Kreu Letërsi Shënime mbi libra Myrvete & Begzad Baliu: Shaban Demiraj dhe albanologjia e shekullit XX

Myrvete & Begzad Baliu: Shaban Demiraj dhe albanologjia e shekullit XX

Tri dekadat e fundit është diskutuar shumë, sado më shumë në shtypin ditor, se sa në atë shkencor për shkollat gjuhësore që e kanë ndikuar gjuhësinë shqiptare. Në të vërtetë, duke diskutuar për ndikimin e shkollës socrealiste kryesisht në letërsinë shqipe, janë përjashtuar a mënjanuar disa faktorë të tjerë të rëndësishëm në dijen albanologjike, sikur janë: trashëgimia individuale shkollore e studiuesve shqiptarë (Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Selman Riza, Mahir Domi, Idriz Ajeti, Remzi Parnaska etj.); formimi i tyre rinor dhe përkushtimi i mëpastajmë (Androkli Kostallari, Jorgji Gjinari); si dhe i ashtuquajturi “prodhim i brendshëm” i shkollës shqiptare (Shaban Demiraj, Emil Lafe, Seit Mansaku, Ethem Lika, Gjovalin Shkurtaj, Tomor Osmani, Kolec Topalli, David Luka etj).

Albanologjia e gjysmës së dytë të shekullit XX u karakterizua me disa veçori të rëndësishme edhe për arritjet dhe fatet e saj në kontekstin historik, organizues dhe metodologjik të studimit. E para, me shkuarjen nga kjo botë të një lagjeje indoevropianistësh e ballkanologësh, bartës të dijes gjuhësore edhe në fushë të albanistikës, si: Holger Pederseni, Norbert Jokli, Gustav Vaigandi, Maksimilian Lamberci etj.; e dyta, me institucionalizimin e saj në Tiranë dhe në Prishtinë mbi bazat e një brezi studiuesish shqiptarë të formuar në shkolla të ndryshme europiane dhe me ndikim, pavarësisht ndërhyrjeve ekstrapolitike, dhe e treta, me formimin e një brezi të ri pedagogësh e studiuesish brenda institucioneve të reja arsimore e shkencore të botës shqiptare, emrat e të cilëve u shquan më lartë.

Brezi i albanologëve të kësaj periudhe do të nxjerrë krye në rrethana të rëndësishme të zhvillimeve politike, arsimore, shkencore dhe kulturore të viteve ’50, kur u përjashtuan përfaqësuesit më të rëndësishëm të shkollës së strukturalizmit: Sosyr, Jakobson, Trubeckoi, për shkak të “koncepteve borgjeze”[1], dhe u zëvendësuan me përfaqësues ideologjikë të shkollës ruse të kohës[2]. Në vitet ’60 kur u institucionalizua teoria e prejardhjes së popullit shqiptar dhe e gjuhës shqipe me metodën e gjuhësisë krahasuese, por jashtë përpjekjeve të kornizave staliniste të diktuara nga qarqet akademike dhe politike e ideologjike të kohës[3], duke i dhënë kështu fund kthimit të metodave folklorike e mitike[4]; si dhe në vitet ’70 kur u realizuan disa nga projektet nacionale, me ndihmën edhe të një brezi të rinjsh, si: Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Emil Lafe, Jup Kastrati, që në të vërtetë ishin brez i formuar në dy dekadat e fundit në Shqipëri dhe në Kosovë. Ky brez do të dallohet për përpjekjet e tyre që të krijojnë metodën kombëtare të kërkimeve (Shqipëri)[5] dhe përvetësimin e metodave bashkëkohore evropiane (Kosovë)[6].

Në këtë rrjedhë të zhvillimeve albanologjike nën ndikimin e shkollave gjermane, frenge, ruse, italiane etj., është formuar edhe personaliteti shkencor dhe intelektual i Profesor Shaban Demirajt. Bibliografia e botimeve të tij, si dhe prirjet konceptuale, metodologjike dhe shkencore na e mundësojnë të vëmë në pah paradigmën kronologjike-historike të punës së tij, si dhe modelet shkencore të gjedhes së tij.

