Dekalogu i idiotit
1 nga 10
Nuk ke nevojë të besosh askënd. Ke vetëm një zot – veten! Mendja jote është si sfungjeri dhe fut ujë nga të gjitha anët.
2 nga 10
Mos kërko lavazh dhe mos paguaj për t’i kthyer trurit shkëlqimin, sepse asnjë idhull nuk të bën të mençur.
3 nga 10
Puno gjithë jetën me mendjen e të tjerëve dhe kurseje tënden për në botën tjetër.
4 nga 10
Nëse nga e hëna në të shtunë kërkove pleshtin në jorgan, të dielave digj jorganin që të flesh i qetë.
5 nga 10
Ndero prindërit e tu. Falë tyre lumturia jote e përditshme është sëmundje e pashërueshme, por edhe e parrezikshme për jetën.
6 nga 10
Mos vrit, por nëse duhet të vrasësh patjetër dikë, vrit kohën, jo derrin. Derri nuk është armiku yt. Prej tij mësove se fitohet vetëm me durim dhe se si durimi kthehet në dhjamë.
7 nga 10
Mos shkel kurorën. Të jesh gjithë jetën i dashuruar me një grua do të thotë të mos kesh frikë të dështosh, por të kesh frikë të mendosh.
8 nga 10
Mos vidh. Dhe mos e ki zili hajdutin. Në kohën e sotme hajdutëria është idiotësi, të dish të mashtrosh është zotësi.
9 nga 10
Mos jep dëshmi të rreme. Në jetë gënjeshtra e të tjerëve nuk vlen pa duartrokitjen tënde.
10 nga 10
Mos lakmo Halloween Day-n. Vazhdo të besosh se të gjithat buzëqeshjet janë të sinqerta, pasi do vijë dita që do vlerësohesh si kungulli, do kesh edhe ti festën tënde.
Dekalogu i qenit
1 nga 10
Nuk mund të kesh perëndi të tjera përveç zotit tënd, prandaj, edhe nëse ai të rreh me shkelma, që të mos lodhet, t’i duhet të vraposh e t’i sjellësh një thupër.
2 nga 10
Nuk do të besosh në asnjë lloj shëmbëlltyre. Jo çdo qenie që leh është detyrimisht qen.
3 nga 10
Nuk do të përkulesh para prindërve të tu dhe as do t’i adhurosh. Që të jetosh gjatë në vendin që caktoi për ty zoti yt, përkulu dhe adhuro vetëm atë.
4 nga 10
Nuk duhet të dyshosh se gruaja e pronarit testoi tek ti ndikimin e kastrimit në ekuilibrin hormonal para se të bindej se ky duhet të qe ndëshkim për të shoqin për tradhtinë bashkëshortore.
5 nga 10
Nuk do ta përdorësh kurrë lehjen si pretekst për luks dhe kotësi, por si një përkushtim dhe dhembshuri.
6 nga 10
Nuk do kafshosh kurrë atë që ke lëpirë, sepse ky do të ishte imitimi më i keq që do t’i bëje zotit tënd.
7 nga 10
Nuk do të ngjitesh me macen në çati, sepse ndërsa u dëshmon njerëzve se je i vlefshëm për cirk, ke dështuar të jesh qen.
8 nga 10
Nuk do të vjedhësh asgjë që i përket njeriut, sidomos nuk duhet të lakmosh të kesh egon e tij.
9 nga 10
Nuk do të kursehesh të provosh se je i aftë të gjesh çdo gjë të fshehur, por pa ngjallur dyshimin më të vogël se nuk di të fshehësh.
10 nga 10
Nuk do të lësh shkas të mendojnë se je më idiot se pronari yt, kjo rrezikon që pronari të mbetet pa ty.
Fjalor i fjalëve në përcëllimë
A
AKADEMI,~A f. Shkollë e lartë që nga lashtësia, ku qentë u predikojnë deleve se si të duan e respektojnë bariun, ndërsa qengjave si të ruhen nga ujqërit.
AMNISTI,~A f. 1. Zemërgjerësi e shtetit kur bëhet i ndërgjegjshëm se shkelësit më të mëdhenj të ligjit janë jashtë burgjeve. 2. Falje popullore e zullumeve të politikanëve në kohë votimesh për shkak të amnezisë kolektive.
ANALIST,~I m. Lloj furçe me dy përdorime, që kur mbaron funksionin e saj primar, lustrimin e këpucëve, përdoret edhe për larjen e gojës.
