Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ilir Yzeiri: “Mossanga” – një rrëfim mbi Vlorën, Shqipërinë dhe absurdin trishtues...

Ilir Yzeiri: “Mossanga” – një rrëfim mbi Vlorën, Shqipërinë dhe absurdin trishtues që lamë pas

Romani « Mossanga » i Fate Velajt ka një kopertinë të errët. Një palë sy që të vështrojnë drejt  prej një ambienti që nuk merret vesh nëse është një nga ato arealet ku vendosim atë që shohim në ëndërr apo një qeli. Apo është thjesht një vend diku në ajër. Tek e vështron, merr një nga ato lloj ndjesish që përftohen kur je para një pikture apo fotografie dhe të është krijuar ndjesia se je përballë një portreti që të ndjek me sy, me një palë sy të thellë e të trishtuar. Tani ti duhet të kujtohesh se autori i këtij romani është një piktor, që po ashtu është dhe një fotograf dhe duke i ditur këto koordinata, duhet të përgatitesh se leximi i librit do të jetë në tre regjistra: në atë të ngjyrave, të filmit si dhe tekstit. Pra, do të të duhet të shfletosh një roman që është ndërtuar mbi parimin e tablosë së madhe ku piktori kujdeset të vendosë me saktësi çdo detaj, çdo personazh dhe çdo ngjarje në një hapësirë që organizohet mbi parimin e trishtimit absurd. Këtë ndjesi të trefishtë të jep « Mossanga » – romani i ri i Fate Velajt.

Fabula është e thjeshtë, e njohur dhe vërtitet mbi fatin e të huajve që vinin në Shqipëri në kohën e socializmit si miq të revolucionit, si shokë armësh të udhëheqësve apo si bashkëluftëtarë të çështjes së madhe të socializmit botëror. Në Vlorë, në këtë atmosferë, erdhën edhe nëntë fëmijë kongolezë : gjashtë djem e tri vajza, fëmijët e udhëheqësve të revolucionit apo kryengritjes së dështuar që drejtohej nga Patrice Lumumba. Autori ndjek fatin e këtyre fëmijëve nga ardhja e tyre, diku nga mesi i viteve ’60 deri në vitet ’90. Është shumë e lehtë sot të mendosh se një periudhë, e cila është rrëfyer nga të gjitha anët dhe është anatemuar apo rrëfyer me të gjitha notat e errëta apo gri, mund të paraqitet me lehtësi në një vepër arti.

Nuk është ashtu.

Fate Velaj ka meritën e madhe se e ka rrëfyer atë periudhë duke mos u nisur nga asnjë parim ideologjik i dukshëm. Ai ka zgjedhur parimin epik të rrëfimit dhe përzierjen e fakteve apo ngjarjeve reale me ato të krijuara nga imagjinata, me emra realë personazhesh dhe të trilluar si formë të organizimit të veprës. Edhe shkrimtarë të tjerë që janë marrë me këtë temë si Vera Bekteshi me « Vila me dy porta » apo  Mustafa Nano me « Hinderlandin e kuq », kanë treguar anë të veçanta apo e kanë rikrijuar atë kohë përmes përshkrimit të fatit të tyre personal.

Fate Velaj është i pari që rikrijon gjithë atë kohë që në vetëdijen tonë e kemi të shenjuar si një realitet bardh e zi, si një kohë të errët, por edhe si arealin ku lindën e vdiqën ëndrrat, dëshirat pasionet, si një periudhë ku trishtimi që vinte nga izolimi dhe mungesa e lirisë shndërrohej në një absurd dhe ne që e kemi jetuar atë kohë, na i rishfaq veten tonë si karikatura apo si hije të zbehta që vërtiteshim nga dora e një fati të paracaktuar. Pikërisht këtë magji të zezë ka zbuluar edhe Fate Velaj duke treguar fatin e nëntë fëmijëve kongolezë që vijnë një ditë në qytetin e Vlorës dhe vendosen ta kalojnë jetën aty.

