Kreu Letërsi Bibliotekë Josif Brodskij: Ligjëratë për qumështin e derdhur

Josif Brodskij: Ligjëratë për qumështin e derdhur

Përktheu nga origjinali dhe pajisi me komente: Agron Tufa

Fuqia e talentit letrar të Josif Brodskit mund të shqyrtohet në shumë rrafshe. Në dritën e realiteteve të sotme, zgjedhja ime ra mbi këtë poemë si mbi një shëmbëlltyrë profetike dhe një reflektim filozofik mbi kohën, përjetësinë dhe vetveten.

Poema “Ligjëratë për qumështin e derdhur” u shkrua nga Josif Aleksandroviç Brodski në janar të vitit 1967, pak kohë pas kthimit të tij nga internimi në rajonin e Arhangelskut.

Ky cikël prej 40 oktavash përbën një spirale depërtuese ndjenjash të ndrydhura, që derdhen mbi shpirtin e një heroi njëherësh tragjik dhe ironik. Një poet margjinal, i braktisur nga e fejuara, pa para, por që mbi gjithçka çmon pavarësinë e vet; një njeri në kërkim të vetëpërsosjes së përhershme, i vetmuar në epokën e Terrorit të Madh, me vetëdijen e përgjigjes përpara Gjykatës së Fundme.
Kjo është historia e humbjeve të shumta për të cilat, me sa duket, nuk ia vlen të vajtohet. Në sfond të titullit qëndron proverbi anglez: “Nuk ka kuptim të qash për qumështin e derdhur”. Por Brodski bën pikërisht të kundërtën: ai mban një ligjëratë të gjatë mbi atë që është derdhur. Bota është e papërsosur, por e brishtë; ajo që është bërë, është bërë. Njeriut i mbetet të ruajë vetveten dhe të ecë përpara.
Mbyllja e poemës lë të hapur një shpresë të heshtur për ndryshim: në trajtën e një vajze të vogël dhe të fshikakuqit (euonymus-it) që lulëzon, simbol i vijimësisë krijuese dhe i një krenarie të fituar jo prej detyrimit apo moralizimit, por prej një shërbimi të painteres ndaj artit.
Lexuesit i uroj një zhytje të kujdesshme dhe të gjallë në hapësirën e kësaj poeme.


I.

1.

Në Krishtlindje erdha me xhepa të tharë.[1]
Botuesi romanin po ma shpie zvarrë.[2]
Kurani moleps në Moskë çdo kalendar.[3]
Nuk mund të ngrihem të shkoj në gosti,
as tek miku im, që i qajnë fëmija,
as tek vajz’ e njohur, as tek shtëpia.
Duhen ngado paratë e mia.[4]
Rri në karrige, dridhem në mëri.[5]

2.

Ah, o zanat i mallkuar poeti.[6]
Telefoni hesht, – dieta më mbeti.
Mund të marr borxh nga Komiteti[7],
por kjo është si të hysh borxh te një grua.
T’humbësh pavarësinë është më zi[8]
se t’humbësh pafajësinë. Gjithsesi,
t’ëndrrosh për burrin është kënaqësi,
ka hije të thuash: erdh koha për mua».[9]


3.

Duke ditur statusin, e fejuara ime
për pesë vjet – s›lëviz një thërrime;[10]
se ku bëhet tash, s’di të jap sqarime:
t’i nxjerrë të vërtetën, as djalli nuk di.[11]
Ajo thotë: “mos bjer në dëshpërim.
Kryesorja – ndjenjat! Jemi unanim?”[12]
Tingëllon bukur nga ky këndvështrim.
Por ajo, me ç’duket, është atje ku pi.[13]

4

Përgjithësisht të afërmit i shoh me mosbesim.[14]
Fyej kuzhinën me të tepërtin – barkun tim.[15]
Përveçse i bezdis me timin këndvështrim[16]
mbi njeriun që në jetë ka një rol.
Ata mua më konsiderojnë bandit,[17]
ata tallen me timin apetit.
Nuk gëzoj ndër ta asnjë kredit.
“Hidhini atij pak më të hollë!”[18]

5

E këqyr në qelq veten time beqar.[19]

Një fakt të thjeshtë vesh s’po e marr:

gjer në Krishtlindje vallë si kam çarë

të vitit nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë.[20]

Njëzet e gjashtë vite pa sosje – tronditje,[21]

rrëmim nëpër xhepa, zvarritje në gjyqe,

ushtrim sa për sy e faqe me Ligje,

të shtiresh vuv i ngratë.[22]

6

Përreth si në vaj jeta shkon – vijë.[23]
(Nënkuptoj masën, gjithsesi).
Marksi shfajësohet. Por, sipas tij,
prej kohësh duhej të më kishin therë.[24]
S’e di në dobi të kujt ësht’ kjo saldo[25].
Ekzistenca ime është paradoksale.
Unë nga epoka po bëj një salto.[26]
Më ndjeni për gjallërinë e prerë![27]

7

Pra, të gjitha arsyet me qenë i qetë.
Më askush “Mbi kuaj!”[28] nuk bërtet.
Fisnikët u zhbinë me rrënjë e degë.
S’ke as Pugaçov[29], as Stjenkë[30].
Pallat’ i Dimrit[31] ra, sipas legjende.
Xhugashvili[32] ruhet në kuti konserve.
Hesht artileria sipër kuverte.[33]
Në kaplloqen time – veçse lekë.

8

Ndër kasaforta, banka, fshihen paratë,
në trarë tavani, dysheme, çorapë,
në formularë poste, në kasa antiflakë.
Përmbytja e natyrës vjen.
Shushurijnë tufat fringo të kartëmonedhave,
si majat e akacieve, mështeknave.
Jam përpirë prej haluçinacioneve.
Jepmëni pak oksigjen!

9

Fërfëllimë flokëboresh. Natë.
Qetë gërvisht kalldrëmin një lopatë.
Karshi, te dritarja, digjet një lampadë.
Mbi një sustë çeliku strukem.
Shoh veç lampadën. Pa ikonë:
atë s’e shoh. Avitem në ballkon.
Mbi çati velenxën bora shtron,
dhe shtëpitë si të huaja duken.

II.

10.

