Që në fillimet e shtatorit, por edhe në ditët e parandejshme, kur u mor vesht se në rrethrrotullimin e Kryeperashit ishte zgjedhë nji rrotullak bari për të vendosë site specific nji vepër monumentale prej çeliku korten, të cilën e quejtën Çelësi, në Shkodër pati rreth atij vendi të caktuem për monument nji ngjallje jo të vogël kureshtjeje. Qytetarët shkodranë dhe jo vetëm, kanë qenë të mësuem me e pa të vume dhe të gatshme ndonji vepër të paktë që zbukuron hapësinat e këtij qyteti dhe fakti që Çelësi po punohej e po montohej pa perde e para syve të tyne, ka qenë për ta ndoshta zhgënjimi i parë, që, për hir të së vërtetës, megjithë emnin e rëndomtë që kishte vepra, atyne nuk po u dukej kurrkund si çelës. Me cinizmin e tyne kritik njerëzit, kur binte fjala për Çelësin, thonin me shpoti se duhej porositë ndonji dron në Ukrainë për ta pa ma mirë këtë vigan prej hekuri të ndryshkun në ballë të hymjes kresore për në qytet, dikush tjetër po me cinizëm dhe me dashamirësi të dyshimtë thoshte se duhet me hypë në kala për me e pa se ku asht çelësi; madje pati asi dashamirësh të thekun të qytetit të tyne që folën për teleferik si e vetmja zgjidhje për ta përceptue dhe për ta identifikue Çelësin e famshëm, brava e të cilit i binte me qenë hymja kryesore motorike për në qytet.
Autori i saj, skulptori Alfred Mirashi Milot, ka ndërtue dhe ka ideue disa “çelësa” të tillë monumentalë këto vitet e fundit, të cilët janë vendosë në disa sheshe qytetesh italiane, por edhe deri në Kinë, përkatësisht në qytetin e Wunan-it, në Kinën qendrore.
Për të mos u ndalue tek opinionet e rrugës, por as edhe te fjalët që e përcollën përurimin e këtij monumenti, do të doja të citoja me përgjegjësi disa shënime mbi këtë vepër të organizueme në gazetën Artribune me autore zonjën napoletane, Ludovica Palmieri.
Kjo kritike e artit bashkëkohor shpërthen në nji entuziazëm të pashoq dhe shprehet me lëvdata bombastike për veprën Çelësi. Ajo merr përsipër të deshifrojë geshtaltin e asaj figure gjigande së cilës po i jepej nji status jo i lehtë, asgjamangut por Art publik në Shqipni. Titulli i këtij shkrimi panegjirik tingëllon kësisoj: Arti publik në Shqipni: Në Shkodër nxjerr kryet nji çelës monumental.
Ku e din Ludovica se ajo gjaja atje asht çelës? Ku e pau ajo çelësin? Në skicat e autorit? E ka me të ndigjueme apo e pau nga ajri e hypun në ndonji helikopter? Se, për besë, njeriu mund t’i sillet pafundësisht atij sendi vigan dhe vetëm çelës nuk i duket. Aha, zonja në fjalë mund të na thotë se Alfred Mirashi Milot krijon vetëm çelësa, kështuqë, për analogji, edhe ky duhet të jetë ndonjilloj çelësi. Por Palmieri nuk thotë kështu sepse e çmon shum autorin. Ajo vazhdon me thanë se për ndërtimin final të Çelësit janë dashtë
60 ditë projektim, 7 muej punë për ta ndërtue, 30 punëtorë dhe ma se 20 000 kg. çelik. E gjithë kjo listë që i përngjet nji preventivi, mbështillet me ambalazhin miklues se vepra rezulton si mbresëlanëse, si profetike dhe madje edhe psikomagjike. Po të ishte vepra në fjalë ndonji urë, çka mund të thuhej ma tepër se projektimi, ndërtimi, fuqia punëtore dhe sasia e hekurit për ta ndërtue atë. Shifra e kostos së saj ka mbetë enigmë. Nuk më duhet gja, por kur bahet nji listë ekonomike, duhet edhe nji shumatore. Pra edhe kjo asht e mangët.