Vlora nuk është vetëm një qytet i bukur. Jeta e banorëve të tij nuk lëviz sipas impulseve të brendshme, por nga konspiracioni dhe intriga që zhvillohet në hapësirat e burokracisë së qytetit. Dhe këtu Fate Velaj me stilin e tij, shndërohet në një Frantz Kafka sepse ai, me ftohtësinë e një mjeshtri, riprodhon aktet e burokracisë komuniste duke nisur sidomos nga  mbledhjet dhe takimet në Komitetitn e Partisë apo në Komitetin Ekzekutiv të qytetit. Edhe ardhja e fëmijëve kongolezë paraprihet nga konsipracioni, nga e panjohura dhe ankthi që u rri varur mbi kokë banorëve të qytetit. Nga lëvizjet e shpeshta e « Gazit 69-sh » të degës së punëve të brendshme, të kryetarit dhe hetuesit mbasditeve në shëtitjen e madhe. Të gjithë presin me ankth se mos do ketë arrestime, sepse shenjat po shfaqeshin në  frymëmarrjen e jetës së qytetit. Hija e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme që zhvendoset nga një komitet në tjetrin. Më në fund enigma zgjidhet, tensioni shuhet. Qyteti duhet të përgatitet se aty do të vijnë nëntë fëmijë kongolezë që janë bij të luftëtarëve të revolucionit. Një qytet i mbyllur dhe i kontrolluar deri në detaje nga regjimi, i riprodhuar në figura luftëtarësh, partizanësh e komunistësh që drejtojnë jetën e re, ka ruajtur megjithatë edhe ndjenjën e mirësisë shqiptare. Autori ka meritën e madhe se tregon me një natyralizëm prekës pranimin e tjetrit që është i ndryshëm nga raca e nga ngjyra e lëkurës. Fytyra e zezë e dhëmbët e bardhë nuk krijiojnë asnjë ndjenjë ofensive të nënat vlonjate që i shohin ata si bijtë e tyre. Dhe këtu paraqitja e marrëdhënies së Joseph Mossgangës me familjen e Petritit dhe transferimi i modelit të nënës te nëna e Petritit, mbështeten mbi një tipar real të shqiptarëve që është toleranca raciale dhe fetare. Ardhja e fëmijëve nga Kongo nxjerr në reliev gjithë strukturën sociale të çuditshme të këtij qyteti. Aty është edhe Tol Francezi, i cili jeton në një delir të pakuptueshëm e më shumë e kalon kohë në spitalin e të çmendurve, pasi, herë pas here, e mbyllin brenda mureve të çmendinës kur dëgjohet kënga e tij franceze e me zë të lartë duke bërë thirrje për revolucion. Është edhe gjermania Elke Schmidt, që një ditë gjendet e mbytyr në det, e shkalluar dhe ajo nga mendja e kokës tek ndjente përndjekjet që i bënte dega e punëve të brendshme. Po ashtu, Signora Lina, italiania e bukur që burri ju vra në Mauthausen dhe regjimi nuk e linte të kthehej te familja në Romë apo Rruga e Çifutëve që jetonte me frikë. Qyteti është një teatër ku parakalojnë kohët dhe personazhet që vijnë nga ajo që quhej përmbysja e madhe dhe ata që ecin sikur ngulin bomba. I ndarë si me thikë mes triumfatorëve dhe të tjerëve që vinin nga përfaqësuesit e atyre shtresave që komunistët i kishin shpallur kundërshtarë, qyteti ka edhe zona gri. Dhe Fate Velaj, me një mjeshtëri të spikatur rrëfen pikërisht këtë realitet, pra vizaton ngjyrën gri të marrëdhënieve dhe ato zona ku qyteti përbashkon veten e tij me tjetrin e ndryshëm. Si simbol i kësaj tabloje është portreti i mësuesit të frëngjishtes Nestor Nepravishta, pinjoll i një familjeje të deklasuar, nipi i ish Kryetarit të Bashkisë. Shëtitja e tij me biçikletën Mifa, flokët që i merr era dhe nuk u kuptohej drejtimi, mbartin me vete ankthin e tij të transferimit fshatrave të thella apo të arrestimit të mundshëm. Është pikërisht ky personazh që bëhet simbol i brishtësisë së qytetit nëpër zonat e tij gri. Fati i fëmijëve që lëvizin nga një konvikt në tjetrin dhe përpjekja e shtetit totalitar që të realizojë edhe me ta modelin e njeriut të ri, janë faqet më të bukura në roman. Mjafton një këngë tradicionale e tyre, Baluba Baluba që hija e errët e qytetit, e cila kontrollohet nga lëvizjet e shpeshta të gazit të degës së punëve të brendshme, të pllakoste edhe mbi fatin e një shkolle periferike ku mësonin fëmijët kongolezë. Ai ritëm muzikor dhe ngjyrat e ndezura të veshjeve të tyre, binin në kontrast me vjeshtën e thatë që po injektonte në qytet kinezi Xhen Zi që shpërndante stemat e kuqe të udhëheqësit Mao duke rikrijuar kështu kohën kur Shqipëria po zhytej si pa u ndier në atmsoferën e revolucionit kulturor kinez.

