Kreu Letërsi Shënime mbi libra Alisa Velaj: Mes të rrëfyerit dhe rrëfimit të Helena Henschen-it

Alisa Velaj: Mes të rrëfyerit dhe rrëfimit të Helena Henschen-it

Të rrëfyerit ka të bëjë me aktin e nxjerrjes së një të pathëne që na ka munduar. Një të pathëne të ndryrë në sirtarët e kujtesës që na pastron e çliron. Një lloj katarsisi shpirtëror e psikologjik. Të rrëfyerit patjetër se ndodh përmes një procesi të quajtur rrëfim. Rrëfim në jetë dhe rrëfim përmes një rrëfimtari (tregimtari, narratori) në fushën e letrave. Të rrëfyerit e të pathënave përmes një rrëfimi letrar mahnitës na e ka sjellë së pari Shën Agustini, ku mes shumë përsiatjesh filozofike, na transmeton dhe transformimin shpirtëror që ndjeu qenia e tij në udhën drejt përsosjes hyjnore. Kështu të rrëfyerit e një të pathëne shkon krahas me rrëfimin, si në jetë, si në artin e letërsisë. Po nëse në rastin e parë efekti çlirues kërkon vetëm guxim, në rastin e dytë (rrëfimit letrar), kërkon guxim dhe talent të spikatur. Arsyeja? Autori nuk rrëfehet vetëm për veten. Rrëfehet njëkohësisht dhe për të tjerët, si dhënës i një epoke, një gjenerate, një mentalititeti. Të rrëfyerit kërkon kështu rrëfimin depërtues, psikologjik dhe shterues.

Gjithçka shprehet më lart i shkon bukur mirë përshtat penës së Helena Henschen-it. Romani i saj i vetëm “Në hije të krimit” do të ishte një gabim i madh nëse do të cilësohej roman biografik. Ashtu si edhe cilësohet në shënimin përcjellës së botimit në gjuhën shqipe, ky roman s’duhet parë kurrsesi thjesht si historia e një familjeje, apo e një krimi. Aftësia e autores është që ajo ja del të japë mjeshtërisht portretin e asaj shoqërie në të cilën ndodhi ai krim. Po si ndërtohet portreti i shoqërisë? Henschen nuk hutohet në hije të krimit, por nxjerr në dritë prej errësirës shkaqet që e çojnë drejt rrënjëve të krimit. Duke eksploruar rrënjët, hap pas hapi, me saktësinë e një kronikaneje skrupuloze dhe analisteje psikologjike, ajo arrin të na japë një prozë mbresëlënëse. Elementet autobiografike, ndodhia reale e pesë jetëve të humbura në familjen e nënës së autores, janë skeleti i veprës. Mbushja e skeletit me lëndë përmbajtjesore nuk mund të bëhej në të tillë mënyrë veçse nga një shkrimtare e vërtetë. Vetë Henschen e shpjegon kështu ngjizjen e librit në laboratorin krijues: “Kur faktet e dokumentuara nuk mjaftonin, atëherë shtija fantazinë në punë dhe historia është përforcuar me biseda me persona që e mbajnë mend atë ç’ka ndodhur”. Pikërisht shtirja e fantazisë në punë, për të gjetur elementët ndërlidhës mes mjegullave së historive familjare e bëjnë autoren të jetë mjeshtre e rrëfimit psikologjik dhe situatave të hamendësuara që zbulojnë atë pjesë të psikologjisë familjare të kohës që ka të bëjë me të pathënën. Dhe nuk është fantazi që hamendëson një fiksion, por aftësi analizuese e përpiktë për të lidhur përmes imagjinatës pjesët e munguara të një pazëlli më shumë pikëpyetje, të cilat kanë të gjitha një emërues të përbashkët: të mosrrëfyerin që e kthen antikatharsisin në themelin e gjithë anktheve dhe vuajtjeve të një individi dhe mbarë shoqërisë së cilës i përket.