Barazia, vëlla, përjashton vëllazërinë.[34]
Për këtë duhet interpretim.
Skllavëria gjithnjë lind skllavërinë.
I vjen në ndihmë dhe revolucioni.
Kapitalisti mbarështroi komunistët.
Komunistët u shndërruan ministra.
Këta të fundit pjellin morfinistët.
Çfarë shkruan Luci[35], lexoni.

11.

Peshku i artë nuk na vjen në breg.[36]
Marksi në prodhim – as djeg e as pjek.[37]
Puna nuk është mall për treg.
Po e the këtë – punëtorët fyen.
Puna është qëllim’ i qenies dhe forma.
Paraja, si me thënë, është platforma.[38]
Diç më përtej se e mbijetesës norma.
Le ta shpështjellim nyjen.

12.

Sendet janë më shumë se ç’kanë vlerën.
Ekonomia tash thjesht përbën qendrën.
Në vend të kishës – na lidh me veten[39],
na shpjegon aktet dhe mundin.
Përgjithësisht, çdo njësi me peshë
në thelb të vet është virgjereshë.[40]
Ajo dëshiron me u përngjeshë.
Pantallonat lypin fundin.[41]

13.

Topi synon gropën sipas qëllimit.[42]
(Ndoshta, po lodh Muzën përtej durimit.)[43]
Jo Konkurencës, por Bashkimit[44]
e ardhmja e bukur i takon.
(Të bëj profetin – nuk gjakoj asfare.)
Ka shumë mundësi që këto vargje
t’i shkurtojnë të pritjes afate;
“Një vit për dy numëron”.[45]

14.

Ora ra, dhe erdh’ koha që s’fal
për lidhjen martesore Punë – Kapital.[46]
Shkëlqimi i të përçmuarit metal
(më tej – paraqitje në fytyra) –
është më i këndshëm se boshi në xhepa,[47]
më i thjesht› se rrokopuja e tiranëve,[48]
më i mirë se qytetërimi i narkomanëve,[49]
shoqëri e rritur mbi shiringa.

15

Mëkatin fillestar s’e ka thelb jetimësia.[50]
Për shumëkënd është më e dashur shtazëria.[51]
Më lehtë gjendet dallimi sesa ngjashmëria.
“Mes Punës e Kapitalit kontakt s’u gjet”.[52]
T’fu-t’fu, në Islam nuk u rritëm.
Mjaft dërdëllitëm për ndarjen përgjysëm.[53]
Ekziston mes gjinive ngashënjimi.
Polet e krijojnë një planet.[54]

16.

Si beqar, kam trishtime martesore.[55]
S’pres, merret vesh, mrekulli në gaforre.[56]
Familja ka gropa e zgafella prore.
Por bashkëshortët janë – i vetmi tip pronari[57]
të asaj që krijojnë në kënaqësi.
S’ka nevojë t’u thuhet “Mos bëj hajni”.[58]
Ndryshe, do të dilnim të gjithë për lypësi.[59]
Ruani foshnjat së pari.[60]

17.

Kjo, si poet, m’është e huaj tani.
Madje: di që “hakun e vet çdo njeri….”.[61]
Shkruaj dhe rrëqethem: ja ç’marrëzi,
mos qenkam kundër pushtetit legjitim?[62]
Nëse s’kanë të drejtë, koha na shpëton.
Kjo famë skandaloze mua më mjafton.
Por politika qelb çdo zakon.
Është kjo, që tash në pjesë na hyn.[63]

18.

Paratë të ngjashme janë me virtyt.[64]
S’bien nga lart — Allahun shahit —[65]
Paratë flatrojnë n’erë përditë
jo më keq se fjala e nderit.[66]
Me to në borxh nuk duhet hyrë.
Me ne në varr s’kanë për t’u shtrirë.
Veç të shumohen u është prirë,
si në fabulat e Krillovit[67] njëherit.

19.

Mendimet e prapme – më t’forta i gjen.[68]
Çdo shpirt një akullnajë kapërcen.[69]
Sigurisht, shoqërisë një predikues i vlen
më shumë se një bravaxhi, shkencëtar.
Por, sa kohë askund profet nuk dëgjohet,
propozoj – që ende para kohet
në krahë të vesit askush t’mos dorëzohet:
merruni me diç që ju vjen për mbarë.[70]

20

Me lumturinë e tjetrit, në thelb, s’jam marrë;
Kjo duket gjest i bukur sqimatar.[71]
Veç përsosjen e brendshme kam parë.
Një lirë – gjysmë kanaçje – mesnat’ e vonë.
Për mua një dru vlen më shumë se pylli.[72]
Me interes t’përgjithshëm s’më puqet ylli.
Por shpejtësia e përparimit të brendshëm[73]
shpejtësinë e botës tejkalon.

21.

Për çdo izolim të njohur, ky është fundament.
Miqësia me humnerën paraqet[74]
interes të ngushtë lokal, vërtet,
në ditët tona. Pos kësaj, e papajtueshme
është, sidoqoftë, kjo veti
me vëllazërinë, barazinë[75] që, gjithsesi,
nuk zëvendësohet as me fisnikëri,
te një burrë – është e papranueshme.[76]

22.

Kështu, i përmalluar për epërsinë,
si Toptygini[77] që printe qeverinë,
po ju këndoj prodhimtarinë.
Po qe se, t’lartpërmendurën procedurë
gjithkush drejt do ta kuptojë,
arrin me t’mirët bij shoqëria jonë,
pishtarin e arsyes s’do ta lëshojë,
dhe do lumturojë çdo grua e burrë.

23.

Përndryshe – marrin përpjetë telepatët,
nudistët, spiritistët, preparatet,
frojdistët, neurologët, psikopatët, [78]
trallisja, gjendja e euforisë,
do na diktojnë ligjet e veta.
Drogaxhinjtë ngjeshin grada në spaleta.[79]
Shiringën do varin në vend të ikonës[80]
së Shpëtimtarit dhe Shën Mërisë.

24.

Shpirtin do ta veshin me një vual.
Do na lidhin me t’pafundmin spiral.[81]
Do na vënë në prizë me etil-moral.[82]
Ligjëratën nga folja do ta tëharrin.[83]
Falë një medikamenti të ri[84]
do të vërtitemi – karusel n’ajri.
Do të zbresim në tokë përsëri
veç që injeksionin të marrim.

25.

