Kreu Letërsi Bibliotekë Kostandin Dhamo: Varrezë makinash (tregim)

Kostandin Dhamo: Varrezë makinash (tregim)

Prej asfaltit të lëmuar dhe vezullues, vijëzimeve të bardha të korsive, shtyllave të barazlarguara dhe makinave që shfaqeshin dhe zhdukeshin marramendshëm në xhamin e përparmë të Golf- it tonë, na dukej sikur po udhëtonim virtualisht, ashtu të ulur përballë një ekrani lojërash elektronike…

- Do të ndalim te një varrezë makinash , që ka përpara hyrjes së saj një reklamë të madhe prezervativësh; atë kam fiksuar për ta gjetur lehtë varrezën që na nevojitet.Më kanë thënë se atje gjen gjithçka – m’u drejtua kolegu im, që manovronte në timon…

Shtymë një derë të ndryshkur hekuri dhe u futëm në territorin e varrezës, së cilës mezi i dallohej fundi. Por nuk po shihnim ende njeri .

- O rojtar i varrezës! – thirri kolegu im – E keni lëshuar pa duar ju këtej ?

- O mër, ti çere ke qi bërtet kaqi fort ! – iu kthye pronari i varrezës, që ia behu nga ca pirgje hekurishtesh – S’duroka hiç zotnia jote .

Ishte një gërdallë rreth njëqind e njëzet kilogramëshe, me kokë të rruar, pantallona të shkurtra dhe shumë të gjera, pantofla të shqyera dhe kanotierë të mbledhur si anët e byrekut, gjer lart te gjoksi.

- Ti je këtu ? – e pyeti kolegu im duke ulur sakaq zërin .

- Ho, çër kishit ? Un jom ktu.

Na duhet një ndenjëse për këtë Golf- in ; pikërisht kjo e shoferit .Kjo që kemi na u dogj para ca ditësh me cigare , aqsa për pak desh u dogjëm edhe vetë si minjtë. Filloi të merrte në çast si barut dhe mezi e fikëm. S’ulesh dot më mbi të. Ke ti këtu ndonjë ndenjëse në gjendje të mirë ?

- Kom, kom ! – pohoi pronari dhe filloi të rrotullojë kryet përreth hapësirës së pronës së vet, për t’u kujtuar, siç dukej se ku mund të gjendej një ndenjëse . 

- Ne jemi shkrimtarë varfanjakë; të mos të shkojë mendja të na këputësh ndonjë çmim kushedi se çfarë. S’paguajmë dot.

- Si si ? Çfarë jeni, shkrimtarë ? Obobo !

Pronari i varrezës nuk foli më si tiranas i qëmoçëm, por buzëqeshi me ironi dhe njëherësh me trishtim dhe, na u kthye :

- Si quheni ju ? Po thosha me veten time se diku i kam parë këto portrete, por s’arrita të kthjelloj gjë…

Ia treguam emrat dhe ai na rroku prej duarsh dhe na përqafoi sinqerisht.

- A, more qyqarë, more qyqarë ! Çfarë doni ju ? Një ndenjëse Golf-i për të qenë?  Lirë fare, hë? I kam të gjitha tipat e Volksëagen-it unë; Golf Jeta Passat Bora Polo… por ejani rrini, nëse keni kohë, këtu në koliben time dhe bisedojmë ca – na ftoi me dëshirë rojtari, tek na drejtoi kah një barakë e ulët.

- Me kënaqësi ! – thamë ne njëzëri dhe u pamë në sy, të habitur nga kthesa e beftë .

U ulëm në disa karrige të thata prej hekuri dhe pronari i varrezës shtroi menjëherë mbi një tryezë, gjithashtu metalike , një gazetë, pastaj hapi një frigorifer që qëndronte shtrembër dhe nxori që andej birrë djathë kaçkavall domate proshutë…

- Të pimë nga një birrë dhe të bisedojmë; ndenjësja atje është, s’e luan njeri.Unë quhem Skënder Dako.Kam botuar një libër me poezi që para tre vitesh, një libër të plotë me rreth njëqind e pesëdhjetë faqe, por nuk them dot se jam apo jo një poet i mirëfilltë; gjykojeni vetë këtë.Kam botuar edhe lart e poshtë nëpër gazeta; kam nxjerrë, madje edhe për një vit rresht një revistë të përmuajshme, tërësisht kushtuar poezisë. Ndoshta e keni shfletuar ndonjëherë; “Dritë Maji” quhej. Kjo pra, miqtë e mi, është pak a shumë cv –ja ime letrare. Por juve ju njoh , ju njoh fare mirë; ju njoh veprat, dua të them, kuptohet; jua kam lexuar dhe më kanë pëlqyer dhe frymëzuar.Nëse s’do të më kishin pëlqyer, të mjerët ju; copë do t’jua thosha ja, këtu, ndër sy! Hehe, gëzuar pra! Ja , si deshi fati të na bashkojë !

