Kreu In memoriam Josif Papagjoni: Ikja e shtërgut të vetmuar, Ismail Kadare

Josif Papagjoni: Ikja e shtërgut të vetmuar, Ismail Kadare

Figura e shtërgut është ngulitur te lexuesi shqiptar nga poezia e famshme e Lazgush Poradecit. Kadare ka qenë nga shkrimtarët qe e ka çmuar poetin e madh pogradecar, kur të tjerët heshtnin; ka qenë pranë tij edhe në ditët e vetmimit dhe harresës nga listat nderuese të shtetit. Dhe aty, tinëz, i është përfalur këtij tempulli, këtij “dielli” të zemëruar me tiranin, që ende ishte gjallë, ndaj dhe ai, POETI, do bënte të pabërën, do ndriste në botën e të vdekurve sepse të gjallët s’e meritonin! (Libri “Ikja e shtërgut”, kushtuar Poradecit). Ky shtërg, i njohur si pelikani apo nositi, na paska një zakon të habitshëm; askush nga zogjtë dhe shpendët e tjerë nuk e ka. Madhështore tek ai është pikërisht ushqyerja e zogjve të vet të uritur me gjakun dhe mishin e tij. Lazgushi i dha kësaj poezie një metaforë të përmasave mitike: flijimin për tjetrin. Të shqyesh gjoksin për të ushqyer zogjtë e tu, kjo është vërtet sa tragjike aq dhe e madhërishme. Një flijim që të kujton Krishtin mbi kryq. Ismail Kadare ka qenë nga njerëzit e rrallë që, teksa ka ikur më në fund në amëshim, ne mund ta vlerësojmë sot si një Nosit, si një shtërg madhështor që lë folenë dhe ikën… ikën… Diku. Po ku? Fjala e parë që na vjen në mendje të gjithëve është “përjetësia”.

Në një vështrim klasicist e moral nuk mund ta quash Kadarenë një hero, njeri i sakrificës sublime, sfiduesi i “Perëndisë” mbi tokë, ai që i vë zjarrin vetes si pishtar në një shesh kryeqyteti para një tanku dhe vetëflijohet për të tjerët. Por në një tjetër vlerësim, tashmë historik, mund të thuhet pikërisht se Kadare ishte një hero, një vetëflijues, pra dhe një pishtar, më së pari i letërsisë sonë. Dhe duke e shtrirë në përmasat e filozofisë së historisë, ai ishte prijëtar i mendimit dhe instinktit gjallues të kombit. Dhe pra Ismail Kadare ishte pikërisht një shtërg madhështor. I vetmi në llojin e tij, pa të dytë për nga cilësia letrare dhe gjenialiteti. I pangjashëm me shkrimtarët e tjerë shqiptarë dje, sot dhe, ndofta, përherë. Një shtërg madhështor, po ashtu, për atë çka krijoi në mbarë letërsinë shqipe dhe kulturën kombëtare. Ai u thirr nga koha dhe lëngata e saj për t’i dhënë asaj frymë e fytyrë, andaj dhe la pas dore shumë gjëra të brishta, të kristalta, të ëmbla, vezulluese që, ndofta, në një tjetër kohë, mund t’i qëndiste e t’i pikturonte për merakun e vet duke u këndellur me farfuritë artistike dhe mprehtësitë, siç bëri me librin “Kukulla”, kushtuar të ëmës. Jo, ai ishte tjetër model shkrimtari. Së dyti, po si model, ai qe i “vetëm”, ose më saktë i “vetmuar”. Pak njerëz kishte në krah, në mirëbesim dhe në miqësi, kur shpirti plas e kërkon të zbrazet me tërësej. Ndofta sepse i larti nuk ka nevojë për të ulëtin, përkundrazi. Dhe të ulëtit nuk arrijnë dot ta kuptojnë të lartin në atë çka ai është. Siç raca e tij në botë, Kadare ishte një shpirt i vetmuar, një mendje e vetëmjaftueshme. Shikonte përherë nga sipër, asnjëherë nga poshtë. Xheloz për epërinë dhe lavdinë e tij, ai nuk dinte as të lëshonte vend për dikë tjetër, as të falte prej vezullimit të vet. Mbase kështu janë të gjithë të mëdhenjtë, prandaj dhe ne nuk i kuptojmë ata. Mendja e tij, besoj, kishte shumë dryna dhe kasaforta, që vetëm ai mund t’i hapte diku në skutat e autorrëfimit. Por le mos të stërhollohemi me gjësende të tilla shpjegimesh psikologjike, ku fantazia përgjon si një qift grabitqar.

