Kreu Letërsi Bibliotekë Fatbardh Amursi: I njerëzishëm në mes të territ

Fatbardh Amursi: I njerëzishëm në mes të territ

Romanin “Në mëni të njeni-tjetrit”, botim i “Onufrit”, Besnik Mustafaj u nis ta shkruante qysh në rininë e tij. Pse priti kaq gjatë, ndërkohë që kishte botuar një sërë librash? Çfarë ka specifike në të, që u dashka të ngurrojë edhe kur diktatura ra, ndërkohë që masakrat përsëriten? Përgjithësisht veprat e frymëzuara shkruhen shpejt. Të ndjek kurjoziteti për ta ditur arsyen e kësaj vonese, për më tepër që tema e genocitit mbi popullsinë shqiptare është ndër më të trajtuarat, edhe në letërsi. (“Komisioni i festës” apo “Krushqit janë të ngrirë” të Kadaresë u shkruan në kohën e diktaturës, të realizmit-socialist. I shkonin ato për hosh propagandës apo dëshmohej historia? Për novelën e parë, studjuesi shqiptar P. M, duke folur për indoktrinimin nga nacionalizmi i Rilindjes fajin ua hedh bejlerëve shqiptarë, jo pak por 500 krerë, të cilët për interesat e tyre kishin krijuar zullume, ndaj dhe u ndëshkuan nga Porta e Lartë. Po Mustafaj a tenton të revizionojë qendrim ndaj barbarisë serbe?) “Në një nga fletoret e rinisë së hershme vazhdoj të ruaj sinopsin e një proze. Isha student i vitit të parë kur e kam shënuar, i pranuar nga kritika letrare si poet i ri me të ardhme, djalosh i pëlqyer nga vajzat dhe entuziast për jetën shoqërore që po filloja. Me një fjalë, krejt i lumtur për sa kohë në trurin tim nuk kishte përbiruar ende krimbi i dyshimit.”-nis Besniku romanin e tij. Mos vonesa e trajtimit të atij sinopsi lidhet me shfaqjen e “krimbit të dyshimit”? Në fletore vazhdonte të shkruante skelete historish për t`i kthyer më vonë në tregime apo romane. “Por, një subjekt i asaj periudhe, i cili më ka ndjekur nëpër vite, si një dhembje koke, diçka e ngjashme me shtërzimin e një kafshe të mbarsur, e cila përpiqet gjithë kohën të pjellë dhe nuk arrin.” Si djalosh romantik ndoshta i ndruhej ngjarjes shtazarake apo një frikë e brendëshme ia trëmbte frymëzimin?! Ngjarjet e Kosovës e shtyjnë t`i kthehet sërisht fletores së vjetër, duke pyetur veten se çfarë e kishte penguar, të mos e shkruante atë histori, që ngjante si dy pika uji me ato që ndodhën në Kosovë. Në fletoren e vjetër gjendej sinopsi i një familje shqiptare e pushkatuar në prag të pavarësisë. Sipas kutit komunist, tek viktimat s`ka ndonjë shfaqje heroike, por, masakra i vlen për të mbajtur gjallë frymën e urrejtjes ndaj armikut shekullor. Për këtë ngjarje kishte një këngë, që jepej nga Radio Tirana dhe familja e autorit e dëgjonte në heshtje, sidomos gjyshja, e cila kyçej brenda vetes. Askush nuk përzihej në heshtjen e saj, edhe pse lexuesi është i interesuar të dijë se ç`fsheh kjo plakë, që vegjeton. Kënga thotë se ushtarët serbo-malazezë hynë nëpër shtëpitë e malsorëve përdhunshëm, nxjerrin me ulërima burrat nga shtretëritë bashkë me gratë dhe djaloshin Shog Sokoli. Fshati ku ndodh masakra gjendet diku në një qoshe malore, ku takohet kufiri i sotëm i Malit të Zi me Shqipërinë dhe Kosovën, rreth e qark tokë shqiptare, ku banojnë shqiptarë, por, kur ndodh ngjarja ata ishin pa shtet. Duke mos patur shtetin e tyre s`kishin të bënin as me fitimtarët dhe as me humbësit e dy luftrave ballkanike. Atdheu ynë është tokë ortodokse, u thoshin uzurpuesit, duke kërkuar nështrim të plotë nga vendasit, heqje dorë nga identiteti i vjetër. Kur burrat refuzuan dhe po “hidhnin hapat e mbramë të jetës së tyre”, djaloshi Shog Sokoli ia merr një kënge, ku spikatin vargjet: “Nuk janë vorre, bir, tuj punue,/Janë llogore për me luftue.” Viktima, që është babai, në sytë e të birit