Cilat ishin ngjarjet që ndryshuan shpirtin e shekullit të 20-të nga ai i 21? Në perspektivën globale, ato ishin para së gjithash, shkatërrimi i Murit të Berlinit dhe së dyti, shkatërrimi i kullave të Qendrës Botërore të Tregtisë, më 11 shtator 2001. Akti i parë ishte i mbushur me shpresa të ndritshme, ndërsa ai që e pasoi, ishte një tragjedi e madhe. Bindja, se “bota do të jetë më e mirë”, u vra plotësisht, nga fatkeqësia e 11 shtatorit. Këto akte shkatërruese, që vepruan mes dy skajesh kohore, në secilin rast, duket se kanë kombinuar një goditje të vetme, transformimin rrënjësor të mentalitetit njerëzor.
Gjatë tri dekadave të fundit, unë kam shkruar letërsi artistike, që varion nga tregimet, deri te romanet. Historia ka qenë gjithmonë koncepteti themelor i njeriut. Edhe pse çdo histori është unike, ajo kryesisht funksionon si diçka që ndahet me të tjerët. Kjo, saktësisht, i jep një historie kuptim. Tregimet ndryshojnë formë lirisht, duke thithur ajrin e moshës. Historitë janë të ndryshme, kur bëhet fjalë për mënyrën e prezantimit që mbartin në vetvete. Ashtu si stilistët e modës, ne shkrimtarët, i veshim historitë me fjalë të përshtatshme dhe ato ndryshojnë formë nga dita në ditë. Parë nga një perspektivë profesionale, duket se ndërfaqja midis nesh e tregimeve që hasim, ka pësuar një ndryshim të madh, pikërisht, në çastin kur bota filloi të kalonte pragun e mijëvjeçarit. Në ishte ky një ndryshim i mirë apo jo, unë nuk jam në gjendje ta gjykoj, por mund të them që është ndryshim, sepse ne kurrë s’mund të kthehemi aty ku e nisëm.
Duke folur për veten, mendoj se letërsia që shkruaj është duke kaluar në një transformim të dukshëm. Tregimet brenda meje vazhdimisht ndryshojnë formë, ndërsa thithin ajrin e erës së re. Unë e ndjej qartësisht lëvizjen që ndodh brenda trupit tim. Gjithashtu, në të njëjtën kohë, ajo që unë shoh është thelbi në mënyrën sesi lexuesit e marrin atë që unë shkruaj. Ka një ndryshim të rëndësishëm në sjelljet e lexuesve europianë dhe atyre amerikanë. Deri më tani, romanet e mia gëlojnë në shekullin e 20-të përmes hapësirash si “Post-modernizmi”, “Realizmit magjik” apo “Orientalizmi”, por gjatë kohës që njerëzit përshëndetën ardhjen e shekullit të ri, ata gradualisht i ikën së shkuarës dhe nisën ta pranojnë botën e rrëfimeve të mia, më pranë së tashmes. Unë e kam prekur një ndjenjë të fortë të këtij ndryshimi, sa herë vizitoja Europën dhe Amerikën. Më dukej se njerëzit po i pranojnë të plota tregimet e mia, tregime, që shpesh herë janë kaotike, me mungesë logjike, ku kompozimi i realitetit rindreqet. Në vend të analizojnë kaosin brenda tyre, ata, duket se filluan të konceptojnë një interes të ri, si e si për të marrë më të mirën e tregimeve. Komplet ndryshe, lexuesit masivë në vendet aziatike kur lexonin romanin tim, kurrë nuk e patën të nevojshme hapësirën e teorisë letrare. Me sa duket, shumica që morën përsipër t’i shijonin veprat e mia, i pranuan relativisht që nga fillimi historitë “bio”. Së pari erdhi pëlqimi dhe pastaj, së dyti (nëse ishte e nevojshme), erdhi analiza. Në Perëndim, në shumicën e rasteve, analiza logjike vjen para pëlqimit. Gjithsesi, dallime të tilla mes Lindjes dhe Perëndimit, duket sikur janë zbehur me kalimin e viteve, pasi njëra e ndikon tjetrën.
Nëse do ndalesha në proceset mes të cilëve bota kaloi vitet e fundit, do të ishin “ripozicionimi” i madh politik dhe ekonomik, që filluan pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. S’ka nevojë të flitet shumë për teknologjinë e informacionit… Mes këtyre ngjarjesh, do të ishte e pamundur për letërsinë, të merrte e vetme hapin e ripozicionimit, për të shmangur ndryshimin e sistemit. Një vështirësi e tillë nga ky proces gjithëpërfshirës është humbja e përkohëshme, ndoshta me akse të koordinuara, që formojnë standardet e vlerësimit. Këto akse kanë qenë aty deri tani, duke funksionuar si baza të besueshme për të matur vlerën e gjërave e qëndruar në krye të tryezës, si baballarët që zgjedhin çfarë duhet dhe çfarë jo. Tani, që ne po zgjohemi, kuptojmë se jo vetëm babai, por e gjithë tryeza është shkatërruar. Gjithçka rreth nesh, me sa duket ka qenë ose është përpirë nga kaosi. Kur dëgjoj fjalën “kaos”, unë automatikisht kujtoj skenat e 11 shtatorit, kujtoj ato imazhe tronditëse, që shfaqën mijëra herë në televizione dy avionët viganë, të cilët u zhytën në muret xham të Kullave Binjake. Ato më pas u rrafshuan, pa lënë gjurmë. Komploti u realizua me përsosmëri të mrekullueshme, që arriti gati një nivel surreal. Mund ta them pa frikë, se skena duket si e bërë me grafikë kompjuteri, fiks si në një film hollivudian për fundin e botës.
