë, ajo e gjitha është brenda sensit të poezisë, dhe është gjithashtu shprehja më e qashtër, më e llagartë, e poezisë së pastër në letrat shqipe. Aty janë derdhur në mënyrë harmonike lënda, frymëzimi dhe mjeshtria e poetit. Është e vërtetë se pas kësaj poeme, Mjedja do të vazhdojë të gdhendë të tjerë vargje të bukur e me masë, por gjithsesi atyre do tu mungojë diçka nga ngjyrimi, nga esenca dhe nga thellësia e zërit të tij poetik.

Nga ana tjetër, a nuk gjendet mjeshtria e tingllimave Lissus e Scodra, te pjesa e dytë e Zogës, ku vargjet kaq shumë të përimtuar  artistikisht, rrjedhin lirshëm, e ku metaforat flatruese e vezulluese, vallëzojnë përmes një gjuhe që na tingllon në shpirt? Ku tjetër në poezinë shqipe, mund të gjejmë kaq imazhe të paharrueshme, kaq shkathtësi të vargut e të ligjërimit, kaq befasi të bukura, dhe kaq elegancë të këndimit poetikë? Ndërsa e lexojmë, përfytyrimi ynë rrëshqet poemës si ngjala në rrymën e ujit të kthjellët. Ja, si këto vargje:

Tue siellun krahnin këndote me vedi

E i rridhte krahve nji si val’ deti

Kur dielli shndritshëm lshote si zhgjeta

Rrezet e veta

Rreze flak’ arit…/

Titulli i poemës, Andrra e jetës, është gjithashtu një metaforë që e kompleton veprën. Në fakt, kjo është si një kristal me shumë faqe, por më e para nga metaforat do mund të qe ajo që lidhet me Zogën, me ëndrrën e saj. Gjithsesi, nuk është vënë titulli kaq i bukur, si një trill, a si një artific. Për herë të parë në poezinë shqipe, një poemë, reflekton qysh në titull thellësi dhe kompleksitet. Ëndrra-jetë dhe jeta-ëndërr, janë metafora të lindura bashkë me njeriun mbi tokë. Përndritja e kuptimit të tyre e përshkon poemën nga kreu në fund: Trina dhe ëndrra e jetës, Zoga dhe ëndrra e jetës, Lokja dhe ëndrra e jetës. Ja, çfarë kemi në duar për të zbuluar! Dhe janë jo pak: poema ka 296 vargje.

Shumë prej këtyre vargjeve i di përmendësh. I kam lexuar qysh fëmijë, atëherë kur mësuesi im, Gjon Dionizi na thoshte se “Mjedja ka ndenjë me limë në dorë mbi vargje”. Herë pas here i kthehem poemës për ta lexuar. Dua t’i shoh vargjet mbi letër, jo t’i kujtoj me mend.

Dua t’i shoh në letër edhe vargjet e pjesës së katërt të Zogës, për të cilat prej shumë vitesh bëj pyetjen: si e shkroi poeti këtë pjesë? Problemi është se kjo përbën një përjashtim krejt të papritur në arkitekturën e poemës, pasi befasitë poetike i ndeshim në hapësirat e brendshme, jo në fasada. Por vetëm kjo, pjesa e katërt, del nga logjika e ftohtë autoriale e kompozicionit.

4

Mjedja nuk shquhet për fuqi përshkrimi, Fishta po, gjithashtu edhe Lasgushi. Për këta të dy, kjo është një nga pikat e forta të artit të tyre. Prandaj Lasgushi është më pranë Fishtës sesa Mjedjes, si poet. Kjo është çështje e temperamentit të poetit. Në bisedë të lirë, thotë Koliqi, Mjedjes nuk i rridhte fjala. Mjedja bën dekor, vendos planet ku do të zhvillohet drama e jetës, dhe më pas punon me pak detaje, të imta dhe të zgjedhura. Atij nuk i intereson tërësia e një shfaqjeje, por pjesë të saj, të cilat i bashkon sipas synimit të efektit poetik, ja si këto vargje:

E nalt n’qiell ma e bukur hana

Rreze t’paqta shkon tue shkri

Maje bjeshkve fillon zana

N’valle shoqeve me u pri.

Ai synon të na krijojë një gjendje po aq sublime përmes mjeteve artistike, sa ç’është edhe ideja e dashurisë të cilën e mbart kjo pjesë e poemës. Këtu, te ky projeksion i intelektit, mund ta kenë origjinën rezervat që janë shprehur ndaj artit të Mjedjes, sipas të cilave, poeziae tij “buron më shumë nga mendja se nga zemra”. Por kjo mund të mos jetë e mirëmenduar, pasi vetë përsosmëria e gjërave ka një natyrë saktësimi dhe përpikmërie, gjendje që mund të arrihet veçse në një ndërkallje të vetëdijes dhe pavetëdijes, frymëzimit dhe intelektit.

