Kreu Letërsi Bibliotekë “Humanimal”, tregim nga Andrin Kabashi

“Humanimal”, tregim nga Andrin Kabashi

Të ndenjurit vonë natën, shpesh, nuk është edhe një ide aq e mirë. Sidomos pas kësaj që më ndodhi, nuk do ua kisha rekomanduar ndokujt që të qëndronte deri në orët e vona të natës. Më e mira së mirës do të ishte sikur të shtriheshim e të flinim sa më herët që të mundemi. Të vendosnim kokën ne atë dreq jastëku e të mos mendonim më se çfarë ndodhë me botën, matanë derës së dhomës. Ndonëse ajo se ç’kish ndodhur, do ndodhte edhe po qe se unë të kisha fjetur më herët, prapë se prapë, nuk do doja të dija kaq shumë nga kjo histori. Në fakt nuk do doja të ndodhte fare, por ja që ndodhi ajo që ndodhi.

*

Unë jetoj në katin e parë të ndërtesës. Apartamenti se ku unë jetoj nuk është edhe aq i madh, por megjithatë është i kënaqshëm. Në pronësinë time, së bashku me këtë apartament që e kam trashëgim nga babai, kam edhe një bodrum i cili gjendet mu poshtë apartamentit tim. Për të shkuar në bodrum duhet të kaloj dy palë shkallë dhe të kthehem në të majtë, menjëherë sapo kaloj ato të dytat. Është afër, nuk e kam larg.