…Kadare iku. Në një poezi pat thënë se do të linte një “shenjë”. E cila qe kjo shenjë?! Shenjë e veçantë, vetanake, personale vallë apo e shumëfishtë, e shumëkuptimtë, tërësore, madje kombëtare? Mos qe jeta që mundte vdekjen apo vdekja që mbante gjallë jetën? Vdekja e tij mori me vete madhështinë dhe tragjedinë. Por la pas shumë zjarre, shumë dritë. La një hartë përjetimesh dhe pasionesh njerëzore, që vejevinin nga stërpikjet e mallit dashuror mbi ca pika shiu rënë në qelqe dritaresh e gjer te shkundja e maleve nga myku shekullor me kamzhikun e kohës. Iku i mburrur nga mijëra adhurues, mijëra kambana, njëri ndër ta dhe unë, sikundër dhe i sharë e përsharë nga shumë të tjerë, që nuk e donin, që nuk e kuptonin, që e quanin pjesë të nomenklaturës së kuqe, shërbyes të saj. Që e përjargnin. Që e anatemonin. Që shpifnin. Që e quanin, madje, vrasës. “Xhaketat e vjetra” e donin si një ushtar, si një militant. Prej gjithë kësaj turme, them se disa vuanin nga komplekse zilie e xhelozie prej mediokri apo rivalësh që letërsinë e tij nuk e arrinin dot assesi, disa e keqkuptonin lirinë e mendjes prej shkrimtari, disa të tjerë donin ta shihnin të poshtëruar, madje të groposur, futur nëpër burgje, pranga e qeli, llangosur nëpër kampe internimi, me një tas supë para, madje dhe i pushkatuar, meqë i kishte “tradhtuar” (ideologjinë, partinë, atdheun socialist, vetë Komandantin!) Le të kujtojmë një hop gjithë historinë e vjershës “Pashallarët e kuq” kur desh e shqyen; para saj picirin e novelës “Përbindëshi”, më tutje romanin “Dimri i vetmisë së madhe” që thuajse e kryqëzuan nëpër tubime punëtorësh dhe të rinjsh të idiotizuar, pastaj seancat ogurzeza të akuzave publike për “Pallatin e ëndrrave”, novelën “Nata me hënë” etj., etj. Përherë letërsia e tij ka kaluar në zgripe humnerash, ku mund t’i hanin kokën, të arrestohej, të zhbëhej me fis e me farë. Dhe përtej gjithë kësaj tollovie, mua sepse nuk më hiqet nga mendja te ikja e tij nga kjo jetë figura e shtërgut. I ka të dyja përmasat, të madhërishmen dhe tragjiken, që rrallë njerëz i mbërrijnë apo i përfaqësojnë. Mbase dhe një përmasë të tretë, murgërimin. Sepse, siç thuhet, të zakonshmit kanë shumë miq, të talentuaritkanë një mik, ndërsa gjenitë asnjë, u mjafton vetvetja. Ata ngjajnë me perënditë. Vetmimi është gjeniumi i tyre…

Unë e di se një bibliotekë me libra, artikuj e studime do të shkruhen nesër për të, siç janë shkruar deri sot. Edhe unë kam shkruar. Por kohë nuk kam më. Prandaj nxitoj të them dy-tri fjalë të thjeshta (postmortum) për të, në formë shkurtesash:

1.

Kadare, si shumëkujt të brezit tim, me veprën madhore që la pas u bë formatuesi ynë, i vetëdijes, i dijes dhe i shijes së mirë, një dritë që na nxirrte nga vetmija, mizantropia, trutharja, meskiniteti dhe përfytyrimi i turbullt, opak, grotesk, i ngratë. Na nxirrte nga getua ideologjike, nga errësira, provincionalizmi dhe primitivizmi ynë. Letërsia e tij na ftonte të merrnim arratinë me mendje e zemër jashtë mureve të lagështa të asaj shkretie shpirtërore dhe intelektuale që na kishte mpirë këmbët dhe ne s’bënim gjë tjetër veçse rrethrrotulloheshim brenda kloneve tona, kopesë sonë. Na ftonte t’i iknim, qoftë dhe me mendje, zezonës ku jetonim e frymonim si nëpër qeli. Na bëri më qytetar. Na bëri evropianë. Na dha një spektër: prarimin e të bukurës.

2.

