Teksa botohet romani i tij i ri, shkrimtari i mirënjohur diskuton kompleksitetin, të shkruarin e personazheve femërore dhe takimet me fansat
Bisedoi John Self, The Guardian
“The City and Its Uncertain Walls” është bazuar në një novelë që keni shkruar në 1980. Përse ishte e rëndësishme t’i jepnit një audiencë të re tani?
Ajo vepër është e vetmja që kam shkruar e nuk e kam lënë të shtypet në formë libri. E thënë ndryshe, thjesht nuk isha i kënaqur me historinë. Mendoja se tematika ishte shumë e rëndësishme por fatkeqësisht më mungonin aftësitë e të shkruarit në atë kohë për ta përcjellë në mënyrën që shpresoja. Vendosa të prisja qetësisht, deri sa të fitoja aftësitë e nevojshme si shkrimtar, dhe vetëm atëherë ta rishkruaja tërësisht historinë.
Në ndërkohë, ama, kam pasur shumë vepra të tjera që kam dashur të marr përsipër dhe thjesht nuk mund të filloja me këtë projekt. Sa hap e mbyll sytë, kaluan 40 vjet, dhe arrita të shtatëdhjetat e mia. Mendova se do ishte mirë t’ia filloja nëse doja ta bëja vërtet, meqenëse mund të mos kisha shumë kohë të mbetur. Gjithashtu ndjeva një nevojë të fortë për të përmbushur përgjegjësitë e mia si romancier.
E shkruat librin gjatë karantinës, dhe rrallëherë u larguat nga shtëpia tek e shkruanit. A ju ndikoi kjo mënyrë të shkruari në tonin apo përmbajtjen e historisë?
Sigurisht, kur po shkruaja këtë roman më nevojitej në një sasi e caktuar paqeje, qetësie, dhe kohe për t’i menduar gjërat. Situata e qytetit të rrethuar me mure ishte gjithashtu një metaforë për karantinën mbarëbotërore. Si është e mundur që të bashkekzistojnë edhe izolimi ekstrem, edhe ndjenjat e ngrohta të dhembshurisë? Kjo ishte një nga temat madhore të këtij romani, dhe në këtë kuptim është një hap domethënës përpara krahasuar me novelën origjinale.
Disa lexues japonezë ishin të paqartë nga libri. Për të tjerët, elementët surrealë dhe e çuditshmja, janë disa prej kënaqësive më të mëdha të romaneve tuaja. A pëlqeni t’i lini lexuesit me pyetje të papërgjigjura?
Mendoj se një roman i jashtëzakonshëm gjithmonë do të synojë të shfaqë disa pyetje tërheqëse – por të mos japë një përfundim të prerë, të drejtpërdrejtë. Më pëlqen t’i lë lexuesit e mi, pasi kanë përfunduar librat e mi, me diçka për të menduar. Si, çfarë fundesh mund të ketë këtu? Hedh disa sugjerime brenda çdo historie në mënyrë që t’i të lë të mendojnë. Ajo që do më pëlqente është që lexuesit t’i kapin ato, dhe secili të arrijë në fundin e vet unik.
Pafund lexues më kanë shkruar duke më thënë: “Më ka shijuar rileximi disa herë i një libri tuaj”. Si autor, asgjë nuk mund të më kënaqë më shumë.
Kur shkruani për një personash si rrëfyesi te “The City…” apo Toru te “The Wind-up Bird Chronicle”, apo Kafka te “Kafka on the Shore”, deri në çfarë mase shkruani për veten tuaj?
Personazhet në veten e parë në romanet e mi nuk janë, të them të drejtën, uni i vërtetë, por uni që mund të jetë. Është interesante të ndjekësh këto mundësi, pasi nuk ka shumë shanse për t’u bërë dikush tjetër përveç vetes.
Mes shumë shkrimtarësh të gjuhës angleze që ju keni përkthyer në japonisht, përfshirë Salinger, Fitzgerald, Chandler, Carver dhe Capote, cili prej tyre ka pasur më shumë domethënie për ju?
Jam frymëzuar nga secili shkrimtar. Më tërheq shumë stili briliant i Fitzgerald-it dhe Capote-s, megjithëse është tërësisht i ndryshëm nga i imi. Personalisht, më pëlqen shumë stili i Chandler-it.
Si ka ndryshuar skena letrare në Japoni që kur filluat të shkruanit dhe të botonit më shumë se 40 vjet më parë, dhe a ndiheni pjesë e asaj skene apo jashtë saj?
Mendoj se shkrimtarët e rinj këto ditë kanë lënë mënjanë idetë me pretendime për “kështu duhet të jetë letërsia” dhe shkruajnë fiction me një qasje më të lirë dhe fleksibël. Të cilën e duartrokas vërtet. Në rastin tim, ama, thjesht vazhdoj të punoj në mënyrën time, dhe nuk mund të them se çfarë marrëdhënieje mund të kem me këto ndryshime në skenën letrare.
Çfarë ndryshimesh keni parë te lexuesit tuaj, si në Japoni, ashtu dhe ndërkombëtarisht, dhe a lehtësohet apo vështirësohet e shkruara teksa ju vazhdoni pa ndalur?
Edhe në Japoni edhe jashtë duket se numri i lexuesve të mi në botë sa vjen e rritet, dhe më duken befasues numrat. Në Laos më ka ndaluar një lexuese tajlandeze për të më përshëndetur, në Dresden ishte një lexues nga Shqipëria, dhe në Tokio ishte një lexues indonezian. Shpesh ndihem sikur nuk jam vetja ime e vërtet, sikur jam kthyer në një person fiktiv…
Asgjë prej këtyre, ama, nuk e ka bërë më të lehtë shkrimin e romaneve, apo më të vështirë. Thjesht jam mirënjohës që kaq shumë njerëz, një numër që nuk e kam pritur kurrë, lexojnë librat e mi. Jo të gjithë janë aq të bekuar sa unë.
Fiksioni japonez tani përfaqëson çerekun e të gjithë fiksionit të përkthyer në Britani. Përse mendoni se ka një pëlqim kaq të gjerë?
Nuk e dija që romanet japoneze ishin të famshme në Britani. Cila është arsyeja? Nuk ia kam idenë. Mbase mund të ma thoni ju – do të doja ta dija.
Ekonomia japoneze nuk po shkon mirë këto ditë, dhe mendoj se është gjë e mirë që eksporti kulturor mund të japë ndonjë lloj kontributi, megjithëse eksportet letrare nuk bëjnë shumë, apo jo?
Kritika e Mieko Kawakamit mbi gratë në librat tuaj, i bërë në 2017, a pati ndonjë ndikim mbi mënyrën si i shkruani personazhet femërore?
Librat e mi janë kritikuar kaq shumë gjatë viteve, sa nuk e mbaj mend se në çfarë konteksti janë bërë kritikat. Dhe as nuk i vë shumë re.
Mieko është një mike e ngushtë dhe një grua shumë inteligjente, kështu që jam i sigurt se çfarëdo kritike ka bërë, i ka rënë në të. Por sinqerisht, nuk e kujtoj se çfarë ka kritikuar saktësisht. Për sa i përket grave dhe veprave të mia, ama, rastësisht të gjithë lexuesit e mi janë të ndarë barabar në burra dhe gra, një fakt që më bën shumë të lumtur.
Përktheu Enxhi Hudhri