Kreu Letërsi Shënime mbi libra Fatbardh Amursi: Letra që rrëzon alibinë e një disidence të stimuluar

Fatbardh Amursi: Letra që rrëzon alibinë e një disidence të stimuluar

Kasëm Trebeshina ka nevojë për të patur marrëdhënie normale me lexuesin, larg demonëve që ia bënë jetën skëterrë.

Këto ditë në media është botuar një letër e Kasëm Trebeshinës dërguar ish kryministrit komunist të kohës Mehmet Shehu, e cila, për habi nuk përmendet as në librin monografik “Trebeshina një jetë para gjyqit” të Nuri Dragojt, si një botim serjoz, ndoshta më i ploti dhe më dashamirësi ndaj shkrimtarit, që bubulliu në diktaturë, por u goditur nga rrufeja vdekjeprurëse, sikundër ndaj një ushtaraku tjetër,Trifon Xhagjika. Letra merr rendësi, si për kohën kur është shkruar, kujto masakrën ndaj liberalëve dhe njeriut të cilin ai ka zgjedhur t`i drejtohet, kryeministrit Shehu, i cili u kishte dhënë ultimatum shkrimtarëve dhe artistëve, që heroin pozitiv ta pasqyronin pa të meta, kur atij pas vetëvrasjes s`do i linin gjë pa thënë. (Fiqerete Shehu dhe nëna e Kasëmit ishin vajza xhaxhallarësh, ndërsa Zydija, e shoqja e tij vajza e motrës së Bilbil Klosit, nga dhe rrjedh Ardian Klosi, i njohur si vazhdues i pakënaqësisë së Trebeshinës ndaj Kadaresë. I vëllai, Zylyftari qendroi në pozita të larta në nomenklaturën e kuqe.)

Kush ka lexuar librin e Nuri Dragojt, nuk mund të mos i kenë bërë përshtypje raportet e Kasëm Trebeshinës, i njohur si “qeveri më vete” me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun dhe me kolegët e tij shkrimtarë, sikurse do i përmend shpejt e shpejt, si freskim të kujtesës, jo pa qëllim, ngaqë janë me efekte prapavepruese. Mehmet Shehu e fton në zyra ku kish dhe herarkë të tjerë dhe në prani të tyre i thotë: “Vendi yt është këtu midis nesh. Ty të kanë zhveshur kot në kohën e Koçi Xoxes. Unë mendoj të vishesh prapë ushtarak. Të premtoj se do të krijoj kushte të zhvillohesh edhe si talent.” Si shenjë rehabilitimi i afron gradën e majorit. Por, ai gradat i preferonte në letërsi. “Unë jam poet dhe nuk bëj për ushtarak.” Enver Hoxha, në një vizitë tek i vëllai i Kasëmit, që nuk u i shkeli në shtëpi sa ishte gjallë, i drejtohet hallës së Kasëmit: “Më duket se je zemëruar për nipin tënd, për Kasëmin, por do ta lirojmë. Mbase është nxituar në të folur, pasi nuk besoj të ketë gjë me Partinë…Edhe ai ka qenë luftëtar.” (Nëse Kasëmi do ishte autor i Promemories, ky gjest i Enver Hoxhës, duhet të shënonte një kulm të tolerancës së një tirani.) “Në një bisedë me Dhimitër Shuteriqin në Aeroportin e Rinasit, Enver Hoxha është shprehur se “Kasëm Trebeshina është njeriu më i talentuar që kemi sot.”-i thotë Kasëmi autorit të monografisë, Nuri Dragojt. Për botimin e një librit të tij ka udhëzim nga lart. “Interesohet vetë shoqja Nexhmije Hoxha”, i thonë. Përplasjen më të madhe e ka me byroistin Manush Myftiun, i caktuar për dënim-internimet:

Manush Myftiu: “Tani për tani nuk do të botojmë, por pas 20-30 vitesh.”

Kasëmi-A duhen veprat e mia të realizmit socialist, apo t`i djeg?

Manush Myftiu-Mund t`i djegësh kur të dojë qejfi.” Veprat, që Trebeshina i quan “të realizmit socialist”, po digjeshin për shkak të autorit, i cili donte të dilte e vetja në çdo gjë.