Në rastin e parë arrijmë të përshkallëzojmë arritjet përkatësisht fazat e ngritjes blumiane të personalitetit të tij dhe zhvillimet historiko-kulturore të kohës, ndërsa në rastin e dytë arrijmë të bëjmë tipologjinë e sintezave të tij. Në të vërtetë, në rastin e parë nxjerrin krye përmasat jo vetëm arsimore, kulturore, shkencore e politike të kohës, por edhe prirjet individuale apo trashëgimia shkencore dhe brenda tyre metodologjike e formimit të tyre të hershëm, dhe të atyre në formim. Në rrethana të një organizimi dhe funksionimi sistematik të institucioneve të asokohshme shqiptare, për Profesor Shaban Demirajn nuk ishte i lehtë as formimi shkencor as zgjedhja e metodës së punës shkencore. Megjithëse zyrtarisht në shkollën shqiptare instalohen konceptet e shkollës moskovite për gjuhësinë, në Tiranë diktojnë konceptet e tyre Aleksandër Xhuvani me filologjinë klasike evropiane, Eqrem Çabej me gjuhësinë krahasuese historiko-gjuhësore gjermane, Selamn Riza me kryqëzimin e pashembullt të filozofisë dhe filologjisë perëndimore, Mahir Domi me shkollën franceze, Jup Kastrati me shkollën italiane, Androkli Kostallari me metodologjinë bashkëkohore të shkollës moskovite, etj. Përveç me metodologjinë e kërkimit shkencor, bashkëkohësit e tij do të shquhen edhe me individualizimin e fushave gjuhësore të studimit: Xhuvani në fushë të leksikologjisë historike, Domi në fushë të sintaksës, Çabej në fushë të historisë së gjuhës dhe etimologjisë, Riza në fushë të gramatologjisë, Kastrati në fushë të historisë së albanologjisë dhe të gramatologjisë, Kostallari në fushë të leksikografisë, teorisë së gjuhës dhe standardologjisë etj.

Në këtë rrjedhë fillon dhe realizohet edhe formimi arsimor e shkencor i Profesor Shaban Demirajt, i cili duke qenë mësimdhënës dhe studiues njëkohësisht, ai zgjedh gramatikën si dije për nxënie dhe të njëjtën e realizon si arritje e vazhdueshme shkencore. Në rastin e parë ajo realizohet si dije doktrinare, prandaj edhe me metodën sinkronike, për nevoja të nxënies së saj nga brezi i ri, ndërsa në rastin e dytë ajo realizohet si dije historiko-gjuhësore, prandaj me metodën diakronike, madje sikur shprehej vetë ai me metodën sintetike brenda diakronisë. Te “rrafshet sinkronike, (Demiraj: 1985: 28), Profesor Demiraj shihte dy parimet themelore: (Demiraj: 1985, 27), e para, theksonte ai: “Dukuritë e veçanta duhen vështruar në lidhjet e tyre të shumanshme jo vetëm brenda strukturës gramatikore, por edhe brenda sistemit gjuhësor të shqipes në tërësi. Prandaj dukuritë morfologjike dhe sintaksore duhen parë jo vetëm në lidhjet e tyre të ngushta e të ndërsjella brenda strukturës gramatikore si tërësi, por edhe në lidhjet dhe kushtëzimet me dukuritë e nënsistemeve të tjera të gjuhës shqipe. (Demiraj: 1985, 29); ndërsa e dyta: këto lidhje dhe kushtëzime të shumanshme të dukurive morfologjike dhe sintaksore duhen vështruar në evulucionin e tyre të vazhdueshëm. Këto dy parime themelore duhen zbatuar me rreptësinë e duhur shkencore si në krahasimin historik të brendshëm, ashtu edhe në krahasimin historik të jashtëm. (Demiraj: 1985, 29)

Këtu përvijohet edhe modeli i gjedhes së tij mes bashkëkohësish, disa prej elementeve të së cilës këtu vetëm po i theksojmë në mënyrë të përgjithësuar:

me sintezat e para studimore për struktura të caktuara gramatikore (shih Habitorja), ai çliron modelin e kërkimit nga filozofia dhe polemika e pafundme e modelit të Rizës;

me gramatologjinë e tij, përkatësisht Gramatikën historike të shqipes realizoi sintezën e madhe shkencore dhe e çliroi atë nga modeli deskriptivitist i Profesor Jup Kastratit. Për më tej, ai realizoi projektin më të madh në fushë të gramatologjisë në studimet shqiptare, që nga Boppi e deri në shekullin XX, një projekt, i cili vështirë të mundë të përsëritet edhe në shekullin XXI, pavarësisht veprës mjaft gjithëpërfshirëse të Profesor Kolec Topallit;

me Fonologjinë historike të shqipes Demiraj realizoi veprën historiko-gjuhësore që nuk po realizohej për më shumë se shtatë dekada, që nga Pederseni e deri te Çabej, për të mos thënë, ai solli analizën dhe sintezën e fonologjisë shqipe, në të cilën pavarësisht arritjeve që kishte, ato ose mbeteshin në nivel të kapitujve kryesorë, si Guturalet e Pedersenit, ose realizoheshin në përmasa përgjithësuese për nevojat universitare, si Fonetika historike  e shqipes, e Profesor Çabejt;

