Kreu Opinion Josif Papagjoni: U çmalla me ty, Vlash Droboniku

Josif Papagjoni: U çmalla me ty, Vlash Droboniku

-Josif, jam në Tiranë, dua të takohemi e të pimë një kafe. Kam dhe një peizazh të qytetit tënd, Sarandës, të cilin dua të ta dhuroj. Ke shkruar dhe një libër për të. Urime!

Ishte po ai zë i butë si ai vetë: Vlash DROBONIKU. Një emër i mirënjohur, piktor dhe regjisor i shquar i filmit të animuar shqiptar, “Artist i Merituar”. Vlashin e kam njohur viteve të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve. Vinte nga Berati, pinjoll i një familjeje të njohur e me kulturë. E kujtoj shtatin e tij disi të shkurtër dhe sidomos fytyrën fisnike. Rezatonte një urtësi e shpirtmirësi prej njeriu të ëmbël. Trashëgonte butësinë e një “kleriku” të artit, e një besimtari. Madje ka punuar shumë edhe piktura kishtare. Ka diçka nga tempujt ky njeri, si dhe i ati i tij që i përkiste po këtyre “tempujve”. Sot Vlashi është rreth të 78-ave. Por bukur i mbajtur. Me një fytyrë e lëkurë të pastër..

*

U shmallëm. Kujtuam vitet e rinisë dhe të punës. Kujtuam shumë miq e shok të ikur, por për vdekjen e regjisorit Kristaq Mitro u përlot. Ka mbetur po ai Vlash shpirtbutë, po ai njeri i emocioneve. Folëm për filmat e tij aty në Amerikë, kishte fituar 8 çmime në festivalet e ndryshme e qytete amerikane me rëndësi. Ja, ky është filmi im i fundit, më tha, dhe nxori celularin. Katër minuta, nuk mërzitesh, shihe! Ç’është ajo fjalë, ore Vlash, ia ktheva. Ai klikoi dhe të dy, kokë më kokë, ndiqnim në ekranin e vogël të Iphoni-it një subjekt krejt të thjeshtë, por të tërëjetshëm e tejet poetik: DASHURINË. Një çift të rinjsh të dashuruar, që notonin në një det blu, luanin, gazmonin, përqafoheshin, putheshin, si dy delfinë; pastaj ata shndërroheshin në dy puëbardha, fluturonin bri njëra-tjetrës mbi det dhe rishtazi ishin po të dy. Një poemë. E në fund, tek poetikja që e shoqëronte filmin si në një spërndritje agu, ja ku hasim edhe dramatiken, madje edhe tragjiken. Është vetëm njëri syresh, jo të dy, vajza mungon. Figurat shkrihen dhe ne na shfaqet figura e djaloshit mbi një shkëmb buzë detit, që ëndërron. Që kujton të dashurën e tij, e cila nuk është më. Sy të përmalluar. Nostalgji. Por dhe dhimbje. Shumë dhimbje. Ajo mungon. Dëshpërimisht. Ku është vallë ajo? Mos është martuar dhe dashuria e tyre nuk u realizua dot? Mos ka vdekur? Apo ka ikur diku larg në një tjetër vend? Ku është ajo, ku?… Por filmi nuk na e thotë. Ekrani sjell veçse fytyrën e përmallshme e të përlotur të djaloshit. Të gjithë kështu jemi, me një mall, me një mungesë e brengë në zemër, për njerëzit tanë të shtrenjtë që i duam pa fund, që i humbasim, që na ikin e fati nuk na i kthen, e jeta na ndan. Ah!…

Me Vlashin mbaruam studimet e larta në të njëjtin vit, më 1972, unë në degën dramatike për aktor ai në degën e arteve figurative për piktor. Diplomën ai e mbrojti me grafikën ilustrative, dhe fill më pas, i tejmbushur me ëndrra, si të gjithë ne, e emëruan në revistën “Yllkat” për fëmijët parashkollorë; prej andej, më 1974, për aftësitë e tij të shprehura si piktor u dërgua për specializim në studion “Animafilm” të Bukureshtit. Ishte si i “prerë” për filmat e animuar, vetë ai kishte diçka fëmijërore në shpirt andaj dhe diti t’i drejtohej me aq sqimë e elegancë prej “pedagogu” po kësaj moshe. Talenti i tij spikati qysh në krye të herës dhe shpejt krijoi emër e autoritet në Kinostudio, në sektorin e Filmit Vizatimor. Tok me operatorin T. Vaso, Vlashi realizoi në vitin 1975 filmin “Zana dhe Miri”, i cili shënoi edhe datën, si të thuash, të fillimit të këtij zhanri në Shqipëri. Është pra një nismëtar. Në Festivalin e II-të të Filmit Shqiptar, me filmin “Pika e ujit”, regjisor B. Kapexhiu, 1976, ai u vlerësua për ndjeshmërinë, brishtësinë dhe origjinalitetin e trajtimit të figurave të animuara, në dinamikën dhe emocionin e tyre të drejtëpërdrejtë, dhe u vlerësua me çmimin e parë si piktor. Një vit më vonë u rikthye në profesionin e tij të dashur si regjisor-piktor me filmat “Aksioni” dhe “Lodrat” për të vazhduar me “Festa e pranverës”, me të cilin u nderua me çmimin e dytë në festivalin e vitit 1978; fitoi çmim të veçantë  në Festivalin Ballkanik, Athinë, 1981, duke aplikuar teknikën e celofanit. Të një formati specifik e të këndshëm ishin edhe filmat “Djaloshi prej bore”, “Edi dhe nota katër”, “Lufta për jetën”, ku tanimë gërshetonte figurat e animuara me figurat e marra drejtpërdrejtë nga jeta. Vlashi u hodh më pas edhe në shkrimin e skenarëve duke u bërë regjisor-autor, çka u vu re me filmin serial 7 pjesësh me kukulla “Zogu pushëbardhë”, 1983.  Ky ishte dhe seriali i parë në gjininë e filmit multiplikativ në Shqipëri. E pra, ka disa “për herë të parë” Vlashi ynë në kinemanë shqiptare…