Lista e materialeve dhe e fuqisë punëtore po më kujton sadopak artet egjiptase të faraonëve, të cilat për mungesë të diskursit estetik, me gjuhën e hieroglifeve na japin të dhana teknike dhe kurr estetike për objektin që ato mundohen me përshkrue.
Por L.Palmieri estetikën e ka lanë për ma vonë. Ajo thotë se autori “ka vite që po hulumton idenë e çelësit në dimensionin e tij fizik dhe konceptual, për arsye se çelësi asht nji send me përmbajtje të naltë simbolike…” Dhe mandej fill ban lidhjen e shkurtë që duket se i gudulis sedrën shqiptarëve tue e detyrue Çelësin e Milotit me u spërdredhë e me na sugjestionue se po na kujton (citoj shkrimin e L.P.) “nji shqiponjë madhështore, simbol i këtij vendi, në çastin kur ajo gatitet për t’u çue në fluturim.”
Çelësi i transfigueruem në shqiponjë?! E vështirë kjo alkimi. Dhe jo për mungesë zotësie, por sepse këto dy sende, shqiponje çelësi nuk ujdisin në formë, nuk ofrohen për madhësi, formë, funksione e mandej për metaforën që ka në bazë ngjashmëninë formale por edhe atë funksionale. Na kemi pa qilim që fluturon, por çelës fluturues vetëm artikullshkruesja po na fton që ta pranojmë.
E ku e ka shqiponja kokën, madje kokat se na shqiponjën si simbol e kemi me dy krena? Tashti që më duhet me e pa edhe si shqiponjë, ajo qafa e lakueme dhe pa pupla detyrimisht më çon tek zhgabat ose orlat që janë lloj shqipesh që qafën e kanë të rjepun sepse hanë kërma dhe pastrojnë mjedisin nga infeksionet që përhapin kafshët e ngordhuna. Mandej na sapo kemi lanë mbrapa simbolet heroike dhe difensive që na i servirte mëngjes- drekë-darkë epoka e komunizmit. I kemi pa edhe shqiponjat që fluturojnë nalt.
Mbase po qe se Alfred Mirashi do ta njifte Martin Camajn, fare mirë mund të mendonte me stilizue nji breshkë kolosale si Dranja e poetit. E ka nji breshkë të madhe edhe Sheshi i Republikës në Bordo të Francës. Por mesa duket autori ynë po jeton stinën e çelësit dhe asgja tjetër nuk e ngop atë hëpërhë sa çelësi i transformuem në ujdi me veçanti vendesh, qytetesh, kulturash e fryme historike.
Le ta analizojmë paksa çelësin si send dhe të shofim sa mundet me bajtë larmi shprehësish ai send i vogël që na të gjithë e kemi në xhep.
Çelësi ka zakonisht tri pjesë : dorezën, pra atë që kapet me gishta e rrotullohet në bravë, ka bishtin ose boshtin që hyn pjesërisht në bravë dhe në fund ka pjastrën vertikale që mban shenjat mashkull-femën ,të cilave u përgjigjen shenjat femën-mashkull të matricës mbrenda bravës, e cila përmban edhe sekretin personalizues të çelësit.
Arti asht fenomenologji, pra formë detyrimisht e përceptueshme. Forma në art asht detyrim, sepse arti nuk imiton përmbajtjen e sendeve. Ai imiton tue transformue formën e sendeve dhe ajo që transformohet përban edhe risinë përmbajtësore te saj.
Çelësi pra hap derë, hap dyer, por edhe i mbyll ato, lejon ose pengon dhe krijon ose ndalon lëvizjen lëvizjen. Në Shkodër me vu çelës? Pse Shkodra e ndaloi lëvizjen, komunikimin? Shkodra u ba shkak i izolimit dhe amullisë lëvizore universale gjatë asaj periudhe që njifet historikisht si periudha e mbylljes ma të rreptë që mbahet mend ndonjiherë?