Kadare ishte ai që e sendërtoi dhe i priu i pari letërsisë moderne në Shqipërinë e hekurt të komunizmit dhe socrealizmit. Diçka vërtet e pamendueshme kjo. Letërsia e tij nuk ishte aspak e thjeshtësuar, por e sofistikuar, shumështresore, e ushqyer nga parabolat, simbolet, alegoritë, asociacionet, shumëkuptimësitë. Ajo e çau gardhin e rrëfimit njëlinear, doli jashtë vathës së realizmit socialist, solli struktura të zhdërvjellta, tjetërfarë, me mbivendosje të shumta, u dha dërmën empative servile dhe të zvjerdhura prej një letërsie gjysmëfolklorike, demode. Kadare na ofroi diçka të blertë, të freskët, si të purpurt. Librat e tij qysh në kryeherë (kujtojmë p.sh. romanin “Qyteti pa reklama”, kur mosha e djalërisë sapo i kish buthtuar), dhe pastaj nëpër vite të tjerë, ato herë bulëzonin nëpër kopshtijet e një erosi gjithë mall dhe shpirtit rinor epuar drejt aventurës, herë vibronin nga ankthe poetike që hovçoheshin a përbiroheshin thellë e më thellë skutave të njeriut. Pëlqente më fort strukturat grafike, jo pikturime hollësish me ngjyra të shumta. Çdo krijim i tij ka një gjetje, shpesh e ngjashme me paradoksin, diçka që e bën atë të papërsëritshëm në llojin e vet. Shpesh e më shpesh atij i pëlqenin rrugëtimet nëpër labirinthet e anktheve njerëzore e kombëtare, të tmerreve, krimeve të fshehura e katastrofave historike, duke ndjekur parabolat makbethiane,  por pa e lëshuar nga dora “fillin e Arianës”. U dashurua me Shekspirin qysh adoleshent në shtëpinë prindërore (shih “Hamleti, princ i vështirë”) dhe u bë, si të thuash, një “shekspirian”. Kishte zotësinë që të zbriste si Dante në bodrumet e ferrit dhe “lavditë” e rrejshme e të përmbysura të tij, kthyer pingulthi. Veçse, ama, ndonëse mes tmerrit, ndonëse me histori groteske e gjeste të përçudnuara, asnjëherë s’e humbte toruan. Të gjitha kundroheshin habitshëm nga lart, me një gjakftohtësi, kthjelltësi  dhe tëhuajtje shembullore, që vetëm shkrimtarët si ai mund ta arrijnë. Dhe aty, te grazhdet politike të kohës, po habitshëm, ti dalloje reljeve të tjera si prej një realiteti të metaforizuar, tjetërsoj, njëjtë si të shihje fushën e hapur teposhtë nga krepi i një mali. Nëse marr rolin e lexuesit, tek shfletoj librat e Kadaresë shpesh kam ndjesinë sikur po pilotoj një avion me shpejtësi marramendëse, e megjithatë gjithçka e shoh për bukuri, edhe poshtë edhe lart, në gjerësi a thellësi, në dermë dhe epidermë. Gjithmonë romanet e tij për periudhën komuniste kishin një si mbivendosje, duke i bishtnuar uverturave të saj pozitiviste dhe triumfale dhe duke u epuar në të tjera hapësira, mundësisht sa më kozmike, universale, pasuar nga nëntekstet e hapura (ndërtekstorësia). Andaj habitshëm ato e tejkalojnë kohën, janë njerëzore, sepse në lëngjet e tyre ka jo pak zhgënjim, pikëllim, nostalgji, çartje, afeksione. Nuk gjen në romanet e Kadaresë triumfe socrealiste, por funde herë të dëshpëruara, herë prag katastrofash, herë të mbushura nga zymtimi, dyshimet, çarjet. Mjaft të kujtojmë një nga eposet e tij për këtë kohë, romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, dhe do të prekim aty mekanizmin e tjetërsimit se si shkrimtari fuste dinakërisht nëpër fletë, të tjera gjëra; diti t’i kalojë ato nën shalët e Ciklopit.

3.

 Subjektet dhe personazhet e Kadaresë, lënda prej nga ata ushqehen, dilnin rëndom nga barku i miteve dhe legjendave të lashta shqiptare apo dhe atyre greko-romake. Ishin epose të përthithura nga letërsia gojore, sa shqiptare, ballkanike, aq dhe shekspiriane e homerike. Vetë eseja e tij e famshme “Autobiografia e popullit në vargje” ishte për brezin tim një dritë e fortë, përtej vështrimeve të budallallepsura e të ngushta të kohës; ishte një canticu canticorum i madhështisë, tragjizmit dhe lirikës së vargjeve të poezisë orale shqiptare. Nisur prej këtij eposi, ai daltoi në shumë nga veprat e tij diçka nga afeksionet tona të fshehta, shpesh të rrezikshme, që vejevinin monopateve ku përzhitej tragjikja dhe poetikja, madhështia e dikurshme historike e shqiptarëve, identiteti i cenuar i tyre nga marshimi i “ferexhesë” osmane.