- Ndodh edhe kështu, hopa ! Pa pritur e pa kuptuar . Por si ke mbërritur vallë në këtë punë, në këtë varrezë mbi sipërfaqe ?

- Eshtë shumë e thjeshtë, siç është njëkohësisht edhe shumë e koklavitur, po ti çfarë ke ? Pse i mban nëpër duar ato që ha ?

- Ndoten me plumbin e gazetës, tek e cila ndërkohë edhe po lexoj diçka. Ja : bomba atomike , bomba që ndryshoi botën…

- Ha dhe pi more budalla! – e këshillova kolegun tim – Në një rast të tillë kënaqësie si ky i sotmi s’të bën fare dëm plumbi i gazetës , madje as ajo bomba e mallkuar. Pastaj, ç’dëm mund të të bëjë më tej ty ? Hajt pra , gëzuar edhe njëherë ! Për Zotin, po më duket vetja si te “ Tre Shokët “ e Remarkut; mercedesfiatcitroenaudi…Vetëm “Karli” mungon.

- Kurse mua, – ndërhyri poeti i varrezës, – mua, që sfilitem këtu, s’më vjen asnjëherë ndër mend Remarku. Por Remarkun, me siguri e kanë harruar prej kohësh edhe në Gjermaninë e tij…

S’ke faj; ty vetë s’ka sesi të të kujtohet. Por shihini ato makinat që kanë bërë karambol, ashtu njera mbi tjetrën ! Me skermat dhe fenerët e tyre krijojnë ca mimika të çuditshme. Disa duket sikur buzëqeshin ëmbëlsisht, disa sikur trishtojnë, disa sikur ngërdheshen dhe disa sikur do të lëshohen gjithë agresivitet përpara. E di ? Ato, me dizajnet e tyre paraqesin dhe njëkohësisht përfaqësojnë saktësisht karakteret e popujve, së pari që i krijojnë dhe më pas i prodhojnë.

- Posi, posi ; kështu siç arsyeton ti, mund të ketë qenë para nja njëzet viteve , por sot, gjermanëve, fjala vjen, modeli i ri i një veture , mund t’iu vijë fare mirë i dizajnuar nga një institut italian; po kështu edhe japonezëve, amerikanëve e kujtdo tjetër që prodhon automobila; kështu ? Atëherë për çfarë karakteresh të popujve që i prodhojnë, mund të bëhet fjalë ? Atë Golf-in tuaj, për shembull, e ka ideuar Xhuxharoja i famshëm dhe, ai s’mund të harronte se, kush ishte dhe nga vinte.

- Ja që ke të drejtë, por a keni dëgjuar sesi shprehen blerësit tani ? Ah, çfarë makine seksi …

- Si s’kemi dëgjuar ? Makinë seksi, motoçikletë seksi, madje, deri edhe qytet seksi. Maniera të shpifura, që huazohen më së shumti nga reklamat turistike.

- Këtu, në këtë varrezën tënde mund të vijë fare mirë Sezari apo Zhan Tingelia për të mbledhur nga këto gjymtyrët e arkeologjisë industriale dhe të ngrenë me to veprat e tyre artistike, që shihen ende me dyshim.

- Kanë në Paris ata të tilla ndryshkurinash ku e ku më shumë se këtu te ne; ne sapo kemi filluar .

- Dëgjoni; një nga punët e tij të fundit Sezari e ka titulluar “Homazh Eifelit”

- Oho, por edhe kjo punë kështu ! Mblidh lavatriçe ventilatorë grirëse mishi e ku di unë çfarë tjetër dhe, vëri sërish në punë ec e ngec.

- Tingelia, hë? I lëviz ai sërish ato rrotaxhile, por të shqetëson kur i sheh, të emocionon dhe të nxit të mendosh; i ke parë sfondet në të cilat i vendos ai ato pajisjet shtëpiake e gjithçka tjetër, po raportet që krijojnë këto objekte në hapësirë ? Ç’thua ti; filozofia që përçon Tingelia me atë artin e tij kinetik…

- Lëre, aman! Gëzuar djema ! Por nuk na the, shkruan më ? Ti shkruan, sigurisht, por e kam fjalën, a boton ?

