“Është pritur prej kohësh një libër për hebrenjtë në Shqipëri. Nuk është e tepërt të theksohet se trajtimi i këtij problemi delikat do të ishte diçka e natyrshme për letrat dhe studimet kudo në botë. Qëndrimi ndaj hebrenjve ka qenë dhe vazhdon të jetë një çështje globale, planetare. Kjo, për arsyen e qartë se ndërgjegjja e njerëzimit mbarë është vënë në provë.
Historia shqiptare ka një pikë takimi tepër të ndjeshme me këtë dramë botërore. Qëndrimi ndaj hebrenjve, më saktë, mbrojtja e tyre, nga një popull me histori të zymtë, si i yni, që e nderon, në kuptimin më të madh të kësaj fjale. Është kjo një nga arsyet që libri i shkrimtares dhe studiueses Monika Stafa, “Hebrenjtë në Shqipëri”, zgjon një interes të veçantë”.
Këto janë fjalët e shkrimtarit Ismail Kadare që shoqëron, me parathënie, librin “Hebrenjtë në Shqipëri” të gazetares Monika Stafa, botimet “Onufri”. Sipas tij: “Në Shqipëri hebrenjtë, siç dihet tashmë, historikisht nuk janë mbrojtur nga një pjesë e popullit dhe janë diskriminuar nga pjesa tjetër, nuk ka qenë problem i njerëzve të kulturuar që mund ta kenë bërë këtë gjë për arsye emancipimi dhe pjesa e paditur e popullit ka bërë disa herë të kundërtën, siç qëllon shpesh.”
“Nuk gjendet në Shqipëri asnjë dokumentacion i një grupimi politik ose i një lëvizjeje që ta ketë prishur këtë unanimitet. Prova e madhe, siç u tha, ka qenë Lufta e Dytë Botërore. Kjo është një e vërtetë e njohur. Këtu, ky unanimitet u konfirmua edhe njëherë. Shqiptarët nuk kanë pasur unitet gjatë luftës, rrjedhimisht, prova ka qenë e dyfishtë në Shqipëri në krahasim me vendet e tjera. Sepse Shqipëria pati një keqkuptim të madh politik. Forcat komuniste dhe nacionaliste u ndeshën në shumë probleme themelore që lidheshin me komunizmin apo me antikomunizmin dhe Shqipëria përfundoi pas pushtimit gjerman zyrtarisht në një shtet gjermanofil. Pra, me pozicionin e hebrenjve mund të ishin krijuar kushtet që të shpallej dukshëm si vend antisemit. Kjo nuk ndodhi”, – shkruan Kadare.
Libri është fryt i një pune disavjeçare kërkimore dhe shkencore të studiueses Stafa.
“Hebrenjtë në Shqipëri janë një komuniteti jo pak i rëndësishëm në mjedisin shqiptar, një mjedis harmonik në lidhje sa i përket minoriteteve. Teza vjen si një studim i mirëfilltë shkencor, larg miteve të ngritura deri më tani për arsyet e shpëtimit dhe mbrojtjes së hebrenjve prej rrezikut shfarosës gjatë udhëve të historisë, me theks të veçantë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Libri synon të hedhë dritë mbi ekzistencën e këtij komuniteti dhe arsyet e bashkëjetesës së harmonishme me shqiptarët. Qytetarë nga e gjithë Europa me shtetësi të ndryshme, por që i përkisnin kombësisë hebraike, gjetën shpëtim e mbrojtje në Shqipëri, duke e parë atë si një rast “sui generis” në mes gjithë atij kontinenti që kërcënohej prej terrorit nazist.
Vlerësimi i sfidave me të cilat Shqipëria u përball në një prej periudhave më të vështira që hebrenjtë e huaj dhe ata vendas po kalonin në Europë (1933-1944), përbëjnë bazën analitike dhe kërkimore të këtij studimi. Fokusimi në marrëdhëniet e tyre me autoritetet vendore/ lokale dhe popullin shqiptar zë peshën më të madhe në studim, për vetë rolin që këto të fundit luajtën në shpëtimin e tyre ndaj rrezikut shfarosës nazist”, – thotë Stafa. Sipas saj, në fokus të tij, ky libër ka pasur 5 çështje për t’u trajtuar, në pesë kapituj të ndryshëm.
Pjesë e punimit janë edhe parathënia, hyrja, konkluzionet dhe bibliografia. “Studimi është ndërtuar kronologjikisht mbi dy fazat më të rëndësishme historike dhe me ndikim të dukshëm në historinë e këtij komuniteti: faza e parë ka të bëjë me periudhën e Mbretërisë Shqiptare, për të vijuar me atë të Luftës së Dytë Botërore. Në tërësinë e tij libri synon t’u japë përgjigje disa pyetjeve. Përse hebrenjtë iu drejtuan Shqipërisë, sapo u shpall doktrina famëkeqe “Final Solution”? Çfarë mundësish ofroi Mbreti shqiptar Ahmet Zogu dhe autoritetet qeverisëse të vendit ndaj tyre? Si vijoi ardhja e hebrenjve gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe përse ajo ndoqi një politikë survejimi dhe jo ndëshkimi ndaj tyre? Cili ishte qëndrimi i qeverivë kolaboracioniste ndaj hebrenjve të rrezikuar që erdhën prej Jugosllavisë, Bullgarisë, Rumanisë e Maqedonisë? Si ishte sjellja e shqiptarëve ndaj hebrenjve, kur vendi u pushtua nga Gjermania? Cilat janë veçoritë dalluese të Shqipërisë në raport me vendet e tjera, që u dorëzuan autoriteteve pushtuese gjermane listat me hebrenj? Përse me hebrenjtë e Shqipërisë në kushtet e një terrori të pashembullt në vendet europiane u ruajt një sjellje shembullore dhe rasti Shqipëri u shënjua si një ndër rastet më të paprecedent në historinë e popullit që kërcënohej për zhdukje masive? Çfarë ndodhi me ta gjatë luftës dhe pas saj? Hebrenjtë në Shqipëri në vitet 1933-1946, është një çështje sa e studiuar, po aq edhe e pathelluar. Shënime të përzgjedhura mbi këtë komunitet gjenden në librin “Shqiptarët dhe hebrenjtë në shekuj”, një libër me kërkime të mëhershme mbi këtë komunitet, të studiuesit Apostol Kotani. Kërkimet e tij kanë filluar aty rreth viteve 1968 për shkak të një kërkese që atij iu bë nga autoritetet e kohës. Në fakt, kërkimet e tij mbetën në letër.
Ato asnjëherë nuk u botuan derisa ai iu rikthye atyre sërish pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1991. Ky fakt nuk ishte i panjohur, por hapja e arkivave e pasuroi më shumë kërkimin mbi hebrenjtë në Shqipëri. Shumëllojshmëria e të dhënave të tyre ndihmoi shumë në profilizimin e studimeve rreth këtij komuniteti dhe kontributin që ai kishte dhënë në shumë procese historike të shqiptarëve.
Asgjë prej atyre që shkruhej në librat e historisë apo që thuhej publikisht gjatë viteve të komunizmit, nuk mund të krahasohej me atë që shkruhej në ato dokumente. Përpara syve tanë po shpalosej një faqe tjetër e historisë, krejtësisht e panjohur prej nesh, jo vetëm për fatin e hebrenjve apo të popujve të tjerë, por dhe të vetë shqiptarëve”, – thotë Stafa.