Nga Arian Leka
Romani i Agron Tufës, “Fabula rasa”, duket se e ka dhe e shpall një paraardhës stilistikor – për fat vetveten – romanin “Dueli”. Veçse lidhje mes tyre nuk është vetëm “dueli real dhe metaforik vihet në kërkim të vetvetes drejt shpalimit të shtresimeve të identitetit moral, psikologjik, drejt profilit shpirtëror”, siç është theksuar. Atyre i bashkohet edhe rimarrja e thelbit më shprehës dhe ekzistencial të njeriut që baret nga Erosi drejt Thanatosit, nga paqenia drejt hiçit.
Me gjithë ngarkesën e virtyteve dhe të veseve njerëzore, që nga besnikëria burleske ndaj karakterit të lindur të personazheve e gjer tek përshtatja e po këtij karakteri, përthyeshmëria, mbijetesa thuajse instiktive dhe dhunimi i dashurisë metafizike, karakteret e këtij romani sjellin implikime të rëndësishme, të cilat edhe pse preken që në hyrje të veprës, i zbulojnë vlerat vonë.
Megjithatë, ndonëse e njeh si paraardhës, duket shtuar se “Fabula rasa” nuk ndjek gjurmët dhe as bëhet vijim i romanit “Dueli”, duke shembur kështu çdo hamëndësim për vepër ciklike. Por një projekt apo një koncept duket se ekziston, madje duket se një formë triptiku pritet ta mbyllë ciklin e parë romanor të këtij autori me profile të qarta e të shfaqura.
Për ata që duan ta shohin si të tillë, duke dashur t’i mëshojnë më shumë të përbashkëtave sesa veçantive, mund të theksohet se dy romanet e Agron Tufës kanë të ngjashëm atë që e bën të ngjashëm një urë me gjithë urat.
Po kështu, titulli i romanit të parë është mbartur si sfidë edhe për duelin e ri të autorit me lexuesin e “Fabula rasës”. Por në nivelin konceptual, zbrazëtira e tabula rasa-s, kjo pikë zero e nivelit narrativ, bëhet e domosdoshme për autorin që kërkon të shfaqjë e lëndën e re. Hapësira e zbrazur e narrativës vihet e gjitha përballë fabula rasa-s, prej nga që zë fill metarrëfimi i së kaluarës që ka rënë dhe prej ku subjekti nuk mundet ta kontrollojë dhe as ta kuptojë më deri në fund objektin, siç do e përkufizonte Lyotard.
Do të ishte pretendim i pakët të pohonim se ajo që Agron Tufa shfaq përmes këtij romani qenkësht thjesht një çështje teknikash rrëfimtare apo raporte autoriale me kulturat, civilizimet dhe teknikat letrare të shkrimit.
Fabula rasa është kujtesë e përdorur si rrëfim dhe vetërrëfim. Është jeta me shqisat drejt realitetit të veshur me gjuhë e kuptimësi mbitekstuale. Është hiperrealiti vetë, si gjendje gjuhësore, emocionale dhe sociale, që përpiqet (gati me lutje) të vendosë lidhje kuptimësie me këdo, duke përdorur gjithë sa është e mundur, gjithë mjetet narrative që zotëron. Dëshirat e përmbushura (realiteti) dhe fantazitë bëhen bashkë për një histori vetiake pjesëtuar ndër të gjithë nga pak. Ky fat dhe gjurma që ai fat ka lënë mbi ne, apo më mirë mbi ata që reagojnë estetikisht, emocionalisht e moralisht mbi këtë copëz historie, sjellë si vepër arti.
Në këtë kuptim “Fabula rasa” shfaqet si një ndjesi e jetuar rishtas, si një roman me disa elemente pikareskë (referuar teknikave letrare apo modelit sesa të këtij zhanri shekullor të romanit) në shtjellimin e asaj që ndodh, sidomos të antiheroit, kryer përmes teknikave të begata rrëfimtare vendosur në hiper/realitetin që shpërfill dhe anashkalon dallimin midis vdekjes dhe jetës, nëse do zgjidhnim fjalët e Baudrillard lidhur me parimet e pasigurisë brenda ekzistencës shoqërore, të cilat mund t’i përdorim si çelësi i analizës tekstuale.
Ajo që është ngulmuese në roman dhe që lexuesi mund ta pikasë që në krye, është dualiteti i realiteteve dhe përjetimeve vetiake. Është “realiteti që ndodh” për të qenë thjesht një ngjarje e pazhbëshme në fatin njerëzor dhe i po ai realitet i përthyer në “realitet jehonë”, që tashmë përjetohet si një tjetër/realitet, më jetëgjatë, realitetit metaforik dhe i mbivendosur brenda së njëjtës ngjarje, brenda të njëjtit person.