Autori Alfred Mirashi Milot ka punue nji seri çelësash viganë të cilët janë vendosë në nji seri qytetesh italiane dhe na duket se atje ata rrinë mirë, sepse autori ka vendosë me pru në Shkodër variantin ma pak fenomenologjik të mundshëm. Madje unë mund të mendoj se çelësi që “zbukuron” Shkodrën asht bira e fundit e kavallit, çelësi i tepruem, sendi i ndërtuem kur bateria krijuese e imagjinuese e autorit ishte diku tek 2-3%, nji shenj i lodhun i pikëzimit në tekstin e tij kompozicional e instalacional me çelësa. Edhe pse çelësat duket se janë të së njajtës dorë, mendoj se çelësi ma pak çelës asht lanë me u pru në Shkodër. Ose thanë ndryshe, çelësi ma pak rezonues me vendin, me qytetin, me historinë, me gjendjen shpirtnore të këtij qyteti asht ai që shofim tek petulla e rrethrrotullimit, ku ndahen rrugët për te Ura e Kirit dhe ajo që të çon tek sheshi i Isa Boletinit.
Nji njeri ose, ma mirë të themi, nji shofer mund t’i sillet njiqind herë rrotull asaj petulle dhe kurr nuk kishte për ta marrë vesht se çka i bjen me qenë atij vigani të spërdredhun, të shtrimë nga i cili shofim kjartë vetëm nji tub të ndryshkun e të kthyem në formën e shkronjës greke omega (Ω).
Pra duhet ta themi pa asnji ngurrim se në mes të rrethrrotullimit asht vendosë nji tub hekuri, i punuem me segmente që bien në sy edhe pse shifet që, në mungesë kapacitetesh për nji prodhim industrial me gjeometri të pacen, kemi nji tub të kthyem me kande ku lakorja, për shkak të madhësisë së objektit, dallohet se asht nji shumkandësh i mbrendashkruem nji vije lakore afërsisht rrethore.
Kësaj linje gati rrethore, por gjithsesi lakore, i bjen me qenë boshti i çelësit, pra trupi i tij, ai që mbahet e drejtohet nga dora plus ajo pjesë që futet në bravë.
Pra nga pozicioni i kundrimit normal e dinamik të shoferit që hyn në atë rrethrrotullim, objektivisht shofim nji tub të kthyem me harkun sipër dhe dy masa volumesh cilësisht të papërceptueshme në të dy skajet e këtij laku të hapun që formon tubi.
Nga cilido pozicion që të kundrohet, objekti asht i paidentifikueshëm. Askush nuk do të dinte me thanë se kjo formë si çfarë duket. E nëse ky pohim imi po duket si shum absolut, atëherë po thërrasim dikë apo disa të tjerë të na thonë si çka duket, gjithnji objektivisht.
Dikush do të thoshte se asht nji krymb prej atyne që zhvendosen ose zvarrisen tue u mbështetë në dy skajet e trupit.
Dhe këtë e kanë thanë.
Dikush tjetër do të thoshte: nji sifon ujënash vaditëse që bashkon dy brigje të ngrituna në mënyrë që uji të mos amullojë.
Edhe këtë e kanë thanë.
Dikujt tjetër mund t’i duket si zorrë e trashë, ashtu kolla-kolla, pra si nji rectum me kthesën e saj që e ban diku pak ma poshtë stomakut. Këtë nuk e ka thanë ende njeri dhe po përfitoj e po e them unë tashti. Ka edhe nji variant tjetër i cili lidhet me nji shprehje të zhargonit seksual të shkodranëve (mos harroni se Shkodra asht qytet dhe ka edhe nji të tillë), të cilin unë do ta shtjelloj në nji tjetër paragraf, atje ku unë do të parashtroj atë që vepra në fjalë na sugjeron me forcë dhe me brutalitet e që, me siguri, autorit Mirashi Milot as që i ka shkue kurr nëpër mend. Dhe s’i ka shkue nëpër mend, sepse ai e njef Shkodrën deri te “si djep i kulturës” e jo si “shtrat kulture” e që duhej me patjetër ta njifte, derisa e ia ka hy me ba nji monumentale që do të vendosej aty e që në fakt e ka identifikue simbolikisht me nji çelës kësisoj.
Kundruesi që vjen i motorizuem në Shkoder dhe kalon nëpër të vetmen rrugë për të hy në qendrën e qytetit, nuk e din se çfarë asht ai send i madh e i padeshifrueshëm: vepër arti apo ndonji bypass industrial – i përkohshëm apo i përhershëm – që ia ka zanë pamjen thellësisë së qytetit, ndoshta edhe malit të Cukalit (1852m.) Dhe pyet me interes e me çudi se çfarë asht ajo që shef para xhamit të mjetit të tij. Çelës, – mund t’i thonë dikur.
