Kur isha fëmijë, nuk e dija se si e kishte emrin ai. Gjyshi im e thërriste Stavros, ndërsa gjyshja edhe Stavros edhe Sami. Babai e thërriste si gjyshi, Stavros. Në ato vite isha fëmijë i ndrojtur. I tillë mbeta edhe adoleshent, kur çdo gjë më dukej sikur isha në ëndërr: edhe ndërrimstinët, lindjet dhe perëndimet e diellit, muzgjet e gjata andej ku derdhej lumi Shkumbin në det, qielli me yje, hëna që lëvizte si e hutuar, apo e përgjumur, shirat, vetëtimat, orët, që i matnim me kalimet e trenave të pasagjerëve, që kalonin pranë shtëpisë sonë.
Stavros ishte moshatar me babain tim. Ai kishte lindur në të njëjtën orë dhe datë me të dhe gjyshja thoshte që kur ju pre qumështi Anthullës, Stavros pinte gji tek unë. Ja kështu, nga njëra anë Ademi i vogël dhe nga ana tjetër Stavros. Pastaj gjyshja ja bënte me shenjë Stavros që të afrohej pranë saj. Ajo e afronte në gjoks dhe se ç’i thoshte në greqisht. Afrohesha edhe unë dhe gjyshja thoshte: “Jeni djelthit e mi. Ah Stavros! Pedhi mu”.
Stavros ishte shumë i gjatë. I ka nglarë babait të tij, thoshte gjyshja. Sitë i ka të zinj si Anthulla. Nga vetullat nglan me Mihalin. Eh, ç’burrë ishte Mihali. Anthulla ishte grua e zonja dhe nikoqire. Mbaj mend, kur isha i vogël, Stavros më bënte për të qeshur. Herë-herë më merrte nga dora dhe më çonte në bahçenë, ku kishte fiq, dardha, rrush, hurma. Në kohën kur piqeshin fiqtë, këpuste kokrrat e pjekura dhe m’i jepte një nga një.
Asnjëherë nuk e kisha dëgjuar të fliste. Lëvizte gishtat në mënyrë të çuditshme, shoqëruar edhe me të qeshura. Kishte lindur i tillë apo e folura i kishte ikur më vonë? Ai ishte shumë punëtor. Mbushte ujë në një çesëm larg shtëpisë sonë. Prashiste, gjyshja thoshte skaliste domatet, specat, trangujt, bamjet. Kur uleshim për të ngrënë, gjyshja e vinte mes saj edhe gjyshit, ndërsa nëna ime gjatë verës, trikon më të bukur për dimër e bënte për Stavros. Babai e merrte shpesh në hekurudhë, ku ai shihte se si punohej për mirëmbajtjen e traversave, shinave. Edhe xhaketat, edhe këmishat i kishin të dy një ngjyrë.
Ishte prill, kur sapo u ktheva nga shkolla, gjyshja më tha të ulesha pranë saj. Ku është Stavros, e pyeta. Në bahçe me gjyshin tënd. Po skalisin domatet. Mashalla, tha gjyshja, duke më parë me vëmendje. Po ja kalon nga boja tët eti. Kur u ula pranë saj, ajo nisi të më tregojë për Stavrosin. Eh Stavros. Jeshëm me shtëpi ballë për ballë me familjen e Stavrosit, që ishte djali i parë i Mihalit dhe Anthullës. Eh zoi! Zoi! Gjishi it dhe i Stavros ishin vëllamë me njëjatrin. Venim e vinim për dasma e kësodhe. Edhe për pashkë e bajram. Kur italanët hinë në Filat, fëmila e Stavros erdhi tek ne. Që i vogël ai më shumë rrinte te ne, sesa në fëmilën e tij. Ditën e llahtarës së ditë, në vjeshtën e 1945, Stavros erdhi me ne deri në Qafë Botë. Binte shi djalthi im, kur kapërciem matanë. Edhe Stavrua me ne. Thuaj djalit të kthehet në fëmilë të tij , i thashë gjishit tënd. Do mërzitet Mihali dhe Anthulla, se është kohë lufte. Shiu vu dhe ne ndalëm. Vumë ca si drurë në tokë e mbi to hodhëm qilimin. U futmë të gjithë atje. I bëra me shenjë gjishit tënd. Ai i tha Stavros që të dilnin jashtë. Kur gjishi hiri brenda u’ i thashë: Ku është Stavros? Jashtë, tha gjishi. Është ulur në shi dhe klan. Dil e merre djalthin, i thashë. Le të vijë me ne. Ah djalthi im. Sapo gjishi doli jashtë, ja dha një shkreptimë. U dogjmë, thashë me zë të lartë. Gjishi doli me vrap jashtë dhe kur u kthye brenda, e pashë me Stavron në duar. Brita me sa fuqi kisha: “Stavros! Stavros djalthi im! Ç’më bëre djalthi im!” Stavros ishte bërë meit në fitirë. Sitë i kishte të mbyllur. Ujë, brita, ujë dhe i hodha ujin në kokë. Pastaj e ktheva përmbis… U përmend, dëgjova gjishin tënd. U përmend! I hoqa trikon e leshtë dhe e vura djalthin tim në gjoks. Ai hapi sitë. Vetullat ja kishte djegur shkrepëtima. Edhe flokët e zinj në ballë. E putha. E putha në ballë, në faqe. Eh zoi! Zoi! Shkrepëtima i kishte marrë gluhën. Që nga ajo ditë Stavros nuk flet.