me monografinë Gjuha shqipe dhe historia e saj ai bëri sintezën dhe analizën e madhe, si dhe zgjodhi metodën analitike dhe sintetike për ta çliruar historinë e gjuhës shqipe nga metodat pozitiviste dhe zhvillimet e jashtme të gjuhës shqipe, sado sinteza të tilla bazë ishin bërë përpjekje të shfaqeshin fillimisht te vepra e Çabejt (shih, Çabej: 1976/1977, I-VI) dhe të pak studiues të më pastajmë (Ajeti: =1994; Ajeti, 1997/2002, I-V etj.). Në këtë sintezë të madhe për dijen albanologjike ai shihte tri probleme themelore, përkatësisht tri tema të mëdha: a) prejardhjen e shqiptarëve; b) vendbanimin ballkanik të stërgjyshërve të tyre; c) emërtimin e tyre gjatë shekujve; (Demiraj: 1999, 36), ndërsa për shkak të mungesës së dokumenteve për periudhat më të hershme ai preferonte të ndiqte metodën që tashmë e kishte parathënë paraardhësi i tij Profesor Çabej, pra “të ndjek zakonisht rrugën e ngritjes shkallë-shkallë nga e njohura në të panjohurën (Demiraj: 1999, 36), dhe të cilën sikur do ta shohim më tej do ta paoj edhe pasardhësi i tij Profesor Kolec Topalli: Të gjitha këto rrethana bëjnë që studimi i historisë së gjuhës, dhe në veçanti i strukturës së saj gramatikore, të marrë si pikënisje gjuhën e sotme, duke u nisur nga faza e saj e dokumentuar, dhe, duke u ngjitur shkallë-shkallë në fazat e saj më të hershme, të lidhet me gjuhën indoeuropiane,” (Topalli: 2011, 107)

Sigurisht, edhe nuk është e rastit pse kjo vepër (pra, Gjuha shqipe dhe prejardhja e saj) konsiderohet një prurje deri më sot unike në historinë e albanologjisë. (Demiraj: 1988, 3) E veçanta e saj përcaktohet pikërisht në perspektivat e ndryshme të hulumtimit të tij  diakronik, përkatësisht në mënyrën se si përthithen e ngjizen në një masë të përbashkët rezultatet e arritura prej saj. E kjo është “Shqipja një gjuhë sa indoevropiane aq edhe ballkanike, pa cenuar aspak edhe mëvetësinë e saj si gjuhë e gjallë bashkëkohore”. (Demiraj: 2013, 3), për të shkuar më tej me konstatimin se ajo, pra shqipja, është pasqyrë e jetës shpirtërore e materiale e kësaj bashkësie nën ndikimet që vinin e vijnë prej Lindjes dhe Perëndimit. (Demiraj: 2013, 3) dhe për të përfunduar me konstatimin lapidar, por aspak romantik për rrethanat historike dhe gjendjen e sotme: për “shqipen dhe hapësirën kompakte shqipfolëse si pikë e Arkimedit”. (Demiraj: 2013, 3). I theksuam këta tre faktorë, jo për t’u përfshirë në diskutimet mbi përmasën Lindore dhe Perëndimore të qytetërimit shqiptar, as për të sforcuar tezën e homogjenitetit të shqipes historike, por për të reflektuar një dimension krejt të tretë: diskutimet mbi metodat shkencore të qasjes në Historinë e Kosovës dhe madje në Historinë kombëtare, si faktorë kompelementar me zhvillimet e njëkohshme, që viteve të fundit sillen si metoda bashkëkohore nga disa studiues të huaj, ndërkohë që Profesor Demiraj këto koncepte i ka faktorizuar si modele kërkimi shkencor në katër dekadat e fundit në disa monografi gjuhësore të tij.