Përkundër Kadaresë, raportet me Driteron dallohen për një vlerësim të ndërsjelltë. “E kam vlerësuar Driteroin si shkrimtarin më të mirë të realizmit socialist.” Domethënë, mund të jesh shkrimtar i mirë dhe me realizëm socialist?! Nuk i paska fajet metoda, por autori, nëse s`ia del dot. “Ai e kishte pritur mirë time shoqe, Zydien, që kërkonte një dokument për vjetërsinë time në punë dhe u kishte bërtitur zyrtarëve burokrat që nuk e jepnin shkresën dhe kishte urdhëruar të lëshohej me porosi të tij. Kjo tregon një karakter të fortë të këtij burri.” Driteroi nga ana e tij shprehet: “Me Kasëmin jam takuar vetëm njëherë…Është nga të paktët njerëz, që i ka thënë gjërat ashtu siç i ka menduar. Është shkrimtar i mirë dhe shumë shkrime i kanë mbetur pa botuar. Kasëmi e thoshte me trimëri çdo gjë.” I mirë njëri dhe i mirë tjetëri.

Driteroi, sikurse shkruhet në librin e Nuri Dragojt, i kish kërkuar një takim Kasëmit pikërisht në atë vit, kur ai i shkruan letrën kryeministrit Shehu, por Kasëmi e refuzon takimin. Ndërkohë poeti dhe përkthyesi Jorgo Bllaci, i persekutuar, dëshmon në hetuesi: “Kur u dënua Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja në Plenimun IV, Kasëmi tha se priste një kthesë. “Përderisa nuk hiqet dorë nga Ismail Kadareja, nuk ka për t`u hedhur asnjë hap serjoz në drejtim të letërsisë.” Ndërsa Nuri Dragoj nga goja e Trebeshinës, dëshmon: “Llazar Siliqi erdhi bashkë me Ismail Kadarenë. Nuk mund të kisha asnjë lloji dyshimi pse ata erdhën së bashku. Me Ismailin kisha marrëdhënie shumë të mira shoqërore dhe ishte një e drejta e tij e ligjshme të dilte dhe kundër librit tim…Ismaili rrinte pranë Llazarit dhe nuk dinte si ta ngushëllonte.” Referuar rastit, kur dikutohej në Lidhje një dorëshkrim i Kasëmit, në vitin 1953. I bie që, Kadare, të ketë qenë 17 vjeç, një adolishent, gjimnazist?! Kaq i rëndësishëm në mesin e burrave?! I pyetur në sallën e Akademisë së Arteve për raportet me Kadarenë, ai shprehet: “Enver Hoxha kujton se e shkruan ai historinë, dhe po ta shkruajë ai, ka vdekur ajo për më tej. Nuk e di ai që ka të tjerë që e shkruajnë historinë. Dhe kështu shpërndante bileta gratis për në Panteonin shqiptar. Dhe njerëzit vraponin pas tij për ato bileta të Panteonit, që të hynin aty gratis… Pseudointelektualët duhet të menjanohen dhe të hidhen në anë të rrugës që të mos na pengojnë!” Kjo duhet shënuar, si thirrja e parë publike për rrëzimin e Kadaresë, pas shtatores së Enver Hoxhës dhe, ndër të parët, që iu përgjigj “thirrjes së gjakut” ishte Ardian Klosi në një shkrim denigrues ndaj Ismail Kadaresë i botuar në librin “Refleksione”. “Duket se aty, në Paris, ishte lidhur ai gomari që më vonë do të bënte bajga të pafurmuara.”, do aludojë Kasëmi për Kadarenë, pas një takimi me Zihni Sakon, i cili i kishte folur për hapje ndaj letërsisë franceze.

I gjithë ky parashtrim na ndihmon, për të kuptuar edhe më shumë midis rreshtave në letrën drejtuar kryeministrit komunist, nisur me një ankesë personale. (Pas `90-tës po ndodhte ajo që Kadare e kishte përshkruar shumë vite më para në novelën e tij “Fundi i perëndive të stepës”, me “vjelljen e subjekteve”, që mund ta ilustronim dhe me një pasazh nga romani “Manastiri i Parmës” i Stendalit: “Vetë ata rojtarë dhe mbikqyrës të burgjeve që gjatë revolucionit ishin revolucionarët më të ndezur, nuk lodhen kurrë të pohojnë në kohën e Luigjit XVIII se sa e kanë adhuruar fshehtazi mbretëreshën e tyre të mëshirshme e të virtytshme.” Madje dhe të tillë, sikurse i përshkruan dhe Kasëm Trebeshina: “Gjysma e ushqimit të burgosurëve vidhej nga komanda e burgut për të ushqyer spiunët e burgjeve…Nuk e çaj kokën për ata të burgosur që jepnin në burg shfaqje për të argëtuar komunistët.” Ka prej tyre, që fshihen pas “disidencës” se imptovizuar, si ushtari pas takut, si e si të sulmojnë të tjerët, pasi kanë ndryshuar llogoret.