Kurrë nuk e qasi të rëndomtën, edhe tek librat që vetë i shpërfillte ose i kritikonte për mangësi (p.sh. “Dasma”). Sepse ai përherë operonte me të madhërishmen, me përmasat që e shfaqnin qenien kombëtare në zgripe ekzistenciale, në kthesa e theqafje, në lartësi epike e heroike, në bëmat dhe gjëmat homerike. Ndofta prandaj letërsia e tij na dha një komb të jashtëzakonshëm, thuajse homerik, lëbyrur nga drita, qëndresa, heroizmi, epikja, shpesh e më shpesh i therur nga kamat e tragjikjes, nga sfida, shkulma; na dha një popull të pamposhur, paçka se me plagët që i kullonin gjak, shpesh i reflektuar përmes të tjerëve; na dha një Atdhe aq krenar, si në një pasqyrë, ku dimensionet dhe pesha e tij historike tejzmadhoheshin sikur të ishte një perandori. Për këtë shkak Kadare u “ngul” pas qëndresës heroike të shqiptarëve në Motin e Madh të Skënderbeut, kur vlerat e tij, madhështia dhe raporti me botën e krishterë të Evropës, me trungun e hershëm arbëror, ishin aq domethënëse për kohën. Ato shërbyen si apel për mos ta humbur nordin dhe për mos të luajtur me tezën “as lindje, as perëndin; as andej, as këndej”, qëndrim dhe vetëdije të cilat do ta kishin zeruar përkatësinë historike dhe gjeografike të shqiptarëve. Dashuria e tij e thekur ndaj miteve homerike, të cilat gjenin kuptimet e hershme në arealin etnokulturor të shqiptarëve, ishte dëshmia e respektit për lashtësinë e kombit, krenaria për të, “loja” që bënte në rrashtën e mendimit antropologjik shqiptar dhe përsiatja ndaj tyre, sa dhe ndjesia e shprehur e një etniciteti zanafillor dhe të padyshimtë. Kjo ka qenë një nga dashuritë e thekura të tij; e has gjithandej, por bëhet ashk te qasja “Eskili, ky humbës i madh” dhe romani “Dosja H” (ky i fundit me parashtresa sa serioze, aq dhe qasje groteske e plot thagma).

4.

Kadare ishte një magjistar, lojtar dhe lëvrues i jashtëzakonshëm i gjuhës shqipe, i dha asaj sharm, bukuri, delikatesë, prarim, leksik të pasur, forcë e shprehësi. Fjala e tij është vërtet qëndistari, një mrekulli. Ne u dashuruam me shqipen e hirshme nga stili i tij. Ai e bëri atë një gjuhë konkurruese. I dha hapësirën e munguar, i dha ngjyrë, ajër, frymë, muskulaturë. Unë jam një dashnor i thekur i shqipes, dhe i blatohem Kadaresë si dhe mjeshtrave të tjerë të letrave që ma ngulën në kokë adhurimin për këtë materie e palcë të qenies sonë. Kadaresë i kemi borxh shumë fjalë të bukura të shqipes sonë moderne: ose të rivitalizuara nga përdorimet e mëhershme, ose të ripunuara, ose fjalëformime e neologjizma…

5.

Kadare krijoi një Shqipëri të “tijën”, të ëndërruar, madhështore, heroike, të virgjër, plot dritë, me aureola princërore. E sheh këtë në romanet “Kështjella”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Ura me tri harqe”, por dhe te “Breznitë e Hankonatëve”, “Kronikë në gur”, “Gjakftohtësia”… Po aq ai krijoi edhe një Shqipëri epike, tragjike në fatin e saj, si të dalë nga tmerret dhe mynxyrat plot vrasje, pabesi, kurthe, prita, ploja gjaku dhe… marrëzi të pabesueshme. A s’është një i tillë romani  “Pallati i ëndrrave”, nga më domethënësit? Po “Viti i mbrapshtë”, “Komisioni i festës”?! Rëndom ai hynte në balada, epe dhe mite për të kërkuar një Shqipëri ndryshe nga ajo komuniste, Shqipërinë e dikurshme me rroba princërore: e paepur, e bukur, vetflijuese, krenare, evropiane. Sidomos në poezi, imazhi i saj spërndritet. Por ai e dinte ndërkohë se bri saj kishte dhe një Shqipëri tjetër: e mposhtur, e pistë, e dorëzuar, e tjetërsuar, periferike, gjer dhe e shëmtuar. Kësaj Shqipërie ai përgjithësisht i shmangej, nuk donte ta shihte në sy. Një Shqipëri raja, Shqipëria e trembur, servile dhe groteke e komunizmit. E dinte se po ta prekte me dorë ose do të gënjente të mençurit gjer në vetëposhtërim, ose do të futej në burg si tradhtar. Në rastet kur e shihte me historitë e Qyprillinjëve dhe vezirëve të mëdhenj osmanë prej shqiptarëve gjakprishur si Ali Pashë Tepelena (“Kamarja e turpit”), ai kërkonte aty veçse fatalitetin historik, vasalin kokëkrisur dhe kryengritës, jo dhe robin, sahanlëpirësin, vrasësin, të nënshtruarin, të zvetënuarin, vasalin. Sa i përket romaneve për kohën e utopive mashtruese të socializmit dhe revolucionit, ai projektoi një Shqipëri madhështore sipas paradigmës së Davidit që mund Goliathin: një popull trim, sfidues dhe një prijës qëndrestar, kundër supershteteve robëruese. “Dimri i madh” veçanërisht, por dhe romanet e tjerë si “Koncert në fund të dimrit”, “Përbindëshi”, disi edhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e sjellin këtë Shqipëri kadareane në vetminë dhe sublimitetin e saj. Vetëm kështu mund ta projektonte ai, në tjetër stil, si një tokë tragjike, pa lumnime shpërvjelëse.

6.

