Nga veprimtaritë që ndoqa në kuadër të 30 shtatorit, Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit, më vrau veshët përsëritja e vazhdueshme e togfjalëshit “përkthimi i një vepre letrare”. Një përsëritje që risillte jehonën e thirrjes së njohur për ta shpëtuar letërsinë nga përkthimet e dobëta, sikur kokëçarjet e një kulture leximi të mund të zgjidheshin brenda kohëzgjatjes së parashikuar të një takimi. U fol gjerësisht për përkthimin e letërsisë artistike dhe poezisë – po, po, muzikës së shpirtit në fjalët e Volterit –, ndërsa filozofia, estetika, historia, biografia dhe veprat studimore mbetën kryesisht jashtë diskursit. Poezia dhe proza e patën bindshëm përfaqësinë e tyre në kuvendin e 30 shtatorit. Letërsia joartistike, me sa duket, jo dhe aq. Përshtypja ime vjen kryekëput nga veprimtaritë që arrita të ndiqja; ajo nuk pretendon të përmbledhë gjithçka që u tha atë ditë. Megjithatë, kjo mungesë më duket e mjaftueshme për të shtruar një shqetësim kulturor: çfarë vendi i japim përkthimit të veprave përmes të cilave formojmë konceptet, ndërtojmë arsyetimin dhe mësojmë të lexojmë vetë letërsinë?
Përmes përkthimit, në shqip mbërrijnë tradita mendimi, nocione që kanë formësuar dijen dhe një fjalor me të cilin përshkruajmë marrëdhëniet shoqërore e ndërtojmë argumentet. Pas çdo libri të tillë është puna e një përkthyesi; dhe në secilin prej tyre kuptimi mund të humbasë, të zhvendoset, madje të marrë një trajtë që as nuk e kishte në origjinal. Në veprat studimore, filozofike, historike, pasaktësia nuk mbetet vetëm në faqe. Ajo mund të kalojë nga shënimet e një studenti në auditor, prej andej në një punim e më pas në ligjërimin publik, ku përsëritja i jep një autoritet që origjinali nuk ia kishte dhënë.
Scripta manent: shkrimet mbeten. Bashkë me to, nëse nuk i dallojmë në kohë, mbeten edhe gabimet në përkthim. Historia e vetë 30 shatorit na ofron një rikujtesë të dobishme. Kjo datë lidhet me Shën Jeronimin, i njohur për punën në përkthimin e Biblës në latinisht dhe i konsideruar shenjti mbrojtës i përkthyesve. Po ta ftonim sot në një tryezë diskutimi, do të duhej t’i linim hapësirë të fliste për doktrinën, konceptet dhe interpretimin. Pyetjet për bukurinë e frazës dhe figuracionin poetik vështirë se do ta shteronin përvojën e tij. Bibla përmbledh poezi, rrëfime, ligje, proverba dhe mësime me karakter fetar; kjo shumësi formash kërkon edhe një shumësi qasjesh në përkthim. Nuk kemi nevojë ta vendosim të gjithën brenda kategorisë moderne nonfiction për të kuptuar se tradita me të cilën lidhet 30 shtatori përfshin edhe bartjen e mendimit, të normës dhe të argumentit.
Jeronimi na ka lënë pas një reflektim të drejtpërdrejtë mbi këtë punë. Në letrën e 57-të, drejtuar Pamakiut, ai përdor formulimin “non verbum e verbo, sed sensum exprimere de sensu”: të shprehësh kuptimin përmes kuptimit, pa u kufizuar te bartja fjalë për fjalë. Në të njëjtin pasazh bën një përjashtim të posaçëm për Shkrimet e Shenjta, ku, sipas tij, edhe renditja e fjalëve mbart mister. Dallimi është domethënës: vetë përkthyesi që e kujtojmë si figurë mbrojtëse të profesionit e shihte metodën të pandarë në raport me natyrën e tekstit.
Përkufizimi institucional i ditës është po aq i qartë. Rezoluta 71/288 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e miratuar më 24 maj 2017, shpalli 30 shtatorin Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, duke përmendur shprehimisht veprat letrare, shkencore e teknike, interpretimin dhe terminologjinë. Filozofia, historia apo eseistika e kanë ftesën. Ne na mbetet vetëm t’u bëjmë vend në tavolinë.
Veprimtaritë kulturore mund të zgjedhin fare mirë të përqendrohen te poezia ose romani. Por kur diskutimi zhvillohet në emër të përkthimit në përgjithësi, kufizimi i tyre te letërsia vetëm artistike lënë në hije një pjesë të rëndësishme të punës intelektuale. Përkthimi i veprave studimore rrezikon të përfytyrohet si një veprimtari që kryhet diku në prapaskenë: hapet fjalori, gjendet sinonimi, rregullohet sintaksa, sistemohen citimet dhe libri është gati. Po të mjaftonte kjo procedurë, Dekarti, Niçe, Platoni e Fuko do të na kishin kursyer shumë mundime.