Unë e shoh tashmë botën tonë,
që pezhishk› e laboratorëve e mbulon.[85]
Dhe me pezhishkë trajektorësh vazhdon
të mbulohet tavani. Sa shpejt![86]
Kjo s’është e këndshme të kundrohet.
Njerëzimi trefish po shtohet.
Raca e bardhë po rrezikohet.[87]
Vrasja e pashmangshme na pret.

26

Ose do t’na therin ata me ngjyrë,[88]
ose botësh tjera i shporrim me pahir.
Do të kthehemi në lokalet tona me birrë.[89]
Por si njëra, si tjetra — s’janë krishtërim.[90]
O ortodoksë! Kjo është zero me bisht!
Pse po shikoni ashtu çmendurisht?!
Do ta tradhtonim dhe Korpin e Zotit Krisht,[91]
duke spastruar për vete hapësinë.

27

Unë nuk jam edukuar me sofistët.
Kanë diçka grarishte pacifistët.
Por t’i ndajmë të pastrit nga të pistët —
më besoni, s’është e drejta jonë.
Dekalogun s’jam duke treguar.
Ata me ngjyrë, dihet, na kanë ngushtuar.
Por s’jemi ne që i kemi krijuar,
dhe t’i vdesim – nuk na takon.

28.

Rëndësi ka t’krijosh rehati për shumë gjind.
(Te Hobsi kjo gjë mund t’ju bindë.)
Rri ulur në karrige, numëroj gjer në njëqind.
Spastrimi i ndyrë — është procedura.[92]
Nuk është mirë mbi varr t’vallëzosh.[93]
Në botën e ngushtë bollëk të krijosh –
kjo është në frymë të krishterë. Ose:
mbi këtë qëndron Kultura.[94]

29

Sot ithtarët e thënies-broçkull

“Feja është opium për popull”[95]
Kuptuan se qyl e kanë lirinë rrotull,
Se gjer në epokën e artë kanë çarë.[96]
Por në një regjistër të tillë (stilistik)
Liria pa zgjedhje është mjaft e ligë.[97]
Rëndom, kush pështyn Zotin pa frikë
Pështyn mbi njeriun më parë.[98]

30

Zoti s’ekziston. Se toka gropa ka”.[99]
“Ai s’duket. Do qepem me gra”. [100]
Krijuesi që krijon në përmasa hata,
Bën lëvizje shumë të mëdha
mes objektesh.[101] Është e sigurtë se
Mbretëria e Tij është atje.
Ajo është jashtë botës ndër ne.[102]
Uluni në taburetat tuaja.[103]

31

Natë. Ngricë bllokade.[104]
Ndanë trotuaresh shtrihen karpate.[105]
Planetët tunden si llampadhe [106]
që n’kupëqiell Zoti i ndez gand –
me t’madh të vet – përunjësinë –
para fytyrës që ende s’e dimë
(Poezia provat merr në shqyrtim),[107]
Si në një tabernakull gjigand.[108]

III.

32

Natën e vitit të Ri – rri ulur karriges.
Tenxheret feksin me shkëlqim lëbyrës.[109]
I kthehem gëlltitjes së tretësirës.[110]
Si djalli në enë nervi shkalloi.
Në zverk ndjej një zjarr të lehtë.
Shishet e zbrazura çoj ndërmend, –
rojet e Vologdës, Kryqet, Butirkat krejt.[111]
S’dua, në thelb, të kundërshtoj.[112]

33.

Në banesën e madhe rri ulur në poltron.
Në tualetin bosh Niagara gurgullon.
Veten e ndjej si shenjë në poligon,
dridhem dhe nga trokitja më e ultë.
E mbylla me shul dhe derën,
por me brirët e Dashit nata merr shenjën,[113]
porsi Amuri vetë me shigjetën,
Si Stalini në kongres XVII me “tulkë”.[114]

34.

Që të ngroh kockat, gazin e lëshoj.
Nga inati, ulur, dhëmbët kërcëlloj.
Margaritarë në pleh s’kam pse kërkoj![115]
Këtë guxim mbi vete e marr!
Le t’merret me plehun kush të dojë!
Patrioti, zotërinj, s’është gjeli i Krillovit.
KGB pas meje le të masturbojnë.[116]
Ti, qindarkë, mos trigëlli n’astar.[117]

35

Unë thith argjend dhe bakër pështyj.[118]
Me rrjetë të çarë dhe fushnje m’arrijnë.[119]
Tremb patat[120] dhe ndjek pavdekësinë –
Më jepni një purtekë në dorë!
Xhindosem si miu në terrin e hambarit!
Hiqni shenjtët[121] dhe portretin e Sekretarit!
Në pyll dëgjohet sëpata e druvarit.[122]
Ndoshta ftohem, tek shtrihem në dëborë.[123]

36

As që do ftohem! Krejt ta harrosh!
Rebelimin ndër mend të çosh!
S’i jam betuar Budës vëngërrosh.
Për një dhjetëshe ndjek lepurin si langua![124]
Ku është dalta – le t’mbyllet dukshëm! –
Jasnapoljania[125] – prerësja e bukës!
Moskundërshtimi, panë,[126] është i krrupshëm.
Si drapri koqeve[127] – më duket mua.

37.

Në fund të pusit, si Aristotel, –[128]
Prej nga as vetë – nuk di çfarë del.
E keqja ekziston – luftë për t’i çelë,
jo ta peshosh në zigj mendimi.
Gjithkujt i dhimbset individi,
me sy të skuqur nga konjuktiviti[129]
shkofshin në t’s’ëmës sipas alfabeti:[130]
demokraci – sa rrok kuptimi![131]

38

I dua luginat, fushat amnore,
Lumenjtë, liqenet, rrudhat kodrinore.
Të mira. Por burrat qenef jan’ prore;
trup kanë, por me shpirt të thatë.
Këtë ligj vetë farkëtuar e kam.
Sokoli me fletë[132] të gjitha i mban.
Zotërinj, së paku, thyeni një xham!
Si vallë i durojnë gratë?![133]

39.

Sonte kam një natë të trishtuar.
Më sheh letër-muresh qindshja e shkuar.[134]
Me të në bordel do kisha kaluar,
dhe kodoshja numizmate[135] do bindet.
Përtoj ta shqis, të vij e të shkoj.
Mbetet të rri qetë, të agjëroj,[136]
Karshi dritares veten të kryqoj,[137]
derisa ajo të mos fiket.

40.

