Kreu Forumi mbi përkthimin Jhumpa Lahiri mbi kënaqësinë e përkthimit si një zbulim

Jhumpa Lahiri mbi kënaqësinë e përkthimit si një zbulim

Përkthimi më shtyn të rikonsideroj, thelbësisht, si shkruaj dhe pse. Librat që kam shkruar që prej In other Words – romani Dove mi trovo, një libër me poema i quajtur Il quaderno di Nerina, dhe një përmbledhje me tregime e quajtur Racconti romani – kanë ecur në një rrugë paralele me përkthimin tim, deri tani, të tre romaneve nga Domenico Starnone (Ties, Trick, dhe së shpejt Trust), tregime të ndryshme që kam përkthyer për The Penguin Book of Italian Short Stories, dhe tani, nga latinishtja, një bashkëpërkthim i Metamorfozat e Ovidit.

Përkthimi më tregon se si të punoj me fjalë të reja, si të eksperimentoj me stile e forma të reja, si të marr rreziqe më të mëdha, si të strukturoj dhe shtresëzoj fjalitë e mia në mënyra të ndryshme. Leximi më ekspozon ndaj të gjithë kësaj, por përkthimi shkon nën lëkurën time dhe shkund sistemin, aq sa të gjithë këto zgjidhje shfaqen në mënyra të papritura dhe zbuluese. Ekosistemi i veçantë që përmban latinishten, italishten, dhe anglishten e bën italishten më të njohur dhe anglishten më mrekullisht të çuditshme. Vëmendja që kërkon përkthimi ndaj gjuhës, po e leviz veprën time jo vetëm në drejtime të reja por në një dimension gjithnjë e më shumë të fokusuar gjuhësisht: nuk do të kisha filluar kurrë të shkruaja poezi pa ekspozimin intim me gjuhën italiane që vetëm përkthimi mund ta bëjë; ky ndryshim ishte veçanërisht surprizues duke qenë se nuk kam shkruar kurrë poezi në anglisht.

Gjithashtu, përkthimi punon në një shpejtësi ndryshe në krahasim me shkrimin – skica e parë mund të lëvizë më me shpejtësi, por pasi filloj ta rishikoj, mund të kaloj orë të tëra duke luajtur me një fjali të vetme, ose duke medituar mbi një fjalë të vetme. Ai vendos ritme dhe qasje të reja që pjalmojnë procesin e të menduarit dhe krijimit të veprës time. Përkthimi i të tjerëve më ka përgatitur të përkthej veten time, dhe ky përjetim ka ripërcaktuar përfytyrimet që kam pasur në lidhje me fjalët si “origjinal”, “autentik”, dhe “autorësi”. Ndihem më pak në ankth dhe e vetëdijshme për shkrimin tim tani që e shoqëron përkthimi.

Biseda që kam kërkuar të kem me letërsinë për një pjesë kaq të madhe të jetës time tani ndihet më e plotë, më në harmoni, gjithashtu dhe shumë më e pasur me mundësi. Jam habitur nga numri i shkrimtarëve italianë në antologjinë e Penguin të cilët kanë dedikuar kohë dhe energji të konsiderueshme për përkthimin, jo vetëm për mentorim dhe ndikim personal, por për të çuar më tej misionin thelbësor publik dhe politik për të hapur kufijtë gjuhësorë dhe kulturorë, edhe duke i prezantuar lexuesit me vepra të cilët ata nuk do t’i qasnin dot ndryshe. Jam krenare që jam në shoqërinë e tyre.

Në këtë pikë, nuk mund ta imagjinoj të mos punoj me një përkthim, po aq sa s’mund të imagjinoj të mos punoj – ose të mos mendoj të punoj – me shkrimet e mia. I mendoj si dy aspekte të të njëjtit aktivitet, dy anë të së njëjtës monedhë, ose ndoshta është më mirë t’i përshkruar si dy goditje, duke ushtruar forca të ndryshme por plotësuese, që më lejojnë të notoj në largësi më të mëdha, në thellësi më të mëdha, përmes elementeve misterioze të gjuhës.

LitHub / Përktheu E.H.

Exit mobile version