5

Poema është e ndarë qartë në tri kohë. Mes kohës Trina dhe asaj Zoga rri pa u ndriçuar afërsisht një dhjetëvjeçar, dhe po kaq edhe mes Zogës dhe Lokes. Por koha brenda secilës kohë është e shkurtër, dhe kjo e ka bërë intensive poemën. Mjeshtri Mjedja nuk e mbush veprën as me vargje përshkruese, as me ide të thata. Poema kumbon nga gjërat e qashtra e të përjetshme. Kemi pra një familje fshatare, nënën me dy vajza. Nuk ka dyshim se shmangëja e burrit në poemë nga autori, është në funksion të synimit estetik të saj. Por, të mos largohemi nga mendimi, njëra vajzë vdes, Trina. Tjetra, Zoga, vjen dita dhe martohet. Mbetet Lokja e vetme, e cila në një natë të egër dimri, vdes.

Trina vjen si një poemë dramatike. Ritmet kapriciozë të shtatërrokshave të këngës së dytë, që japin kthimin e Trinës në shtëpi, na kujtojnë ritmet e lojrave të fëmijëve në oborr. Trina dhe Zoga janë fëmijë. Lokja është grua e zoja, e fortë, aq e fortë është, sa merr viçin dhe e çon rrshanë te murgjina. Murgjina, është emër përkëdhelës dhe mujçitës i lopës, dhe do thoshim se vjen nga fjala murgë. Kjo pjesë na tregon se sa e vërtetë është ndjesia e realitetit te Mjedja, i cili nuk e ngre ngrehinën e vet të artit, poemën, me themele në erë, as me fjalë herbariumesh. Përkundrazi, ndjesia e tij e realitetit është vitale, dhe ka dimensione të gjëra e të thella.

Poeti ka zgjedhur të mos na e japë direkt Trinën. Vetë ai na lajmëron në këngën e parë, se do të vijë në mbramje me një qingj të sapolindur. Është e trishtueshme vetëdija e detyrës për të jetuar, tek fëmija, e që prap nuk jeton. Pse poeti i caktoi Trinës këtë fatë Se kësisoj ishte jeta, e mbase është edhe sot, me ngjyra të forta të cilat rrinë ngjitur njëra me tjetrën. Në veprën e Mjedjes nuk ka asgjë artificiale, gjithçka buron nga e vërteta dhe mbërrin te e vërteta, larg lojrave pa kuptim. Po, çgjuhë e bukur, ç’muzikalitet i vargut:

Moli tue këndue lopën

Tue pritun viçin prorë

E tambli bardh si borë

Përmbrenda mjelces ngufoj.

Ja edhe dy vargje që na e vënë në lëvizje imagjinatën: E Shega e lehtë si kashtë/ Tue kcyemun u bërlyk. Kashta e lehtë dhe viçi (ka emrin Shega prejse është me ngjyrë të kuqe dhe që duhet të jetë femër, prejse ka emrin femror), bëjnë një metaforë vizuale origjinale dhe moderne. Të përfytyrojmë një kashtë që e merr era nëpër oborr: ajo është e hollë, e lehtë dhe ndërron trajtë, mblidhet, hapet, krijon figura të papritura, ndërsa lëviz andej-këndej, duke u ulur e duke u ngritur mbi tokë. Ja, kështu lëviz edhe Shega që sapo ka dalë nga burgu ku ka qenë i ndrymë.

Ndërsa parandjenja e vdekjes dhe ajo çka Lokes i fanitet buzë votrës, janë imazhe të paharrueshme. Është natë. Në mes të errësirës, flaka e një pishe. Kur ke njeri të sëmurë, nata bëhet e pafund. Nëna tjerr penj për të ardhmen ndërsa fytyra i është vrâ  (në kuptmin i vranët, kohë e vranët) e sytë i mbushen me lotë. Për ta shprehur poetikisht gjithë këtë tension psikologjik e shpirtror, poeti ka zgjedhur një frazë poetike që zhvillohet në tetë vargje të dendësuar e të ngarkuar me imazhe e me emocion. Ja çka i fanitet nënës së lodhur nga pagjumsia dhe frika e së keqes:

E tirrte prep te votra

Penj tirrte per xhubleta

E i dukej se tu këneta

Se n’shpella me drangonj,

Tirrshin dhe shtojzovallet

Tue luejtë pa mejun gishtat.

Siellshin me pleq ferishtat

Ndoshta dhe fëmin’ e vet.

Këto nuk janë sajesa mistike por mjete artistike për të dhënë botën shpirtrore të personazhit, të cilin e ndjejmë poetikisht të afërt, si njëri prej nesh. Ajo që marrim nga këto imazhe, është ndjenja se vdekja është një e keqe e vështirë, dhe se ajo duhet refuzuar. Në poemë Mjedja ka vënë ato që beson si poet, ndërsa ato që beson si klerik a si dijetar a si patriot, i ka lënë tash për tash, në bllokun e shënimeve. Duhet shënuar se kjo është koha kur në Shkodër kishte marrë goxha vrull arti: në letërsi me Fishtën, në pikturë me Idromenon, në fotografi me Marubin, në muzikë me Palokë Kurtin.

Pra, Trina, vajza e njomë shuhet. Në këto kushte, Lokja, “me zemër t’plasun”, ndjen më shumë dhimbje, ndoshta edhe faj, madje edhe ndjesi dënimi nga fati, por ka edhe detyrën e vështirë me qenë e fortë, sepse mban shtëpinë të ngritur, dhe për sa kohë je në pemën e jetës, duhet mbajtur aty me thonj. Por ka edhe një gjë: duhet dhënë shëmbull force, jo dobësie, për të bijën. Kjo është një filozofi e konsoliduar fort, e popullit.