Kadare ishte fatlum, jetoi në të dyja epokat, gjatë dhe pas diktaturës. Ka një mendim se letërsia e tij pësoi një goditje të fortë, kur liria politike u legjitimua në Shqipëri. Ai humbi armën e vet kryesore: simbolikën. Mbaroi mënyra e fshehtë për të dhënë mesazhe lirie, thanë disa, teksa tashmë gjithçka mund të thuhej haptazi, pa frikë, drejtpërdrejt, s’kishte nevojë më për “ndërmjetësime figurative” e për lojën me dy kuptime. Sipas meje, kjo është pjesërisht e vërtetë. Sepse shkrimtari mbeti po ai: shkrimtar i letërsisë dhe estetikës moderne. Asgjë nuk cedoi nga bukuria e saj. Të pas vitit 1990 janë pikërisht disa nga librat dhe romanet e mrekullueshme të tij, ku do të sillja në vëmendje “Pasardhësi”, “Spiritus”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Darka e gabuar”, deri diku “Aksidenti”, “Lulet e ftohta të marsit”, “E penguara” etj. Shqipëria stoike dhe heroike, fill pas vitit 1990 në romanet e Kadaresë u bë pasqyra e madhe e krimeve të përbindshme të komunizmit, e kurtheve dhe e vdekjes, e dhunës dhe e mendjes perverse, e klubeve makbethiane dhe e intrigave të denja mesjetare të tipit të Borxhiave (psh “Spiritus”, “Shkaba”, “Hija” etj.). Vuajtjen e tipit prometeian prej shkrimtari, që ia hanin mëlçinë shqiponjat e dërguara si ndëshkim nga tirani për çmimin e lirisë, e dha me një zgjuarsi dhe filozofi, në formën e një kontrapunkti, te romani i bukur “Vajza e Agamemnonit”. Kompromisi për të mbijetuar shoqërohej përherë me pakimin dhe dhembjen apokaliptike si dhe me vetë vdekjen e shkrimtarit në përpëlitjen midis lirisë dhe pamundësisë. Ideja e raportit të njeriut, lirisë dhe tiranisë vjen brenda po kësaj metafore edhe te romani “Shkaba”, tunduar nga miti i zbritjes në trojet e vdekjes dhe shkapërcimit të saj, një temë e prekur qysh nga Gilgameshi, te “Odisea” e Homerit, “Ferri” i Dantes etj. 

Dy romane, “Pallati i ëndrrave” dhe “Koncert në fund të dimrit” janë veçanërisht shenjues sa i përket refuzimit të mendësisë orientale dhe përkatësisë evropiane të shqiptarëve, ndërsa “Piramida” krijon po njësoj analogjinë e hierarkive kriminale dhe stërmunduese të pushtetit tiranik. Te novela “Sjellësi i fatkeqësisë” është ai pikëllim i madh i mbulimit të shpirtit të bruztë evropian nga zezona e antropologjisë lindore osmane.

7.

Ka njëherësh sa një pranim aq dhe një refuzim të asaj Shqipërie, atij kombi e populli madhështor tragjik, që Kadare ka krijuar: si vetim, si imazh, si realitet historik dhe veçim antropologjik. Kjo Shqipëri e ky shqiptar shpesh janë sajesa të vetë shkrimtarit, si të thuash, përfytyrime me natyrë poetike të tij: një perandori letrare e vetëdijesore, ku flen së toku historia dhe ardhmëria, shpresa dhe ëndrra, tragjedia dhe tjetërsimi, e hijshmja dhe e shmëtuara. Në të vërtetë jo gjithçka ka qenë e madhërishme dhe fisnike ndër shqiptarë. Ka shumë zgjyrë mes tyre. Mirëpo Kadare e donte ashtu atdheun dhe kombin e tij. Ishte një rilindës i ri. Nga kjo optri, mes këtyre dy qasjeve ai bën të luaj në romanet e tij historikja dhe a-historikja, e njëmendëta dhe poetikja (e trilluara), realja dhe letrarja. Mënyra se si ai i bën këto të bashkëjetojnë e ndërveprojnë njëra me tjetrën është diçka që vetëm ai e di. Prandaj dhe Shqipëria historike, reale dhe Shqipëria e përfytyrimit kadarean, sidomos ajo e krijuar para viteve ’90, përmes poezisë sa dhe prozës, sado që ndonjëherë të duken përjashtuese nga njëra-tjetra, në të vërtetë konvergojnë, siç konvergojnë kohët, shpirtrat, karakteret. E kush nuk e dinte se pas përgjimit dhe krijimit të Ëndrrës në Tabil-Saraj tek romani “Piramida” nuk ishte Komiteti Qendror i PPSH, Sigurimi i Shtetit, përgjimi i mendimit dhe psherëtimës njerëzore, krijimi i miteve komuniste, i “njeriut të ri” përmes shpëlarjes së trurit etj? Pra, merret dhe ashtu dhe kështu. Edhe diç e njëmendët, edhe diç e sajuar, fiction, trill, simbolikë. Po e njëjta gjë mund të thuhet për “Kush e solli Doruntinën”. Besa ishte sa një analogji ideologjike komuniste (besnikëria ndaj komunizmit, PPSH etj.), aq dhe një apelim historik për identitet kombëtar e shpirtëror, që vinte nga vijueshmëria dhe tradita e kombit. Kadare operonte ndjeshëm me dy elementë: alegorinë dhe pranëvëniet (analogjitë) duke bashkuar historiken me bashkëkohoren. E bëri veçanërisht të mprehtë këtë ecejake e motërzim në një varg poezish (psh “Laokoonti”, “Kali i Trojës” etj.), ku teknika e risemantizimit si shenjim i letërsisë postmoderne evropiane, bëhet sunduese.