Blerim i verës, eh, blerim i verës![138]
Ç›më pëshpërit fshikakuqi pas derës?[139]
Sa mirë – pa jelek[140] të ecësh!
Blerimi i verës sërish do vijë.
Kalon vajzukja, eh, me shami.[141]
Fushës mbledh lule, nji e nga nji,
ta bëja bijë, eh, ta bëja bijë.[142]
Shtillet dallëndyshja në qiej.[143]

 14 janar 1967


[1]  Krishtlindja me “xhepat bosh” (kontrasti sakrale-profane). ​Poema nis me një paradoks të dhimbshëm. Krishtlindja është koha e bollëkut, e dhuratave dhe e bashkimit. Por për poetin, kjo festë vjen me “xhepa të tharë”. Ky detaj nuk tregon vetëm varfëri, por një zhveshje totale. Ai është i përjashtuar nga gëzimi kolektiv.

[2]  Tregon varësinë e krijuesit nga sistemi. Nuk është thjesht çështje parash, por çështje vlere. Romani i tij (jeta e tij, puna e tij) është peng i dikujt tjetër. Kjo krijon ndjenjën e ngecjes në vend.

[3]  Nuk është sulm ndaj fesë islame, por një metaforë për “ndryshimin e gjakut” të qytetit. Moska po humbet identitetin e saj evropian/kristian dhe po kthehet në diçka tjetër (një lloj orienti të vrazhdë). Për Brodskin, kjo është shenjë e dekompozimit të rendit të vjetër.

[4]   Këtu paraja nuk është luks, është “karburanti” i socializimit. Pa të, njeriu pushon së qeni qenie shoqërore.

[5]  ​Strofa mbyllet me imazhin e poetit të gozhduar mbi karrige duke u dridhur nga zemërimi: është pika zero e poemës, nga ku nis i gjithë monologu i tij i brendshëm.

[6]  Mallkimi i Zejes: “ Ah, o zanat i mallkuar poeti!”. Brodski e sheh poezinë jo si lavdi, po si një rrugë që të çon në izolim (telefoni që hesht) dhe uri (dieta e detyruar).

[7]  Mundësia për të kërkuar ndihmë në “Mestkom” (komiteti i lagjes/sindikata) shihet si poshtërim. Krahasimi me “borxhin te gruaja” shpjegon kodin e vjetër të nderit: të lypësh te sistemi (apo te një grua, sipas mendësisë së kohës) do të thotë të dorëzosh burrërinë dhe lirinë.

[8]  Për Brodskin, të humbasësh pavarësinë (të bëhesh i varur nga dikush) është më e rëndë se humbja e pafajësisë. Virgjëria humbet një herë, por pavarësia e humbur të kthen në skllav përjetë.

[9]  Është këndshëm të ëndërrosh për një “burrë” (një mbrojtës/strehë) dhe të thuash “erdhi koha”, por për poetin kjo “strehë” është thjesht një burg tjetër që vret lirinë e tij të egër. Poeti zgjedh dietën dhe heshtjen përpara nënshtrimit, duke e parë varësinë si vdekjen e vërtetë të krijuesit.

[10]  Statusi i poetit si “i tepërt” dhe pa perspektivë e ka ngrirë marrëdhënien. Dashuria këtu nuk është lëvizje, por një amulli pesëvjeçare.

[11]  Izolimi i poetit është aq i thellë, saqë ai ka humbur jo vetëm shoqërinë, por edhe fillin e njeriut më të afërt. E vërteta është bërë e paarritshme, as dreqi s’e nxjerr dot.

[12]  ​Klisheja e ndjenjës: vajza përdor retorikën boshe: “Rëndësi kanë ndjenjat!”. Kjo është ironia e Brodskit ndaj idealizmit fallco. Ajo ofron “ndjenjën” si zëvendësues për praninë, një lloj “dakordësie unanime” që ngjan më shumë me një mbledhje partie sesa me dashuri.

[13]  Ndërsa ajo flet për “shenjtërinë e ndjenjave”, në fakt ndodhet aty ku ka argëtim, ku ka pije, ku jeta rrjedh pa mundimin e varfërisë së poetit. Ajo zgjedh pragmatizmin e jetës përballë sakrificës së dashurisë. Shkurt: tradhtia e “pambuktë”. Vajza e braktis poetin jo me zhurmë, por me fjalë të bukura, duke zgjedhur komoditetin e pijes përballë shkretëtirës së statusit të tij.

[14]  Mosbesimi si Mburojë: kjo nuk është mizantropi e thjeshtë, por një instinkt mbrojtës. Në një botë ku fqinji është spiun dhe shoqëria është syri i shtetit, mosbesimi është kushti i vetëm i mbijetesës së shpirtit.

[15]  Poeti e quan stomakun e tij “të tepërt”. Duke mos qenë “punëtor krahu” apo pjesë e zinxhirit prodhues, vetë ekzistenca e tij biologjike (të ngrënit në kuzhinë) shihet nga të tjerët si një vjedhje ose fyerje ndaj kolektivit.

[16]  Ai nuk i bezdis njerëzit me zhurmë, por me mendimin e tij unik mbi njeriun. Në një sistem që kërkon uniformitet, të kesh një “vështrim personal” është akti më i lartë i rebelimit.

[17]  Për shoqërinë, kush nuk punon sipas normës është “bandit”. Tallja me oreksin e tij dhe refuzimi i “kreditit” (besimit) tregojnë izolimin total ekonomik dhe moral.

[18]  Kjo është kuintessenca e ligësisë njerëzore. Hakmarrja e vegjëlisë ndaj mendjes së madhe bëhet te pjata: t’ia hollojmë supën, t’ia pakësojmë jetën, ta lemë të uritur që të ulet në gjunjë. Konflikti i papajtueshëm mes “Mendimit Vetjak” dhe “Gjellës Kolektive”. Poeti pranon të jetë i uritur dhe i përbuzur, mjafton që të mos dorëzojë këndvështrimin e tij mbi botën.

[19]  Pasqyrimi (ne xhamin e dritares ose të dollapit) është i ftohtë. Ai nuk sheh një burrë në kulmin e moshës, por një qenie të mbetur fillikat, një “fakt” që as ai vetë nuk e rrok dot.