AVOKAT,~I m. Jurist që ka aftësinë t’i lexojë drejt dhe t’i interpretojë mbrapsht ligjet.
B
BABËZI,~A f. Grykësi e madhe, lakmi e pashuar, pangopësi e Fermës së Ujqërve për të ngrënë fondet e Akademisë së Barinjve.
BANK,~A f. Institucion që të mbush mendjen të marrësh kredi për të blerë portofol të ri dhe, njëherësh, të këshillon që, për sigurinë tënde, paratë të t’i mbajë ajo.
BASTUN,~I m. Shkop që i mençuri ia vë në dorë budallait për të ecur dhe ai e përdor për ta goditur.
BOTOX,~I m. Lloj karremi për gjueti brenda llojit. Zakonisht përdoret nga peshq femra për të gjuajtur peshq meshkuj.
C
CENS,~I m. Regjistrim i popullsisë që i ngjan numërimit të pelikanit kaçurrel, por më pak i saktë.
CICMIC,~I m. Lojë e parapëlqyer nga politikanët, ku kalojnë kohën duke luajtur me fatin e popullit të tyre.
Ç
ÇORAP,~I m. Veshje që zakonisht përdoret për këmbën, por që gojëçorapët e thurin për trurin e të tjerëve.
ÇORB/Ë,~A f. Gjellë që zakonisht bëhet me të brendshmet e bagëtive, por e gatuar nga truri i njeriut, mund të sjellë dhimbje koke për ata që e hanë.
ÇMENDURI,~A f. Pazotësi për të fshehur mençurinë.
D
DASHURI,~A f. Ndjenjë e fuqishme që ushqen dikush për dikë, aq sa e pandeh si pjellën e tij dhe e pagëzon me emra si: Zemër, Luan, Dritë, Shpirt, Trim, Bukurosh, Tigrush, Kotele etj.
DIELLA, f. Perëndesha e dashurisë dhe e bukurisë pellazge, të cilën grekët e quajtën Afërdita (Αφροδίτη) pasi e dendën me botox.
DUARTROKITJE,~A f. Lëvizje të pavullnetshme të pëllëmbëve, shkaku i të cilave është lavazhi i trurit dhe efekti anësor është krijimi i varësisë dhe padurimit deri në mitingun e radhës.
DH
DHALL/Ë,~I m. Kos i rënë nga vakti.
DHURAT/Ë,~A f. Lloj dardhe që e ka bishtin para dhe që përdoret si karrem për të kapur diçka të paarritshme e të pamerituar.
E
EKSPERIENC/Ë,~A f. Dekoratë që e merr në jetë dhe ia paguan vdekjes me të parë.
ETIK/Ë,~A f. Tërësia e normave të sjelljes që duhet të mësojë cjapi para se të shkojë te kasapi.
Ë
ËND/ËRR,~RRA f. Diçka e krijuar nga imagjinata dhe që zakonisht shihet symbyllur, për të krijuar iluzionin se edhe të verbrit kanë fat më të mirë.
ËMBËLSIR/Ë,~A f. Gatesë e parezistueshme që kur hahet me tepri, të tregon se diabeti është një armik sa i frikshëm, aq dhe i ëmbël.
F
FLAMUR,~I m. Pëlhurë e hollë dhe e lehtë me forma e me ngjyra të ndryshme, para të cilit përulen dhe betohen më shumë politikanët e vegjël, që janë edhe hipokritët më të mëdhenj të kombeve.
FOTOGRAFI,~A f. Fytyra e dikujt ose figura e dikujt a e diçkaje e riprodhuar në baxhon e teknologjisë apo me photoshop, e kthyer në nënprodukt të artit të gënjeshtrës.
G
GOJËTARI,~A f. (librore). Arti i të folurit bukur me efekt para idiotëve, që ata të largohen me bindjen se e kanë ditur gabim që macja ndjek miun dhe këtej e tutje duhet të besojnë të kundërtën.
GOMAR,~I m. Alibi e përshtatshme për të justifikuar shumë veprime të njeriut.
GUSHT,~I m. Muaji kur televizionet ndajnë kilogramët e silikonit.
GJ
GJOB/Ë,~A f. 1. Lehtësim i kuletës që shkon në përpjesëtim të drejtë me mendjelehtësinë e thyerjes së rregullit apo ligjit. 2. Ndëshkim për mosnjohjen dhe mospërfilljen e fjalës së urtë se nga ferra e vogël del polici rrugor.