- Ah, që nuk jua dhashë atë mut ndenjëse që në fillim ! Tani s’tërhiqem dot më; u shfaqa. Dëgjoni; as shkruaj e as botoj më. Frenova stop me të katër rrotat . I tmerova të gjithë në familjen time, i terrorizova, i ngordha për të ngrënë për aq kohë sa ulesha dhe shkruaja tërë ditën e ditës! Filloi të na mungojë deri edhe buka e gojës! Vajza, vdeksha unë për të, më shihte me sy lutës, e mbledhur kruspull në një qoshe, a thua se mua, në çastin që shkarravisja, ma mbërthente mendjen vetë djalli me brirë dhe, më detyronte kësisoj të nënshkruaja varfërinë ! O Zot i madh; unë e di ç’hoqa gjersa u ndava nga vjershërimi !S’paskësh qenë gjë fare lënia e cigaresh. Rropatej vetëm gruaja ime dhe na mbante të gjithëve me bukë. Vajza u dobësua dhe u lëkur, sytë iu zmadhuan dhe i dukeshin të trembur. S’do të kthehem më kurrë te shkrimtaria, u betova vendosmërisht më në fund edhe sikur të pasurohesha përrallisht një ditë! Shitëm plaçka nga të shtëpisë që të botoja  unë atë t’uruar libër dhe atë revistën që, eh, nuk para shitej; merrja vazhdimisht nga paratë e ushqimeve, ndërkohë që veçse rrënoheshim…

- S’ke faj, s’ke fare faj ! Por sa mirë re këlltum e në këtë varrezë ?

- Ashtu, hë? Ja gëzuar! U marrosa, u shkurdisa, u bëra arrogant, qen bir qeni, i forti i lagjes dhe, lavdi Zotit, tani jam këtu, pronar i teneqeve, një gogol i madh dhe njerëzit rreth e rrotull më repektojnë të gjithë, madje ma kanë frikën dhe kurrkujt nuk i shkon mendja se thellë këtij dëngu me mish drithëron një shpirt i hollë delikat !

- Ah, sa prekëse…

- Flas edhe në dialektin vendas, si katundar i keq, mbaj edhe një kallashnikov, që i dhënça çapën e bukës, se përndryshe, vijnë e më bëjnë shurrën në majë të kokës.

- Ta thashë, s’ke faj.Kurse ne, budallenjtë, vazhdojmë të japim e të marrim ende me letërsinë.Kemi të siguruar njëfarë rroge shteti dhe ia lejojmë vetes këtë luks; po po, këtë luks, mirë e thashë.

- Ju e dini. S’ju ndërhyj e s’ju jap dot mend; ja gëzuar! Ju pëlqeu gostia në mbretërinë e karakatinave ?

- Uaa, s’ka tryezë më të mrekullueshme se ajo që sajohet shpejt e shpejt.

- Çfarë keni botuar tani së fundi ?

- Unë kam botuar një libër me tregime, kurse ky kolegu im një roman, i cili u prit menjëherë shumë mirë .

- Ashtu ? Ka kohë që s’marr vesh asgjë nga ato që botohen.

- Çohemi tani të çmontojmë një ndenjëse të rehatshme, dhe po të duash ti, sonte në mbrëmje takohemi në Tiranë,diku në ndonjë kafene me gjelbërim rreth e rrotull dhe aty të t’i japim ato librat tanë .U bëmë miq, apo jo ?

Poeti i varrezës na gjeti vërtet një ndenjëse pothuajse të re dhe e montoi në Golf- in tonë me aq shkathtësi, a thua se tërë jetën ishte marrë vetëm me kësi punësh.

- Atëherë, sa kushton ?

- Ikni, për të madhin Zot, ikni se nuk dua nga ju asnjë gjysmë leku.E sa t’ju kërkoj unë juve? Sa të ndyhem kot…

- S’ka kuptim kështu, s’ka kuptim. Të paktën të të japim dymijë lekë.

- Jo, mbaroi kjo punë. A thatë vetë se tashmë u bëmë miq ?

- Epo, mirë mirë, por dëgjo, mos harro të vish sonte Do t’i dhurojmë me kënaqësi të veçantë librat tanë.. Sido të të duken, mos i ngul në gozhdë; hahaha…

Përplasëm dyert e Golf-it gjithë energji dhe kolegu im ndezi motorin dhe u lëshuam përpara, duke kënduar diçka nëpër dhëmbë.Por s’kishim dalë ende në rrugë, kur vumë re te pasqyrat anësore poetin e varrezës, që na bënte me shenjë të ndalonim.

- Ç’është ? – pyeta unë – Ç’ke harruar ?

- Të më falni! – kërkoi ndjesë Skënderi – Të më falni dhe, më mirëkuptoni! Sonte nuk do të takohemi për të më dhënë librat. Ndërrova mendje frap – frap ! Nuk duhet në asnjë mënyrë të lidhem përsëri me letërsinë dhe lëvruesit e saj. Trembem! Po po, edhe sot e kësaj dite.Takohemi këtu tek unë nëse, do t’ju nevojitet gjësend edhe tjetër herë. E kush nuk udhëton kësaj ane! Mirupafshim !Ja , erdhën ata klientët e tjerë; ho’re, çër doni…

Exit mobile version