Në një nga netët gjysmë të freskëta të tetorit, diku rreth javës së parë apo të dytë të muajit, po qëndroja zgjuar duke u marrë me dizajnin e interierit të një apartamenti. Isha i lodhur dhe mezi kisha koncentrimin e duhur. Syzet kishin lënë shenjat e tyre mbi hundën time dhe kjo gjë më dëshmonte se kisha kohë të gjatë që po merresha me atë projekt. Nëse nuk gabohem, kishin kaluar rreth pesë apo gjashtë orë që kur isha ulur dhe shikoja variacionet e ngjyrave dhe pozitën e orendive të apartamentit që hartoja. Atë natë isha i vetëm në banesë. Isha shumë i lodhur. Paçka se pos kësaj, në kokë kisha Sindin, ish të dashurën time. Ishim ndarë dy javë më parë; por mundohesha të mos e kisha nëpër mend, për këtë arsye edhe i jepja vetes shtysë të merresha me përfundimin e ati projekti, që për shkak të gjendjes sime të keqe emocionale, nuk më ngjallte asnjë kënaqësi gjatë punës – ashtu siç kisha dikur. Kjo mund të duket krejt e natyrshme, gjersa një çast zhurmëroi zilja. Sigurisht se u çudita. Ishte ora dy pa një çerek, pas mesnate. “Kush dreqi mund të jetë në këtë orë të vonë për atë Zot?!” – thash me vete. U ngrita nga tavolina ime e punës, kalova përmes korridorit të ngushtë e të errët në të cilin nuk kisha lënë asnjë dritë të ndezur, dhe shkova deri tek dera kryesore. Vura dorën në bravë të hapja derën, por në çast u kujtova të shikoja fillimisht nga syri magjik. Nuk ishte askush! Drita e korridorit të hyrjes kryesore të ndërtesës, ndriçonte hapësirën boshe që gjendej kundruall derës sime, por nuk ndriste asnjë njeri. Të ju them të drejtën, mendja më vajti tek disa kalamaj çapkën që jetonin në apartamentin përballë atij timit; thash: “Me siguri ata duhet të kenë qenë, duan të më pengojnë, si përherë”. Dhe nuk i kushtova fort vëmendje kësaj pune, duke u kthyer në tavolinën time të mbaroja punë sa më shpejt. E çuditshmja e gjithë kësaj historie qëndron se, kushdo që i ra ziles atë natë, nuk e la me aq! Ai vazhdonte përherë të njëjtën gjë, për çdo natë! Gjersa një natë vendosa ta prisja zgjuar! “Fëmijët, – mendova me vete, – mund të ishin një herë, hajde edhe dy herë, tri ndoshta, por jo tërë kohës”. Prita orën dy pa një çerek, pas mesnate, pasi që, çdo natë, zilja zhurmëronte po në atë orë. E prita tek dera kryesore, duke vendosur syrin tek ajo vrima e vogël e syrit magjik, e të shihja vet se kush ishte i çmenduri që çdo natë vinte dhe më shqetësonte – por më kot. Prita gjatë dhe asgjë nuk ndodhi. Të ju them të drejtën, isha në mendime se mos vallë Sindi kish planifikuar ndonjë rreng si formë hakmarrjeje apo ku ta di unë, por një mendje apo ndryshe ta them, një ndjenjë nga brenda, që nuk e dija as vet se nga më vinte, më thoshte se ajo nuk kishte të bënte aspak me atë punë dhe se dikush tjetër, – që për fat të keq, ishte i panjohur, – po merrej me atë punë të bezdisshme; edhe pse, Sindi nuk shfajësohej plotësisht nga kjo çështje. Në atë çast, gjersa unë shikoja nga jashtë korridorin e thatë e të pajetë që gjendej kundruall meje, ra zilja! Ishte e pamundur! “Si mund të ndodhë kjo gjë?”. U sprapsa dhe mendova me vete se ç’dreq marrëzie po ndodhte. Si ishte e mundur që zilja të cingëronte pa prezencën e dikujt që ta shtypte butonin e mallkuar!? Dhe ju betohem, se pa u bërë një moment i vetëm, si një fraksion filmi, m’u kujtua se jashtë, në hyrjen kryesore të ndërtesës, ishin të vendosura të gjitha zilet e apartamenteve të asaj ndërtese. Dikush doemos duhet ta shtypte atë buton, të paktën, nëse jo nga brenda, atë do ta bënte nga jashtë. Me të menduar këtë gjë, hyra në dhomën e parë që kisha afër dhe vështrova nga xhami i dritares e cila gjendej në krah të hyrjes së ndërtesës, aty ku ishin të gjitha zilet e secilit apartament që gjendej në atë hyrje. Shikova në të katër anët! Ndoshta edhe në gjashtë anë; në shtatë; apo edhe në dhjetë anë! Nuk e di as vet se në sa anë shikova, por jam i bindur se nuk lash pëllëmbë pa përshkuar me sy, vetëm e vetëm që të gjeja atë që shkaktonte të gjithë këtë bezdi dhe këtë