Në ligjërimin e përditshëm, sinonimia mund të shmangë përsëritjen. Në një vepër filozofike, përsëritja mund të jetë pikërisht ajo që mbart kuptimin themelor të frazës. Nëse “vetëdija”, “ndërgjegjja” dhe “ndërgjegjësimi” ndërrohen mes tyre vetëm për ta bërë faqen më të larmishme, rrezikojmë që larmia e shprehjes të prodhojë paqëndrueshmëri të mendimit. Kjo nuk nënkupton se çdo term duhet të ketë mekanikisht një sinonimi të vetme. Kjo nënkupton se çdo ndryshim duhet të shoqërohet me një arsye të lexueshme brenda tekstit. Kështu, kur thua “të thuash gati të njëjtën gjë”, njohur edhe si titull i veprës së Umberto Ecos – një mjeshtër i vërtet në teoritë e interpretimit dhe të përkthimit – fiton një peshë të veçantë. Sa hapësirë mund t’i lejojmë këtij “gati” kur përkthejmë një koncept filozofik? Çfarë mund të ndryshojë në formë, por që të ruhet e paprekur marrëdhënia e mendimeve? Dhe deri ku e ka kufirin përshtatja përpara se të fillojë të bëhet ndërhyrje?
Në veprat filozofike, studimore e historike, rrjedhshmëria e gjuhës është e domosdoshme, por cilësia kërkon edhe saktësi konceptuale, qëndrueshmëri terminologjike dhe njohje të lëndës. Ka vështirësi që burojnë nga përkthime të dobëta, po aq sa ka edhe vështirësi që burojnë nga vetë ndërlikime të mendimit të autorit. T’i trajtosh njësoj do të thotë të rrezikosh që, bashkë me pengesën gjuhësore, të largosh edhe kompleksitetin me të cilin lexuesi duhet të përballet për të kuptuar betejën në të cilën ka shkuar. Një fjali e përpunuar artistikisht shumë, mund të fshehë një argument të humbur në përpunim. Eleganca është dëshmi e së bukurës, por jo detyrimisht e besnikërisë. Në letërsi ndërthuren këndshëm përvoja estetike dhe historia e ideve, imagjinata dhe kujtesa kulturore, figuracioni dhe koncepti. Një metaforë mund të mbartë një botëkuptim të tërë, një dialog mund të përmbajë një polemikë teologjike, absurdi i një rrëfimi mund të lidhet me pyetje mbi ekzistencën, përgjegjësinë dhe vdekjen. Përkthyesi ka nevojë për mjete që ta dallojë këtë ndërthurje, përpara se t’i japë trajtën që kërkon në gjuhën pritëse.
Edhe receptimi i veprës kushtëzohet nga këto mjete. Një kulturë leximi që njeh më mirë traditat filozofike dhe estetike ka më shumë mundësi të dallojë se çfarë sjell një roman, çfarë rishkruan një poet dhe me cilat ide polemizon një dramaturg. Përkthimet studimore të përgatitura me kujdes ushqejnë edhe punën e përkthyesit letrar, edhe horizontin interpretues të lexuesit. Kritika letrare varet po aq nga qartësia e kësaj gjuhe. Nëse konceptet na mbërrijnë të paqëndrueshme, edhe diskutimi mbi veprat bëhet i paqëndrueshëm. Mund të përdorim të njëjtën fjalë për gjëra të ndryshme, ose fjalë të ndryshme për të njëjtën gjë. Dhe pastaj habitemi pse ligjërimi kulturor prodhon kaq shumë fjali dhe bën kaq pak sens. Prandaj edhe mungesa e zërit të përkthyesve të letërsisë non-fiction më shqetëson edhe si mungesë brenda kulturës letrare. Përkthimi i tyre zgjeron mundësitë e shprehjes të shqipes, ushqen kritikën dhe krijon burime për një lexim më të vëmendshëm të poezisë e prozës. Këto fusha zhvillohen në marrëdhënie me njëra-tjetrën.
Në Ditën e Përkthimit do të doja të dëgjoja edhe për udhëtimin e një koncepti nga një gjuhë në tjetrën: si merr trajtë në shqip një nocion filozofik, si bartet një kategori historike, ç’ndodh me një term estetik kur hyn në një traditë tjetër mendimi. Do të doja të dëgjoja për argumentin që e ka detyruar përkthyesin t’i kthehet një kapitulli të tërë, e për redaktorin që ka dalluar, pas shumë leximesh, se fjalia më elegante ishte larguar tërësisht nga kuptimi i origjinalit. Çfarë ruhet në këto kalime, çfarë ndryshon dhe çfarë kërkon nga shqipja një mendim i lindur në një gjuhë tjetër?
Dekarti dhe bashkudhëtarët e tij mund të na presin, patjetër që munden. Kanë pritur disa shekuj. Lexuesi shqiptar ka arsyet e veta për të qenë pak më i paduruar.