Kënga e dytë e Trinës, është modeli se si gjërat reale të drejtpërdrejta, të cilat nganjëherë vijnë më të çmuara se të imagjinuarat, rrinë brenda nesh përbri me përjetimet fantazmagorike. Këto në fakt na zgjohen rrallë, atëher kur jeta jonë vihet në zgrip. Dhe, të kujtojmë vargjet:

               E shkoi me i pa tuj pritun

               Dritën e pishës me dorë.

Ky udhëtim shpirtror i Lokes nëpër errësirë, me dritën e pishës në dorë, me imazhin e shtojzovalleve te këneta në mendje, që luejnë pa mejun gishtat, ky udhëtim pra, nga votra ku po tjerrte me sytë e mbushun me lotë, deri te të shtruemet e fëmijve, është i gjatë i pafund. Imazhe mbas imazhesh na përshkohen nëpër mend, si një film. Por, kjo këngë ka edhe një befasi të cilën do ta shohim më pas.

Gjithashtu te Trina kemi figura të tjera letrare si kjo: Paq i kthelltë prej Perendije,/ Ky epitet origjinal me shkëlqim dantesk i një paqeje të kthjelltë, sa vizual aq edhe konceptual, për nga bukuria dhe funksioni estetik, rri si një nga gurët më të çmuar në poemë, të cilët në të vërtetë nuk janë të rrallë. Dihet se konceptet janë produkt i intelektit, i mendjes. Kjo nuk don të thotë se kemi një poet të pandjeshëm ndaj natyrës, përkundrazi lidhja e Mjedjes me natyrën, më parë se të jetë poetike është shpirtrore dhe intime. Të tillë e shohim te poezitë për stinët, apo te poezia Vjollcës, por edhe te kjo, poema Andrra e jetës, sidoqoftë, duke mos dashur asgjë false, as optimizmin.

6

Pjesa e dytë, Zoga,  është një hymn për moshën e rinisë e për vijimsinë e jetës. Vargjet dridhen e vezullojnë nga pasioni i bukur i dashurisë. Por e gjithë poema zhvillohet përmes antitezave dhe analogjive. Antitezat janë: pranvera- dimri, jeta- vdekja. Ndërsa analogjitë janë të shumta. Por analogjia, krahasimi dhe metafora vijnë nga e njëjta natyrë e gjërave, dhe këto janë të shumta. Zoga fillon pikërisht me këtë buisje pranverore. Madje përveç bylbylave që këndojnë në ograja:

               Drandofilleve zymbylat

               T’kandshmen erë dhunti iu çojnë.

Paralajmërohet një martesë. Poeti ka hyrë me dëshirë të madhe në botën shpirtrore të heroinës së vet, Zogës së rritur tashmë. Shkëndia e zjarrit shndrit fytyrën e saj dhe ajo duket si engjëll ndërsa fle, që do të thotë, duket e qetë e pastër, e pafaj. Por shpirti njerëzor zbulohet duke hyrë aty. Metafora e këtij penetrimi jepet në dy vargjet e para të këngës së dytë, si një rreze dielli që ka hyrë brenda shtëpisë nga një tjegull e thyer:

Prej nën nji tjegllet kish dalë si j’tra

ku njimij’ tesha vloshin pa da,

Këto “njëmijë tesha” janë pikërisht mjëmijë gjërat që vëlojnë në shpirtin e Zogës. Deri, edhe rruga e vjetër, ndërsa Zoga sheh nga dritarja, nën shpi, mbas gardhit diçka si dritë / Shkote tue qitë. Bota shpirtrore e Zogës është në lëvizje e në zbukurim, gjëra edhe këto që kanë peshën e tyre pasi, frekuenca e lartë shpirtrore është e vështirë, prandaj:

U nis te puna mërzitshëm. Nisi

Ndër penj sovajkën e shpata krisi

Cirlikne rrotllat posht’ e përpjetë

Nën kambë të shpejtë.

Por: Duel n’dritare prap. Ndoshta begu / Ka mbërri…/ Analogjia e krijimit të familjes vijon me dallëndyshe e me bylbyla. Natyra nga ana e saj është e plotë. Vijn’ dallndyshet porsi era. Edhe ujët që vjen fushave për të rritur bimë e lule, nuk është dosido por i kulluet, ujë bore: lehtas prroni malit ulet / da prej borës që i nep ushqim./ Ky ujë do të përtërijë jetën:

E i dishruem bje për fushore

Me rrit’ bimën për gjith vend

Ku j’ erë akullit mizore

Kishte hupë lulzim e shend.

Ja një antitezë ku ritmi dhe rimat, bashkë me epitetin mizore që cilëson në përmbajtje erën e akullit, vijnë po aq të përkryera sa gjuha poetike dhe sa kthjelltësia e ideve. Dhe këtu, te kjo këngë, poeti gjen rastin të bëjë një ndërhyrje të drejpërdrejtë, e t’i thotë Zogës se, si ky përrua që ndahet nga bora, edhe ajo duhet të ndahet nga shtëpia ku ka lindur, dhe ashtu e pastër të rrisë jetën diku tjetër.