Në vitin 1975, nisur nga një hall personal, i largimit si përkthyes dhe i punësuar si redaktor teknik në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, ngaqë vetja i qe dukur si bedel i Petro Zhejit, Kasëmi e kundërshton qarkullimin, ku i nxehur do i thotë shefes së redaksisë: po qe për qarkullim i pari që duhet të qarkullojë është vetë Enver Hoxha që ka vite që s`e lëshon kolltukun dhe, më pas i dërgon një letër kryeministrit të kohës, Mehmet Shehu, krejt zhgënjyese ndaj imazhit të një disidenti të pretenduar. (Në të njëjtën kohë Kadare dërgohet për riedukim në fshat për “Pashallarët e kuq”.) Kjo letër duhej të shkaktonte bujë në mjedisin letrar, por gjithkush merret me idile facebooku. Pavarësisht se Kasëm Trebeshina i rrëfehet kryeministrit komunist, letra ka aq shumë sinqeritet, e hap zemrën para partisë, aq sa ty të duket sikur shkrimtari po rrëfehet në dhomën e fshehtë të At Zef Pllumit, të cilit i ka thënë, sikurse ai e rrëfen në librin e tij: “Enver Hoxha bëri Kadarenë dhe Kadareja bëri Enver Hoxhën.”

Trebeshina nis e rrëfehet: “Më 1953 kam dërguar në udhëheqje një relacion më dhjetëra faqe ku analizoja shumë çështje të letërsisë dhe të shoqërisë. Duke qenë se kanë kaluar njëzet e dy vjetë dhe rasti po më paraqitet, po i kujtoj edhe njëherë disa nga gjërat parimore që shtroja.”-Pra, rasti ia solli në shteg, të shkarkojë batarenë e pakënaqësive ndaj Kadaresë tek kryeministri, i cili e ndaloi të birin të takohej me shkrimtarin i dyshuar si “agjent i Perëndimit”. Ishte mbushur dhe afati prej 20 vitesh për ndalim botimit, sikurse iu deklarua byroisti Manush Myftiu. I lë hallet personale dhe fokusohet tek çështjet parimore, konform gjuhës partiake. Por, kush ishin shkelësit e parimeve? Anakronikave të mundur të viteve `60-të, me gjasa, u erdhi koha për revansh. Duke besuar se partia me dërmën që u dha liberalëve, kishte ndryshuar kurs dhe ishte rasti i volitshëm për të pakënaqurin Trebeshina, të lante hesapet me Ismail Kadarenë, se Driteroi bëhet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ndërsa Fatos Arapi ishte në “gjendje lufte” me Ismailin. Në letër, si “plangprishës” figuron vetëm emri i Ismail Kadaresë. Ja dhe rënditja e problematikave që ai parashtron në sinkron me vijën e partisë kundër ndikimeve të huaja dhe izmaxhinjëve, ku më pas do shpallej si shprehësi i surealizmit.