GJUHË,~A f. Organ i mishtë e i lëvizshëm, që nëse nuk hesht kur duhet, hesht duke e kafshuar.
H
HALLOWEEN,~I m. Festë ku kungujt shfaqin hapur ambicien për pushtet.
HIPOKRIT,~I m. Njeri që i uron Gjelit të Detit: “Gëzuar Vitin e Ri!”.
HISTORIAN,~I m. Eunuk që vuan nga kompleksi i mungesës së personalitetit dhe përpiqet të masturbojë me hallatet e sundimtarëve horra, por shpesh kënaqet duke fërkuar ato të kuajve të monumenteve të tyre.
HUTIM,~I m. Gjendje kur njeriu harron ku i ka sytë dhe i mban syzet e diellit në majë të kokës.
I
ILUZION,~I m. Shpresa e lepurit se një ditë do të vihet në ndjekje të qenit.
IMUNITET,~I m. Aftësi e idiotit për të mos u prekur nga çmenduria.
INBOX,~I m. Dhomë virtuale flirti me dy shtretër, por pa asnjë dyshek.
INFLUENCER,~I m. Mushkonjë virtuale që pi gjakun e kohës sate.
J
JASHTËQITJE,~A f. Akt pëgërjeje nga organi më i pakontrolluar i shpifësit.
JET/Ë,~A f. Kohë që njeriu e kalon mes vuajtjesh e sfilitjesh në një lojë absurdi ku e fut dëshira e përditshme e fitores, edhe pse e di se në fund humbja është e sigurt.
K
KOMPLIMENT,~I m. Fjalë joshëse që meshkujt ia thonë çdo femre tjetër përveç gruas së tyre.
KOMENTUES,~I a. Pleshta që flenë në statuset e të tjerëve dhe pickojnë me batuta, me të cilat zakonisht as qesh e as kruhesh.
KREDI,~A f. Shumë parash që ta jep banka për të blerë një gomar dhe që do të vazhdosh ta paguash me interes edhe pasi gomari ka ngordhur.
KRUNDE,~T sh. Njerëz pa vlerë, që nuk vlejnë as si ushqim për pula.
L
LAJK fejsbukore. Qokë për të bërë zakonin me rastin e një fotografie a statusi, që zakonisht bëhet pasi ke parë listën e atyre që t’i kanë kthyer qokat.
LAKURIQ ndajf. Titull libri me humor që tërhoqi vetëm vëmendjen e gjetheve të fikut.
LL
LLOGARI,~A f. Hesap që del mirë kur pyet hanxhiun dhe jo të shoqen.
M
MILITANT,~I m. Njeri besnik që nuk pështyn kurrë në tasin ku ha, përkundrazi, edhe çorbën e prishur me të cilën e ushqen partia e vet, e vjell te partitë e tjera.
MENDJ/E,~A f. Aftësi nga më të çuditshmet e trurit si qendër e veprimtarisë mendore, për t’u përshtatur sipas rastit: Po e vrave, pjell, po e lëshove hergjele, kullot.
MINIST/ËR,~RI m. Anëtar kabineti qeveritar deri në momentin kur zbulohet se ka ngrënë kumbulla pas krahëve të kryeministrit.
MITING,~U m. Grumbullim, zakonisht partiak, ku ftohesh për pëllëmbët dhe jo për kokën.
N
NACIONALIST,~I m. Njeri që shpesh bën të vetin vesin e qenve, sa fillon të lehë njëri, e pasojnë në kor të tjerët.
NDERSHMËRI,~A f. Veti e njeriut që zakonisht në kohën e sotme ka shpesh si sinonim idiotësinë.
NEPOTIZËM,~I m. Shtimi i qenit tënd në listën e kandidatëve për deputetë për të mirën e partisë.
NJ
NJERI,~U m. Kafshë, që falë aftësisë për të menduar e për të folur, vazhdon të bëjë budallallëqe të pariparueshme në dëm të racës së vet.
NJERK,~U m. Burri i nënës dhe pjesëtar i familjes, që te pema gjenealogjike fshihet pas trungut.
O
OPTIMIST,~I m. Njeri që beson se nga martesa mes dy burrave me siguri njëri do mbetet shtatzënë.
P
PARLAMENT,~I m. Vend ku palaçot i mbron ligji edhe kur rrihen, shajnë, shpifin apo thonë broçkulla.