Por, pse të mos e themi se djali i ëndrrës së një vajze sot ka ndryshuar, ndonëse më shumë si fjalor dhe rekuizitë se si imazh. Kështu nuk quhet beg, një fjalë me konotacion disi arkaik, madje nuk po quhet as princ, nuk vjen mbi kalë me kobure e gjëra të tilla që na kujtojnë letërsinë kalorsiake. Por, cila poemë e madhe nuk mori pak ndryshk nga kohaë

Mirëpo më duhet të flas edhe për një metaforë të cilën për besë, them se nuk duhet të kalojë nxënës shkolle pa e ditur. Janë vargjet:

               Fjet bri votrës: e kur shkndija

               Shndritte at’ fëtyr’ të patravaj

               Ejll prej qiellet ulë te shpija

               Dukej faret fëtyra e saj.

Në fakt, ngjashmëria e vajzës me një engjëll në një poemë, gjithsesi nuk përbën ndonjë befasi të madhe, por të tillë e bëjnë rrethanat. Është fillim pranvere, por ende bën ftohtë. Vajza është shtrirë, dhe pasi ka shkëmbyer ndonjë (jo shumë) fjalë me nënën e vet, fjet bri votrës. Është kjo votër ku ka lindur e është rritur, e për të cilën do të ketë mall gjithë jetën. Kjo i kujton edhe motrën, Trinën të cilën tash s’e ka. Errësira e natës ka mbushur shtëpinë, por zjarri digjet në votër me dru dullinjet (jo lisi të fortë) të cilat i ka bërë Zoga në mal pa motër. Ndonjëherë, kur zjarri bën shkëndija, kur shkëndijat krijojnë kunorë drite në mes të errësirës, në atë çast të shkurtër, sa zgjat blici i një fotoaparati, por pa dyshim shumë herë më të bukur, në atë çast, si kujtesë e papritur në mes të harresës, vajza e fjetur duket si ejll ul’ prej qiellet. Po, a është Zoga e patravaj siç na e thotë epiteti në vargun e dytëë Po, është, sepse ajo si personazh, nuk është e ngarkuar me shumë simbolika, ajo nuk është ndonjë Antigonë as motër e Gjergj Elez Aisë, nuk ka ndër mend me përtëri themelet e shtëpisë së vjetër! Vetë fjala zbërthehet: me t’ra vaj. Ndërsa gjithë shqetësimi, gjithë ëndrra e Zogës është me ba jetën e saj, pra me dalë nga shtëpia si një engjëll, prejse ajo nuk është veçse një vajzë e zakonshme, por e përjetshme. Po, kujt i hyn në punë poezia, nëse nuk pasqyron në esencë jetën njerëzore dhe shpirtin njerëzor!ë

7

Ndërsa Lokja, shpreh epilogun e një jete. Është një epilog i vështirë por ne jemi gati ta lexojmë e të marrim emocione, pasi këto janë gjëra të përjetshme, dhe janë dhënë nga autori, me një fuqi artistike do të thoshim, ekuivalente me idenë.

Kënga e parë karakterizohet nga toni i ulët dhe i qetë në dukje, por në fakt e gjitha është si një figurë e vetme, jeta në gjendjen e cakut të mbramë, por kjo e stolisur me diamante artistikë. Nëpër të gjashtë strofat e saj shkëlqejnë idiomat si shprehje metaforike me vlerë të përjetshme ku sintetizohen vlera morale dhe estetike. Të tilla janë: Vetun zbardh e vetun erret / Me krye n’hi e shuemja plakë / Apo: Sot e reja i kishte dalë / Bashkë me dritë për dru në shpat. / Apo: Edhe lokja me gjith’ tjera / Kishte dal’ me petka n’shtat./

Ndërsa në këngën e dytë, toni ngrihet: të gjithë instrumentet e orkestrës tingëllojnë fort:

               U shty vjeshta e krisantemi

               Vetun vorreve lulzon

               Land’e pyje gjith’ ku kemi

               Tuj fry veri po i cungon.

Ja edhe ironia e fatit të dikujt:

               Ndrron prej dimnit landa veshën

               E lshon gjetht që para pat

               E për mshirë duhit’ që ndeshen

Ia çojn’ t’vorfnit me i ba shtrat

Pra, rasti i Lokes nuk është as i vetmi as më i padëshiruari. Ndoshta askund në poemë nuk është kaq e qartë nota kritike. Papritur, këndi i shikimit bie mbi plagën shoqrore të vorfnisë e mjerimit me një dritë të fortë, dhe ne ndjejmë një si rribë ere që na bën të dridhemi. Janë duhitë që ndeshen mes tyre për interesat e dikujt, ndërsa njerëzit e thjeshtë bëjnë theror jetën e vet.

