Romani “Dhjetë gramë nder” i Namik Dokles
Namik Doklen e mbaj mend herët, qysh kur viteve universitare nisa të shkruaj dhe rasti e solli të botoja edhe një shkrim në gazetën “Puna”, ku ai qe kryeredaktor. Ishte një gazetë pa peshë, periferike, thuajse e shpërfillur për të botuar diçka, por ja, s’më kujtohet si e qysh, dikur ai më tha të shkruaja diçka për teatrin dhe unë e shkrova. Ndofta u bë sebep dhe Zeherudini, vëllai i tij, që asaj kohe merreshim të dy me zejen e kritikës. Më pat lënë mbresë prej tij drama “Era e lartësive” (1975), shkrova diç dhe për të, isha në jurinë e një konkursi për dramaturgjinë dhe mbaj mend se fitoi dhe çmim. Pas viteve ’90 koha ndryshoi, shpresa dhe zhgënjimi, tok me katrahurën, u bënë bashkë. Por letërsinë N. Dokle kurrë s’e la kthinave të kujtesës, përkundrazi ndër vite shkroi trembëdhjetë drama, gjashtë radiodrama dhe shtatë romane. Pra, mos të kujtojë dikush se ai erdhi nga tryezat e majmura të politikës. Letërsia ka qenë përherë një dado e shpirtit të tij, një “loçkë”, ndofta për ta çuar në limere të tjera, të ëmbla. Dhe duket se trilli dhe fantazia e kanë çuar barkën e tij romanore aty ku flladiten Aurat dhe Zefiri, erërat e mira e të paqta. Më në fund, ai u iku zgëqeve të politikës. Qysh atyre viteve të pafajshme kur e njoha, natyra e tij modeste, i vërtetë si “dheu dhe gurët” nga kishte rrënjë e degë, sidomos më tutje kur u mor me politikë dhe u bë gjer dhe kryetar i Kuvendit Popullor, përherë ka qëndruar në pjesën më të mirë të ndjeshmërive të mia. Dhe jo vetëm. Përherë më ka bërë përshtypje tek ai mendjemprehtësia. Por, e thash, edhe thjeshtësia. Mbetet një nga të urtët e politikës pas viteve ’90.
Por le ta lëmë politikën, se na ka ardhur në majë të hundës! Të flasim për shkrimtarin Namik Dokle. Romanet e tij të fundit janë derdhja e një shpirti të mbushur përplot mbresa e histori. Letërsia e tij nuk “vuan” nga mungesa e subjekteve, as nga kureshtitë. Nuk është një letërsi e ngarkuar, spërdredhur pas qasjeve moderniste dhe mobilitetit të modës letrare. Është njerëzore. Romani “Dhjetë gramë mend” vjen si një gërshetim midis të vërtetave të prekshme, të njëmendta dhe të vërtetave që janë të veshura me velin e filozofisë njerëzore, urtësisë popullore dhe miteve letrare, të cilat përshfaqen si metafora që ujdisin narrativën.
Romani ngjizet krejt në magjen e një parabole. Një hisotrizë sa e mprehtë, aq dhe groteske si një çudë. Diç që të ngjason me historitë dhe mendjeshkrepjet alla Markes&Co., ku e besueshmja dremit tek e pabesueshmja. Në kuvendin e fisit, familjarët i kërkojnë më të urtit të tyre, Bajro Jellës, që ta përkulë, pak a shumë, shpinën pej krenari dhe t’i kërkojë të falur pushtetit (dhe pushtetarit) duke e “shitur nderin e tij”. Si përgjigje, ai i thotë nipit të vogël: “Shko, o bir, në qytet dhe më bli 10 gram nder!”. Shkoi biri, trokiti e pyeti në çdo dyqan, por të gjithë i thanë “s’kemi nder”, duke nënqeshur nën mustaqe. Kur nipi u kthye në shtëpi urtani plak e pyeti: “Hë, ku e ke atë që të porosita?”. “Asnjeri nuk më dha, nuk kishte askund asnjë gram”, u përgjigj ai. Atëherë plaku iu drejtua familjarëve të vet: “E shikoni, o djem, ju kërkoni që unë të shes nderin, por nderi nuk shitet”. Ja kaq, karremi letrar që kap peshkun nga deti i jetës, u gjet: METAFORA. Siç më ka shpjeguar shkrimtari Namik Dokle, këtë gjëzë ia pat rrëfyer politikani Stefan Çipa nga Saranda. Unë e njihja këtë urtan nga Piluri, ishte mik me babanë tim, një nga figurat morale autoritare të asaj kohe, i ndershëm si ai.