Fate Velaj është një epik i përsosur dhe personazhet e tij apo fatin e njërit prej tyre sidomos, Josef Mossangës e rrëfen duke e përqasur me zhvillimet kryesore politike në vend. Mossanga dhe fati i tij bëhen kështu një lloj teksti ku ti mund të lexosh historinë e Shqipërisë totalitare dhe Vlora bëhet një metonimi e kësaj tabloje. Kështu, vitet ’70 që shënjohen nga një lloj shtendosjeje politike tregohen në roman me anë të impaktit që pati edhe te të rinjtë që mblidheshin rreth Mossangës. Ai ka një zë të bukur, madje, ka mësuar edhe kitarën. Këndon si Celentano apo Ray Charles pa e ditur se në Vlorë, ashtu si në dhe në qytete të tjera ku jeta e dyfishtë ishte bërë një normë e pashkruar, kishin nisur të mburren se tashmë qyteti, ka këngëtarin e vet amerikan. Mirëpo pranvera të tilla zgjasin pak sepse dimri nuk ka dalë akoma, ajo grija si në të zezë që gjendet në kopertinën e librit, derdhet edhe nëpër brendësitë kapitujve. Regjimi është i ashpër dhe ka nën kontroll gjithçka. Hetuesat, sigurimsat kontrollojnë edhe ekzekutivin. Grupi i të rinjve të shkollës mjekësore që këndonin ndonjë këngë italiane në një takim të improvizuar në një lokal në « Plazhin e Kingave », arrestohen brutalisht, burgosen e përgjaken birucave në një kohë që fati i vajzës nga Pogradeci, bëhet një metaforë e tragjizmit të heshtur të asaj kohe. Fate Velaj ka dhënë me mjeshtëri edhe semantikën e arkitekturës së dyfishtë që ishte bërë e rëndomtë në atë kohë. Nëse emërtimet zyrtare realizoheshin duke transformuar emrat e rrugëve apo të vendeve në emra partizanësh apo përvjetorë luftërash, qyteti kishte një mekanizëm tjetër dhe identifikohej me atë prirjen e heshtur që kishin vlonjatët, por edhe kryeqyetasit, shkodranët e të tjerë me Perëndimin. Emërtime si « Kali i Trojës », « Plazhi i Kingave » apo Lulishtja « Tri racat » dëshmojnë për këtë. Fati i Mossangës dhe të tjerëve zhvendoset në Tiranë dhe rrëfimi tani e lë Vlorën e objektivi i aparatit fotografik të autorit vendoset në kryeqytet.