 1. “Në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve në atë kohë (vitet `60) erdhi Dh. S. Shuteriqi. Rruga nëpër të cilën erdhi dihet, por unë po e kujtoj: në komplot më Mark Ndojën dhe Gjovalin Lukën minuan Shefqet Musarain dhe i zunë vendin.” Në kohën kur partia godiste grupet armiqësore, Trebeshina po denoncon një komplot në Lidhjen e Shkrimtarëve?! Viktimë e këtij puçi autori i “Epopesë së Ballit Kombëtar”, Shefqet Musaraj, shkrimtar tipik i realizmit socialist. “Dh. S. Shuteriqi u kishte premtuar shokëve të tij se, kur të vinte në fuqi, do të shtronte çështjen e Fishtës. Kam dëgjuar më veshët e mi kur Mark Ndoja i thoshte “tradhtar” dhe ika nga zyra se nuk doja t’i dëgjoja.” (S`e paska dashur Fishtën as Kasëmi?!) Ti vetvetiu pyet: a po i shet shokët tek kryeministri si fishtianë? A po kontribon në zbulimin e armiqëve të vërtetë, duke kërkur rehabilitimin e vetes si shkrimtar i një tipi me Shefqet Musaranë? I bindur se për shkrimtarin Kadare kishte rënë ora e ligë, Plenumi IV kishte bërë gjëmën në radhët e liberalëve, nga pozita e një arkaiku të nëpërkëmbur, Trebeshina, kërkon rishikimin, revizionimin e viteve 60, kur të rinjtë me mbështetjen e Enver Hoxhës marrin hov. Ka kujtuar se udhëheqësi më në fund po i thërriste mendjes dhe kish rast të njihte “ushtarët e vjetër” të revolucionit, ku Kasemi fuste veten. Për të shkuar tek Sekretari i Parë, duhej të merrte më parë mbështetjen e kryeministrit, që, me sa duket ia dinte mendjen.

2. “Në vitin 1960 në Lidhjen e Shkrimtarëve u krijua një atmosferë e ndyrë duke u ndarë në të rinj dhe të vjetër. Miqve më të afërt ua thashë hapur se kjo nuk ishte e drejtë. Në emër të një modernizmi prej “snobësh” vogëlushët tanë të modernizmit po sulmonin traditën e letërsisë shqipe. Në emër të modernizmit edhe sot e kësaj dite, në bisedat intime, vogëlushët e modernizmit e quajnë “arkaike” çdo gjë të shëndoshë të letërsisë shqipe më frymë të shëndoshë popullore. Çdo gjë e shkruar mirë për ta është konservatore.” Skema është e qartë, liberalët, “vogëlushët e modernizmit” quajnë arkaike, konservatore, letërsinë e shëndetshme me frymë popullore e mbështetur kjo në traditë dhe folklor, sipas parimeve të metodës së realizmit socialist. Duke qenë në dijeni të rasteve intime të “snobëve”, mos po vetë-afrohet për shërbime ekstra?! Ti pret emrat e grupazhit “të vogëlueshëve të modernismit”, por na del vetëm një, armiku i gjithë jetës së tij: Ismail Kadare. “Dhe pikërisht në vitin 1961 kemi manifestin e shkollës moderniste (Manifestin e dytë, se të parin e kishte bërë që në vitet tridhjetë Dh. S. Shuteriqi në librin “Kangë”), tani “Shekulli im” i I. Kadaresë.” I bie të jetë një manifest me vargje dhe ky i dyti i shpalosur në vëllimin me poezi “Shekulli im” të Kadaresë. Manifesti i Shuteriqit i viteve 30 s`kish të bënte me realizmin socialist, kështu që dhe ky i Kadaresë, si vazhdim i të parit, i bie të jetë allafrenga. Shkrimtari që pranoi në fund të jetës shtetësinë turke, dihet dhe “pakënaqësia islamike” ndaj Kadaresë, si arkaik e konservator e godet poshtë brezit nga pozita allaturka. Dhe kjo akuzë bëhet, kur në Shqipëri valonte huri kundër “izmave të huaja”. Po tek tradita kë fuste dhe në çfarë metode ata shkruanin? A e nderon kjo betejë në emër të parimeve të realizmit socialist një disident?

