Kreu Letërsi Bibliotekë “Ka net si sonte”, poezi nga Rozafa Shpuza

“Ka net si sonte”, poezi nga Rozafa Shpuza

Nji ditë gushti n’shpinë e vjetër

U dejën bulkthat…
e hatllave t’shpisë ua rrëfyen tana sekretet
tue i shprazë ngutshëm
si shkuma në gotën e birrës.
U dejën bulkthat…
e jaret e stërgjyshave i kënduen zaçjerrë
tue i përjetësue emnat e dashnoreve imagjinare
me iniciale fildishi gdhendun fatalisht mbi krahë.
U dejën bulkthat…
e u zhbanë saora prejt zhegut zhuritës …
Tash rri e ndij gërhitjen e trenave të pullazit
teksa përsërisin përhanshëm refrenet e kuqlueme t’tjegullave … r.sh.


Truma e Dugajve imagjinare

Asht nji trumë diku në pavetëdijen e qytetit…
Unë jam uji që hidhet prej sipër
sa me shpërla ndryshkun e kujtimeve.
Truma ka mbi si nji fik i egër
në kalldremin e papërfunduem të dashnive t’virgjna
e rreket me ngjizë hapat që s’arritën kurrë ndër takime.
Asht nji trumë diku në pavetëdijen e qytetit…
Unë jam ai grushti që pret ujin
si beduini në shkretinën e mbarsun me jehona lamtumirash…


Ndjesi të tebeshirta

Prej përvlimit t’asfaltit
nji luleborë u skuq
njajtë me mollzat e dashnorëve
që kronometruen aktin
n’nji odë t’lirë hoteli.
Krejt çka ndodhi
u stivue horizontalisht ndër arkivat e çarçafave
që vjetrohen tue deshifrue oreçast
përmes alfabetit t’zhubrosun të rrudhave…

Veç nji lavanteri diku në katin përdhes
u rrek me fashitë ndjesinë e tebeshirtë të çarçafave
që u nderën kryeposhtë
si kurbanë ceremonish pagane.


Shijet e fatit

Rrëketë ndër dritare i përgjasin lavjerrësit t’asaj orës
ngujue në murin me harta surreale bojnash
që i ndryshojnë kufijtë
sa herë qiejt varin shpirtin ndër litarë shtrëngatash.
Pas çdo vetime,
kur dyzimi më len pa frymë,
bindem se cilëndo dashni të kisha zgjedhë,
fati kishte me m’servirë të njajten shije,
anipse në kohë të ndryshme… r.sh.


Kur dashnitë tymosin prajshëm

Ky qytet i njehë dashnitë me orë
tue i pague tinzash ndër motele periferish
“10 euro – 1 orë dashni”…
Ky qytet ka tarifa fikse e nuk miklohet prej uljesh stinore
varun mirfilli n’qafë manekinësh cullakë.
Recepsionisti regjistron përmendësh dashnitë
tue i ngucë orgazmat
me njollosë prore e prore çarçafat,
që saora shpërlajnë kujtesën
në zhumhurin e lavanderive grindavece.
Ky qytet s’don me ia ditë për dublantët
që zevendësojnë aktorin kryesor
sa herë skenaret retushohen pa kurrfarë rime…

Kajherë dashnitë e këtij qyteti tymosin prajshëm
e mandej pihen eks në klubet natore
si gota e mrame e pijanecit
kur kamarierja njehë bakshishet… r.sh.


Ka net si sonte

Ka net kur vetimat nguten me shue inatin n’Bunë,
Ka net kur retë e zhubrosuna ju përgjasin velave të nuseve pas dasmes,
Ka net kur pullazet shterngojnë tjegullat e hallakatuna prej stuhisë
si ushtarët kapoten e vjetrueme,
Ka net kur grrilat brinjë-thyeme shamatohen ndervedi
tue rivalizue pleqtë kur lozin domino në parkun para shpisë,
Ka net kur bubullimet kthehen në ninulla
e shiu shpërlan kalldremet e kujtimeve
Ka net si sonte, malli jem
kur jaret e gjejnë amen prej ku janë ngjizë…


Skicë

Vijat e sedefta të kaçamillave
rreken me rrëfye sekretin e rujtun ndër koraca.
Dekolteja e oborrit prarohet
në qasje të këmishës së qindisun
palue në virgjninë e pajës.
Vijat e sedefta të kaçamillave
kaplohen ndërvesi përditë e ma fort
si me dashtë me imitue trajektoret e hapave
që përshkuen histori dasmash e mortesh.
Nuk e di edhe sa ka me zgjatë
riti i lashtë i skicimit të heshtjes,
veçse pres shiun
nën patkonin e varun n’gozhdën e origjinës
me shpresë se pranverën tjetër
rrëfimi i sedeftë ka me kenë ma fatlum.

Exit mobile version