Kreu Letërsi Bibliotekë “Histori pa biografi”, ese nga Rexhep Ferri

“Histori pa biografi”, ese nga Rexhep Ferri

Rexhep Ferri

1.

Në këtë fushë të mejdanit, koha pa emër nuk di çka duhet të bëjë.
Çdo fjalë vret.
Edhe heshtja e ka historinë e vet.
Veprimin e vet.
Interesimi është i madh.
Edhe pse nuk është koha për urime, me vite e shekuj kemi jetuar me mitin e mashtrimit.
Herën tjetër do ta kuptojmë më mirë.
Tani ia kemi marrë dorën kësaj historie.
Qebesa edhe këtij qorfermani.
Kur flasim për të kaluarën, ndjesia e kohës së tashme ndalet.
Parandjenja rrokulliset.
Më keq është të flasësh se të mos flasësh.
Këtu merr fund besimi në njeriun…

2.

Menaxherëve që merren me organizimin e mbrëmjeve argëtuese a iu shkon mendja të pyesin sa kushton një plumb qorr?
Kur i hapin sytë.
Nga të gjitha mbretëritë.
Në klubet e natës, deri në fund të natës s’kemi as ndalesa e as kohë të mendojmë.
Jetë, e mjera jetë, mos ik!
Për ta harruar harresën!
Për ta shprehur habinë!?
Për një dell marrëzie kujt t’i drejtohemi?
A ka njeri?
Pse dyshojmë.
Për njeriun që është bërë eksperiment, edhe diçka tjetër do të mbetet në harresë.
Kohën e kemi të vjedhur…

3.

Këndej detit dhe andej detit ka humbur e ardhmja.
A është mirë? Jo!
A është histori e pashkruar? Po!
Më falni.
Mos u largoni.
Shpresat e kalojnë imagjinatën.
Si do të vdes unë nuk e di!
Im at’ ka vdekur nga plaga e vet.
Me dritën e hënës e kemi varrosur.
Tani të kaluarën e shohim në fotografi.
Në rezervat e thesarit kombëtar nuk kanë mbetur as gurët e varreve.
Për ta fshehur identitetin shumë lehtë bëhen operacione plastike.
Në frymën artistike, kujt po i duhen t’i kositë livadhet.
Bariu e baresha kaluan detin e përtej detit.
Për të shitur fytyrën e bardhë e për të blerë maskë për mëngjes, mesditë e mbrëmje…

4.

Sa më shumë që duam të humbim, aq më shumë e duam jetën.
Me dy, nga dy.
Me një nga një.
Është fjala e fundit.
Dhe bota e Madhe në Botën e Vogël.
Për botën, prapa botës, më lini të mendoj.
Kujt t’ia them të vërtetën?!
Vetmia ka shumë keqkuptime.
S’më shlyhet nga mendja.
Për të bërë më të mirën, me çdo gjë që na ka mbetur, ku po shkojmë?
Ku po gabojmë?
Nuk po kuptojmë asgjë!…
Në qytetin e dëshpëruar, me shpresën e pashpresë.
Njeriu i vetmuar shëtit si hije…

5.

Nuk ka pse të na vrasë ndërgjegjja.
Ajo ndjenjë dhe ajo fjalë nuk ekzistojnë më.
Jeta është bërë shumë komode.
Të gjitha kushtet janë për të jetuar mirë.
Por hajt e gjeje mesin e artë!
Te kufiri mes shqiptarëve para dite digjet një flamur.
Pas dite digjet një flamur tjetër.
Për të shpëtuar nga plumbi qorr bëhet një pushim i gjatë.
Kjo mendje e shkretë, ku po na çon?
A jemi të humbur a të papërgatitur, nuk kam asgjë për të fshehur.
Nuk po gaboj!…
Historisë nuk i bëhet vonë.
Për ne që ishim afër nuk dihet kur është ditë e kur është natë.
Për të mbetur gjallë, dilemat vazhdojnë.
Histori pa biografi…

Janar, 2020

Exit mobile version