Shpesh pyes veten si do ishte bota pa 11 shtatorin? Në qoftë se nuk do kishte ndodhur kurrë ose të paktën nëse ai plan nuk do ndodhte në mënyrë aq të përkryer…? Atëherë bota do të kishte qenë shumë ndryshe nga kjo e tanishmja. Amerika do të kishte patur një tjetër president (një mundësi e madhe kjo) dhe luftërat në Irak e Afganistan nuk do të ndodhnin (kjo një mundësi edhe më e madhe)… Le ta quajmë botën që kemi tani, “Realiteti A” dhe bota që mund të kishim pasur, në qoftë se 11 shtatori s’do të ndodhte, “Realiteti B”. Atëherë do të dallonim, se bota e realitetit B është më reale dhe më racionale se bota e realitetit A. Jemi duke jetuar në një hapësirë, që ka një nivel realiteti akoma më të ulët, sesa bota joreale. Mund ta quajmë këtë “kaos”? Ç›lloj kuptimi mund të ketë trillimi, në një epokë si kjo? Cilit qëllim mund t’i shërbejë…? Në një periudhë kur realiteti është mjaftueshëm i vërtetë, sa realite mund të ketë një histori e trilluar? Sigurisht ky është problemi me të cilin, ne shkrimtarët po përballemi së fundmi! Në momentin kur mendjet tona kaluan pragun e shekullit të ri, ne, gjithashtu, kaluam një herë e mirë pragun e realitetit. S’kishte zgjidhje tjetër! …dhe në fund, si bëmë kapërcimin, historitë tona u detyruan të ndryshojë strukturë. Proza që kemi shkruar do të bëhet gjithnjë e më e ndryshme në karakter, ashtu sikundër ajo e shekullit të 20-të, që është dukshëm e diferencuar nga tregimet dhe romanet e shekullit të 19-të. Qëllimi i një tregimi nuk është të gjykojë çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar! Ç›është e mirë dhe ç›është e keqe! E rëndësishme është të vendosim brenda nesh, që elementët e ndryshueshëm dhe ata tradicionalë të ecin përpara, në harmoni me njëri-tjetrin. Madje, duhet të vendosim brenda nesh, që historitë individuale e shoqërore, t’í bashkojë zanafilla e tyre. Me një fjalë, roli i historisë është të ruajë qëndrueshmërinë e urës shpirtërore, ndërtuar mes të shkuarës e së ardhmes. Rregullat e reja dhe morali dalin natyrshëm nga një analizë e tillë. Që të ndodhë kjo, së pari duhet të thithim fort ajrin e realitetit, ajrin e gjërave mu siç janë, e t’i hedhim sytë pa paragjykime, te mënyra si tregimet transformohen në brendësinë tonë. Ne duhet të shpikim forma të reja, në të njejtën linjë me frymën e këtij ndryshimi. Në këtë kuptim, në kohën që rrëfimi është duke kaluar sprova të vështira, historia mbart një mundësi të paparë krijuese.
Sigurisht, tregimi ka patur gjithmonë përgjegjësinë dhe peshën për t’u marrë me çdo moshë, por ato janë veçanërisht më të mëdha tani. Tregimi ka një funksion që vetëm ai mund ta kryejë, “ta kthejë gjithçka në rrëfim.” Transformimi i ngjarjeve rreth nesh, në metafora të trillimit dhe natyra e vërtetë e situatës dinamike të tyre, janë funksionet më të rëndësishme të shkrimësisë. Hendeku mes Realitetit A dhe Realitetit B apo përmbysja e realiteteve për sa mund t’i ruajmë ne vlerat tona, e në të njejtën kohë të vazhdojmë të rilindim moralisht, janë këto temat e punës sime. Kam kaluar tre vjet duke e shkruar këtë histori, gjatë së cilës preka botën hipotetike brenda vetes, si simulim. Kaosi është ende aty, i plotë, por, pas një marrëveshje mes gjykimeve dhe gabimeve, unë jam më i fortë dhe ec në rrugën e duhur! Zgjidhja fillon duke pranuar ngadalë kaosin jo si diçka që “s’është atje”, por si një gjë “që ekziston prej vërteti.” Në jetë kam optimizëm dhe si tregimtar jam një pilot plot me shpresa, i përulur ndaj mendjes dhe shpirtit. Unë e ndjej që bota, pas një marrëveshje të mirë gjykimesh dhe gabimesh, me siguri po krijon rrugën e re, drejt së cilës është nisur. Bota, pa dyshim ofron të dhëna që japin një zgjidhje, sepse, në fund të fundit, bota dhe tregimi na kanë sprovuar ndër shekuj, duke na bërë më të mençur!
Përktheu Pol Milo