Kaluan muaj nga rrëfimi i gjyshes. Unë nisa vitin e fundit të shkollës së mesme. Shtatori nisi me shira të rrëmbyeshëm e stuhi. Ora ishte dymbëdhjetë, kur lashë çantën me libra në korridor dhe çadrën e hapur. Na kanë ardhur misafirë, tha nëna. Kanë ardhur nga larg. Eja, dëgjova zërin e ghyshit. Qëndrova si i ngrirë te dera e dhomës së pritjes, duke vështruar që andej miqtë e largët, ulur pranë gjyshit. Gjyshja u ngrit dhe më tha që t’i takoja ata.
– Ky është nipi im – tha gjyshi. – Është në skoli.
Fjalët e fundit i tha në greqisht. Të dy të ardhurit nga larg, u ngritën në këmbë. Ishin shumë të gjatë dhe me flokë të zinj.
– Janë vëllezërit e vegjël të Stavros -tha gjyshi – Leksi dhe Vangjeli.
Ata më përqafuan dhe u ulën pranë gjyshit. Leksi kërkoi t’i sillnin një çantë të madhe, që e kishte lënë në korridor. E hapi dhe që andej nxori një xhaketë të zezë, që tha se ishte për gjyshin. Pastaj një bluzë të bukur për gjyshen, një fund për nënën time dhe një jelek për babanë. Kjo është për ty, tha duke më zgjatur një pako me çokollata dhe një stilolaps.
– Poli efharisto ja to dhoro, – tha gjyshi dhe e puthi në ballë Leksin.
– Ju falënderoj, – thashë edhe unë, pastaj shtova në greqisht, – Poli efharisto. Ku është Stavros, shtova më pas.
Fjalët sikur m’i mori me forcë dikush nga gryka. Një vetëtimë me një ndriçim verbues, edhe një tjetër vetëtimë. Bubullima më pas ishte aq e fortë, saqë m’u duk se u rrëzuan muret e shtëpisë.
Astrapti! Astrapti, – thirri i trembur Vangjeli.
– Bie shi me rrëmbim, – tha gjyshja. – Vrehi mu ermi.
Eh! Pash Stavrosin, që sapo hyri në korridor ra përmbys. Gjyshja vuri duart në kokë dhe ja dha ulërimës. Ju afrova me vrap Stavrosit dhe çuditërisht ai u ngrit menjëherë në këmbë dhe m’u hodh në qafë. Pastaj vëllezërve. Gjyshit, Gjyshes. Vëllezërit qanin. Stavros u ul në mes të tyre. U ngrit në këmbë e duke qarë me dënesë nisi të flasë pa pushim. Ishin fjalë në greqisht dhe të tjera edhe në shqip. Ime poli eftihis pus sas vlepo! Ime poli eftihis! Jam shumë i lumtur që ju shoh! Jam shumë i lumtur.
I erdhi gluha Stavros. I erdhi gluha djalthit tim, thoshte gjyshja. Shkreptima ja mori gluhën dhe shkreptima ja solli.
Shtator 2026.