Pikërisht metafora e “blerjes së dhjetë gram nder”, paradoksale dhe e mprehtë siç është, me një historizë domethënëse si mesazh i ngujuar, e zgjeron dimensionin e saj dhe rreket të bëhet simbolika kryesore e romanit: nga dhjetë gramë nder për të mbrojtur dinjitetin, në dhjetë gramë pluhur për të mbuluar gënjeshtrën. Kështu rrethi semantik i romanit zgjerohet siç zgjerohen rrathët sokratianë. Ai kalon nga e vërteta, e bukura, e ndershmja, te gënjeshtra, e shëmtuara, poshtërsia. Madje, te kriminalja, hajdutëria, marrëzia, ndyrësia. Autori bën një ndërthurje historish e bëmash, më së shumti të njerëzve me vese, poshtërsi, dhunë, imoralitet e krime, duke i vënë ballë për ballë me të tjerë njerëz, me ata që kanë vuajtur prej tyre dhe që kanë mbetur, në një kuptim, gardianët e nderit, të moralshmes, virtutit. Kjo ecejake nga e keqja tek e mira, nga e bukura tek e shëmtuara dhe nga kriminalja tek fryma e të vërtetës dhe e ndershmërisë, ka krijuar në formën e kompozimit të romanit ato struktura mobiliare të narrativës dhe të dialogëve, të cilat të kujtojnë qysh në fillim se këtu jemi në një situatë trilli letrar dhe ti lexues duhet ta pranosh konvencionin tim, përndryshe mos e lexo dhe mos bëj pyetje naive se “kjo nuk ndodh në jetë, se kjo duket e pabesueshme, se kjo është e gjitha e pavërtetë, një sajim”. Po, do të përgjigjesha unë, është pikërisht një sajim, një trill letrar, një metaforë, një “gënjeshtër”. Por një “gënjeshtër” e bukur ama, e gjetur. Një gënjeshtër letrare. Ajo na çon disa monopateve e kalldrëmeve njerëzore plot lagështirë e myshk, ku ti dallon herë në forma groteske e të përbuzshme e herë në forma të vrazhda, dramatike e tragjike një shoqëri që lëngon dhe ka të mbërthyer në mish thonjtë e demonëve me emrat: krim, vrasje, dhunë, diktaturë, drogë, korruptim i shtetit, polici e inkriminuar, hajdutëri, njerëz të neveritshëm që përdhunojnë bijat e tyre. Një kaleodoskop ndyranësh, mashtrues pazaresh të pista, psikopatë e delirantë, gjithë soj e sorollopi i racës njerëzore. Dhe ja, të përdalat dhe ato që ua dridhnin burrave, filluan të blejnë nga ky ilaç çudibërës që të shëronte nga nami i lig (kurvëria); pastaj ja dhe kapiten Baba me zuzaritë e tij duke u rrëmbyer lavditë trimave të vërtetë të luftës; njerëz që kanë bërë zullume dhe u del gjumi natën prej pendesave, baballarë që kanë përdhunuar bijat e pambrojtura, drejtues perversë që veç parave të vjedhura koleksiononin dhe mbathje grash, vrasës me pagesë (sicario) dhe gjithë menuja e pasur e të ligës dhe zhbërjes.
