Kreu Çmime Intervista telefonike me fituesin e çmimit Nobel, László Krasznahorkai, Tetor 2025

Intervista telefonike me fituesin e çmimit Nobel, László Krasznahorkai, Tetor 2025

“Jam shumë krenar që i bashkohem radhës së disa shkrimtarëve dhe poetëve vërtet të mëdhenj.” Në këtë intervistë, laureati i ri i letërsisë, László Krasznahorkai, ndan lumturinë e tij për Çmimin Nobel, i cili erdhi si një surprizë. Krasznahorkai flet se si hidhërimi është një shtysë e rëndësishme për të, dhe gjithashtu thekson rëndësinë e përdorimit të fantazisë. “Pa fantazi, jeta është absolutisht ndryshe. Të lexuarit e librave na jep më shumë fuqi për t’u mbijetuar këtyre kohërave shumë të vështira në Tokë.”

Transkripti:

Jenny Rydén: Alo?

László Krasznahorkai: Po.

JR: Jam Jenny Rydén nga Çmimi Nobel.

LK: Përshëndetje. Po.

JR: A jeni ju László Krasznahorkai?

LK: Po, unë jam.

JR: Së pari, urime për Çmimin tuaj Nobel në Letërsi.

LK: Faleminderit shumë. Shumë faleminderit.

JR: Si po ndiheni në këto momente?

LK: Kjo është më shumë se një katastrofë. Më vjen ndërmend tani reagimi i Samuel Beckett pas Çmimit Nobel, a ju kujtohet në atë të ashtuquajturin raport? Asnjë pyetje, asnjë përgjigje. A ju kujtohet fjalia: “Çfarë katastrofe.” Kjo ishte fjalia e tij e parë pasi mori vesh se kishte fituar Çmimin Nobel, “Çfarë katastrofe.” Prandaj ju thashë në fillim se kjo është më shumë se një katastrofë, është lumturi dhe krenari. Jam shumë i lumtur dhe shumë krenar, sepse të jesh në radhën që përmban kaq shumë shkrimtarë dhe poetë vërtet të mëdhenj më jep fuqi të përdor gjuhën time amtare, gjuhën hungareze. Jam vërtet shumë krenar dhe shumë i lumtur që përdor këtë gjuhë të vogël. Falënderoj, para së gjithash, lexuesit. U uroj të gjithëve të rikthejnë aftësinë për të përdorur fantazinë e tyre, sepse pa fantazi jeta është absolutisht ndryshe. Të lexosh libra, të kënaqesh dhe të pasurohesh, sepse leximi na jep më shumë fuqi për t’i mbijetuar kësaj kohe shumë, shumë të vështirë në Tokë.

JR: Vërtet. A mund të na e përshkruani pak skenën? Ku ndodheni tani dhe si ishte kur morët vesh për çmimin?

LK: Ndodhem në banesën e një miku tim i cili është i sëmurë, dhe e vizitova atë në Frankfurt am Main. Nuk mund ta besoj se jam fitues i Çmimit Nobel, por jam vërtet i lumtur.

JR: Pra, nuk e prisnit aspak?

LK: Jam absolutisht i befasuar. Nuk e kisha llogaritur.

JR: A mund të na tregoni burimet tuaja më të mëdha të frymëzimit?

LK: Pikëllimi. Jam shumë i trishtuar kur mendoj për gjendjen e botës sot. Ky është frymëzimi im më i thellë. Ky mund të jetë gjithashtu një frymëzim për brezin e ardhshëm ose brezat e ardhshëm në letërsi. Frymëzim për t’i dhënë diçka brezit të ardhshëm, për t’i mbijetuar disi kësaj kohe, sepse këto janë kohë shumë, shumë të errëta dhe na duhet shumë më tepër fuqi brenda nesh për t’i mbijetuar kësaj kohe sesa më parë.

JR: Pra, sa shumë do të thotë të shkruarit për ju për të mbijetuar në këto kohë të errëta, siç thoni ju?

LK: Në fakt, të shkruarit është diçka private për mua. Normalisht, unë kurrë nuk flas për atë që shkruaj dhe kurrë nuk ua tregoj miqve të tjerë të mrekullueshëm shkrimtarë dhe poetë. Unë shkruaj një libër dhe pas kësaj, ia jap botuesve të mi dhe më duhet pak kohë më pas. Dhe pastaj vjen një ditë kur filloj, dhe atëherë filloj sërish me një libër të ri për ta bërë më të mirë se atë që kam bërë më parë.

JR: E kuptoj që ju keni disa vende ku jetoni. Jo vetëm një, a është e saktë?

LK: Është e saktë. Unë jetoj në Hungari, pranë Budapestit, në majë të një kodre. Dhe jetoj në Trieste dhe ndonjëherë në Vjenë, në fakt, në monarkinë e vjetër austro-hungareze.

JR: Si do ta festoni?

LK: Do të shkoj në një të ashtuquajtur, në gjermanisht, Anmeldeamt (Zyra e Regjistrimit). Kam ndryshuar vendbanimin tim, vendbanimin tim të dytë, dhe do të shkoj te një administrator, për të deklaruar adresën time të re, adresën postare në Gjermani.

JR: Ky ishte plani juaj për sot dhe këtë do të bëni tani?

LK: Nuk e kisha llogaritur këtë lajm fantastik, dhe prandaj nuk mund të bëj ndryshime. Ndoshta në mbrëmje do të hamë një darkë me miqtë e mi këtu në Frankfurt me verë Porto dhe shampanjë.

JR: Kjo tingëllon bukur. Epo, faleminderit shumë. Ishte një kënaqësi e madhe të flisja me ju.

LK: Faleminderit shumë. Jeni shumë e sjellshme.

JR: Faleminderit. Dhe urime sërish.

LK: Faleminderit sërish. Shumë faleminderit.

Përktheu: Bujar Hudhri

Exit mobile version