Në faqet e para të librit autorja thekson: “E vërteta i shpërndan hijet dhe me ndihmën e fakteve jemi në gjendje ta kuptojmë më mirë realitetin – edhe atëherë kur gjërat duken të papranueshme”. Prandaj autorja nuk merret me hijet e dukshme. Atë e intrigon e padukshmja, e pathëna që nuk i lë shpirtrat e qetë, por prodhon ankth dhe plas rebelimin e beftë. Analiza psikologjike që Henchen u bën personazheve të veprës dhe jetës përpiqet të eksplorojë të vërtetën lakuriqe dhe ta veshë më pas atë me hijeshinë e së thënës. Rrëfimi nuk ka pezëm, nuk ka akuza. Ka dhimbje dhe lot të përmbajtur për qenie që nuk dinë të çlirohen nga e keqja dhe vuajnë pasojat katastrofike të së kaluarës. Autorja merr përsipër së pari, me vetëdije të plotë, të kryejë katharsisin e saj si fajtore e pafaj.

“Ndjenja e fajit dhe e turpit. Kamzhik për të pafajshmit që vuajnë e heqin. Fajtori mund të paguajë për krimin dhe të çlirohet, por jo ai që nuk është aspak fajtor, duke qenë se ai nuk ka me çfarë të pajtohet e të mbledhë mendjen”

Mjeshtëria e Henschen-it në të rrëfyerit e vetes, qëndron në faktin se pas biografisë reale të familjes së saj, ajo hedh themelet e një biografie letrare kombëtare. Kombi në fund të fundit ka shpesh profilin e familjes. Përndjekja që të mbijetuarit pësuan si fajtorë të pafaj për dekada me rradhë e ka zanafillën e saj në vetë mentalitetin dhe psikologjinë e popullit suedez. Thellë- thellë, Henschen i tejkalon kufijtë kombëtarë dhe bën apel për fenomenin si të tillë në çdo vend e në çdo kohë. Dukuria e përndjekjes së fajtoreve të pafaj vazhdon dhe sot në botën moderne, ku shpesh e i paguan në kurriz kamxhikët e turpit e fajit viktima dhe joekzekutori. Katharsisi shpirtëror dhe psikologjik i një shoqërie, nënkupton autorja, vjen vetëm pasi të jetë realizuar katharsisi i secilit prej nesh. E pathëna e gjithkujt krijon të pathënën kolektive, e cila ka shkaktuar në këtë roman jo thjesht katastrofën si të tillë, por zinxhirin e gjithë katastrofave që nisin prej së kaluarës, rëndojnë me hijet e tyre të tashmen dhe nuk lënë të ndërtohet dot e ardhmja. Në roman shohim se dy burra të shoqërisë së lartë suedeze, Jalmari dhe Ulriku, aq të suksesshëm në politikëbërje dhe fushën e bizneseve, nuk arrijnë dot të përballen me të vërtetat e familjeve të tyre, por i fshehin ato me çdo kusht, duke jetuar me ankth nën hijen e së pathënave që i vrasin dalëngadalë ata dhe familjarët e tyre. Jalmari nuk e pati asnjëherë guximin t’u rrëfente fëmijëve se gruaja e tij Ruth vuante prej varësisë së morfinës. E mbajti në heshtje sekretin që mund t’i rrezikonte reputacionin e tij në sytë e shoqërisë. E bija se mori dot kurrë veten pas braktisjes së fëmijës, gjë kjo që erdhi me urdhrin absolut të Jalmarit. Të njëjtin veprim bën dhe Ulriku, i ati i Sofies kur i bija mbetet shtatzënë. Të dy prindërit nuk e duan së pari martesën e bijve nisur nga ideja themelore se u përkisnin dy klasave të ndryshme shoqërore. E gjithë rëndësia në jetët e tyre qëndron te e pathëna dhe ajo që është interesante në sytë e të tjerëve.