Një nga historitë e bukura, ku përshfaqet mendjemprehtësia e njeriut, është ajo e Bajro Jellës, shpotive të tij kundër pushtetit, butaforisë së tij, propagandës mashtruese dhe gjithë idiotësive. Dhe duke e kuptuar se pushteti komunist e kishte survejuar teksa fshihte nëpër mure letrat e tij kundër regjimit, si ankthe dhe dëshpërime të fshehta, të futura nëpër shishe qelqi, ai ia flaku në surrat pushtetit dorashkën e sfidës. E kishte provokuar enkas sigurimin e shtetit duke futur aty, përkundrazi, një letër plot lëvdata për kinse lumturinë e popullit, ngazëllimin e njerëzve dhe dashurinë e tyre për udhëheqësin e lavdishëm, shokun Enver Hoxha! Sepse edhe ky do të vdiste një ditë de, nuk do të rronte sa orlat… Në fakt kjo ishte një melodi prej shpirtit rebel të Bajro Jellës, por pa zë, në heshtjen e thellë dhe pandehmat e frikshme. Ka një rrokullimë këtu: nga miti i “murosjes” me frytin e ëmbël brenda një kështjelle, foshnjën e pafajshme, tashmë “fryti” është vetë shpirti i hidhëruar i njeriut, protesta e tij, mëria e tij. Por Bajro kishte dhe një histori dashurie me një hebreje viteve të Luftës, Hannah, si një copë hëne e përmbysur. Në roman gjen dhe format e pëlqimit të jetës perëndimore, këngët që vinin nga përtej detit, histori të pacipësh si Beci i Kikes që tregtonte shpirtin, më tutje rënkimet që dilnin nga plehërishtja sociale për blerjen e nderit nga deputetë, gjykatës, prokurorë, shefa policie, zyrtarë të lartë të shtetit, për të pastruar këllirën e tyre, çka të kujton dozhët dhe të kamurit e mëkatnuar të mesjetës përmes indulgjencave të Kishës. Të mbetet në mendje figura e Sheh Prushit, e ardhur si figurë e urtësisë popullor. Dhe qëndistari të tilla karakteresh ka disa.
Shndërrimi i brendisë dhe simbolikës që autori ka përdorur në romanin e tij kalon nëpër dy udhë paralele: e para, nga “nderi” që kërkohet për të shpëlarë veten te çnderimi dhe poshtërsia e veprimit të kryer më herët. Pra, ka një digresion nga e mira e pretenduar tek e keqja e njëmendët, e paraparë si ves, krim, ndyrësi. E dyta, nga “era e mirë” tek “era e keqe”, nga flladi i shëndetdshëm që të mbush me frymë te duhma e kalbjes dhe e shprishjes, shkurt nga jeta te vdekja. Falë kësaj prapthine simbolika e përdorur e “shpëlarjes së vetes” alternohet me inversin: pra nga nderi i kërkuar dhe i pretenduar tek e kundërta e tij, te zbulimi i veprimit dhe i sjelljes së ligë, kriminale, poshtëruese të atyre që e kërkojnë medoemos këtë “nder”. Paçka se nëpërmjet groteskut a, thënë ndryshe, nëpërmes një shpikjeje e trilli letrar, siç e thamë tashmë, Dokle i hedh supeve gjithë këtij invencioni një petk, ku ti të thuash: “Po, edhe pse jo e vërtetë plotësisht, duket si e vërtetë, mund të jetë e vërtetë”. Pikërisht ky është çelësi semantik për ta shijuar romanin, ky është shënjimi simbolik i tij. Sepse letërsia operon pikërisht me të mundshmen apo atë që duket si e vërtetë. Truku pranohet qysh në krye të herës si e tillë, rrjedhimisht një pakt i mirëkuptuar midis receptimit dhe kuptimit. Pranimi ose jo i kësaj shpikjeje, metafore a simboli varet nga kategoritë e lexuesit. Unë e pranova dhe e shijova. Nuk më interesonte më është apo s’është e vërtetë kjo ngarendje e njerëzve për të blerë “Pluhurin” magjik të frutave tropikale (që nënkupton edhe drogën), i cili i shpëlante nga fëlliqësitë dhe u jepte si babagjyshi i Vitit të Ri një dhuratë, ku ata kryenin kinse “katarsisin” e tyre. Veçse balta mbetej baltë dhe shpirtrat nuk pastroheshin dot, sepse gënjeshtra qe e dyfishtë: “pluhuri magjik” ishte një rreng, ndërsa blerja e tyre nga të paudhët e jetës ishte thjesht një iluzion, që dikush e hante si sapunin për djathë e dikush tjetër vetëmjaftohej me ngushëllimin. Në se e merr me dyshim e mosbesim, ajo të krijon shqetësim, deri kundërshti, sepse poetika letrare e këtij romani është një ndërmjeme mes asaj letërsie që e quajmë realiste dhe asaj që e quajmë jo realiste, ku realja përzihet me fiktiven, shpikjen, trillin…
Namik Dokle është në një vlug krijimi. Të pathënat e kujtesave të tij ka ardhur koha që të bëhen të thëna për romanet e tjerë, me botime edhe në gjuhë të tjera…