Po, dimri është i egër, me borë e orteqe që ushtojnë. Lokja rri me duer kah ndezet flaka / porsi nieri kur uron./ Imazhi i Lokes me duer kah flaka nuk ka qenë i vështirë për tu imagjinuar nga poeti. Detaje të tilla ka plot në poemë. Këta janë marrë direkt nga jeta reale por kanë një forcë të madhe emocionale, pasi e tillë është ngarkesa e tyre edhe në jetën reale, plot trazime ekzistenciale. Duart e Lokes janë të drejtuara kah flaka për të marrë sa më shumë ngrohtësi prej saj, pasi asaj i beson më shumë këtë natë, flakës. Megjithatë, e sheh faktin para të cilit ka mbërritur. Ajo që vë re tash, këtë ças, është pasqyra e jetës së vet, “një dritë e venitun”, jo më një dritë e fortë ku shquhej forca dhe përpjekja. Në fakt ëndrra e jetës së saj nuk është realizuar si ka dashur. Le të themi se ajo, ëndrra, bashkë me forcën dhe vullnetin për jetën, kanë kaluar tek e bija, Zoga, pasi ëndrrat njerëzore janë të ngjashme, nuk janë të pafundme, gjithsesi.

8

Duhet të themi, se nuk kemi të bëjmë me vetsakrifikim të Lokes, si është thënë në ndonjë rast, apo me shprehje misticizmi, si është thënë në ndonjë rast tjetër. Keqkuptimi mund të ketë nisur me vargjet:

E larg morden tuj kositun

E kujton e pran’ e thrret.

Por, kjo morde që kosit, është metafora konceptuale e vdekjes, nuk është ndonjë qenie që ka marrë kosën në dorë dhe i bie botës, ndonëse kjo mund të ketë një zanafillë biblike të lidhur me epidemi mortaje. Këtë metaforë autori e përdorë edhe te Zoga, në këngën e tretë në strofën që bën fjalë për mbretin David: Kur sheh morden se kositi / Anpëranë krajlnin e vet./ Mbreti David u ndëshkua nga Perëndia me epidemi mortaje për mëkatin që pat bërë. Sot ne kuptojmë, se sa pa integritet konsiderohej qenia njerëzore sipas vizionit biblik. Sidoqoftë shtrati realist dhe human i poemës, nuk na krijon asnjë shteg për ta transpozuar imagjinatën tonë në koncepte as imazhe të tilla.

Por, kur të mbarojnë fuqitë, kur e ndjen se po të shuhet flaka brenda vetes, njeriu ndoshta e kupton fundin. Lokja këtë bën, “e kujton morden”, nuk tmerrohet nga ndonjë imazh i zi, por e pranon faktin, gjë që do të thotë se është me mendje të kthjellët deri në fund. Në këtë moment, nëse do të kishte njerëz pranë, ajo do të kërkonte hallall, falje. Mungesa e tyre, është dhimbja e fundit, por edhe shprehja ekstreme e qëndresës. Për njerëz me fuqi të tillë jetësore, flitet me respekt dhe thuhet”vdiq me mend e me gojë”. Kjo është Lokja.

Te vargjet: “U ndie j’ frymë përmbrenda shpijet / porsi erë që vjen pa shkas” kemi një metaforë të pashoqe të vdekjes. Po, si vjen era kur nuk ka një shkas për t’ardhunë Ajo qe një “frymë”, një erë që asgjë nuk e nis, nuk ka burim askund, por vjen, ndonëse nuk fryn. Në të vërtetë, veçse u ndje kështu prej Lokes, si frymë a si erë, por ajo ndjehet, jo nga lëvizja pasi nuk ka një shkas për këtë, por nga prania, sikur ajo qenkesh kudo, edhe brenda jetës së pafundme. “Dekën e kem’ ma pranë se këmishën e shtatit” thotë populli, ndërsa thotë edhe shprehjen tjetër më të çuditëshme: ne të gjithë jem’ të bijtë e dekës. Vargu i fundit është: U ndal drita e ajo mbaroi./ Dhe, perdja bie. Në të vërtetë krejt poema përshkohet nga drita. Më bëhet se është esenciale të perifrazojmë vetë Mjedjen nga një poezi tjetër e tij, dhe të themi se krejt poema është stolisur me dashtni dhe shije, me dashurinë për jetën e njeriun, dhe me shijen e hollë për të mirën e të bukurën. Kjo është Andrra e jetës, një vepër kuptimesh të kthjellta, kurrë të vjetruara.