Po a asht çelës ai? Aty ku asht vu dhe prej ku ai mund dhe duhet të përceptohet, ai nuk asht çelës. Ai asht njeni prej varianteve fenomenologjike që na përmendëm ma sipër. Pra nga pikëpamja e shenjave dhe e rregullave të identifikimit formal kemi nji mospërputhje të hatashme mes asaj që duket dhe fjalës që e emërton atë. Këtu për autorin dhe mjeshtrat urbanistë që e projektuen të vendosej aty fillon kërcitja e madhe që ai ashtu nuk duhet të vendosej askund. Edhe surrealisti belg Magritte ka pikturue nji llullë dhe po në telajo ka shkrue me bukurshkrim se “ Kjo nuk asht llullë”. Ai nuk don me e përgënjeshtrue llullën, sikurse ndodh me emnin e veprës që po shqyrtojmë, përkundër ai don që ta pohojë fuqimisht, por me atë kundërthanie ai zbulon se objekti i pasqyruem ose objekti mbrenda veprës artistike qëndron diku mes qenies e mosqenies. Dikur në mesjetë, disa komunitete zejtarësh për nevoja të sekretit profesional flisnin nji gjuhë të spostueme në të tillë formë, p.sh., bukës i thonin dorë, diellit i thonin kajsi, kalit i thonin stol etj. Kjo praktikë u mor për satanizëm dhe, mbas disa ndëshkimesh shembullore, askujt ma nuk ia mbajti me ba në ligjërim këso lidhjesh diagonale e transversale mes sendeve dhe fjalëve që i emërtonin.
Estetikisht artet kanë mjetet e tyne specifike të shprehjes e të ndërtimit, letërsia ka fjalën, piktura ka ngjyrat, vizatimin dhe kompozicionin, skulptura ka vëllimet materiale që raportohen me hapësinën boshe, muzika ka tingullin muzikor, vallja ka lëvizjen e trupit etj. Pra pagëzimi i kësaj vepre konkrete me emnin “Çelësi” asht nji narrativë e kulluet letrare, nji emërtesë sa për inventar për identifikimin e shumësisë së çelësave që ka krijue autori dhe ashtu siç duket i ka vendosë në po aq sheshe qytetesh italiane. Materiali “çelës” asht specifik gjuhësor, letrar. Ç’hyn letërsia në atë petull rrethrrotullimi? Mirashi Milot a asht shkrimtar apo skulptor, artist figurativ? Epo atëherë krijesa e tij prej llamarine të ndryshkun duhet të deshifrohet si çelës sapo ta shofësh, sapo të vijsh në kontakt me siluetën e saj, pa qenë nevoja e fjalës, të cilën në artet figurative e kryn po aq mirë dhe madje edhe ma shpejt forma imediate e përceptueshme lehtësisht e sendit të paqyruem në vepër.
Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhë me këtë vepër. Ajo mbetet nji enigmë për të gjithë sa përshkohen asaj rruge dhe u duhet ta zgjidhin rebusin që u ka vu para syve, sa gazepi, autori Mirashi Milot. Pjesa e transformueme e çelësit asht mesi i tij, pra boshti. Kurse doreza dhe pjastra me elementët e sigurisë se çelësit që mbajnë edhe peshën ma të madhe të informacionit identifikues mbi sendin janë jashtë fushës së pamjes dhe krejt të padeshifrueshëm. Dhe po e theksoj se mosdeshifrimi i sendit të ofruem si vepër arti nuk vjen as nga injoranca e shoferave-kundrues, as nga mungesa e dijeve të tyne për artet bashkëkohore dhe paplotënia e tyne estetike, por sepse forma që ngrihet para syve tanë si ndonji Goxillë, nuk e ban diferencën e domosdoshme me disa sende të tjera që na shfaqen me nji formë të ngjashme ose të njajtë me veprën në shqyrtim.
