Kreu Letërsi Shënime mbi libra Faslli Haliti, realiteti dhe “nxirja e realitetit”

Faslli Haliti, realiteti dhe “nxirja e realitetit”

Nga Leka Ndoja

Poezia e Faslli Halitit paraqiti që në fillimet e tij një mision social të ngritur. Ky komponent që e ka veçuar poezinë e Halitit si të shënjuar të rëndësishëm, mori formë nëpërmjet diskursit dhe regjistrit të nderë të mezidallueshëm nëpërmjet deklarativitetit, që nëpërmjet marrjes së intonimit të paplotë ose në sordinë të poezive pllakat në “thonjëza”, prodhojnë një perceptim që poezia e Halitit të mund të receptohet me regjistrin komik. Receptimi i kësaj poezie në dukje, nga ana e klisheve ishte korrekt me realitetin zhurnalistik të formave e klisheve shprehëse që i bën të sillen si figuracion artistik nëpërmjet këtij regjistri-bazë të përcjelljes së mesazhit poetik. Duke shpërdorur mjetet e thjeshta verbale të propagandës komuniste, Haliti arriti me shkathtësi t’u jepte teksteve një komicitet e pabesueshmëri, falë drejtpërdrejtshmërisë së përcjelljes së mesazhit nëpërmjet manierës “naiv”. I kësaj linje ishte një cikël i tërë i këtij poeti kushtuar pak a shumë qendrës së superstrukturës politike të shtetit, siç ishte shembulli i poezisë së famshme “Një natë me sekretarin e Partisë”: Prozhektorët e fjalëve të tij/ Më ndriçojnë dardhat, mollët, pjeshkët/ Që nata m’i ka fshehur/ Më zbulojnë ngjyrat, tonet/ Që nata i ka shuar…/ Biseda jonë një ofiçinë/ Këtu kaliten vargjet e mia. Kjo poezi, si ekspresion i nevojës së subjektit për një lider që të njohë botën, ravijëzon sekretarin si idol, koncept i drejtimit politik. Repertori i dardhave, mollëve, pjeshkëve, simbolizon një lloj briri prosperiteti të cilin s’e siguron dot pa sinekdokën e dritës; simbol i udhëheqjes së “Partisë”. Gjithashtu, regjistri i intonimit i siguron edhe “forxhën” (ofiçinën) e Hafestit antik, hyun e artit. Mistifikimi i rolit të sekretarit në natën e së panjohurës, i cili flet para dëshmisë së yjeve, dhe përunja e subjektit, konfiguron një skenë varësie dikotomike, thuajse fatale. Por me uljen e regjistrit, nga toni epik në atë komik, situata poetike ndryshon dhe skena kthehet në karikaturë, duke goditur kolonën e gjithëdijshme të mbajtjes së shtetit komunist, sekretari pasi vihet në funksion lumineshence, i mbetet poetit të ndajë me të errësirën, si simbol qesharak varësie. Si një nga kryeveprat e këtij poeti, që arriti të kumtojë përmes kodeve e simboleve të tjetërsojta, kuptimin e ngulitur të receptuesve të kësaj teme. Në momentin kur Haliti vendosi ta heqë këtë regjistër komik dhe të fshikullojë drejtpërdrejt përmes motiveve social-politike duke larguar “errësirën” komike si te poema “Dielli dhe rrëketë”, kritika zyrtare ia ndërpreu vlerësimin duke e quajtur art armiqësor, pasi ishte univok.

Portat e buzëve tuaja s’hapeshin
Hynte pa trokitur.
Dhëmbët tuaja kyçeshin…
Vinte miqësia hynte pa trokitur.