Kushti i parë i përcaktimit të objektit të gramatikës historike të shqipes(Demiraj:1985, 28), shkruante Profesor Demiraj, është, që ajo duhet të synojë të hedhë dritë edhe mbi evolucionin e strukturës së saj gramatikore në periudhën parashkrimore. (Demiraj: 1985, 28) Madje, synimi i fundit duhet të jetë që ajo ta gjurmojë këtë evolucion qysh nga koha e formimit të kësaj gjuhe. Me fjalë të tjera, duhen bërë përpjekje për të ndriçuar tërë historinë e evolucionit të strukturës gramatikore të shqipes, si edhe për të depërtuar sadopak edhe në parahistorinë e saj, (Demiraj: 1985, 28) E, ky synim  mund të arrihet vetëm (…) duke u mbështetur në disa parime dhe metoda rreptësisht shkencore. (Demiraj: 1985, 28) Për më tej, këto arritje, Profesor Demiraj i mbështeste në burimet e brendshme: ato të shkrimtarëve të vjetër arbëreshë, të folmet e ndryshme të shqipes, të folmet e arbëreshëve të Greqisë, të Italisë, çamërishtes,  labërishtes etj. (Demiraj: 1985, 28) dhe në burimet e jashtme: dukuritë e ngjashme gramatikore që ndeshen edhe në gjuhë të tjera me të cilat shqipja (përkatësisht <nëna> e saj) ka pasur kontakte të gjata historike, siç janë greqishtja, latinishtja. (Demiraj:1985, 28)

Në këtë rrjedhë profesor Demiraj, ashtu si edhe bashkëkohësit e tij, i jepte përparësi metodës së studimit të shkollës gjuhësore-historike me metodën krahasimtare. “Duke qenë se evolucioni i strukturës gramatikore të shqipes (ashtu si edhe të çdo gjuhë tjetër) është i kushtëzuar kryesisht nga veprimi i faktorëve brenda-gjuhësorë, – shkruante Demiraj, – është e natyrshme që në studimin diakronik të dukurive gramatikore si metodë themelore të zbatohet krahasimi historik i brendshëm, kurse krahasimi historik i jashtëm do të shërbejë vetëm si një mjet ndihmës në ato raste kur merren në shqyrtim dukuri që ndeshën edhe në gjuhë të tjera, sidomos ballkanike, ose që janë shpjeguar nga disa studiues si ndikime nga gjuhë të tjera”. (Demiraj: 1985, 30)

Një vend më vete dhe arritje të veçanta në fushë të albanologjisë në studimet e Profesor Demirajt paraqesin studimet e tij për marrëdhëniet ndërmjet shqipes dhe rumanishtes, të cilat në të vërtetë janë hapi i parë i tij drejt ballkanologjisë. Njohës i mirë i këtyre gjuhëve Profesor Demiraj arriti të caktojë në mënyrë të qëndrueshme disa nga fenomenet dhe dukuritë që ndërlidhin strukturat fonetike dhe morfologjike e sintaksore të shqipes dhe të rumanishtes. Fjala është për studimet “Rreth ndërtimit të gjinisë së emrave në shumës në shqipe vështruar edhe në përqasje me rumanishten”, “Rreth nyjave të përparme të shqipes, vështruar edhe në përqasje me rumanishten” etj. 

Në këtë rrjedhë Profesor Demiraj ka botuar edhe disa studime të një karakteri më të haptë në fushë të ballkanistikës, të cilat nuk shihen vetëm në kontekst të marrëdhënieve gjuhësore shqiptare dhe rumune, po edhe në kontekst të gjuhëve të tjera të Ballkanit. Njohësi i spikatur i morfologjisë historike të shqipes, Profesor Demiraj, shumë herë strukturën gjuhësore (kryesisht morfologjike) e ka parë edhe në dritën e marrëdhënieve të saj me gjuhët e tjera të Ballkanit. Fjala është për studimet: “A ka ndikime të huaja në strukturën morfologjike të shqipes?”,  “Vendi (topika) i trajtave të patheksuara të përemrave vetorë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera”, “Rreth rimarrjes së kundrinave në gjuhët ballkanike”, “Vendi i formave të patheksuara të përemrave vetorë në shqipe dhe në disa gjuhë të tjera”, “Rreth së kryerës posesive në shqipe dhe në gjuhë të tjera”, “Rreth rimarrjes së kundrinave në shqipe dhe në gjuhë të tjera” etj.