Tue u nisë nga reflekset psikologjike të njeriut shofer, e them nga përvoja se sendet e paidentifikueshme, të mëdha dhe me shtat të zhvilluem vertikal, kanë potenciale të pallogaritshme për me provokue vemendjen e kundruesit në timon. Momenti homeostatik i hutimit ose i përqendrimit të kundruesit para veprës së artit ndodh rëndom për shkak të përthithjes estetike që e shtang spektatorin para veprës që ai kundron. Dhe askund në teoritë e geshtalteve nuk merret në konsideratë edhe ngurrimi i kundruesit ose edhe pakjartësia e tij për ta identifikue objektin e pasqyruem. Para pjesës së dukshme të këtij “çelësi” verbal kundruesi nuk përjeton të famshmen homeostazë të kundrimit estetik. Përkundrazi ai kompleksohet dhe pëson nji çatrafilim përceptues si para nji sendi X, të cilin nuk po mundet me e identifikue dhe me i hjekë sytë prej tij. Kjo gja asht e mbarsun me rrezikun real të nji gabimi në trafik që mundet fare lehtë me shkaktue edhe vdekjen e dikujt tjetër ose edhe atë të vetë atij që hutohet në përpjekje me deshifrue se çka mund të jetë ajo gja stërmadhe që i ka zanë pamjen dhe horizontin me enigmën e vet që nuk zgjidhet kurrsi mbrenda pak sekondash, kur eventualisht je për ma tepër i mbërthem në nji trafik të dendun. Vende të tilla rrethrrotullimi që mbajnë çelësin verbal ose diçka të ngjashme me të, dhe jo atë fenomenologjik, më kujtojnë kurthën mitologjike të sfinksit të Edipit në shkretinë, i cili çdo udhëtari i jepte nji enigmë për zgjidhje dhe, nëse ai nuk e gjente, sfinksi e dënonte me vdekje. Hipotetikisht a nuk po ndodh kështu edhe me këtë vigan metalik, të cilit në rrethanën tonë të arsyetimit estetik dhe urbanistik me të vertetë që i mungon shum edhe shenja materiale e nji pikëpyetjeje, punue me të njajtin material sikurse vetë ky çelës.
Për këtë arsye do t’u sugjeroja modestisht urbanistëve që merren me dekorim rrethrrotullimesh se edhe për arsye sigurie, në këto vende që qerthullohen prej nji trafiku automjetesh ditën dhe natën, objektet që mund të zanë vend në mesin e tyne duhet të jenë të lexueshme lehtësisht në identitetin e vet, duhet të mos eksitojnë gjithaq vemendjen e shoferave dhe duhet të korren me sy të lirë e të shpejtë se çka paraqesin në pikëpamje formale. Përndryshe sfinksi mundet me pre gjoba të randa për kureshtarët dhe të pasionuemit e veprave publike në plein air.
Kam bindjen e plotë dhe falënderimin që buron prej kësaj bindje se autori e ka ditë mirë se në cilin qytet do të vendosej kjo vepër. Qyshkur e ka fillue e ka ditë se për cilin qytet destinohet dhe se sa e detyrueshme asht që kjo vepër të mbajë në vetvete nji studim esencial të përkthyeshëm në formë tredimensionale si instalacion apo si skulpturë metalike me referenca të detyrueshme dhe konkrete mbi qytetin e primateve kulturore në mbarë hapësinën shqiptare.
Le ta fillojmë hamendësimin mbi këtë gjigand metalik tue e konsiderue se enigma që ai ofron shpaloset në nji livadh të madh, ku trafiku nuk asht motorik, por vetëm lëvizje normale njerëzish që ecin në kambë. Çfarë përfaqëson për Shkodrën ky çelës paradoksal edhe për faktin se duhet të ketë qenë i kushtueshëm, por që asht vendosë në mënyrë arbitrare pa pyetë askënd, asnji prej atyne njerëzve që mund të dinë me thanë diçka të përafërt me “po, i shkon Shkodrës, pra të vendoset”apo “jo, nuk ka lidhje me qenien e qytetit, me historinë e vjetër, të mesme dhe të re të Shkodrës, me frymën e qytetit, me artet e nistueme në këtë qytet, me ndjeshmënitë e dëshmueme të njerëzve të të gjitha niveleve që kanë jetue në atë qytet, me humoret e tij të zeza dhe shpesh vetshkatërruese, me qytetin që vuen por të ban me qeshë, me qytetin e deformuem që, tue qenë viktimë e nji represioni vëllaznor të pashoq, kishte zgjedhë që në ditën e mortit të tij me ua gudulisë shpnetkën gjamëbamësve, dorasëve dhe vulgut mendjepakë e dritëshkurtë? Po pyes me kureshtje, cilat prej këtyne tingëllimave i gjen ndokush tek ai vigan metalik që asht çelës, sepse nga helikopteri (!) ose nga bedenat e kalasë së Rozafatit ai edhe mund të duket si çelës, veçse si çelës i deformuem e i shtrembnuem pikërisht se nuk ka ditë ose nuk ka mujtë me e hapë bravën?