Po ato principe që ndërtojnë njeriun si qenie humane dhe të përmbushur shpirtërisht e mendërisht a merren në konsideratë? Duket hapur se jo. Frederikut nuk u tha ndonjëherë hapur problemi i varësisë së të emës. Madje, madje ngase u mbajt sekret dhe ai vetë u bë përdorues në moshë të re. Probleme madhore që shumëfishohen ca nga e pathëna e ca nga padija. Mungesa e dashurisë në procesin e rritjes ka shpënë gjithashtu drejt krimit, nënkupton Henschen. Si Frederiku, si Sofia rriten me mungesën e dashurisë mëmësore. Frederiku e ka një nënë por zemra e saj është e kyçur. Sofia e ka një nënë që e braktis dhe është e vdekur për së gjalli. Shoqëria dhe i ati si pjesë e shoqërisë i mohojnë të qenët nënë e katër bijve, një gruaje që tradhton atin e tyre me një partner tjetër. Ku bie e gjithë kjo dramë? Sigurisht se te fëmijët, te vrasja e shpirtrave të tyre. Kështu Sofia ka një baba të munguar, një shtëpi të madhe, një njerkë që e keqtrajton dhe një nënë e cila i është mohuar pa asnjë të drejtë. Të dy të dashuruarit janë rritur me kushte shumë të mira ekonomike, por pa dashuri. Të dy kanë paguar çmimin e shtrenjtë të padashurisë.

Është ndjenja e vetmisë përballë botës në procesin e rritjes që nuk e lë në fund Sofien të distancohet prej bashkëshortit dukshëm me çrregullime mendore, edhe pse e ka ndjerë rrezikun prej kohësh.

“Pse se la të shoqin? Ka të ngjarë që pas krizës së Frederikut ajo sheh çunakun e braktisur që lufton i vetëm kundër gjithë botës”.

Në themel të shëndetit mendor, krahas faktorëve gjenetikë, Henschen vendos dashurinë e pamjaftueshme në procesin e të rriturit të një fëmije. Ruth vuan nga frikërat e shpesh ndahet nga bota, por ajo është gruaja pa fëmijëri. Fëmija i dikurshëm që i është dashur të jetë nëna e 13 motra e vëllezërve, pa qenë më parë grua e nënë vetë. Më pas i duhet të kalojë nga hija e ankthshme e vajzukes-grua te hija autoritare e të shoqit. E njëjta gjë ndodh me nënën e Sofias, vajzën e re plot ëndrra e njohuri të pazakonta për kohën që e ndrydh shpirtin ëndërrimtar mes mureve të shtëpisë dhe lindjes së fëmijëve. A mos vallë ndrydhja e gruas ka shpënë pashmangshëm drejt dobësimit të nervave të Ruthit dhe arratisjes së gruas së Ulrikut me muzikantin rumun?

Henschen shtron njëra pas tjetrës pyetje të bëra direkt ose të nënkuptuara. Mungesa e terapive familjare, padija e kohës për probleme të shëndetit mendor sigurisht se janë arsye që vijnë nga dijet e kufizuara në fushën e psikiatrisë. Ruth vuante nga çrregullime mendore që mund t’ia ketë trashëguar dhe të birit, Frederikut, i cili vihet re prej gjithkujt se është larg stabilitetit të duhur mendor. Ama te gjitha këto probleme qoftë edhe gjenetike, do të ishin më pak të rënda, dhe do të kishin shkaktuar më pak hije trishtimi nëse gjërat nuk do të mbaheshin të fshehta, nëse e pathëna do të ish shndërruar në të rrëfyerën çliruese e shëruese. Na nevojitet një katharsis që çon në ndërtimin e njeriut përmes deklarimit të të vërtetave që në rast se i lëmë në hije, do të na vrasin ditën, në mes të diellit, apelon autorja. Mosrrëfimi është antikatharsis shpirtëror dhe psikologjik. Shpirti i sëmurë, mendja e frikësuar prej së pathënës ndërton njeriun problematik dhe ngjiz një shoqëri problematike. Parë në këtë kontekst, rrëfimi i përgjet atyre matrioshkave ruse, ku brenda çdo kukulle fshihet një tjetër me e vogël, derisa arrijmë te kukullza embrionale. Kështu dhe ky rrëfim, mbështjell brenda një rrëfimi në dukje biografik, rrëfime të tjera historike, sociologjike, antropologjike, psikologjike, për prekur së fundi njeriun e dorëzuar, të fshehurin mes shumë shtresave të së pathënës. Njeriun embrional, foshnjën reale dhe alegorike, që duhet përkundur në krahët e dashurisë dhe të vërtetave të rrëfyera në kohën e duhur.

Këln, mars 2023

Exit mobile version