Nga pozita e njeriut që i kanë rrëmbyer trofenë, Trebeshina denoncon dhe një tjetër prapaskenë të Shuteriqit, i cili, për të qenë ai shkrimtar i romanit të parë të realizmit socialist, mënjanon kolegët, konkretisht: Sterjo Spassen dhe Kasëm Trebeshinën. “Me sa di unë, data nuk është shumë e sigurt, Sterjo Spasseja e ka shkruar romanin e tij “Ata nuk ishin vetëm” shumë kohë përpara se të botonte Dh. S. Shuteriqi romanin e tij “Çlirimtarët”. Spasseja ndoshta nuk ka qenë përpjekur ta botonte, por me mua puna qëndron ndryshe. Romanin tim “Të rinj të kohës sonë” e kam shkruar në vitin 1948 dhe u përpoqa ta botoj… Në vitin 1951 kisha gati tetëqind faqe (dy vëllimet e para të “Këngës Shqiptare”) dhe isha gati t’i botoja!… Por duhej të prisnim që të shkruante patjetër Dh. S. Shuteriqi “Çlirimtarët” në vitin 1952 që të hapej rruga e romanit tonë të ri… Në këtë rast titulli i shkrimtarit u dha si “ofiq”.-denoncon Kasemi “ofiqin” e grabitur me luftë bërrylash. Nëse nuk do të ndodhte ky dobiçllëk, si autor të parë të romanit të realizmit socialist do të kishim Kasëm Trebeshinën, disidentin e pretenduar kundër realizmit socialist?! (Romani “Ata nuk ishin vetem” i Sterjo Spasses është botuar në vitin 1952.) Pohuar me gojën e tij bie e gjithë alibia e shkrimtarit disident, që u përndoq nga të vetët, se s`donte ta shihte me sy realizmin socialist, kur zotëria na paska pretenduar të ishte korife i saj?!

Në fund të letrës Trebeshina çimentos konkluzionin, duke u ankuar se “shkrimtarët filluan të ngrihen në mënyrë burokratike dhe kulmi arriti në të ashtuquajturit “vite gjashtëdhjetë”, me “vogëlushët e modernizmit”, duke cituar vargje vetëm nga Kadare. “Favoritizmi” dhe sistemi “preferencial” u bënë jetë. Ky nuk mund të kritikohet, ai nuk mund të kritikohet!… Naim Frashëri është arkaik… Dhe kështu për të gjithë! Vetëm kur “aeroplanët ulen nëpër pistat e pizhamave” (varg i Kadaresë), vetëm kur figura dhe kompozicioni ngatërrohen, (siç i ngatërron Kadare) vetëm kur imiton Xhon Dos Pasosin dhe ndonjë tjetër ka letërsi. (si Kadare Hemiguejn) Jo shokë! Ka letërsi, dhe letërsi të madhe bile, kur zhvillon traditat më të mira të klasikëve! Por në letërsinë shqipe triumfoi snobizmi dhe në kushte të tilla, nuk është ndarë përfundimisht shapi nga sheqeri, nuk hedh asnjë hap në drejtim të letërsisë shqipe. Mos kritikoni se na preket poeti!” Në kohën kur shkrimtarët dhe poetët po sulmoheshin, internoheshin, burgoseshin e pushkatoheshin, ky bën thirrje se akoma s`keni qëlluar në shenjë, nuk kemi goditur kokën e tyre?!

“Vogëlushët e modernizmit” i përmend në shumës, ndërsa poeti që s`duhet prekut në njëjës?! Realisht me “Shekulli im” Kadare hëngri kopaçe sa u shqep! Trebeshina, thua se ishte Solzhenicini, i shkruan Enver Hoxhës t`i jepte leje të shkonte në Zvicër, që dhe sot, heqin dreqin për të marr shtetësinë. Kjo letër bëhet shkak të arrestohet. Ja dialogu në hetuesi, marr nga libri i Nuri Dragojt:

Hetuesi: Ç`mendon të bëje në Zvicër?

Kasëmi:Unë do të isha poet punist, art për art, post kullës së fildisht. Do të merresha me letërsi dhe isha i sigurt se do të bëja karierë letrare. Shoqëria kishte të drejtë të më dënonte, jo të më ofendonte.” Pra, do të bënte punët e “vogëlueshëve të modernizmit”?! Sa përkojnë fjalët e Razi Brahimit thënë kolegut të tij Adriatik Kallulli me të “disidentit” Trebeshina për mos prekje të poetit: “Dëgjo, Ismaili është monument kulture që mbrohet nga shteti dhe kritika ndaj tij është shumë e vështirë, ndaj tregohu shumë i kujdesshëm”. Nëse kritikat këta i bënin nga pozita e partisë, parimore, sikurse pretendon dhe Kasemi, pse duhej të ishin të kujdesshëm? “Më kujtohet, kemi qenë përpara Pallatit të Kulturës. U mbështeta pas kolonave dhe i thashë hajde dhe më rrëzo tani. “Mundesh? Kam kolonën pas shpine”.) O zot! Shyqyr që shpëtuam prej këtyre, që s`i merr vesh kurrë se me kë janë dhe në emër të kujt të luftojnë?!