Padyshim që autorit i është dashur jo një lojë zbrazur fjalësh për ta shndërruar “tabula rasa-n” e përgjishshme në “fabula rasa-n” tonë. Në këtë pikë është individi me karakter wünderkindit që hyn në veprim dhe i jep vështrimin retrospektiv veprës, teksa shtresëzon literalitetin e autorit me oralitin e artit demosiak.
Por mistika e fëmijës apo gjenialiteti i fëmijërisë dhe i rrëfimtarit fëmijë, që u tregon të rriturve historitë e tij, nuk është shpërdoruar me këtë rast. Përkundrazi. Frika shumëdimensionle, si element nxitës në rrëfim, ka bërë që wünderkind-i të vëzhgojë mirë njeriun në zvetënimin e tij jo thjesht vetiak, por edhe njeriun që është i mbërthyer pas trashëgimisë, si pjesë e psikologjisë kombëtare, të cilat jo gjithmonë janë vlera.
Mes kësaj vorbulle ngjarjesh e përjetimesh që ndodhin brenda dhe jashtë mendjes së tij, a duhet të rrijë në mes apo të mbajë njërën anë wünderkind-i? Ta braktisë atë trashëgimi (me vlerë e të përlyer) ngaqë ajo ka rënë apo ajo trashëgimi duhet rrëzuar me forcë ngaqë ishte primitive, kriminale, se nuk kishte më gjë për të dhënë dhe se ka mbërritur një rend i ri? Wünderkind-i dhe gjithë të tjerët që imlikohen në rrëfim nuk dinë të zgjedhin pozicionimin ndaj së Mirës dhe së Keqes, Bukurisë dhe Shëmtimit që po pllakos sërish.
Po t’i qasemi romanit sipas metodës formaliste apo neoformaliste, gjëja që do vërenim me një vështrim janë temat apo shtresëzimi vertikal i motiveve të mbivendosura. Teknika që Agron Tufa ka përdorur për mardhënien mes temave, si të ishin variacione që burojnë nga një motiv, është Loja. Loja me fabulën e hapur, përthyerja strukturore dhe përdorimi i shumë teknikave, stileve apo “gjuheve” narrative vë në lëvizje kureshtjen, duke zgjeruar sakaq edhe njohuritë.
Por brendashkruar romanit, si vlera të shpallura pa bujë, ndeshen gjithashtu edhe mikrostruktura tregimi, romani klasik rrëfimtar, eseja konceptuale e epilogut në perspektive, mjete prozodike dhe përdorime të efektshme metrike e gjer tek poezia e organizuar, të cilat ndihmojnë mekanizmin narrativ të funksionojë.
Tregimet brenda fabulës (të dalluara grafikisht nga nënkapitujt me shenjëza) si dhe romani i brendashkruar i Bitak Ballës, rrëfyer në gojëfoljen verilindore, që nuk shpreh vetëm gjuhë, por edhe mentalitet, etnos të ngallmuar brenda gjuhës, janë përthyerje strukturore të plota në të gjithë elementët kompozicionalë e rrëfimtarë që i përngjet një vepre “të pambaruar” enkas.
Ajo që është e pranishme, e hapur, madje deri përndjekëse në roman, është etnosi i ndjeshëm brenda një botë shpirtrash, të kallur e të pakallur, që vinë rreth në kërkim të rimishërimit. Në kahje të kundër të prirjes efemere për modernitet të shtirur, të shitur lirë e të blerë lirë, autori ngulmon tek traditat, në kuptimin e asaj që i mbijetoi prishjes, qoftë edhe duke u strukur në thelbin e njeriut.
Narracioni në romanin “Fabula rasa” përjetohet gjatë leximit si një tekonolgji parashkrimore, duke sjellë në kujtesë kohëra kur autori dhe vepra ishin një dhe komunikonin pa ndërmjetësinë e shkrimit. Duket sikur vepra është shkruar sa prej autorit aq edhe prej karaktereve të tij, të cilët i bashkojnë gjuhës së autorit gjuhën e tyre prej jermesh, litanish, ëndrrat dhe makthet – një gjuhë në kufi të frazeologjizmit – e cila nuk lë vend as për mëdyshje e që nuk pranon të elaborohet e as të modifikohet gjenetikisht. Ajo gjuhë është një krijim stilistik i qëllimshëm, eksperimentale kur duhet dhe e funksionalizuar.
Kjo mënyrë rrëfimi, përfshi këtu proverbat, silabikët brenda fjalive, anonimatin poetik, si dhe poezitë e shkruara në metrikë dhe rimë, kanë krijojuar edhe një rrafsh tjetër përfaqësimi më të gjerë të veprës, që nuk nënkupton vetëm komunikimin mes lexuesit dhe narratorit, por që dëshmon kalimin e suksesshmëm të prozës në poemë zanafillore të aedëve dhe këndelljen auditive të leximit, jo me gisht por edhe me zë.
Tiranë, 2004