PATRONAZHIST,~I m. Fqinj që mënjanon perden e dhomës sate të gjumit për të të fituar zemrën apo për të të shpëlarë trurin.
PESIMIST,~I m. Njeri që dyshon në ekzistencën e ngjyrave të tjera veç së zezës.
PËRVOJË,~A f. Paaftësi për të kuptuar se, ndryshe nga dilema me pulën, gjelin e ka bërë veza.
PREMTIM,~I m. Fuqia me të cilën një politikan magjeps militantët për të gënjyer të gjithë popullin.
Q
QERR/E,~JA f. Mjet për të mbartur zakonisht prodhime bujqësore, por që qeveria e përdor për hallet e popullit.
QEVERITAR,~I m. Zyrtar i lartë shtetëror që edhe kur vjedh, e bën për të mirën e popullit.
R
REKLAMË,~A f. 1) Lloj parfumi për t’u kthyer luleve natyrale aromën e humbur; 2) Syze që u vihen lopëve që ferra t’u duket jonxhë; 3) Mulli me eter, por që bën lekun ujë.
RR
RRËGJIM,~I m. Tërësia e veprimeve që e dobësojnë apo tkurrin shumë diçka, jo vetëm në vëllim, por edhe në vlerë. U bë evroja sa një kërnackë, do thoshin në Korçë.
RRIP,~I m. Brez i gjatë dhe i ngushtë me tokëz që dikur shtrëngohej për të mbajtur poturet, ndërsa sot lirohet që të duken brekët.
RRITJE,~A f. Përpjesëtimi me të cilin rritet apo ngrihet diçka e pakrahasueshme me diçka tjetër. P.sh. kur deputetëve u rritet rroga, pensionistëve u ngrihet tensioni.
S
SERVIL,~I m. Njeri që po të kishte bisht, me siguri do ta tundte më mirë se qeni.
SH
SHËN VALENTIN,~I m. Dita kur dashuria kalon nga xhepi.
T
TALLJ/E~A f. Veprimi i peshkut ton që vë në lojë sardelet, sepse ngjishen nga 7-8 kokë bashkë në një kuti konserve dhe ai mburret se i vetëm arrin të mbushë 70 kuti.
TH
THAN/Ë,~A f. Bimë që rritet e lartë a si shkurre, që po të mos ishte zënë nga e ëma e Zeqos për të folur, mund të qe një foltore e përshtatshme për deputetët.
U
UTHULL,~A f. Lëng i thartë që kur është i fortë, sipas popullit, ‘prish enën e vet’, por që nuk ka asnjë lidhje me pordhën e udhëheqësit që lë popullin pa brekë.
V
VAJOS, kal. Lyej rrotën ose i bëj masazh dikujt me pushtet për një shkelje ligji të paralajmëruar.
VESH,~I m. Organ dëgjimi, me të cilin dikur ishte pajisur edhe muri, por që në kohën e sotme te shumë njerëz është i mbyllur me mur.
VETING,~U m. Fëmijë i përçudnuar, i lindur me shtatë veshë, që ia shkulin shtatë njerka dhe të gjitha kujdesen që të rritet i shëndetshëm si idiot i dobishëm.
X
XANXAR,~ mb. Cilësi e njeriut që di të hedhë vetëm vickla. Nxënës i zellshëm i mushkës.
XH
XHEPIST,~I m. Hajdut profesionist xhepash që operon kryesisht nëpër autobusë, i pazoti të vjedhë qeveritarët, pasi ata nuk i përdorin kurrë linjat urbane, por duke qenë popull edhe ai, është viktimë e vjedhjes nga qeveria.
Y
YLL,~I m. Trup qiellor që pasi shuhet, zbret në tokë, ku shërben vetëm për klasifikimin e hoteleve.
YSHTJ/E~A m. Të shtysh dikë që të shkurtojë gishtat kur e vrasin këpucët.
Z
ZAKON,~I m. Mënyrë veprimi a sjelljeje që për shqiptarin ka qenë ligj, ndërkohë që ligji kurrë nuk u bë zakon.
ZAPPING,~U m. Notim i shpejtë nëpër kanale televizive për t’u mbytur në detin e zhgënjimit.
ZOOLOGJI,~A f. Shkencë që studion mbretërinë shtazore dhe çuditërisht nuk merret me njeriun, mbretin e saj.
ZH
ZHURMË,~A f. Buja që shkakton peticioni i një grupi piktorësh për të hequr dënimin me varje për pikturat.