T’ia kërkojmë shpëtimin asaj vepre tue u hjedhë në hamendësime të nji interpretimi simbolik të asaj vepre dhe të themi se Çelësi i Alfred Mirashit prej Miloti i paska ra në dorë nji qyteti që e ka pengue hapjen, tranzitin, zgjanimin dhe shpërthimin e energjive dhe tashti na po presim që ai të ndryshojë, sepse “Shkodra paska abuzue me çelësin që paska pasë në dorë.” Po e pyes autorin dhe bashkëpunëtorët e tij mos vallë ishte Shkodra e shkodranët që i mbyllën të gjitha rrugët, ishte ajo dhe banorët e saj që krijuen amullinë dhe nekrozën mbarëkombëtare, tue i ndërpre qarkullimet bashkë me zhvillimet që lidhen me këto qarkullime(!). Atëherë po i them autorit dhe të gjithë admirues-miratuesve të tij se për Shkodrën dhe shkodranët e të gjitha cilësive, ku janë e nuk janë, Shqipnia nuk do të ishte mbyllë kurr, nuk do të ishte izolue kurr, nuk do të kishte vu tra kurrkund e kurrkah në katër qoshet e saj, sepse ajo me gjasë shef nga veriu ku asht Europa dhe qytetnimi i saj organik. Mos të harrohet se edhe ata njerëz të moshave nga ma të ndryshmet që u arratisën prej kufinit, të gjithë ata që u kapën në kufi dhe u dënuen me hjekje lirie dhe u kalbën në burgje si tradhtarë të atdheut, nuk e duronin “çelësin” e mbylljes së nji qyteti që ishte mësue ndër shekuj me komunikue me botë dhe me i dhanë botës atë që ai kishte ma të mirë dhe me i marrë asaj atë që bota kishte ma të mirë e ma të përparueme. Pra në këtë sens simbolika ma e afërt me frymën e hapun të qytetit, me derën e tij pa bravë dhe hapësinat që shumohen progresivisht si perspektivë lirie e lëvizjes, ideve dhe arteve, do të ishte nji derë e madhe pa kapak, nëpër të cilën, ndër agime të nxirrte synin e tij dielli i mëngjeseve. Prej atij rrethrrotullimi krahu lindor i qytetit asht i hapun dy kanatash me Cukalin në fund, mal i cili ia vonon qytetit ardhjen e diellit me naltësinë e tij jo të vogël.
Pra unë e përjashtoj kategorikisht lidhjen konceptuale Shkodra – hapja – dhe çelësi i shtrembnuem ose i përkulun. Ky ekuacion nuk e shpreh qytetin tim ku kam lé. Shkodra nuk asht qytet i mbyllun e që kërkon çelësin e zhburgosjes së tij. Shkodra asht qytet i rrëzuem, qytet qendror që nji ditë të bukur u gjet në periferi si qytet kufitar e provincial, krejt sikurse vëllau i tij binjak, Prizreni i Kosovës.
Por simbolikat na sugjerohen prej formës së dukshme së kësaj vepre. Mbase autori nuk i ka pasë ndër mend t’i listojë ato që unë do të rreshtoj ma poshtë, por forma asht mizore, ajo sugjeron me ngulm kuptime që do ta banin veprën krejt të papërshtatshme dhe vetëm karikaturë të fatkeqësive historike e lëngatave afatgjata që godasin qytetet deri në gërmadhosjen e tyne dhe dorëzimin tek arkeologjia.
Përpara le t’i kthehemi disa konsideratave që kanë të bajnë me lidhjen bravë-çelës dhe sugjestionet e funksionimit të këtyne pjesëve të të njajtës pajisje hapëse-mbyllëse.