varrin e shndërron në llogore, një trill ky, thua se viktima nuk po hapte varrin e tij, sikurse i detyruan, por se po bëheshin gati për të luftuar, gjë që s`i përgjigjet së vërtetës. Në fakt, është një amanet, që u lihet brezave në përballje me armikun: të mos hapin varre, por llogore. Ky është dhe momenti ku ndalet autori, duke ofruar një qasje tjetër. Gjyshja, me gjasa një dëshmimtare e masakrës, përkundër të birit të indoktrinuar, bën dallimin thelbësor midis mërisë së nxitur nga propaganda dhe mërisë së trashëguar brez pas brezi kundër serbëve dhe malazesëve, shto nëse do: turqëve, grekërve, fashistëve, nazistëve, rusëve, etj. Urrejtja e nxitur nga propaganda bëhet për qëllime pushteti, ndërsa e dyta për dinjitet kombëtar. “Të ushqesh letërsinë me dramën kombëtare nuk do të thotë t`i frysh detyrimisht zjarrit të nacionalizmit.”-shkruan autori, i cili do të ndajë panteonin e krenarisë kombëtare nga “patriotizmin si stofka e fundit e horrave”. Në kujtesën e shqiptarëve Milosheviçi është “kasapi i Ballkanit”, por t`i kujtosh kapitenit të Kombetares, Berat Gjimshitit, se gruan e ka serbe, ngaqë në fushën e blertë ndihmoi një lojtar serb, është indinjuese. 

Autori e formuloi titullin e romanit mbështetur tek Fishta, i cili, për armiqësitë shekullore të shqiptarëve me serbët, ka shkruar: “Në mëni të njani-tjetrit kena le”, krejt e përshtatshme kjo shprehje dhe për izraelitët me palestinezët. (Kujto dramën e Nolit “Izraelitë e filistinë”, ku idili i shtirur midis Dalilës dhe Samsonit ishte një kurth, ndaj çoi në shembjen e tempullit, krejt tjetër nga ajo e kreshnikut Halil me Rushën e krajlit. Ardian Vehbiu në shkrimin “Çikat e kreshnikëve” shtron pyetjen: çfarë kishin vajzat shkie që tërhiqnin aq shumë trimat shqiptar dhe s`janë pak. “Emrat e këtyre vajzave bujare na përshëndesin, si nga prapa qelqeve të dritareve të një bote tjetër: Tanusha, Jan(u)ka e Bardhë, Rusha, Gjelina (Engjelina, e bija e Krajlit të Kotorrit), Jevrenija, Filiske Filiskama, Llatinka e Bardhë (Llatine Kanebardha, e bija e Krajlit të Moskovit), Hagjusha, Lajka e Bardhë.” Në novelën e Kadaresë “Krushqit janë të ngrirë” dashuria e Shpend Brezftohtit dhe Magdalenës u mbyt në gjak nga milicia serbe.) Gjithë këto tërheqje femërorë, duhet të jenë të njohura dhe për autorin e romanit, i cili vë në dukje: “Forca e rapsodit për të qenë aq i njerëzishëm edhe në mes të territ”, si të kërkosh biskun e pajtimit në tokën e shkrumbuar. “Unë besoj fort që të kërkosh paqen, nuk do të thotë se sa e keqe është pala tjetër, por se sa besnik është dikush që i qëndron vlerave në të cilat beson.”-janë fjalët e kryeministrit shqiptar, duke mos u pajtuar as me antisemitistët dhe as me islamofobët. Dhe autori i romanit s`ndalet gjatë “se sa e keqe është pala tjetër”, por, duke besuar në vlerat morale të popullit të tij, distancohet nga urrejtja e manipuluar e prapagandës për interesa pushteti. Kjo sjellje ngjan me një “pajtues gjaqesh”, jo midis familjeve në hamëri, por të pupujve të përfshirë në konflikte me pasoja tragjike. (Shkrimtari izraelit Amos Oz në librin “Si të kurohet një fanatik” shkruan: “Merre tokën, vëlla, veçse më jep dashurinë tënde!”) S`është e mjaftueshme të dënosh vetëm krimet, por, sa i qendron besnik humanizmit dhe dëshirës për të ndërtuar ura paqeje, duke këmbyer korbin me pëllumbin. Të gjithë popujt kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në luftë mes tyre, aktualisht: Ukrahina me Rusinë. Kujtoni luftën e amerikanëve në Vietnam, ku demonstratat për ndalimin e mizorive të luftës përfshin dhe Amerikën. Kur u zgjuan amerikanët pushoi lufta.