[20]  Mbijetesa si Habí: habia e tij se si arriti deri në Krishtlindjen e vitit 1967 nuk është festim, por dëshmi e një lodhjeje epike. Viti në origjinal përmendet me të gjitha shifrat (1967) për t’i dhënë rëndesë kohës që ka rrjedhur si rërë mes gishtave.

[21]  Kjo është kuintesenca e biografisë së tij. Jeta nuk përshkruhet me arritje, por me tronditje: pasiguri, ankth i përhershëm. ​Rrëmimi në xhepa: varfëria kronike. ​Tersllëku gjyqësor: persekutimi (kujtojmë procesin e famshëm të Brodskit dhe dënimin si “parazit”).

[22]  Për të mbijetuar, poeti është detyruar të bëjë lojën e sistemit: “t’i hedhë hi syve Ligjit” (të flirtojë me autoritetin për të shpëtuar lëkurën) dhe të bëjë si i memec. Një poet që luan memecin është imazhi suprem i dhunës shpirtërore. ​Shkurt: një autoportret i dërrmuar. Në moshën 26-vjeçare, poeti ndjen se ka harxhuar energjinë e një jete të tërë thjesht duke u fshehur, duke lypur nëpër xhepa dhe duke heshtur përballë gjykatësve.

[23]  Shprehja “jeta shket vaj…” këtu përhapet një helm i hollë. Ai sqaron menjëherë: “nënkuptoj masën”. Për masën kolektive, jeta rrjedh pa probleme, sipas planit, por për individin, ky “vaj” është helmi ku po mbytet.

[24]  Marksi si Gjykatës: Brodski bën një lojë brilante me teorinë e vlerës. Sipas ligjeve të Marksit, një njeri si ai, që nuk prodhon mallra materiale, është një “parazit” që duhet eliminuar (“duhej therur”). Ai e pranon se, në syrin e ideologjisë, ekzistenca e tij është një gabim llogaritës.

[25]  Duke përdorur terma kontabël (saldo), ai tregon absurditetin e jetës së tij. Ai nuk e di nëse është në “humbje” apo në “fitim”, sepse ekzistenca e tij nuk matet dot me kutin e sistemit. Ai është një mbetje jashtë bilancit zyrtar.

[26]  I gjendur para murit të epokës, poeti nuk e godet atë, por bën një “salto” mbi të. Është akti i artistit që kapërcen kohën përmes hirit dhe shkathtësisë mendore.

[27]  Është një tallje finale: kërkon falje që është ende gjallë, që lëviz dhe që guxon të jetë i shkathët në një kohë që është e rëndë dhe e palëvizshme si guri. ​Shkurt: përplasja mes Logjikës së Masës dhe Lirisë së Individit. Poeti e pranon se sipas “librave” ai nuk duhet të ekzistonte, ndaj e vetmja rrugëdalje është ta kthejë mbijetesën në një akt akrobatik, një salto që e nxjerr jashtë historisë zyrtare.

[28]  “Mbi kuaj!”: Thirrja e famshme e luftës civile, e heroizuar në filmat sovjetikë.

[29]  Jemeljan Pugaçjov – udhëheqës i kryengritjes fshatare kundër Perandorisë Ruse (shek. XVIII), simbol i revoltës popullore kundër pushtetit carist.

[30]  Stepan RaziniStenka Razin — prijës kozak i kryengritjes së madhe anticariste në shek. XVII, figurë mitike e rebelimit popullor rus.

[31]  “Pallati i Dimrit – rezidenca perandorake në Shën Petërburg, e marrë nga bolshevikët gjatë Revolucionit të Tetorit (1917).

[32]  “Xhugashvili” – Josif Visarionoviç, emri origjinal i Stalinit; këtu aludim për figurën e tij të ruajtur/“konservuar” në kujtesën historike sovjetike.

[33]  Aludim për kryqëzorin “Aurora” dhe sinjalin e tij simbolik gjatë Revolucionit të Tetorit, që shënon fillimin e sulmit mbi Pallatin e Dimrit. …Dhe që tani hesht.

[34]  Një goditje direkte slloganit të Revolucionit Francez. Për Brodskin, ku ka barazi mekanike, nuk mund të ketë lidhje shpirtërore.

[35]  ​Luci (Lucius): Ky është një emër i rëndomtë romak. Mund të jetë Lucius Annaeus Seneca (që shkroi mbi moralin dhe tiraninë) ose Lucius Apuleius. Brodski gjithmonë thërret antikitetin për të dëshmuar se asgjë nuk ka ndryshuar në natyrën njerëzore.

[36]  Referencë nga përralla e famshme ruse mbi peshkun e artë. Poeti na thotë: te ne nuk vjen peshku i artë që t’i plotësojë dëshirat qyl. Këtu jemi në realitetin e vrazhdë.

[37]  Në origjinal është një shprehje idiomatike ruse (“Ne vjazhet lyka”, – nuk lidh dot një gjalmë), që në shqip i jemi përgjigjur po me idiomë.

[38]  Kjo është tallja e epërme. Sipas dogmës komuniste, puna nuk është mall (si në kapitalizëm), por është vetë “forma e qenies”. Brodski e merr këtë sllogan dhe e kthen përmbys: “Nëse puna është forma, atëherë paraja është thjesht nji platformë”.

[39]  Ekonomia si Kishë: Ky është një konstatim i ftohtë. Në vend të fesë, sot na bashkon interesi, paraja, këmbimi. Ajo na “shpjegon” pse bëjmë atë që bëjmë. ​Sendi është më shumë se çmimi: Një send ka një shpirt, një ekzistencë që e tejkalon vlerën monetare.

[40]  Çdo njësi është “vjazë e virgjër” (djevica): Këtu Brodski bëhet lojcak. Ai thotë se çdo mall, çdo send, ka dëshirën “femërore” për t’u bashkuar me diçka tjetër.

[41]  Pas gjithë atij diskutimi për Marksin dhe vlerën, gjithçka përfundon te një imazh i thjeshtë, njerëzor dhe komik: pantallonat që lypin fundin.

[42]  Topi dhe vrimëza: Si në bilardo. Gjërat shkojnë aty ku e kanë vendin. Është nji lloj fataliteti.

[43]  Poeti e pranon se po e “përdhunon” pak poezinë duke futur brenda terma ekonomikë e politikë.

[44]  Konkurrenca vs Bashkimi: Kjo është ironia supreme. “E ardhmja nuk i përket Konkurrencës (Kapitalizmit), por Bashkimit (Sovjetik)”. Poeti luan me emrat e sistemeve.