Duke qenë perandori e shpirtit të tij krijues, letërsia që bëri na shfaqet si produkt i asaj çka një gjenium letrar i pamat si ai mund të krijonte përmes fantazisë, ideve, përjetimeve e dëshirave personale, përmes jetës dhe fatit; një perandori e krijuar gjatë një rrugëtimi tejet të vështirë me ulje-ngritjet, theqafjet, monopatet, rreziqet e frikërat, ku jeta e kishte përplasur. Nga ana tjetër, ajo kishte marrë vulën, risinë dhe hirin mes leximeve të shumta të letërsisë bashkëkohore evropiane e botërore, të cilën ai e njihte ndofta më mirë se shumëkush tjetër. Pseudonimi i tij Gent Arbana ishte për brezin tim një dritare, ku ne njohëm ato që koha na mohonte, rrjedhat moderne e postmoderne të letërsisë, sigurisht duke luajtur me kartrat e “djallit”: kritiko duke pohuar dhe prano duke nënkuptuar.

8.

Kadare çmohet më shumë si prozator, por më herët atë e rrëmbeu poezia dhe aty u shënjua si ndër më të mirët në treshen Kadare, Agolli, Arapi në vitet ’60, për të mos thënë më i miri. Poezinë ai e mbante ngrohtë nën sqetull. Përzieu aty tri rrafshe: të madhërishmen, liriken, psikologjiken. Ndonjëherë edhe pezmin. Imazhi është sugjestiv, impresiv. Ja Atdheu, si një rrap madhështor që kishte mbrirë mes rrugësh ku frynin shtrëngatat. Ndërsa shpëtimtarët e tij dhe të rënët që mbanin rrënjët e këtij rrapi, bënin bashkë tokën e lashtë, gjakun dhe dritën (poema “Shqiponjat fluturojnë lart”). Flitet për partinë komuniste, por në fakt përfytyrimi i takon Shqipërisë. Poema tjetër “Përse mendohen këto male” bënte një përzierje fantastike të figurës mitike të shqiptarit me pushkën e gjatë mbirë si eshtër mbi trupin e tij, hija e së cilës i priste dysh malet, nga njëra anë dhe një Shqipërie tjetër, që kërkonte tashmë të dilte nga reliktet historike dhe fosilet antropologjike, të dilte nga errësira në dritë, që shqiptarët mos të endeshin më kuturu si kuajt e verbër mes territ. Po e njëjta madhështi vërehet edhe te poema “Shekulli im” dhe gjithandej vëllimeve të poetike si “Motive me dell”, “Koha”, për të zbritur butë-butë mëpastaj në erotikën mallëngjyese “Ca pika shiu ranë mbi qelq”, pikuar po aq me përsiatje shpesh të zymta. Në përgjithësi figurat e përdorura në vjershërimin e Kadaresë nuk janë të qeta, ca më pak molisëse, ledhatare; nuk gjen ndër to fjalë përshkënditëse, le t’i quajmë “poetike”, që qenë në modë asaj kohe. Përkundrazi, ato janë trallisëse, nuk të lënë të qetë, duket sikur diku gjëmon, sikur diku të pickojnë fort, të kamzhikojnë. Përmasat janë mitike. Nesër, kur sharësit e sotëm të poezisë së tij nuk do të jenë më, këto poema si dhe gjithë poezia politike e Kadaresë do t’u bishtnojnë gremçave të vlerësimeve të thekura të kritikës sociologjike. Ato do të shihen mirëfilli si letërsi, si shkëlqime estetike, si figuracion, si ideolekt, si befasi, si bukuri poetike; do të triumfojë medoemos bukuria estetike.

Afshi poetik, nganjëherë, është po aq i nxehtë sa edhe në prozë. Sado që vepra romanore e Kadaresë ka shumë epikë, nerv, zymtim, psikologjizëm, grotesk, aventurë, befas bie në ca çaste kur përhirimi poetik, bukuria e fjalës ngjan e gjitha si një vallëzim me ajrin, aromat, tingujt, muzikën, frymën. “Kronikë në gur” a s’është e gjitha një vallëzim, muzikë, aromë, ndër brilantet më rrëzëllitëse të penës së tij…

9.