9

Por duhet thënë edhe një gjë jo pa rëndësi. Në epilogun e jetës së vet Lokja nuk e kujton asnjëherë të bijën, Zogën, ndërsa kujton Trinën me dhimbje, dhe kujton gjithashtu me dhimbje se nuk bani kurrnji djalë. Ajo ka dashur të ketë një djalë, më pas djalin ta martonte, dhe kjo të ndjente dashurinë e fëmijve të tij. Ja, kjo ka qenë andrra e Lokes, e cila nuk u realizua, ndonëse qe një ëndërr realiste, nuk qe për t’mos u ëndërruar, dhe as nuk qe pa kuptim. Ndërsa për Zogën, pra, kemi heshtje. Asnjë varg, asnjë fjalë për fëmijën e vet të vetëm në jetë. Harresëë Përseë E vërteta duhet të jetë se Lokja e ka kujtuar, domosdo, por poeti nuk na e thotë. Ka një arsye, sigurisht. Arsyeja është se nëse ai, poeti, do të fliste për të, fjalët e tij do të ishin qortim për bijën që e ka lënë nënën në këto kushte. Prandaj ai ka hedhur mbi të heshtjen. Kjo heshtje e nënës në ditët e fundit, në çastet e fundit, është qortimi, kritika. Por, ka një problem: te Zoga vetë autori e ka miratuar ndarjen e bijës nga nëna, si prroni që ndahet nga bora. Me sa duket qëndrojnë të dyja: edhe miratimi edhe qortimi. Ja pra se jeta ka nyje që nuk zgjidhen dot. Nyjet e pazgjidhura e shoqërojnë njeriun në jetë, dhe kjo përbën dramën e tij. Kështu, poezia e Mjedjes nuk është mashtruese si vera e ëmbël. A mos vetë poeti ka ndjerë një brejtje ndërgjegjeje ndaj nënës së vetë Lidhur me të, te poema I tretuni, ka shkruar: E kurrgja n’ankime t’tija / Përpos’ nanës s’i kam ndi./ si edhe: N’kohë ma t’mir’ për ty un treta / Kur pleqnija kërkon paq./ Njësoj si personazhi i vet i poemës, Zoga!

10

Detajet shpesh marrin vlerë simbolike si “shllunga e rrasun” e leshit që Lokja tjerr është vetë jeta e saj, “era e akullit mizore” është fati i keq që i mori vajzën, Trinën, “nji prrue që prej malit ulet” është rinia e Zogës që do të përtërijë jetën etj. Po, sa e hidhët është ndonjëherë ironia e jetës! Kur vajza është në vlimet e ëndrrës së vet të moshës, poeti vë në gojën e Lokes këto fjalë që burojnë thellësisht nga të qenët e vet, por që janë në disonancë me të vërtetën e jetës: E nanbardha tue shikjue: / Flej me engjëj thot’, o bijë / pusho shtatin me i ndihmue / lokes sate nëpër shpi. Por Mjedja është realist, nuk i hedh asnjë zbukurim këtij raporti nënë-bijë për të ëmbëlsuar gjoja, kuptimin e gjërave. Jo, ai nxjerr në dukje anën dramatike të Lokes si personazh. Kjo është jeta. Por nuk e di a e vutë re, në vargun e parë fjalën nanbardha: është e krijuar nga emri nanë dhe epiteti e bardhë, e mbështetur estetikisht nga tingulli a,  një fjalë që ka vlerën e një metafore, si një nënë që e ndjen për detyrë të ndihet gjithsesi fatbardhë, pasi ka një vajzë, fati i së cilës është fort i rëndësishëm. Në fakt, në më shumë se një rast, e ndjejmë autorin të bëhet personazh aktiv në poemë, duke promovuar një qëndrim kuptimor apo emocional.

Poema pra është realiste, një ansambël notash shumë të ndritshme dhe shumë të errëta, shumë të ëmbëla dhe shumë të hidhta, shumë serioze dhe shumë ironike, të gjitha të dhëna jo përmes ilustrimesh fotografike të romantizmit, por përmes gjendjesh shpirtrore, analizash psikologjike dhe lëvizjesh intensive të vëzhgimit e të imagjinatës.

Si çdo vepër e vërtetë arti, poema reflekton më shumë se çka thotë. Ne e kuptojmë gjendjen e prapambetur e të varfër të fshatit, ndërsa ndjejmë vdekjen e Trinës, por detajet që na sjell autori, thonë se familja ka në tryezë: Pshesha me kollomoqe / t’mir’ edhe për zotni. Pra në pasqyrimin e jetës, poeti është i përkorë, dhe këtu dhe tani ai po synon harmoninë dhe arsyen, dhe jo ndonjëfarë “realizmi kritik”. Në shënimet estetike, Mjedja tregon klasin e tij të lartë kur shprehet:  “poeti ka për qëllim me shëmbëllye bukurinë”. Madje edhe vendi ku zhvillohet poema, i tillë është zgjedhur, plot harmoni: Paq i kthielltë prej Perendijet / Paq prej nierit e qeti./ Duhet të vëmë në dukje këtu se gjeografikisht vendi nuk identifikohet por poeti thotë: ku fillojnë kufijt e Geget/. Duke marrë në konsideratë natyrën që na jepet në poemë, kuptojmë se, siç bën Fishta me “Lahutën…” edhe Mjedja zgjedh diku kufijt veriorë të “Geget”, atje ku ka bjeshkë, borë të mëdha, orteqe, gurra që ushtojnë, por edhe zana të hijshme e të bukura. Dhe, meqenëse Mjedja bën dekor funksional, ka edhe fusha të begata. Pra fillimi i Geget, nuk duhet kërkuar në jug as në qendër siç është supozuar ndonjëherë pa kuptim, por në veri, diku ndër ato vende ku “ndër djepa rrisin/ nanat e Hotit djelmenin’ ushtore”.

11

Dhe, më duhet të them edhe një gjë që është esenciale për poetin tonë: poema është një visar ku shkëlqen gjuha kumbuese dhe idiomat elegante të dialektit verior të shqipes. Vërtetë, te Fishta gjuha paraqitet më e pasur për arsye të lëndës që vepra e tij ngërthen, por te Andrra e jetës ajo vjen më e zgjedhur, më e kujdesur, më e gatshme për tu çmuar.