[45]  Ky është zhargoni i kampeve të punës (GULAG). Për punë të rënda ose sjellje “të keqe”, vitet e dënimit llogariteshin ndryshe. Ai e di që kjo “Ligjëratë” do t’i kushtojë shtrenjtë..

[46]  Martesa e Punës me Kapitalin: Ky është sarkazmi i tij mbi fundin e historisë. Ora ra dhe këta dy armiq “të përjetshëm” duhet të martohen.

[47]  Shkëlqimi i metalit të përbuzur: poeti përdor klishenë sovjetike “metali i përbuzur” (për paranë), por thotë se shkëlqimi i tij është më i mirë se xhepat bosh.

[48]  Një imazh i fuqishëm i diktatorëve që ndërrojnë vendet me njëri-tjetrin si në lojërat e fëmijëve, duke lënë pas vetëm rrënojë.

[49]  Brodski parandien një botë që, në mungesë të lirisë ekonomike dhe shpirtërore, përfundon te shiringa (si drogë fizike ose ideologjike).

[50]  Mëkati i Zanafillës: Nuk është njëlloj si të jesh jetim. Poeti po thotë se ne jemi “fajtorë” që në nisje, nuk jemi thjesht viktima të rrethanave.

[51]  Shtazëria: një fjalë e rëndë. Poeti thotë se shumë njerëzve u pëlqen të jetojnë si kafshë, pa menduar, pa zgjedhur, mjafton t’u japësh “tagjinë”.

[52]  ​Refuzimi i kontaktit: Poeti citon slloganin marksist “Puna dhe Kapitali nuk kanë kontakt” vetëm për t’u tallur me të.

[53]  ​Islami dhe “përgjysma”: Këtu ai ironizon barazinë absolute (përpjesëtimin). “Të mos llapim më për përgjysmën” (ndarjen përgjysëm).

[54]  Polet krijojnë planetin: Kjo është mbyllja gjeniale. Konflikti, ndryshimi, të kundërtat (polett) janë ato që e mbajnë botën në këmbë, jo barazia e rrafshët dhe e vdekur.

[55]  Beqari që trishtohet për martesën: poeti e nis me një rrëfim personal. Por kujdes, nuk po flet vetëm për unazën, po flet për institucionin që të mbron nga shteti.

[56]  Mrekullia në gaforre (Çuda v rakje): Kjo është një idiomë ruse që lidhet me diçka të pamundur (kur gaforrja të fishkëllejë në mal). Ai nuk pret mrekulli, e di që martesa ka “gropa e zgafella”.

[57]  Bashkëshortët si pronarë: Kjo është teza: Vetëm çifti zotëron vërtet atë që krijon me kënaqësi.

[58]  “Mos bëj hajni” (Mos vidh): Ata nuk kanë nevojë për këtë urdhëresë, sepse ajo që është e tyre, është organike.

[59]  Nëse shkatërrohet kjo celulë, do përfundojmë të gjithë lypës.

[60]  Mbroni foshnjat: Thirrja finale. Mbrojeni familjen, se është e vetmja gjë që i shpëton fëmijët nga “makineria” e madhe.

[61]  Referencë nga Ungjilli (secilit hakun sipas veprave). Për Brodskin, kjo është drejtësia e vërtetë, jo barazia e dhunshme.

[62]  Poeti bën ironi me frikën. Është tallje e hollë me censurën.

[63]  “Është kjo, që tash në pjesë na hyn “: poeti nuk merret me ligje, por merret me atë që ligji i bën moralit të njeriut.

[64]  Një provokim i pastër. Ai thotë se paraja i ngjan virtytit (ndoshta sepse të jep lirinë për të qenë i mirë).

[65]  Një shprehje që e përdor për të përforcuar faktin se paraja nuk bie nga qielli si “manaja” (mëshirë hyjnore).

[66]  Si paraja, ashtu edhe fjala e nderit, ikin shpejt.

[67]  Krillovi është La Fonteni i rusëve. Brodski ironizon “shumimin” e parave sikur të ishin personazhe kafshësh nëpër fabula.

[68]  Mendimet e prapme: poeti thotë se ato që mendojmë “përmbys” ose fshehurazi janë më të forta se ato që themi hapur.

[69]  Shpirti i njeriut është aq i fuqishëm sa mund ta “lërë pas” (mundë) edhe një akullnajë.

[70]  Që të mos biesh në kthetrat e vesit, gjej një punë. Puna si shpëtim nga çmenduria ideologjike.

[71]  Gjesti i bukur: poeti tall altruizmin e rremë të atyre që thonë se “duan njerëzimin” por nuk duan njeriun.

[72]  ​Triniteti i Brodskit: Mesnatë, alkool, poezi. Kjo është “zyra” e tij e punës. ​Pema vs Pylli: Ky është sllogani i individualizmit. Pylli është ideologjia, pema është njeriu.

[73]  ​Shpejtësia: Bota mund të vrapojë drejt progresit teknik, por poeti, i mbyllur në kasollen e tij me gjysmë shishe para, ecën më shpejt se bota në dimensionin shpirtëror.

[74]  Miqësia me humnerën: Ky është imazhi kyç. Të merresh me “humnerën” (vdekjen, asgjënë, ekzistencializmin) është diçka që nuk “shitet” dot në shoqëri, prandaj ai e quan “interes lokal” (diçka që i përket vetëm atij, jo masave).

[75]  Këtu Brodski ironizon parullat e Revolucionit Francez dhe Socializmit. Njeriu që miqësohet me humnerën nuk mund të jetë pjesë e “tufës” apo e idealeve kolektive.

[76]  Sipas moralit shoqëror, një burrë duhet të jetë “i dobishëm”, “social” dhe “ndërtues”. Melankolia dhe izolimi i thellë shihen si dobësi ose tradhti ndaj shoqërisë.

[77]  Toptygin – figurë arketipale e ariut në folklorin rus (sidomos në fabulën satirike të Saltykov-Shchedrinit), shpesh përdoret si simbol i pushtetit të rëndë, të paditur ose burokratik.

[78]  Brodski i fut të gjithë në një thes: mistikët e rinj (budistët, telepatët) dhe shkencëtarët e mendjes (frojdistët, neurologët). Për të, të gjithë këta janë “psikopatë” që kërkojnë të kontrollojnë njeriun.