Narrativa e Kadaresë ndryshon nga çfarë shkruhej prej të tjerëve. Ishte lakonike, nuk duronte ujëra dhe hollësi; së dyti, ishte poetike, jo thjesht në gjuhë, në ligjërim, në sintaksë, por më së pari te densiteti figurativ i tyre; së treti, ai sikur të rrëmbente e të kridhte në filozofi, të merrte me vete e të ftonte në banketet e stërholluara të mendimit të epërm dhe gjësendeve të mprehta; së katërti, tek ai ligjërim ti rrethohesh nga dijet përplotësuese që vijnë prej antropologjisë kulturore, historisë, kodeve të rrepta zakonore ku strehohet tragjedia, rrethi ciklik i krimit, teprimi dhe tejkalimi i së drejtës, hakmarrja, doket, psikologjia etnike e kombëtare (plaka Nicë te “Gjenerali…” është një monument këso dore, por dhe Nurihani te “Nëntori i një kryeqyteti”, Mark Ukaçjerra te “Prilli i thyer”, posaçërisht ideja udhëheqëse e besës te “Kush e solli Doruntinën”). Së fundmi, të shkruarit e tij ka një forcë të madhe tërheqëse, duke krijuar trysni, kundërthënie, çudi. Dhe një… magji. Pikërisht “magji”, atë që vetëm letërsia e mirë di ta krijojë. Si e qysh, ky mbetet një mister a, siç thuhet, “vjen nga dora e vetë Zotit”.

10.

Kadare nuk ishte shkrimtar dhe kaq. Ishte një dijetar, një eseist i rrallë. Dija dhe kultura e tij i jep peshë prozës. “Eskili, ky humbës i madh”, “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe” janë dy traktate të fuqishme e mendjemprehta, por edhe “Ftesë në studio” si një laborator dhe thellomë e vetë procesit krijues të shkrimtarit, për të vijuar më tutje me libra të një prerjeje të shumëfishtë, historike e politologjike, letrare e antopologjike, si “Dantja i pashmangshëm”, “Hamleti, princ i vështirë”, “Dialog me Alain Bosquet”, “Arti si mëkat”, “Mosmarrëveshja”, “Ra ky mort dhe u pamë”, “Mëngjeset në kafe Rostand” etj.

11.

E gjithë krijimtaria letrare e Kadaresë, sado e shumëanëshme në tematikë, brendi, ide, motive, forma, zhanre, ka një shtrat që i lidh të gjitha së toku: epimi i mendimit të tij historik, filozofik, politik, estetik dhe etik drejt qenësisë, apo identitetit evropian të shqiptarëve. Kjo është veti e parë, por unë enkas e lashë në fund për ta vlerësuar ca më tepër. Identiteti evropian është si plazma, si karma, herë e dukshme e bërtitëse dhe herë e padukshme dhe gërryese. Atë e sheh në të gjitha veprat e tij, si në shekujt e trazuar të mesjetës e më herët, ashtu dhe më pas, madje edhe në vitet e komunizmit, kur ky identitet kërkohej diku gjetkë, në formula dhe algoritme çudane, as Lindje e as Perëndim, dhe ku shkrimtari bëri kompromise mbijetese. Në dyzimet e tij djaloshare të fillimit, dyshimet e mëvonshme dhe kuptimësisë se ç’ishte komunizmi dhe diktatura, ai eci si në një litar nderur mbi hon, herë duke lavdëruar udhëheqësin komunist Enver Hoxha (për të siguruar një strehë mbrojtëse), herë duke e parë komunizmin si një shpresë, ëndërr barazie, utopi, drejtësi etj. (një nga zhgënjimt e mëdha të tij), herë duke e ironizuar e satirizuar e herë duke e përbuzur dhe akuzuar. Ani pse në veprat e kontaminuara nga realizmi socialist ky identitet evropian shpërfaqet me vështirësi, si diçka e patrajtë, e turbullt dhe e rrezikshme, ai asnjëherë nuk e braktisi si ide përshkuese. Edhe në ditët më të zeza, kur i duhej të fshihej pas llogoreve të një tjetër identiteti, atij ideologjik e politik, si besnikëri ndaj PPSH dhe marksizëm-leninizmit etj., Kadare i mëshoi enkas frymës antiruse si magjja e moduseve antidemokratike dhe antievropiane (p.sh. romani “Përbindëshi”). Ndërsa përmes kamuflimit me antiosmanizmin, ai kundërshtoi uniformitetin në jetën urbane dhe veshjet e shëmtuara, që vrisnin bukurinë e femrës dhe përçudnonin elegancën (“Sjellësi i fatkeqësisë”). Shpesh mesazhet e letërsisë së tij, posaçërisht veprat që e marrin lëndën nga epet, baladat, historia mesjetare dhe ajo e sundimit osman, i kanë keqinterpretuar si antiislamiste, ose si antikosmopolite e antiglobaliste, si letërsi me ashk të fortë nacionalist. Kjo kritikë ngul këmbë se vepra e tij mburr si tepër një trashëgimi sublime më shumë të fantazuar të shqiptarëve sesa të njëmendtë. Në të vërtetë, duke e marrë brenda kontekstit politik të regjimit komunist, gjithë romanet dhe poezia e tij klithin për orientimin dhe idenë evropianiste. Gjithandej veprat e tij hedhin e përpunojnë mendime të tilla. Shkrimtari i bën të pranishme dhe “normale” ato në një botë “jo normale”, qoftë dhe tek gjërat më të thjeshta, më të brishta, si dashuria, pikëllimi, mërzia, vetmia, vetanakja. Dhe ashtu si rrjedhat që mbushin deltën e një lumi, ashtu vjen e shprehet, falë një mendjeje të bukur e të mprehtë, e gjithë kjo qenësi identitare evropiane e shqiptarëve, e përcjellë si një ankth kombëtar sa dhe si një grindje me vetveten, te libri i tij “Mosmarrëveshja”, që mua më duket testamenti dhe meraku i shkrimtarit për të gjithë ne, për ardhmërinë e brezave…