Poezia e Halitit u fokusua në raportin e intonimit të citateve-fragmente në kuadër të tekstemave ku subjekti krijon regjistrin që merr atributet e publikut të gjerë, të masës. Ai i kapërceu mjaft barriera të censurës, pasi tek ai skizma nuk shquhej në tekst, skizma e Halitit dallohej te poetika e intonimit. Poezia e Faslli Halitit e riprodhon realitetin në thonjëza, kjo është veçoria e këtij poeti që risolli mjetet revolucionare të Majakovskit me të vërtetë, por e ndërtoi mbi një regjistër komik, për ta stigmatizuar fenomenin e zbrazur, “marksizmin vulgar” nga tonaliteti ampoloz, duke e bërë qesharak përmes intonacionit të ulët. Poet me vokacion social, që me guximin e shprehjes ai linte pak alternativa të interpretimit, Haliti ushtronte trysni mbi theksin propagandistik duke e zhvendosur theksin e kuptimit duke e kanalizuar në një kuptim të përmbysur burlesk. Dykuptimësia e brishtë e poezisë së Halitit, me ta dekoduar, kalon në njëkuptimësi. Zbulimi i kësaj teknike nga Institucioni i Kritikës, ia dekodoi tekstet e Halitit, për t’u damkosur si “nxirës realiteti”. Sfida midis të folurit parodik dhe atij të njëmendtë mbetet çështje e repertorit të receptuesit. Analiza mbi këtë poezi do të bënte që kritikët të binin në grackën e tij, pasi nga ana formale ishte korrekt, por vetëm thonjëzat e bëjnë atë poet modernist.

Një kod novator: regjistri komik

Rrafshi ironik i Faslli Halitit është shfaqur në “Një natë me sekretarin e Partisë”, se ai ishte një kodifikim i kontekstit, pasi çdo akt poetik ka diagramin e tij, regjistrin nga ai epik në atë komik. Duke cenuar temat tabu të demistifikimit të lidershipit, motivet sociale vijnë e ia përmbytin lëndën poezisë së Halitit, derisa vetëm dialogon me argumente heteronome. Intertekstet e poetikës së Majakovskit bartin interpretimin e hapur, kuptimin polimorf, ndërsa poezia e Halitit mbetet e profilizuar. Tematika e tij vetëm në ndonjë rast ikën nga vëmendja e diskursit social. Në një hark kohor dyvjeçar poezia e tij dominoi sistemin letrar me tharbin e guximit qytetar, deri në kufijtë e teksturës së protestës si në poemën “Dielli e rrëketë”. Me figurën e simbolit për “Diellin” – Nr.1, të partisë e shtetit, poemë ku shenja poetike e humbi polivalencën duke i shërbyer një aktakuze të vargëzuar, ku mbetet vetëm historia dhe fatumet morale në kundërshti me frymën e partisë në vitin 1973. Kështu Faslli Haliti nga një poet i vlerësuar për origjinalitetin e thjeshtësinë e mesazheve të drejtpërdrejta nisi të goditej në ballë të gjerë nga gjithë kritika zyrtare, për t’iu hequr për 10 vjet të drejtat e profesionit dhe të botimit. Se ku do të arrinte kritika e Halitit ndaj regjimit vetëkuptohej, pasi ai me stilin e tij të zgjedhur “primitiv” sillte virulencën e pastërtinë transindividuale, arketipin kolektiv, të njeriut të punës, të myzeqarit, duke bërë të vetat sintagmat e këtij arketipi. Poezia e tij u bë avokat e së drejtës që shkelej haptas, sidomos në provincë, si Lushnja e poetit. Ndërsa poezia tjetër e famshme “Djali i sekretarit” mbetet në kufijtë paradigmatikë të kuptimit, ku poezia paraqet proteza morale dhe sigmatizon një ves gjithëkohor si “servilizmi”, duke përdorur figuracion deri perversiv: Pastaj vajzat tuaja do ta gjejnë shokun vetë./ Ju jeni pleq.

Realiteti dhe “nxirja e realitetit”

Faslli Haliti, që pati ironizuar edhe herë të tjera në motivin e tij të profilizuar të “Sekretarit” si demiurg që ia ndriçon “konceptet e errëta” poetit të analizuar më sipër në Pleniumin IV, hasi përballë një arsenal që ia kishin diktuar kodin e tij përtallës. Tashmë i “demaskuar”, militantizmi i tij u fut në thonjëza dhe vepra e tij u shua për dy dekada. Fryma e Majakovskit e kishte përfshirë shumicën e vargjeve të tij, si bie fjala: “Shokë. Krijoni një art të ri.” Vargjet e tij ndërtohen shpesh nga aforizma mendimi, nxjerrë nga kodi i së drejtës, por sipas reporterit të tij interpretohen si programe politike groteske. Kulti i së drejtës sociale e ka tronditur poezinë e Halitit, aq sa shpesh devijon misionin estetik… Librat e botuara nga ai në vitet 1997-2010, “S’di të hesht”, “Kaq” etj., kanë ende dimensionin etik të receptivitetit të viteve ’70.

Exit mobile version