Një kërkim më vete në studimet e Profesor Demirajt në fushë të ballkanologjisë, paraqesin temat me karakter gjuhësor e historik njëkohësisht. Në studimet albanistike dhe ballkanistike të studiuesve shqiptarë, Profesor Demiraj bashkon në mënyrë sintetike konceptet teorike dhe metodat gjuhësore që para tij kishin shënuar bardët e ballkanistikës: Eqrem Çabej dhe Idriz Ajeti. Kërkimeve të tij ai nuk u dha as vetëm karakter thjesht historik, as vetëm karakter thjesht gjuhësor për fenomene të caktuara gjuhësore apo historike. Si asnjëri prej gjuhëtarëve tanë, ai e vuri mendimin e tij gjuhësor në interes të historisë dhe periudhën historike në interes të veçorive gjuhësore të kohës, për të sjellë më në fund edhe rezultatet e synuara. Studimet: “Shqipja në marrëdhëniet e saj me gjuhët fqinje në lashtësi dhe në mesjetë”, “Rreth marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera”, “Rreth disa problemeve të studimeve ballkanologjike”, “Rreth tipareve të përbashkëta të gjuhëve ballkanike” etj., dëshmojnë më së miri anën metodologjike të trajtimit të marrëdhënieve gjuhësore ballkanike në dritën e historisë, si hapësirë dhe në dritën e zhvillimit të tyre si struktura fqinjësore. Një arritje më vete dhe më të hapët për karakterin historik dhe etnik të Ballkanit paraqet studimi “Romanizimi në Europën Juglindore – kohëzgjatja, përmasat dhe pasojat”, në të cilin janë diskutuar disa çështje me rëndësi historike: përbërja etnike e Ballkanit në prag të pushtimeve romake, gjurmë të popujve të ndryshëm indoeuropianë në Ballkan, të ardhur gjatë shekujve të mëparshëm, pushtimi romak i Ballkanit, romanizimi i Dalmacisë dhe i Dakisë, arumunët dhe etnosi i tyre, mosromanizimi i grekëve dhe i shqiptarëve, pasojat e sundimit romak në Ballkan etj. Po këtu janë diskutuar edhe mendimet e shumë studiuesve për këto çështje, si: vlerësimet e Thunmanit, Hampit, apo edhe çështjet e natyrës gjuhësore sikur janë: huazimet e vjetra latine të shqipes, gjurmët e sundimit romak në gjuhën greke, huazimet nga greqishtja e vjetër si dëshmi e autoktonisë së shqiptarëve etj.     

Në kërkim të veçorive gjuhësore dhe ndonjëherë edhe historike të gjuhës shqipe, si dhe përqasjes së saj me gjuhët e Ballkanit veç e veç, Profesor Shaban Demiraj arriti që të bëjë edhe njërën prej sintezave të veçanta. Disa vjet para se të botonte monografinë e tij për gjuhësinë ballkanike, ai botoi një studim të gjerë dhe sintetizues njëkohësisht “Shqipja gjuhë ballkanike”, të cilin e kishte menduar edhe si kapitull më vete në njërën prej veprave më të rëndësishme të tij “Gjuha shqipe dhe historia e saj”.

Kështu me studimet e gramatikës krahasuese njëherë të shqipes e të rumanishtes e pastaj të gjuhëve të tjera, Demirajt i shkoi përdore të realizonte njërën prej veprave, të cilën më në fund nuk arritën ta realizojnë as paraardhësit as bashkëkohësit e tij: “Gjuhësia ballkanike”, një sintezë kjo emblematike e dijes shqiptare në këtë fushë dhe madje jo vetëm të saj[7].

Ndërsa, me dy veprat e fundit Profesor Demiraj arriti të kalonte kërkimet e tij nga hulumtimet gjuhësore, në të vërtetë brendagjuhësore, në kërkime linguistike, brenda të cilave pavarësisht metodës, nuk arrin asnjëherë të çlirohet prej sintezave përvijuese gjuhësore. Dhe është mirë që nuk çlirohet prej tyre, sepse duke ruajtur, respektivisht duke analizuar sistemin gramatikor të gjuhës shqipe ai ka ruajtur njëkohësisht edhe rrjedhën e evolucionit të saj prej përmbysjeve pozitiviste a thyerjeve mitike të zhvillimit kronologjik-historik të shqipes.

Kontributi i Profesor Shaban Demirajt në fushë të gjuhësisë shqiptare është i veçantë dhe tashmë i vlerësuar edhe nga aspekti i qasjes së tij në metodologjinë e kërkimit shkencor, si një trashëgimi e rëndësishme e albanologjisë së gjysmës së dytë të shekullit XX. Në gjuhësinë shqiptare, sigurisht vendin më të merituar zë për sintezat e mëdha të tij në fushë të morfologjisë dhe fonologjisë historike, si dhe në fushë të historisë së gjuhës shqipe, të vendit të formimit të saj e të prejardhjes së popullit shqiptar.   

Në sintezat e tij për morfologjinë, fonologjinë dhe historinë e gjuhës shqipe jo rrallë janë përfshirë edhe veçori krahasuese të gramatikës së shqipes me gjuhët e tjera të Ballkanit, prandaj nuk është e rastit që kërkimet e tij t’i kulmojë edhe me një vepër, në të cilën gjuha shqipe, sigurisht më parë dhe më shumë se gjuhët e tjera do të trajtohen në kuadër të marrëdhënieve të tyre historike të arealit ballkanik dhe brenda zhvillimit të strukturave gjuhësore të familjes së gjuhëve ballkanike.