Trebeshina vazhdon: “Përgjersa manifesti i modernizmit, që ka fyer të gjithë letërsinë shqipe, nuk mund të kritikohen, për mua nuk ka vënd në letërsi. Patenta e gjenialitetit nuk mund të shpërndahet në këtë mënyrë. Fundja, unë kështu mendoj: qofsha i gabuar. E di që fola shumë rëndë, por fola si një ushtar i vjetër dhe i fola një ushtari akoma më të vjetër, që nuk shkoi më kot gjer në Spanjë!”-e mbyll ai letrën. (Nënshkrimi: Kasëm Trebeshina Tiranë, 19.6.1975. Kjo ishte koha për disidencë, ndërsa Trebëshina me armët e ndryshkura të arkaizmit i bashkohet partisë në luftë kundër “vogëlushëve të modernizmit”, duke u ankuar se i kishin vjedhur kurorën për të qenë ai autori i parë i romanit të realizmit socialist dhe, indirekt, kërkonte patentën e gjenialitetit, ndërsa ata i dhanë “kartelën” e të sëmurit psiqik?! Ai ankohet: më mirë t`ma dënonin se sa t`ma fyenin. Por, a mund të jesh disident me një “kartelë” të tillë, ku ti mund të flasësh dhe fjalët s`të merren për bazë?)

Romani i tij “Stinë e stinëve” është në përputhje të plotë me letërsinë e ashtuquajtur të realizmit socialist. Nga ky roman më ka mbetur në mendje një batutë: “Komisarët i morën gratë e bukura, ngaqë ishin të gojës.” Thënë më bukur në kujtimet e tij: “Kongresi i Helmsit ishte pazari ku u shitën dhe u blenë pa pare dhëndurrët dhe nuset. Dhe repartet partizane u kthyen në zyra ku regjistroheshin martesat. Komunistët e gradave të larta morën vajzat më të bukura dhe ato që mbetën u ndanë midis atyre që kishin më pak rëndësi. Asnjë vajzë nuk u martua me ndonjë partizan të thjeshtë.” Marr nga libri i Nuri Dragojt “Trebeshina, një jetë para gjyqit”, i cili jep edhe këtë detaj: “Ai, vetë duke qenë një nga kuadrot më me përgjegjësi, mund të zgjidhte vajzën më të bukur, por e refuzoi me përbuzje këtë dhuratë të komunistëve shqiptar, që po e fusnin familjen në një krizë me pasoja historike. Kur i erdhi rasti, mori për nuse një vajzë të mrekullueshme që ia propozoi nëna e tij, e cila i qendroi në krah dhe në Golgotë.” Edhe këtu tradicional. Kur i raportojnë se një kuadro i batalionit kishte lënë gruan e fëmijët dhe se qe martuar me një partizane 16 vjeçare e arreston dhe e mbyll në kishën e Pilurit. Por, lush e vrau Ramize Gjebren pas shpine?!

Kasëm trebeshina nuk ishte kundër realizmit socialist, por kundër Ismail Kadaresë, ngaqë i dukej se i kish rrëmbyer kismetin. Këto vargje të Kadaresë për poetët bimor, do t`i kenë rënduar shumë sedrës së tij të sëmur. Ti Kasëm je mikroborgjez, por unë jam ca më shumë nga ty, do i thotë miku i tij, kryeministri komunist Shehu. Vargje nga poezia e Kadaresë:

“Hapni udhën, poetë të poezisë së deklasuar,

Ju që gatuani fjalë të zgjedhura…

Që vishni kostumin e ri me vija të dielave!…

Hiquni udhëve, poet bimorë!

Hapni udhën fanatikë të artit!…

Një poezi të madhe tani ne po ngremë!”