lojë psikopate në pikë të natës. Por nuk pash askënd! E gjithë rruga ishte bosh. Me të vërejtur këtë situatë shqetësuese dhe patetike, vendosa të shkoja poshtë në bodrum të merrja dyfekun që përdorte babai në gjueti. Hapa derën me ngadalë dhe pa bërë zhurmë duke dashur të mos dëgjohesha nga psikopati i ziles, dhe kapërceva shkallët që të shkoja për te bodrumi. Sakaq, sapo arrita në krye të shkallëve që të shpienin për në bodrum, në fund të tyre, m’u përballë derës së bodrumit tim, pash një burrë të zgjebosur, era e të cilit kundërmonte gjerë në krye të shkallëve për në hundën time. Mora frymë thellë nga ankthi që më kaploi nga këmbët si të ishte gjarpër me zile, e t’më vërvitej gjer te qafa duke më zënë frymën ajo erë e tmerrshme. Ishte i veshur si mos më keq! Flokët i kishte të çrregullta; ishte i parruar; me dhëmbë të dalë jashtë dhe të pa formë. Qëndronte i ulur në tokë, i mbështetur në derën e bodrumit dhe hante një nga ata minjtë e mëdhenj që kishin zënë të dilnin atë kohë nëpër bodrumet e ndërtesave. Ju betohem se sa nuk volla nga neveria dhe tmerri që më panë sytë. Por e keqja nuk u ndal me kaq! Oh, jo! Sytë e tij që shkëlqenin ashtu siç shkëlqejnë sytë e maceve në netët e errëta, vështruan dhe ranë ndesh me shikimin tim, – ngadalë, nxori nga goja copën e mishit të miut, me plotë jargë dhe pështymë, në të cilën kishte edhe ngjyrë gjaku, gjë që më la të kuptoja se ai mi i fëlliqur, ishte marrë i gjallë dhe po mbytej nga kafshimet e burrit me dhëmbë të dalë jashtë. – i cili dridhej nga frika dhe nga neveria e papërshkrueshme që kisha përjetuar në atë moment. Ai u ngrit dhe me gjithë forcën e tij u nis t’i ngjiste shkallët drejt meje. Me të parë ngritjen e tij me tërë atë vërshim mbi shkallë, nuk e di në janë bërë tre sekonda kur gjeta veten brenda apartamentit tim, me derë të kyçur dhe të siguruar mirë. Goja m’u kish tharë, gjunjët më dridheshin, zemra sa s’më dilte nga kraharori dhe frymëmarrja ime ishte e çrregullt si kurrë më parë! Ai nuk ishte as Sindi, dhe as kalamajtë çapkënë që mendoja dikur. Ishte një krijesë që i ngjasonte shtazëve. Një qenie humane në një trajtë animale. Qëndroja i ulur me shpinë nga dera, me duar në kokë, dhe mendoja me vete: “Ç’dreq krijese është kjo?”. U mundova të qetësoja veten, dhe pasi që mendova se isha mirë, u ngrita dhe shikova nga syri magjik. (Oh, Perëndi!) Ai ishte aty! Gjatë gjithë asaj kohe që prisja ta shihja fytyrën e tij nga syri magjik, tashmë ngjau. Drita që ndriste korridorin e thatë të ndërtesës, tashmë ndriste fytyrën e tij. Ndriste një fytyrë që të kallte datën! Ai qëndronte kundruall derës sime dhe nuk e kam as më të voglën ide se si dreqi e dinte se cila ishte zilja ime, apo se ku ishte dera e apartamentit tim. Kurrë në jetë nuk kisha parë një njeri të tillë, e le de më të kisha punë, a diçka me të. Kjo gjë po më shqetësonte tej mase dhe nuk dija se si të veproja. “Ta marrtë dreqi, – thash unë, – si nuk m’u kujtua!” dhe hapa sirtarin që gjendej pranë derës ku po qëndroja, nga i cili nxora revolen time. Hyra në dhomën nga e cila shikova më parë, hapa dritaren dhe shtjeva në ajër, duke menduar se do frikësohej nga zhurma dhe do largohej. Nuk guxova të shihja edhe një herë atë pamje të tmerrshme që më kishin parë sytë atë natë. Hyra në dhomën time, kyça derën mirë me çelës, dhe nuk dola e nuk lëviza nga ajo dhomë gjatë gjithë natës.

Të nesërmen dëgjova se policia kishte ardhur natën dhe kish patrulluar vendin. Doemos ndonjëri nga fqinjët do i kishte thirrur pasi që kish dëgjuar të shtënën time. E mira e kësaj ishte se askush nuk dinte mbi historinë e vërtetë, dhe askush nuk kish ide se nga ku erdhi e shtëna. Që nga ajo natë e tutje, sa herë që dëgjoj një zhurmë zileje, më kujtohet ajo që kisha përjetuar atë natë. Ndonëse zilet e apartamenteve të ndërtesës ku unë ende jetoj, vazhdojnë të bien e të zhurmojnë përherë, ato kurrë nuk do të bien njëlloj siç binte zilja ime, ato net të hershme vjeshte.

24. 1. 2021 – Prishtinë

Exit mobile version