Krijimtaria e Vlash Drobonikut deri në vitin 1991 kishte një koherencë artistike të vetën, por fati i tij, si shumëkush nga artistët shqiptarë, mori tjetër udhë pas këtij viti dhe ai emigroi fillimisht në Greqi, ndërsa në vitin 1996 u vendos përfundimisht në SHBA, Wiskonsin (ku edhe jeton aktualisht). Droboniku i përkiste dhe i përket artit filmik të animacionit, falë të cilit krijoi një personalitet të fortë, duke pëlqyer në krijimtarinë e tij dhe falë fantazisë së begatë, gjininë e përrallës, subjektet e ardhura nga legjendat si dhe rrëfime të lashta. Vlashi përpos si artist i lirë, ka qenë edhe një pedagog për regjisorët e rinj të filmit vizatimor në mësimin e të fshehtave të profesionit, i cili kishte specifikën dhe vështirësitë e veta të nënkuptuara, sidomos ato të komunikimit me moshën e njomë. Qysh student e më pas ai u shfaq si një artist me pretendime, lexonte, u bë një pedagog shumë i mirë dhe ligjërues i leksioneve teorike në kurset për ngritjen tekniko-profesionale të regjisorëve të rinj. Në vitet 1987-89 ka drejtuar edhe redaksinë e filmit vizatimor. Më 1984 u dekorua me urdhërin “Naim Frashëri”, më 1987 u nderua me titullin “Artist i merituar”, ndërsa në Festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar 1995, iu dha “Kupa e Karrierës” si regjisor i vizatimorit. Në numrin e madh të filmave të realizuar prej Vlash Drobonikut duhen përmendur edhe: “Majlinda dhe zogu i vogël”, “Lisharsi”, “Shoferi i vogël”, “Sokoli dhe shqiponja”, “Erinda dhe kukulla”, “Gishto trimi”, “Çufo dhe bubi kaçurel”, “Përparsja e Bletës”, “Ushtari mburravec”, “Pendesa e arushit” etj.

Në kohën kur jetonte në Greqi, Janinë, Vlashi u angazhua si piktor në një atelie të kopjimit të pikturave të mjeshtërve të mëdhenj grekë. Pikërisht në Janinë, në vitin 1995, ai mori një porosi të Qendrës Kulturore të Janinës për realizimin e një tabloje kompozicionale kushtuar poetit grek Kostas Kristalis në 150 vjetorin e lindjes së tij, pikturë e cila u vendos në muzeun e vendlindjes. Edhe në SHBA Vlashi aplikoi në të dy drejtimet e tij artistike, pikturën dhe filmin vizatimor. Shumë peizazhe, tablo e portrete ka pikturuar ndërkohë ai dhe pjesa më e madhe e tyre sjellin mallëngjimet e zemrës së emigrantit prej vendit nga iku, Shqipëria e tij e shtrenjtë dhe e paharruar. Në vitin 1997 në degën e Artit të filmit në universitetin e Millwauke, falë përvojës dhe sukseseve që kishte arritur me filmat e tij vizatimorë në Shqipëri, ai mori drejtimin e klasës së animacionit dhe realizoi filmat “What our eyes have seen” (Çfarë sytë tanë panë) dhe “Van Gogh”, të dy filmat me teknikën e xhirimit elektronik: filmi i parë sillte skenat e tmerrshme të një pushtimi të egër, ndërsa filmi i dytë ishte konceptuar si një paraqitje e lodrim imazhesh mes disa prej pikturave më të njohura të artistit të madh holandez. Që të dy filmat u përzgjodhën për në seksionin e film-marketingut amerikan në Festivalin Ndërkombëtar të Animacionit në Annecy,  Francë, 1999.

Vlash Droboniku ka realizuar një seri filmash, ndër ta “Wengeance”, “Dreams of New Century”, “Litlle Cinema”, “Dreams and reality” dhe “New York sky” (2005) mbi tragjedinë e 11 shtatorit në Amerikë. Një qasje interesante ka edhe filmi i ndërtuar mbi kabatë e njohura prej filmit “Gjeneral gramafoni”, ku imazhi i ndërtuar prej tij përcjellë një simbolikë të rrokshme dhe një asociacion domethënës, e konvertuar në një përmallje të brendshme për muzikën shqiptare, traditat tona kulturore, shpirtin kombëtar, identitetin, vetë atdheun. Në “Queens International Film Festival” (Nju Jork, 17-20 nëntor 2005) Vlash Droboniku fitoi çmimin “Best Animacion”. Me një çmim të njëjtë filmi u nderua më vonë edhe në Los Angelos, në një nga festivalet më të rëndësishëm të SHBA-së. Më pas inskenoi dhe hodhi në film legjendën e Beratit.

Vlash Droboniku, miku ynë, i dhjetëra e qindra artistëve, paçka se në tjetër tokë, në Amerikë, shpirti yt këtu ka mbetur; një shpirt i thërmuar në ide, emocione e poezi për mijëra spektatorë të moshës së vogël, por edhe për ata të moshave madhore. Arti yt ka një emër nderi sot, është pjesë e historisë së kinematografisë shqiptare dhe vetë artit tonë kombëtar. Thërmiat e këtij arti të mbajnë përjetë këtu, në Beratin dhe Tiranën tënde, në Shqipërinë tonë. U shmalla me ty Vlash, por edhe ky shkrim për ty një çmallje është!…

Exit mobile version