Mjedja ka ardhur te ne si poeti i frymëzimit të përmbajtur dhe i punës këmbëngulëse, veçori këto të pasqyryuara te kjo poemë. Ja, po vë në dukje një simetri të habitshme të rimave të cilën e pata paralajmruar! Te Trina, në këngën e dytë e të tretë të saj, kemi një skemë rimash komplekse që kryqzohen e alternohen në tetë vargje: ABBC-ADDC. Në fakt për vargjet e para, kemi asonanca ose konsonanca, duke bërë që fraza poetike të jetë më pak e kufizuar, më e lirë në lëvizje. Tani, të njëjtën skemë të rimave, autori përdor edhe në këngën e parë te Lokja, që është e parafundit e poemës e që fillon me vargun: E n’balkue mbaruene lulet/ A mos është një rastësi kjo vendosje simetrikeë Them se jo. Mjeshtri Mjedja synon ta ngarkojë artistikisht krejt masën e veprës, përmes kumbimit harmonik të mjeteve që ka në dorë, deri edhe përmes simetrisë së tyre. Ja pse poema tingllon për ne si një vepër e madhe muzikore!

12

Thashë që pjesa e katërt e Zogës, është një përjashtim befasues. Nuk kemi zhvillimin e pritur të gjërave si mund të qe, krijimi i familjes së re. Me sa duket, poeti nuk ka dëshirë të krijojë një dekor të ri për vendin ku Zoga është martuar, dhe as të shtojë një lëndë të re që do ta vështirësonte funksionin estetik të poemës. Si thamë, burrat “i ka flakur” nga poema. Përse vallë? Mjedja e humbi shpejt babain dhe u rrit nën kujdesin e nënës, dhimbja për të cilën nuk iu shua kurrë. Ai kujdeset për ta shmangur sa të jetë e mundur epizmin që në esencë nuk i përket poezisë, duke këmbëngulur në tonin lirik dhe dramatik të poemës. Madje, edhe dy fëmijtë e Lokes janë dy vajza, asnjëri nuk është djalë.

Molla t’kputuna nji deget

Dy qershia lidh’ n’nj rrfanë

Ku fillojnë kufijt e Geget

Rrijnë dy çika me nji nanë.

Ato janë “dy mollë” a “dy qershia”, nga frutat më të bukur që rrit toka, plot ngjyra dhe shije.

Kjo metaforë kaq e gjetur, kaq subtile me të cilën fillon poema, na krijon ne një sugjestion befasues, dhe na vendos në një marrdhënie të pafund besimi me lëndën e poemës, duke e ndjerë se ajo do të jetë e pasur dhe e vërtetë. Vetë poeti ka në dorë tashmë një lëndë të çmuar, të përshtatshme për realizimin e synimit të vet artistik: bërjen bashkë të zërave poetikë që ndjen brenda vetes, në një vepër të bukur, të thellë, realiste dhe harmonike. Si në një piramidë të ngritur me shufra diamanti, ata zëra mbajnë dhe mbështesin njëri-tjetrin.

Siç është kredoja e poetit, krejt poema përshkohet nga ndjenja e së bukurës, e së lartës dhe e fisnikes. Edhe bylbylat këndojnë valle darsmet e fisnike”. Idetë janë të thella por edhje të kthjellta dhe nuk hyjnë nëpër labirinte. Lëndës së poemës i jep formë një imagjinatë e pasur e cila prodhon pa pushim figura letrare, të perceptueshme përmes shqisave apo koncepteve.

13

Kënga që fillon me vargun e paharrueshëm për kumbimin shqip: E kandshme asht hana, e cila në mënyrë të pabesueshme me sa di, nuk është vënë në muzikë nga asnjë kompozitor, gjë që tregon për lidhjet problematike mes arteve në Shqipëri, pra kjo këngë, ka njëzetekatër vargje të kombinuar, pesërrokësh dhe shtatërrokësh. Ritmi kërcen si gishtat mbi tastjerë. Rimat janë sipas skemës AABCCB. E gjithë pjesa zhvillohet në kërkim të një metafore, të kërkuarit e së cilës na çon në një varg analogjishë sugjestionuese për buzëqeshjen e foshnjës, kur nana mbi të përkulet/.

Poeti ndodhet në një gjendje kërkimi dhe meditimi. Pothuaj është shkëputur nga realiteti dhe është sublimuar për t’iu kthyer këtij realiteti me një dhuratë superiore. Gjithçka që ka të bukur toka jonë, i vijnë nëpër mend. Problemi është se duhet të zgjedhë, dhe jo vetëm kaq, duhet edhe t’i shprehë me gjuhën e harmonisë, pasi zgjedhja e idesë dhe ajo e përkujdesjes poetike, duhet t’i përkasin të njëjtës shtresë të lartë të origjinës. Ndërsa  lexojmë vargjet:

E kandshme asht hana

kur del me zana

e n’tokë me dritë përndaret/

pra, kur lexojmë këto vargje, ne nuk na vjen ndërmend ndonjë gjë mitologjike a mistike, por imagjinata jonë vihet në punë për të kujtuar bukuritë e pashprehshme, ndonëse tokësore, me të cilat ne çojmë jetën tonë, por për të cilat jo aq shpesh kujtohemi. Më tej:

Kur del agimi

e rruzullimi

me j’drit’ kuqloshe mbëlohet

shkruan autori. Ne ndihemi të rrethuar nga drita e agimit. A nuk kemi këtu një perceptim të çuditshëm impresionistë Ndërsa era e lehtë, flladi, na vjen si një vashë:

E k’naqshme ajo lule

kur iu përkule

o fllad i lehtë me e lmue.