Jemi në vitet ’80. Sistemi ka filluar të lëkundet nga krimet brenda vetvetes. Djemtë dhe vajzat nga Kongo kanë ardhur me studime në Tiranë. Njëri për inxhinieri dhe të tjerët për mjekësi, vijojnë të tërheqin vëmendjen deri kur edhe ata provojnë mbi vete sjelljen e ashpër të shtetit totalitar dhe burgun. Tërheq vëmendjen figura e pikturuar, e fotografuar dhe detajuar me fjalë  e Bahri Ballorit që spiunon kongolezët. Ai është « monumenti » i së keqes, i trishtimit, i degradimit të njeriut të ri, rritur e brumosur sipas fjalimeve nëpër kongreset e Partisë së Punës. Romani është i mbushur me ngjarje dhe me detaje kulturore që të habisin. Fate Velaj përdor me lehtësi të madhe për karakterizimin e personazheve të tij disa gjuhë të huaja, por edhe disa njohuri historike që e bëjnë romanin vërtet si një enciklopedi epike e që të kujton me këtë rast Tolstoin e madh dhe vizatimet e tij të Moskës së asaj kohe dhe përdorimin e frëngjishtes për të karakterizuar personazhet. Paraqitja ziliqare dhe aluçinante e Enver Hoxhës karshi Titos dhe pamundësisia e tij për të qenë ai, janë unike sepse nuk janë trajtuar në asnjë libër apo dokumentar. Atmosfera në Tiranë pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, vendosur midis një figure reale si Ismail Kadare apo ireale si Skënder Derveni, profesori i mjekësisë, janë magjike.  Personeli i ambasadave dhe mbrëmjet në tavenën e Hotel Dajtit tregojnë për herë të parë Tiranën e dyzuar mes një oazi perëndimor dhe vjeshtës së thatë që ishte jashtë e që siç thotë autori, dhe portokallet kishin frikë të zverdheshin. Kulmi i romanit shënjohet me dashurinë e Mossangës me Jasminën. Aty janë ndërthurur të gjitha topikat e romanit. Nëse vlonjatët e thjeshtë dhe shqiptarët në tërësi janë liberalë dhe të hapur, mentaliteti që ndërtohet nga aparati politik i dhunës, prodhon subversion e racizëm. Për ta, dashuria e një djali me ngjyrë me një vajzë shqiptare të bardhë është krim. Është tradhti ndaj atdheut. Nëse më parë kongolezët dhe Mossanga ishte djali i mikut të kauzës së mëparëshme internacionale, tani ai është i huaji, i ndryshmi nga ne dhe përfaqëson perëndimin, armikun tonë. Vendosja që i ka bërë Fate Velaj kësaj historie në familjen e një hierarku të lartë të ushtrisë, fill pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, të kujton Shekspirin dhe tragjedinë e Romeos me Zhuljetën, në të cilën efekti tragjik bëhet më i thellë kur ai lind nga dëshira për të lidhur në afshin e pasionit dy të rinj të dy kampeve që kërkojnë vdekjen e njëri-tjetrit. Babai i Jasminës – Shefi i Shtabit të Ushtrisë çmendet e vret veten nga përndjekja që organizata e partisë i bënë në çdo mbledhje për ta paraqitur lidhjen e dashurisë të së bijës me një kongolez, të ngjashme me lidhjen e djalit të Mehmet Shehut me mbesën e një armiku të betuar të partisë dhe të popullit. Pas vetëvrasjes së të atit, Jasmina detyrohet të dështojë fëmijën e ngjizur nga dashuria me Joseph-in. I ndërthurur mes këtyre ngjarjeve, romani i afrohet vitit 1990 kur shqiptarët mësyjnë ambasadave dhe ata ikin në Belgjikë. Vetëm tani ti kujtohesh se romani ka nisur me një detaj të thjeshtë dhe vetëm njëherë autori e ka shfaqur alter-egon e tij. Në një fundjavë, pas një udhëtimi të bukur në një zonë të Austrisë, diku buzë Danubit, një dhimbje dhëmballe e padurueshme iu shfaq autorit. Duke kërkuar ndonjë tabelë me emrin e ndonjë mjeku, lexon, « Zahnarzt Dr. Charles Man-Eng » Hyn brenda dhe mjeku është një njeri me ngjyrë.

Tek i lexon emrin, mjeku e pyet për prejardhjen,

« Nga Shqipëria » i përgjigjet ai.

« Pra, flsini shqip » vijon mjeku dhe pas kësaj, zbulohet që dentisti ishte një nga fëmijët kongolezë që kishin ardhur në Vlorë. Tek shihte llambën mbi aparatin e dentistit, nëpër sy, iu rikthye koha kur Charles shëtiste nëpër bulevardin Vlorës-Skelë me atë kostumin me vija dhe ecjen e tij si të zebrës. Kështu nis romani…

Exit mobile version