Me pak përftyrim dhe po me pak analogjizëm, mund të pranojmë se marrëdhania mes çelësit e bravës ka konotacione dhe paralelizma seksuale. Çelësi asht mashkull dhe brava asht femën. Çelësi asht ma i thjeshtë, ma esencial, kurse brava asht ma e ndërlikueme dhe ma komplekse se çelësi. Çelësi depërton drejt dhe fort tek bira e bravës, e kapërcen atë dhe shkon e “shkapërthen” i sigurt sustat, rrotavilet, levat dhe kunjat që tërheqin apo shtyjnë gjuhëzat e bravës. Brava kërcet me zhurmë ritmike dhe krismat e saj tregojnë shëndetin që brava gëzon, rininë dhe funksionimin e saj të pacen. Pra çelësi depërton me forcë dhe drejt mbrenda bravës. Po çelësi ynë në rrethrrotullim si asht? I drejtë apo i shtrembët? I fortë apo i përkulun? Dhe tashti po më lind automatikisht pyetja nëse e din apo jo djali i Milotit nji shprehje që përdoret në Shkodër e me të cilën burrat në moshë ankohen eufemikisht për humbjen e prestacioneve të tyne seksuale. Jam shum i sigurt se nuk e din dhe po ia them unë tashti. Shprehja asht disi kështu: “Konopi i lagët nuk hyn në dhe.” A asht e kuptueshme parabola në këtë rast? Nëse jo, më falni por unë nuk kam ndër mend me u marrë me fiziologji. Po autori a e ka ndeshë ndonji herë në jetën e tij këtë shprehje sa sugjestive aq edhe delikate?
Jam shum i sigurt se jo. Sigurinë time nuk ma autorizon asnji dalldi mendjemadhësie. Thjesht po nisem me e nxjerrë si të pathelluem autorin e Çelësit, sepse përndryshe ai paska dashtë me ba karikaturën e qytetit, tue e paraqitë aksin e çelësit të përkulun, të përthyem si të ishte ndonji makaron i ziem që nuk ka fuqi me penetrue, që nuk mundet me e shpartallue bravën e me krisë e me zhurmue bashkë me shpërthimin e hapjes. Vazhdimi i natyrshëm i këtij sugjestioni na çon me mendue se ky masiv hekuri bosh nga mbrendë mund të insinuojë edhe për nji Shkodër në menopauzë kronike, madje për nji klimaks andrologjik, madje edhe për nji menopauzë andrologjike, kronike ose përfundimtare, ç’randësi ka kjo?
Çelësi i të njajtit autor i vendosun në Wuhan të Kinës e ka edha ai boshtin të spërdredhun dhe në formë spirale, por autori atje ka punue me analogji formale dhe ai çelës na kujton dragonët kinezë viganë prej letre që ndër festa masive dhjeta njerëz i lëvizin e i përdredhin me gjarpnime të hatashme. Pra ai i përngjet diçkaje karakteristike në qytetin ku asht vendosë me qëndrue, për aq kohë sa hekuri korten i tij të gëzojë shëndet të mirë e forma e tij të jetë ajo e ditës së inaugurimit.
Shtroj pyetjen: Çka bahet me nji vepër arti të kontestueme gjanësisht dhe që për forcë zakoni mbetet atje ku asht vendosë, sepse ka kushtue nji shum të madhe paresh?
I propozoj autorit të saj që ta rishikojë atë vepër se si mund të riparohet në fenomenologjinë e saj, në simbolikën e saj, në psikomagjinë e saj. Nëse autori ka dashtë me i thanë të gjitha ato që realisht rezultojnë prej formës së atij Çelësi, unë nuk do ta qortoja shum. Por estetikisht do t’i sugjeroja nji rregull shum strikte të estetikës se monumentalja nuk ujdis me karikaturalen ose me kritikën satirike. Dhe vizualisht ai asht zorrë e trashë, konop që nuk hyn në dhe, krymb, qafë e rjepun zhgabe etj. Megjithë ironinë cinike dhe mistrece, shkodranët e dinë se çka kanë qenë, çka janë e pse nuk janë ma. Qyteti i Shkodrës meriton rishikimin e kësaj “dhurate” që qytetarëve të saj nuk u bie përshtat.
24. nandor. 2024