Arshi Pipa matanë oqeanit në të njëjtën kohë bën një shkrim diabolik për romanin “Kronikë në gur”, të cilin botuesi anglez nuk ia pranon si parathënie, ku ndër të tjera bën këtë insinuatë: “Kronikë në gur”, i cili ndjek “Kështjellën”, sjell në një pikë të mprehtë rebelizmin jokonformist të autorit dhe akuzon këtë herë në mënyrë të nënkuptueshme partinë komuniste, që nxiti luftën civile dhe e shndërroi luftën kombëtare kundër fashizmit në luftë klasash.” Dhe më poshtë: “Temën e seksit, tabu kjo për realizmin socialist të ngurtë shqiptar. Seksi shtrihet gjatë gjithë tregimit si një fill i kuq.” Pra, roman pa pullë të kuqe?! Në kohën kur Enver Hoxha kishte mprehur shpatën edhe njëherë për situatën, i ofronin në gostinë makabre dhe kokën e shkrimtarit Kadare. Gjuha e Pipës është në sinkron me gjuhën e ekspertëve të artit që prokurorët i përdorën si akt-akuza kundër autorëve që u pushkatuan dhe u burgosën. Arshi Pipa, pavarësisht se po i jepte shkrimtarit ngjyra “disidence”, në fakt po i përgatiste funeralin.

Drugo-mesele,Prof.dr.Milazim Krasniqi, i cili me entuziazmin e një zbuluesi, duke iu referuar shkrimit të Kadaresë “Realizimi socialist-arti i madh i revolucionit” botuar në “Zërin e Popullit” të vitit 1974, e cilëson atë si një platformë teorike-ideologjike të realizmit socialist, duke na habitur, kur kritika e kohës ankohej se Kadare nuk i respektonte parimet e kësaj metode?! Bilal Xhaferri në letrën revolucionare dërguar Enver Hoxhës, i ankohet: “U ngrita kundër romanit “Dasma”, se ai më dukej i gabuar fund e krye në brendinë e tij….Një shkrimtar i mirë revolucionar, nuk duhet të abuzojë me idetë e mëdha të partisë, duke i përdoruar si prestigjiator tezat dhe parrullat e partisë, vetëm sa për të bërë efekt, vetëm sa për të krijuar iluzione te lexuesi… Romanin “Dasma”, unë e denoncova si një vepër të shkruar shumë larg metodës së realizmit socialist dhe të rënë nën ndikimin e artit dekadent.” Një tablo maskarallëku kundër Ismail Kadaresë, që, për fat të keq, ka në mesin e saj dhe të vuajtur të regjimit. Sa më shumë që të hapen letrat, aq dhe më tepër do dal në pah falsiteti i “statujave prej dylli”. Ja si e konfiguron Trebeshina figurën e krimit, që po i bëhet letërsisë së shëndoshë shqipe, duke iu referuar vargjeve të molepsura të Kadaresë: “Në të është: “dielli që mbërthehet në abazhur”, “ajo që nuk duhet ta ngrejë televizorin për të mos dështuar kopilin”, “virgjëria nuk kërkohet më”, “aeroplanët zbresin në pizhamë”, “dashuria bredh nëpër stacionet e trenave”… e tjerë.” I bashkëngjisni dosjen e Petraq Kolovicës “Autobiografia e Kadaresë në vargje” për të kuptuar kakofonin i cmirëzinjëve, që fshiheshin pas parimeve dhe bëjnë viktimën, duke i rënë më qafë tjetrit. (Edhe Kasëmi ka shkruar elegji për vdekjen e Stalinit, s`ia përmend kush.)