Mënia në romanin e Mustafajt nuk ka të bëjë me zemërimin e Akilit, me të cilin nis “Iliada”: “Këndo, o muzë, zemërimin e Akil Pelidit!” Loti i Akilit në trupin e Hektorit, i poshtëruar po prej tij duke e tërhequr zvarr kufomën, do shfaqej më pas si ndjesë në të gjithë letërsinë antike greke për gjëmën ndaj Trojës. Pikërisht në kërkim të këtij loti është dhe autori i romanit, sikurse dhe bota e sotme, por, në vend ta shohësh atë në fytyrën e agresorit e sheh tek viktimat. Aktualisht, kur autori vendos që sinopsin ta kthej në roman, viktima e dikurshme janë në pozitën e fitimtarit. Pas vrasjes së Shog Sokolit Shqipëria u bë me shtet dhe pas vrasjes se Dren Cekës edhe Kosova u bë me shtet. Aktualish jemi në periudhën, kur po kërkohet të ndërtohet paqja. Jo duke i thënë agresorit: “I dashur armik”, por, për hir të dinjitetit të viktimës: llogoren ta kthesh në atraksion turistik. Shpresë për të zgjuar një mëshirë kristiane në shpirtin e katilave apo një gjykim të mëshirshëm për kriminelët, fali zot se s`dinë se ç`bëjnë, pra: të jesh i njerëzishëm në mes të territ.

I gjithë romani i B. Mustafajt është një rrëfim i brendshëm, se si u kurua ai vetë së pari nga fanatizmi ideologjik i kohës, ku dhe shërbeu. Ky rrëfim është thuajse i munguar në letërsinë tonë, ngaqë është preferuar bishtnimi apo duke e parë të keqen tek të tjerët. I bindur se atij i kish rënë shorti për të nxjerr nga myku gjysmë shekullor jetën e atyre malësorëve të pafajshëm, pa lidhje me ndonjë fushë beteje, s`ishin luftëtarë, të vrarë barbarisht natën, duke i hedhur trupat e pushkatuar në humnerën e zezë të territ, por që ta kryente me nder këtë detyrë i duhej të bënte kujdes: që viktimat të mos e merrnin me vete. Shkrimtari s`është as grek, që t`u kërkojë ndjesë trojanëve dhe as izraelit t`u kërkojë dashurinë palestinezëve, por, një shqiptar, ku të tjerët i kanë rënë në qafë popullit të tij. Ideja për ta shkruar këtë roman në diktaturë me mesazhin e pajtimit, për të mos e parë barbarin vetëm katil, kur dy shtetet ishin në konflikt, ishte si fishekëve gjurmëlënës të luftë t`i këmbeje me fishekëzjarrë. “Përshtypjet mashtruese” apo “idetë e rreme të moshës rinore” do e shtërngonin, jo vetëm atë, të shkruante një vepër skematike. Ndërkohë e tundon pyetja: duke hedhur dritë në shpirtin e viktimës mos po ftohej patriotizmi brenda shkrimtarit? “Si poet i ri, arsyetoja atëherë poetikisht, ç`ka më lehtësonte prirjen për t`i gjetur një kuptim të caktuar sjelljes së Shog Sokolit”, por, të menduarit poetikisht, me figura, sa e sa poetëve e shkrimtarëve u solli andralla? Autori i hap zemrën lexuesit: “Me frymëzimin tim të zjarrtë patriotiko-leninist, do ta kisha penën të lirë për ta hedhur lumë bojën e zezë, pa më brejtur fare meraku i teprimit gjatë përshkrimit të kriminelëve, duke i parë ushtarakët dhe paraushtarakët serbë me prapamendimin si paraardhësit e titistëve, me të cilët partia jonë dhe shoku Enver ishin në përballje ideologjike për jetë a vdekje.” Pra, do i bashkohej urrejtjes nga propaganda. “Asgjë nuk mund ta ushqente këtë urrejtje më