Vepra e tij “Gjuhësi ballkanike” ka përmbushur një zbrazëtirë mjaft të madhe në gjuhësinë shqiptare, ndërsa këtu të gjitha dukuritë gjuhësore në gjuhësinë ballkanike janë shtruar me një akribi të rrallë shkencore, siç di t’i shtrojë metodologjikisht vetëm Profesor Demiraj, hap pas hapi: në fillim historia e dukurisë, pastaj gjendja e deritashme e studimit të kësaj dukurie, mç pas analiza vetjake krahas kritikës dhe në fund rrumbullakimi i sintezës, ku në tërë këtë gjuha shqipe dhe dukuritë e saj zënë vendin kryesor. Në këtë vepër të Profesor Demirajt edhe njëherë dëshmohet mendimi, që më parë i pranuar se: “ballkanistika pa shqipen del gati e pamundshme” (Ismajli: 1996, 37-39).

Le të thuhet më në fund se veprat e periudhës së fundit “Gramatikë historike e gjuhës shqipe”, “Gjuha shqipe dhe historia e saj”, “Gjuhësi ballkanike”, “Fonologjia historike e gjuhës shqipe”, “Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe”, “Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët”, përbëjnë boshtin e një monografie të re aq të dëshirueshme në studimet shqiptare Hyrje në indoeuropianistikë, pjesa shqipe e së cilës në parim është formësuar në “Studimet etimologjike” të Çabejt, (1976: I, II) te veprat e Bardhyl Demirajt (1997a; 1997b) etj[8].

Historinë e gjuhësisë (Robins: 1997; Eko: 2008, 262-284), albanologët më të shquar shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX, më parë dhe më lehtë se sa në këtë kapitull (249-291), mund të vendosen në  kapitullin që trajton gjuhësinë e shekullit XIX (292-342). Nga aspekti metodologjik dhe teorik në kuptimin klasik të fjalës në këtë kapitull, si për metodat ashtu edhe për realizimet do të mundë të vendosnim edhe Profesor Demirajn, një rilindas dhe një konceptualizues në kuptimin e plotë të fjalës (Herder: 2012, 5-155; Sapir: 2012, 157-2013; Fuko: 1971, 325-339).  

Literatura

Ajeti: 1994 = Ajeti, Idriz. Shqiptarët dhe gjuha e tyre, Prishtinë.

Ajeti: 1997/2002 = Ajeti, Idriz.  Vepra, I-V, Prishtinë.

Baliu: 2000 = Baliu, Begzad. Gustav Majer dhe albanologjia, Prishtinë.

Baliu: 2010 = Baliu, Begzad. Kërkime albanologjike – sprovë për një histori të albanologjisë, Prishtinë

Baliu: 2010 = Baliu, Begzad. Referenca albanologjike – sprovë për një histori të albanologjisë, Prishtinë

Baliu: 2015 = Baliu, Begzad. Hulumtime albanologjike – sprovë për një histori të albanologjisë, Prishtinë.

Çabej: 1976/77, Çabej, Eqrem. Studime gjuhësore, I-VI, Prishtinë

De Saussure: 1977= De Saussure, Ferdinand. Kurs i gjuhësisë së përgjithshme, Prishtinë

Demiraj: 1970 = Demiraj, Shaban. Historia e gjuhës së shkruar shqipe, Tiranë.

Demiraj: 1972 = Demiraj, Shaban. Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe, Tiranë. 

Demiraj: 1973/76 = Demiraj, Shaban. Morfologjia historike e gjuhës shqipe I-II, Tiranë.

Demiraj: 1975 = Demiraj, Shaban. Sistemi i lakimit në gjuhën shqipe, Tiranë.

Demiraj: 1976 = Demiraj, Shaban. Gramatika e gjuhës shqipe (morfologjia – bashkautor dhe redaktor, Tiranë.

Demiraj: 1986 = Demiraj, Shaban. Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Tiranë.

Demiraj: 1988 = Demiraj, Shaban. Gjuha shqipe dhe historia e saj, Tiranë.

Demiraj: 1990 = Demiraj, Shaban. Eqrem Çabej – Një jetë kushtuar shkencës, Tiranë.

Demiraj: 1994 = Demiraj, Shaban. Gjuhësi ballkanike, Tiranë.

Demiraj: 1996 = Demiraj, Shaban. Fonologjia historike e gjuhës shqipe, Tiranë.

Demiraj: 1997b = Demiraj, Bardhyl. Albanische Etymologien. Untersuchungen zum Albanischen Erbwortschatz, in der Serie “Leiden Studies in Indo-European”, Bd 7, Editions Rodopi, Amsterdam – Atlanta.