[79]  Narkomanët jo vetëm që do të sundojnë, por do të kenë pushtet zyrtar (ushtarak/policor).

[80]  Droga bëhet feja e re. Shiringa zëvendëson Kryqin.

[81]  (Spirali i pafund, i pandërprerë): Humbja e individualitetit; të gjithë të lidhur në një strukturë të vetme teknologjike.

[82]  (Etil-moral): Një përzierje mes alkoolit (etilit) dhe moralit. Një lloj “etike” që të deh ose të mpin, që vjen përmes kabllit (prizës).

[83]  Imazh i tmershëm antiutopik: Folja është veprim, është jetë. Pa folje, gjuha mbetet vetëm emërtim sendesh, një gjendje statike vdekjeje.

[84]  Përdoret për të përshkruar drogën që i mban njerëzit “lart” në re, larg realitetit.

[85]  Imazhi i shkencës që e ka zënë botën si një merimangë. Çdo gjë është e kontrolluar, e vëzhguar.

[86]  Ka shumë mundësi që këtu e ka fjalën për satelitët, raketat ose rrugët ajrore që “qepin” qiellin.

[87]  Brodski këtu nuk flet si racist i thjeshtë, por si një njeri i kulturës klasike evropiane që sheh fundin e asaj bote që njihte ai (vlerat e humanizmit, individit, etj.) përballë një mase të madhe dhe teknologjisë që i grin të gjithë.

[88]  Brodski përdor gjuhën e frikës brutale rrugore për të treguar konfliktin racor.

[89]  Një ironi therëse. Pasi “pastrojmë” botën, e vetmja gjë që bëjmë është të kthehemi te birra, te rehatia e rëndomtë.

[90]  As të vrarët, as dëbimi i tjetrit nuk pajtohen me besimin.

[91]  Referencë për eukaristinë (Kungimin). Të vrasësh tjetrin për “hapësirë jetësore” është tradhtia finale ndaj Krishtit.

[92]  Këtu poeti bëhet cinik. Ai e di që “bollëku” dhe “rehatia” e disave shpesh vjen pas një “spastrimi” (politik, etnik apo social) të të tjerëve.

[93]  Një vërejtje morale. Edhe nëse fitojmë, nuk duhet të festojmë mbi të vrarët.

[94]  “Bollëku dhe Kultura”: Brodski e lidh Kulturën me aftësinë për të krijuar hapësirë dhe bollëk në një botë që po bëhet gjithnjë e më e vogël.

[95]  Brodski tallet me ata që e besuan këtë si formulën e shpëtimit.

[96]  Ironi therëse për “parajsën komuniste” që doli të ishte një ferr i ftohtë.

[97]  Një liri ku nuk ke çfarë të zgjedhësh (sepse gjithçka është e diktuar) është “e ligë” (e mjerë, lyparake).

[98]  Kush pështyn Zotin… pështyn njeriun): Ky është përfundimi i Brodskijt. Ai thotë se urrejtja ndaj hyjnores nuk vjen nga arsyeja, por nga humbja e respektit për jetën njerëzore. Kush s’respekton Krijuesin, e ka nisur duke dhunuar krijesën.

[99]  Një argument “fshatar” për mungesën e Zotit. “S’ka si të ketë Zot kur rruga është kaq e keqe.”

[100]  Një shpërfillje banale ndaj ekzistencës, duke u zhytur te instinkti.

[101]  Poeti thotë se Zoti është aq i madh dhe i zënë me galaktikat, saqë derisa të kthehet të shohë nga ne, kalojnë miliona vite.

[102]  Mbretëria e Tij ekziston, por nuk ka asnjë lidhje me realitetin tonë të përditshëm.

[103]  Një urdhër për t’u ulur, për t’u qetësuar dhe për të pranuar fatin tonë të vogël.

[104]  Një term që çdo rusi i ngjall tmerr dhe uri. Është një i ftohtë që të hyn në palcë, i ftohtë historik, mortor.

[105]  Poeti i quan grumbujt e borës anash rrugës “Karpate”. Ky hiperbolizim tregon se sa e vogël ndihet figura njerëzore në atë rrugicë.

[106]  Planetët nuk janë më gurë të ftohtë, por drita kishash që tunden në qiell.

[107]  Kjo është ndoshta thënia më e rëndësishme e Brodskit për artin. Poezia nuk shpik, ajo thjesht mbledh “provat” që ka lënë Zoti apo jeta në vendngjarje.

[108]  Ai e sheh të gjithë qiellin si një arkë ku ruhen ikonat.

[109]  Një detaj i ftohtë shtëpiak. Gjithçka është e pastër, por e zbrazët.

[110]  Ai nuk pi më alkool për qejf, por ilaç për zemrën ose nervat.

[111]  Rojet e Vologdës, Kryqet, Butirkat – kjo është gjeografia e tij e vuajtjes. Janë burgjet ku kaloi Brodskij kohë para se të dëbohej. Janë “stacionet e tij të kryqit”.

[112]  Një lloj kapitullimi apo pranimi stoik. Ai nuk debaton më me fatin. “Kështu u shkrua, kështu ndodhi.”

[113]  Brirët e Dashit: Brodski ka lindur në shenjën e Binjakëve, por këtu “Dashi” (Marsi/Lufta) simbolizon goditjen e fatit.

[114]  Josif Brodskij përdor figurën e Josif Stalinit dhe Kongresin XVII si shenjë të terrorit shtetëror që godet edhe elitat e sistemit (njihet si “Kongresi i të Pushkatuarve”, sepse shumica e pjesëmarrësve u eliminuan më vonë nga Stalini), ndërsa “tulka” (çifte popullore gjuetie) e zbret dhunën në nivel të përditshëm e banal, duke e kthyer frikën historike në kërcënim të drejtpërdrejtë personal.

[115]  Margaritarë në pleh: Referencë për fabulën e Krillovit ku gjeli gjen një margaritar në pleh. Brodski thotë: “S’kam ndërmend të kërkoj diçka të mirë në këtë sistem të kalbur”.

[116]  Brodskij i sheh sigurimsat e KGB-së si perversë që ndjekin çdo lëvizje të tij.

[117]  Ai i drejtohet qindarkës në xhep (varfërisë së tij), duke i thënë “shuj”. Ka një mospërfillje totale ndaj parasë dhe rrezikut.