…Lajmin e vdekjes së Kadaresë e mora në orën 9 e gjysmë nga Facebook-u, faqja e Rilindjes, tek ndodhesha në Paris. Nuk e besova, paçka se Kadare qe i moshuar, 88 vjeç, dhe koha i kishte trokitur. M‘u duk si lajm i rremë. Por jo, nuk ishte i tillë. Zemra e lodhur i kishte pushuar. Kishte rralluar fjalët, duke qëndruar i vetëm në heshtjen e tij apostolike. Thuajse çdo ditë, falë gjestit mirdashës të Bujar Hudhrit, botuesit të tij, ai shkonte dhe pinte kafe aty te “Juvenilja”, duke e kthyer vetiu atë vendth në një ritual takimesh me shkrimtarë, intelektualë dhe adhurues pa fund. Ndërsa ai, si një heshtan i madh, jo që nuk lodhej nga prania, por tinëz dukej sikur shijonte thërmoklat e lavdisë së vet për së gjalli. Më së shpeshti, ai nuk ishte aq mes tyre sesa me vetveten, si përherë; mbase me përtej-jetën. Por prania njerëzore i jepte gëzim. Nuk dha “asnjë shenjë” të ikjes, sepse Kadare te ajo kafeja e çdo mëngjesi në Juvenile ishte kthyer tashmë në një tempull të gjallë. “Shenjën” e tij e kishte dhënë sakaq. “Shenja” qe krejt letërsia që kishte bërë përmbi 70 vjet.

…Nuk di pse brenda vetes një zë sikur më tha: “Meqë s’gjendesh në Tiranë por në Paris, shko te Kafe Rostand, aty ku ky madhor i letrave tona pinte kafe çdo mëngjes dhe shkruante një deri në tri faqe për librat e tij të rinj! E më pas shkonte te kopshti i Luksemburgut përbri kësaj kafeje dhe takonte të shoqen, Helenën, që e priste. Eshtë një mënyrë kujtese, nderimi, pse jo! Respektoje këtë thirrje të brendshme, shko! Mund të jetë kjo “shenja” e tij për ty. Sepse shenjat, në fund të fundit, metafora janë, shpikje të mendjes, simbole, dhe ai bash me këto kishte folur një jetë të tërë…” Dhe ashtu bëra. Shkova dhe u ula mu aty ku Kadare pinte kafenë…

Më në fund, të lë mbresë modestia e Kadaresë. Sipas pohimit të Bedri Islamit, ai i pat thënë: “Mos zbukuro asgjë. Nganjehërë ne kemi dëshirë t’i bëjmë gjërat më të bukura, por humbim të vërtetën. Duke e humbur atë, nuk jemi më të besueshëm. Shkruaj ashtu si ti e mendon jetën time, pa zbukuruar asgjë. Në fund të fundit, edhe pse pa e dashur, dëmton veten, më dëmton edhe mua. Unë jam njeri si të tjerët, mbaj hatër, nuk harroj, dashuroj me forcë, pikëllohem, gëzohem e trishtohem. Nganjehërë dua të hesht, të dëgjojë zhurmën e njerëzve, të rikthehem në fëmijërinë time, të bëj marrëzirat e dikurshme”.

Jo vetëm Kadareja si njeri, por dhe letërsia e tij ka të vërtetat e këtij rrëfimi. Letërsia e tij është e pamatshme për nga epëria, universi dhe madhështia me çdokënd shkrimtar tjetër shqiptar, dje dhe sot. Ai ishte një fat për kombin tonë. Ishte një shenjë e “shenjtë”. Diçka si e ardhur nga sipër. Nganjëherë më vjen të them se Ismail Kadare kishte vështrimin e një Zoti, paçka se jetoi në një batak social para vitit 1990, por edhe pas këtij viti. Tallazitje dhe shkulma zilish, sharjesh e shpifjesh prej nxiranësh, ziliqarësh dhe baltëhedhesish ia kanë rënduar shpirtin në jetë, por tani, në krahët e përjetësisë, ai veç flatron qiejve të katarsisit i lehtë… i lirë….

Kadare e piu kupën e lavdisë në gjallje të tij. Pra, dhe PAVDEKËSINË…

Exit mobile version