Demiraj: 1997a = Demiraj, Bardhyl. Sistemi i numërimit të gjuhës shqipe. Vështrim diakronik, Verlag der Akademie der Wissenschaften Albaniens, Tirana.

Demiraj: 1999 = Demiraj, Shaban. Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe, Tiranë.

Demiraj: 2003 = Demiraj, Shaban. Gjuha shqipe – Probleme dhe disa figura të shquara të saj, Tiranë.

Demiraj: 2008 = Demiraj, Shaban. Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët, Tiranë.

Desnickaja: 1949 =  Desnickaja, Agnia V. Kundër formalizmit në gjuhësi. Botuar në “Izvestia” Akademiji Nauk SSSR, v. VIII, fash. 4. Cituar nga përkthimi shqip në dorëshkrim, në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë, Tiranë. 

Desnickaja: 1951 =  Desnickaja, Agnia V. Metoda historike krahasuese dhe studimi i historisë së gjuhës. “Buletini i Akademisë së Shkencave të BRSS – Seksioni i Letërsisë dhe i Gjuhës, Vëll. X, fashikulli 4. Përkthimi anonim në gjuhën shqipe, në dosjen E/16-2, nr. Inv. 424, Arkivi i Institutit të Gjuhësisë, Tiranë.

Eco: 2008 = Eco, Umberto. Në kërkim të gjuhës së përkryer në kulturën europiane, Tiranë

Fuko: 1971 = Fuko, Mishel. Rijeci i stvari, Beograd.

Herder: 2012 = Herder, Johan Gotfrid. Rasprava o poreklu jezika, Novi Sad.

Hjelmsev: 1980= Hjelmslev, Louis. Prolegomena teoriji jezika, Zagreb.

Ismajli:1996 (37-39) = Ismajli, Rexhep. Ballkanistika, prejardhja e shqipes, hipotezat e Hampit, “Ora”, Prishtinë.

Jashari-Bello: 2007 = Jashari, Ali & Dhimitri Bello. Antologji për gjuhësinë e përgjithshme dhe filozofinë e gjuhës, Korçë.

Kapović: 2008  = Kapović, Mate. Uvod u indoeuropskulingvistiku. Pregled jezika i poredbena fonologija, Zagreb.

Lyons: 2001 = Lyons, John. Hyrje në gjuhësinë teorike, Tiranë.

Mutavgjiq: 2013 = Mutavgjiq, Predrag. Balkan i balkanologija: uvod u studije Jugoistočne Evrope, Beograd

Robins: 2007 = Robins H., Robert. Historia e gjuhësisë, Tiranë

Sapir: 2012 = Sapir, Edvard. Herderova rasprava o poreklu jezika, Novi Sad.

Schmitt – Frantz: 2012 = Schmitt, Oliver Jens – Frantz, Eva Ane. Historia e shqiptarëve – Gjendja dhe perspektiva, Tiranë.

Stalin, 1979 (513-551) = Stalin, Josip V. “Marksizmi dhe çështjet gjuhësore”, në Vepra të zgjedhura, Tiranë.

Stanishiq: 2006 = Stanishiq, Vanja. Uvod u indoeuropsku filologiju, Beograd.

Topalli, 2011 =  Topalli, Kolec. Fonetika historike e gjuhës shqipe, Tiranë


[1]  Në lidhje me këtë temë publicistika gjuhësore shqiptare zakonisht i referohet Sesionit të parë të Institutit të shkencave të vitit 1952 kushtuar veprës së Stalinit mbi gjuhësinë dhe problemet gjuhësore shqiptare në dritën e veprave të tij. Në këtë rast, po i referohemi mendimit të njërës prej studiueseve sovjetike, e cila më tej do të ketë ndikim të dukshëm në studimet shqiptare, dy artikujt e të cilës për fonologjinë dhe për gjuhësinë krahasimtare paraqesin traktate politike tipike të kohës. Në artikullin e vitit 1949, të përkthyer për nevoja të brendshme veç tjerash thuhet: “Strukturalizmi është nga korrentet (rrymat, vj.) më reaksionare në linguistikën e sotme borgjeze. Kjo teori beliciste formaliste është drejtuar krejtësisht kundër marksizmit  në shkencën e gjuhës (…)”. (Desnickaja: 1949, 1 drsh.); Sistemi teorik dhe organizativ i strukturalizmit në linguistikë lidhet pazgjidhmërisht me emrat e njerëzve, që i kanë rënë mohit atdheut të tyre me emrat e shkencëtarëve – kozmopolitë borgjezë Roman Jakobson dhe Princ Trubeckoi” (Desnickaja: 1949, 1 dsh.); Koncepsjoni i strukturalizmit mbështetet në teorinë idealiste dhe antihistorike të De Susurit mbi gjuhën si sistem i pavarur shenjash(…)”. (Desnickaja: 1949, 1 dsh.)