Dhe, vërtetë, sa e kënaqur, duhet të jetë ajo lule nën përkëdheljen e flladit, që vetë ndërkaq me erna veshet, si një vashë, me ernat e lules! Pra, poeti u referohet bukurive të qiellit të natës, të dritës së agimit dhe të ditës së pranverës. Por më bëhet se, të shkruarit e kësaj kënge nuk ka filluar me asnjërën nga këto, por me vargjet e fundit: foshnjës që i qeshet / nanës, kur mbi të përkulet. Madje, edhe ideja e vetë poemës ka ardhur mbasi është shkruar kjo këngë. Dhe, ka ardhur pikërisht për ta mbështjellë këtë margaritar, për t’i krijuar idesë metafizike të vijimit të jetës njerëzore, një botë ngjyrash të vërteta jete dhe arti. Eureka! po krijohej mundsia për të bërë diçka që s’e ka bërë, për të shprehur ato që ka akumuluar si poet, në gjithë këto vite leximi, vëzhgimi dhe kërkimi, duke shmangur shkumën dhe mbetjet, dhe duke lënë veç lëndën e kulluet që rezulton në fund të rafinimit, ku përftohet poezia e pastër! Një energji krijuese e vërtetë qe vënë në lëvizje, dhe po rrihte muret e ndjeshmërisë, të intelektit e të imagjinatës.

14

Këto i kam menduar prej shumë vitesh. Por nuk kam as fakte as argumenta, përveç diçkaje shumë subjektive të përjetuar në jetën time. Ka qenë viti 1972, qershor. Pak kohë më parë kisha filluar punë si agronom në Koplik. Atë ditë, ndërsa po dilja nga qyteza për në fusha, më ra udha të kaloj pranë çerdhes së fëmijëve. Siç ndodhin në jetë gjëra të rastit që befas bëhen të rëndësishme, ktheva kokën nga porta e madhe e hapur, dhe më mbetën sytë te një gjë shumë e zakonshme, por edhe e pazakonshme atë çast për mua: një nënë po i jepte gji foshnjës së vet, në dritën e kaltër të asaj paradite vere. E njihja: ishte një grua e bashme dhe e hijshme. Gjiri i saj i zbuluar ishte i plotë dhe i trëndafiltë, ndërsa nën të një foshnje, gjithashtu e shëndetshme pinte tamblin, kushtin e jetës, esencën e këtij planeti.

Ika si i dalldisur nga ndijimet. Verë. Ngjyrat e fushave, diku të blerta diku të arta. Isha plot tallazitje poetike në atë fillim të viteve ’70, koha e shkurtër e liberalizmit dhe e shpresave. Nuk e di, atë ditë apo pak ditë më pas, shkrova poezinë Foshnja në gji, të cilën më erdhi radha ta botoj për herë të parë, pas dymbëdhjetë vjetësh, në librin tim Vise me diell. Më pëlqen kjo poezi, dhe e kam shumë të dashur, si gjënë e vërtetë tek e cila kemi mbërritur në një moment të jetës.

Qysh atëherë koha ka rrjedhur si ujët nën urë, jeta po ashtu, dhe kam menduar shumë gjëra. Kam menduar se Mjedja, ka pasur një përvojë të ngjashme lidhur me Buzëqeshjen e foshnjës, si nxitje, si fillim. Ka pasur një takim, një shkëndijë që ka rezultuar me një produkt të përcaktuar për të qenë jashtë skeme. Si çdo poezi e vërtetë, ajo na pëlqen jo duke na entuziazmuar, por duke na bindur, duke na sugjestionuar, duke na lënë në shpirt pa e kuptuar, një pasuri që nuk njeh bjerrje.

15

Unë në bibliotekën time kam tre botime të veprës poetike të Mjedjes (një botim vërtet i mire nuk ekziston), por nuk kam gërmuar ndonjëherë në arkivat e poetëve pasi jeta më pati çuar në disa arkiva tjera. Diku nga mesi i viteve ‘90 më ra në dorë një botim i Prishtinës i veprës së Mjedjes, Juvenilia. Aty u befasova nga një shënim që na u gjendka mbi kopjen e daktilografuar të poemës Andrra e jetës, në Fondin Ndre Mjedja: shkasin e muer Auktori prej nji nane që mbet e vejë me një vajzë të vogël e kje lanë me banue në jerevi të Dom Ndreut në Kukël”. Ende kjo nuk e vërteton idenë time, por sidoqoftë, ajo nuk qenkesh hamendje në erë! Vallë, kush e bëri këtë shënim dhe, si e dinte ai këtë gjë?

2012

Exit mobile version