[118]  Një imazh i tmerrshëm i sëmundjes (shija e gjakut/bakrit në gojë) dhe e vjetërsisë.

[119]  Poeti ndihet si një kafshë ose një peshk që po e gjuajnë me mjete brutale: me fushnje dhe me rrjetë të grisur – por edhe pse e grisur, përndjekja vazhdon.

[120]  Idiomë ruse që do të thotë “provokoj ata që kanë pushtetin”.

[121]  “Hiqni (nxirrni jashtë) shenjtorët (“Выносите святых..”): shprehje që përdoret kur bëhet një hata apo një skandal i madh saqë “nuk duhet ta shohin as ikonat”. Por poeti shton edhe Sekretarin (e Partisë), duke i barazuar në absurditet.

[122]  Referencë për poezinë e N. Nekrasovit, por këtu tingëllon si thika që po i afrohet pemës së jetës së tij.

[123]  Një lloj vetë-ironie finale. I nxehur nga marrëzia e botës, kërkon dëborën që ta shpëlajë.

[124]  Poeti nënkupton se është ende i gjallë, ka ende instinkte, nuk është bërë “shenjtor” i ngrirë.

[125]  Josif Brodski polemizon me doktrinën e moskundërshtimit të Lev Tolstoit, duke e parë jo si virtyt etik, por si formë dorëzimi përballë dhunës dhe padrejtësisë. “Prerësja e bukës” (Hleborezka) në zhargonin e burgut është edhe “goja”. Ai po thotë: “Mbylleni gojën e Tolstoit dhe moralit të tij për paqe!” Në vend të saj, ai afirmon të drejtën e subjektit për revoltë të brendshme dhe refuzim të nënshtrimit moral.

[126]  Panë” – formë polonisht/ukrainisht për “zotërinj”; përdoret këtu me nuancë ironike dhe aristokratike.

[127]  Shprehja më brutale ruse për diçka që të shkakton dhimbje të padurueshme ose që të tredh shpirtërisht.

[128]  Imazh i dijes së mbyllur, të izoluar dhe që përpiqet të kuptojë burimin e gjërve në errësirë.

[129]  Metaforë për verbërinë morale e intelektuale; ata që qajnë e fryhen për njerëzimin, por nuk shohin tmerrin para hundës.

[130]  Sharje e famshme ruse – “Vsjeh k toj matjeri!”. Brodskij i shton “sipas alfabetit”, për t’i dhënë një lloj roli administrativ, thuajse shtetëror.

[131]  Ironia finale. Kur i dërgon të gjithë “Në të s’ëmës” pa dallim, kjo është barazia e vërtetë, kjo është demokracia!

[132]  Imazhi popullor i trimit me fletë (Jasnij sokol), që dhe ne kemi dhe në këngë “sokol me fletë”. Dikur ishte heroi, ndërsa sot duron gjithçka kokëulur, mban shumë.

[133]  Një nderim i tërthortë për forcën e grave që mbajnë mbi supe këta “burra të dobët” dhe këtë sistem.

[134]  “Qindshja e shkuar”. Me gjasë, kartëmonedha të vjetra që poeti i ka ngjitur në mur si “letrën e mureve, ose imazhe njerëzish (një qindëshe). Poeti nënkupton që është aq i varfër ose i izoluar, saqë paratë i ka vetëm si dekor në mur.

[135]  (kodoshja numizmate): Një ironi therëse: tutorja e bordellos, do t’i pranonte ato para të vjetra sepse është “koleksioniste” (numizmatike), jo se ato kanë vlerë. Pra, ai mund ta blejë dashurinë vetëm me “mbetje” të së kaluarës.

[136]  Jo për besim, por nga halli, mërzia dhe varfëria.

[137]  (veten të kryqoj – të bëjë kryqin): Heroi lirik e sheh dritaren e fqinjit përballë si të ishte një ikonë. Ndoshta është e vetmja “dritë” që i ka mbetur në errësirë.

[138]  Përsëritja ritmike (eh, blerim i verës!): përdorimi i thirrorëve si “eh!” dhe vargu i rimuar në mënyrë thuajse fëmijnore krijon një efekt hipnotik. Kjo nuk është këngë gëzimi, por një lloj joshjeje haluçinante. Poeti po kthehet te natyra dhe thjeshtësia si e vetmja rrugëdalje nga “rrëqethja” 26-vjeçare.

[139]  Pëshpëritja e shkurres së fshikakuqit (euonymus) që pëshpërit, simbolizon një komunikim metafizik. Natyra i flet poetit në një gjuhë që sistemi nuk e rrok dot. Është një rikthim te zanafilla, ku njeriu nuk ka nevojë për “jelekë” apo parajsa artificiale, por vetëm për ajër dhe dritë.

[140]  Këtu ka një nëntekst. “Jelek” në rusisht është edhe mbrojtja, por edhe rroba zyrtare. Të ecësh pa të do të thotë të jesh i lirë, i zhveshur para natyrës, pa prangat e shoqërisë.

[141]  Vajzukja me shami (arketipi i Pafajësisë): imazhi i vajzës që mbledh lule është figura e pafajësisë absolute. Pas zhgënjimit me të fejuarën dhe me “vajzat e njohura” të strofave të para, këtu shfaqet një dashuri tjetër: atërore.

[142]  Poeti, i rrahur nga jeta dhe i vetmuar, nuk kërkon më dashnore, por kërkon trashëgimi dhe vazhdimësi. Dëshira për ta pasur “vajzë” tregon etjen për të mbrojtur pafajësinë, për të pasur diçka të pastër në një botë të “infektuar”.

[143]  Poema mbyllet me lëvizjen e dallëndyshes. Ky është imazhi i lirisë vertikale. Ndërsa poeti ishte i gozhduar në karrige në strofën e parë, në fund sytë i kthehen nga qielli. Është një liri që nuk vjen nga paratë apo botuesit, por nga pranimi i ciklit të natyrës (“Blerimi i verës sërish do vijë “). Shkurt: një pajtim melankolik. Brodski e mbyll poemën duke u zhveshur nga petku i “intelektualit të mallkuar” dhe duke u kthyer te elementet bazë: vera, fëmija, lulja dhe shpendi. Është një ikje nga historia (Marksi, Moska, Gjyqi) drejt amshimit të natyrës.

Exit mobile version