[2]  Shih gjithashtu, vlerësimet e Desnickajes në artikullin e viteve 1952, të përkthyer për nevoja të brendshme: “Studimi historik i thellë i ligjeve të zhvillimit të gjuhës, i specifikës së saj, që formojnë sistemin gramatikor dhe fondin kryesor të fjalëvet të trashëguara qysh në kohët e lashta, – kjo është rruga e zhvillimit të shkencës linguistike marksiste” (Desnickaja: 1952, 5 drsh.); “Në vargun e problemeve që sot tërheqin vëmendjen e linguistëve sovjetikë, një vend të math zë çështja e metodës historike krahasonjëse në studimet linguistike” (Desnickaja: 1952, 1 drsh.); “Në veprën e tij gjeniale “Marksizmi dhe çështjet e gjuhësisë“ J. V. Stalini ka vënë në dukje gjithashtu rëndësinë pozitive që ka metoda historike krahasonjëse”. (Desnickaja: 1952, 2 drsh.)

[3]  Shih, Stalin, 1979 (513-551) = Stalin, Josip V. “Marksizmi dhe çështjet gjuhësore”, në Vepra të zgjedhura, Tiranë.

[4]  Shih reagimet për recensimin e veprës së Spiro Kondos nga Selman Riza, Eqrem Çabej etj., (Baliu: 2010, 2015)

[5]  Shih, veç tjerash, diskutimet e Profesor Çabejt në fund të viteve ’60 dhe fillim të viteve ‘70: “Objekti lind shpeshherë edhe metodën, prandaj edhe gjuhësia historike shqiptare në disa fusha problemesh mund të arrijë të ndërtojë një metodë kërkimore vetjake” (Çabej:1977, 288); “Në hetimin e tyre gjuhësia shqiptare nuk i quan monopol të vetin fushat kërkimore të kësaj disipline; në garë fisnike me përfaqësuesit e shkollave linguistike të vendeve të ndryshme ajo njeh dobinë e një bashkëpunimi të frytshëm në këtë degë të dijes. Si çdo disiplinë shkencore që gjendet në fillimet e saj, gjuhësia shqiptare ka edhe ajo të metat e veta, sidomos në punë të metodës, po ndërkaq ajo bën përpjekje – dhe duhet të bëjë edhe më shumë – për t’u çliruar nga modelet e huaja. Në përsosjen e metodave qëndron përparimi i vërtetë i shkencës. Gjuhësia jonë duhet më shumë se gjer më sot – jo të niset nga jashtë e të hyjë brenda, jo duke ia përshtatur studimit të shqipes disa parime e kritere të fituara me lexime në fushat e gjuhëve të tjera, duke veshur me lëndë shqiptare disa rregulla të marra së andejmi; po duhet të niset nga të dhënat konkrete të shqipes e nëpërmjet tyre të mbërrijë në konstatime që të kenë vlerë“ (Çabej: 1976, 234).

[6]  Shih para se gjithash veprat e këtij brezi në Prishtinë: Shefki Sejdiu nga semiologjia te kognitivistika, Besim Bokshi nga strukturalizimi te distribucionalizimi, Ruzhdi Ushaku nga filologu te linguisti, Rexhep Ismajli nga semiologu te strukturalisti, si dhe përkthimet e kësaj kohe në gjuhën shqipe dhe serbokroate, të cilat patën ndikim të drejtpërdrejtë në qasjes metodologjike të tyre: Martinet, 1974; Dekarti, 1975; De Saussure, 1977; Fuko, 1971; Hjelmsev, 1980; Derrida, 1973; Ducrot-Todorov, 1984, Barthes, 1987 etj.

[7]  Kemi parasysh këtu njërën prej veprave më të popullarizuara të kësaj natyre në hapësirën ballkanike Balkan i balkanologija: uvod u studije Jugoistočne Evrope (2013), të autorit Predrag Mutavgjiq.

[8]  Mbështetur në arritjet e gjertanishme të dijes ballkanike, vepra e Profesor Shaban Demirajt nuk do të mbetej prapa botimeve të kësaj natyre në rajon. (Shih, veprat e studiuesve Kapović: 2008; Mutavgjiq: 2013; Stanishiq: 2006 etj.)

Exit mobile version