Kasëm Trebeshina është një dhimbje e madhe, por jo aty ku duan ta bëjnë hero me zor, me stilin e njohur: ulu mal të dali hëna. Pra: ulu Kadare, që të dali Trebeshina. Për më keq një hero të fabrikuar në shërbim të politikës së ditës, duke e glorifikuar me atribute të rreme dhe, duke lënë në heshtje punën e tij kolosale, ende e panjohur për publikun. Pabesi: të glorofikosh autorin dhe të groposësh veprën. “Varianti se ai ishte një i çmendur u quajt më i pëlqyer për nomenklaturën e lartë komuniste”,-shkruan Nuri Dragoj. E paska fshehur për të keqen e vet? Pra, është me “kartelë”, mos ia vini veshin. Mjafton “kartela” dhe disidenca bie, kur ka shumë të tjerë, që u është nxirë jetë për një fjalë goje. Ti ke llapur, se kishe atë pusullën që të mbronte. Ardian Klosi, pasi iu turr Kadaresë, do shprehej për Trebeshinën në një kohë, kur mund të thoje ç`të doje: “Kasëm Trebeshina zhvilloi personalitetin pa patur komunikim me lexuesin.” Nuk di se si mund të ushtrohet disidenca, kur je pa ndikim tek lexuesi, larg njerëzve?! “Pashallarët e kuq” të Kadaresë iu ndal botimi, pak veta mundën ta lexonin, si pati aq jehonë, thua se e kishin lexuar të gjithë? Sepse njihnin prirjen e shkrimtarit. Një personalitet i zhvilluar në komunukim me lexuesin, që ia përpinte librat me uri të madhe. “Në një kohë kur në letërsinë tonë i thureshin himne komunizmit dhe metodës së realizmit secialist, një shkrimtar i panjohur merr guximin ta vështrojë botën me sytë e viktimëve të këtij komunizmi, si të një burgosuri në psikiatri, duka na dhënë kështu të parën vepër surealiste të letërsisë sonë.”-shkruan Ardian Klosi. (E harroi “Përbindëshin” e Kadaresë, të ndaluar nga regjimi i bllokmenëve, si një vepër surealiste?!) Trebeshina vetë është shprehur: “Poetët bashkohorë të botës së jashtme nuk kam patur mundësi t`i njoh. Vonë më ka rënë në dorë ndonjë prej tyre.” Si u bë modern pa e njohur modernizmin?

Kasëm Trebeshina ka nevojë për tjetër gjë, sikurse e shpreh dhe shkrimtari Naum Prifiti në rrëfimin e tij: “Midis dramaturgëve që do të shqyrtonin veprat, Dalan Shaplloja më futi dhe mua. Kjo më erdhi papritur, sepse unë nuk isha nga njerëzit e afërt apo të besuar të Lidhjes… E dija se ai vazhdonte të shkruante, edhe pse nuk kishte asnjë shpresë për të botuar, dhe kjo më dukej vërtetë e jashtëzakonshme për rrethanat dhe praktikën tonë, kur ne i shpinim veprat për t`u botuar pa u tharë mirë boja…Njëra prej dramave me titull “Për ata që s`janë më” ishte akuzë e fortë kundër hetuesëve, njerëzve të Sigurimit të zvetnuar moralisht. Duke menduar se drama do të asgjësohej nga Sigurimi, mendova si ta shpëtoja nga hiri…Pas shumë vitesh kur u takuam më falenderoi për dramën e kopjuar se atë kopje nuk e kishte.”

80 dramat dhe komeditë e tij do ishin një thesar për teatrin e ri, që po ndërtohet, se tek i  “teatri i vjetër” ishte i padëshirueshëm. Një rast dhe për ata që luftuan në emër të mbrojtjes së kujtesës, që dramaturgjia e Trebeshinës të përfshihet në repertoret e teatrove. Kasëm Trebeshina ka nevojë të shpëtohet nga përdorimi politik i tij, nga atribute që ai nuk mundi t`i ushtronte për shumë arsye. Të shpëtohet nga kinse antikomunistët, që të kthejnë në mish për topat e tyre. Nga mediokër, që i përmendin për të thënë se dhe atyre u është ngrënë haku. “Unë jam nga ata që kam folur gjithë jetën me veten time…Edhe tërë jetën kam punuar si qeni… Jam kaq i ngopur sa nuk dua më të merrem me këtë vend.”-shprehet shkrimtari që ka nevojë për të gjithë ne, duke dhënë dhe kriterin e vlerësimit: “Ajo që ka rëndësi për një letërsi nuk është vendi ku është shkruar një vepër, por niveli i saj artistik.” I lini vuajtjet dhe i shihni shpirtin të derdhur në art. Ky i krisur, nuk ka nevojë për bejleg, ai ka nevojë të dali në dritë, duke pretenduar dhe besuar se: “Unë jam poet i 28 mijë vargjeve dhe ato do t`i pranoni të tëra. Në mos ju të tjerët. Mos tani, pas vdekjes sime. Unë s`rroj një kohë…Tej kohëve nisem.” Dëgjoni lutjen e një polici drejtuar së shoqes së tij, Zydijes: “Të lutem mos e lërë vetëm atë njeri aq të pastër!” Kasëm Trebeshina ka nevojë për të patur marrëdhënie normale me lexuesin, larg demonëve që ia bënë jetën skëterr.

Exit mobile version