mirë se kuçedra e nacionalizmit, duke e shndërruar atë në emocion mbisudues popullor ndër shqiptarët, domethënë në mbështetje pa kushte nga ana e tyre për Enver Hoxhën dhe regjimin e tij.” Historiani amerikan Bernd J. Fischer në dy librat kushtuar Shqipërisë vë në dukje, se, si mbreti Zog dhe Enver Hoxha u mbështetën tek nacionalizmi, patriotizmi, për të forcuar sundimin e tyre. Sikurse ka dhe studjues të tjerë, që thonë se dhe marksizëm-leninizmin diktatori e përdori po për të njëjtin qëllim: ruajtjen e pushtetit personal. “Edhe pse nuk e kisha zgjedhur vetë, më takonte me detyrim të isha pjella dhe shëmbëlltyra e një triumfi të caktuar politik-njeriu i ri-dhe kisha për emision epror t`i shërbeja deri në vetëmohim me penën time ripërtritjes dhe përjetësimit të këtij modeli.”-vazhdon autori të japë argumente, pse e vonoi ta shkruante këtë roman, i cili do përfundonte në gojën e “kuçedrës së nacionalizmit”. “Shkrimtari shqiptar i realizmit socialist nuk mund ta çonte as nëpër mend të frymëzohej nga fati i hidhur i humbësve.”, që në këtë rast janë viktimat. “Në qoftë se do ta kisha shkruar prozën ashtu siç e mendoja asokohe, unë (shkrimtari) pa dyshim që nuk do ta kisha më krejt ky që jam. Do të kisha shkruar një gënjeshtër, një manipulim. Sot mund t`më vinte turp prej një bëmë të tillë dhe ky do të ishte rasti më i mirë, por që prapë mbart të keqen e vet.” Thënë shkurt: shkrimtari i indoktrinuar djeg veprën e tij, nëse e vë në shërbim të propagandës. “Shkrimtari i vërtetë parapëlqen një mijë herë fletën e mbetur bardhë para fletës së mbushur me një tekst të dobët apo, edhe më keq, me një tekst ku e zbulon veten të manipuluar, rrjedhimisht të dhunuar.” Një gjë të tillë e bëri Lasgushi, por jo Kadare, duke dalë faqebardhë para lexuesit. Po veprat që B. Mustafaj shkroi në atë kohë, a i dogji për shkak të indoktrinimit? “Të gjithë shkrimtarët e vërtetë e kanë koshin e hedhurinave më të madh se raftin ku mbajnë botimet e tyre.” Në këtë kosh, a ka nga librat e botuara? “Shkrimtari e ka në qiell një yll që e mbron nga gabimet e mëdha.” Dhe ky yll s`është tjetër, veçse fuqia hyjnore e talentit. Ata që kishin talentë ia dolën të shpëtonin krijimtarinë e tyre. “Ani pse nuk ma kërkonte askush, isha përpjekur dhe vazhdoja të përpiqesha me një këmbëngulje të heshtur të njihja atë veten time që kisha lënë njëherë e mirë pas.” Ky roman a mund të quhet dhe një sporvë për njohjen e vetes? Frika se mos ndërgjegjia e tij kishte probleme, se mos përfundonte si gjyshi i tij, i cili thoshte se po vegjetonte, nuk i ndahej. Historia e Shqipërisë nuk do të ushqehej më nga kujtesa e vërtetë dhe as nga kujtesa mitike e kombit nëse letërsia, që u shkruajtë në kohën e realizmit socialist, nuk do kishte talente të tilla, që ta ushtronin imagjinatën në rrethanat e një censure të pamëshirshme. Të mos harrojmë se Gjergj Fishta nuk ishte viktimë e mënisë midis shqiptarëve e serbëve, por, i urrejtjes të nxitur nga propaganda, e cila për fat të keq ushqehet nga urryesit kronikë e biologjikë dhe në ditët e sotme…

Exit mobile version