Kreu Letërsi Shënime mbi libra Halim Halimi: Lufta me vetveten si pjesë e rrugëtimit (romani “Alpinisti” i...

Halim Halimi: Lufta me vetveten si pjesë e rrugëtimit (romani “Alpinisti” i autorit Eqrem Basha)

Odiseada e aplinistit

Modalitetet e veprave kanonike në të vërtetë mirëfilli përbëjnë pamjen estetike dhe vlerën e identitetit esencial të letërsisë. Duke qenë ndryshe autorët qëndrojnë brenda letërsisë, duke qenë të njejtë shuhen brenda letërsisë. Nevoja për heterogjenitet dhe individualitete unike krijuese të letërsisë, ka afirmuar përpjekjen dhe interesimin për të prodhuar letërsi inovative, por asnjëherë të shkëputur tërsisht me traditën e shkrimit në aspektin historik. Autori e matë vetën dhe e peshon në lidhjen e ngushtë që e krijon me traditën.

 Romani “Alpinisti” i autorit Eqrem Basha, një vepër kanonike që zhvillon dhe integron dimensione specifike të jetës, shoqërisë, literaturës dhe mitit duke i shkrirë në koekzistencë për krijimin e një përmbajtjeje që shtreson një semantikë domethënëse e polivalente. Leximi i romanit ofron pamje dhe interpretime të ndryshme si vlerë e etabluar artistike e estetike në pikëpyetjet fundamentale që i shtron si probleme të natyrës filozofike/ekzistenciale e ontike të qenies në relacion me botën e realitetin.

Rëndësia e kuptimit të këtij romani ndërlidhet ngusht me kuptimin dhe njohjen që ia bëjmë karakterit protagonistit të veprës, alpinistit. Alpinisti projektohet dhe modelohet si figurë bosht rreth të cilit dhe me të cilin zhvillohet dhe modifikohet tema dhe ngjarja e veprës. Në vazhdën e këtij leximi duhet çmuar dhe afirmuar kuptimi objektiv i mundshëm i kësaj vepre. Kuptimi të cilin e nxjerrim e riaktualizojmë ose që është aktual dhe na flet e na mëson edhe sot, jo në mënyrë tendencioze por artistike e letrare.

Vepra në tërësi realizon veçori të shumta të cilat zhvillohen si ato stilistike, rrëfimore, semantike, estetike që paraqesin një tablo të tërsishme të romanit si zhvillim në planin strukturor/formal.

Gadamer pohonte se “çdo epokë duhet ta kuptojë një tekst të transmetuar në mënyrën e vet, sepse teksti është pjesë e gjithë traditës, për të cilën epoka ka interes objektiv, dhe në të cilën ajo kërkon të kuptojë vetveten”. Mbi këtë konstatim ne nënkuptojmë se Gadamer i interferohej teksteve dhe veprave të cilat kanë arritur të shndërrohen në vlera universale dhe koha e tyre është kohë zero. I flasin në çdo kohë dhe në çdo vend njeriut nga fillet e gjerë më sot. A posteriori ne veprën ‘”Alpinisti” e cilësojmë si të tillë, ngaqë kur ne e marrim ta lexojmë ajo na ofron një kënaqësi estetike dhe na intrigon me semantikën e tekstit e cila ngrit pikëpyetje fundamentale, të cilat e kanë përcjellur dhe e përcjellin njeriun në vazhdimësi.

 Modelimi i karakterit të alpinistit që përbën një interesim të madh për ne, bëhet me një kujdes dhe venerim të mirëmenduar duke i dhënë veçori e afinitete të një individi të kultivuar, racional dhe me një gjykim të mprehtë. Situata, gjendja shpirtrore dhe emocionale e tij, relacioni i tij me botë dhe realitetin është sfidë dhe rrugëtim me të cilin ballafaqohet çdo individ i shëndoshë brenda një shoqërie. Emërtimi ynë si odiseada e alpinistit na rikthen në fillet e literaturës me personazhin e Uliksit me të cilin krijon analogji çdo njeri në rrugëtimin e tij të gjatë e të mundimshëm, atë që e bëri Uliksi drejt Itakës. Parë në krahasim të këtyre dy protagonistëve për rrugëtimet e tyre të ndryshme specifikojmë pikat e afrive mes tyre; a do të duhet të jetë finok njeriu me patjetër për të arritur në cak? Apo realiteti i ri modern e bashkëkohorë e ka modifikuar një realitet të ri dhe alpinisti duhet të operojë me mekanizma tjerë?

Bota e jashtme është gjithmonë sfiduese dhe e mistershme, ajo duhet të njihet duhet të eksplorohet me dyshime, meditime që dërgojnë në shpjegime të caktuara konstante e relative. Bota e brendshme e alpinistit është e konstruktuar në mënyrë të detajshme, intuitive e meditative, të cilën e njohim kryesisht në sprovat ku ai lëvizë në rrugën e njohjes dhe në realizimin e ambicieve të veta.

Vetmia është karakteristikë bazë e sjelljes dhe qëndrimit të personazhit që vjen si parim se; çdo gjë duhet menduar në vete, vjen nga vetja dhe vendoset në vete. Gjithçka që vjen e imponohet nga jashtë duhet të merret me rezervë, kontestohet dhe shpeshherë të refuzohet në mënyrë kategorike.

Realiteti me të cilën ballafaqohet alpinisti para nisjes së aventurës është manipulativ i vrazhdë i sajuar nga turma, opinionet e turmës, gjykimi i turmës, pengesat e vazhdueshme deri tek ato institucionale administrative. Këtë rezistencë të tyre të një realiteti ku e vërteta dhe e drejta manipulohet, për alpinistin duhej të menjanohejë në dy mënyra, e para; me vetëdijen e qenies mbi të vërtetën dhe të drejtën që garanton rrugtimin jashta çdo reference trilluese e dyta; refuzimi nëpërmjet ironisë dhe heshtjes si një maksimë e vjetër “jeto dhe lëri të jetojnë”, këto i japin mundësinë e zhvillimit dhe ecjes tutje. E gjitha kjo paraqet idenë e autorit se; turmat në mungesë të njohjes e të shpjeguarit krijojnë mite, dhe i mbrojnë me fanatizëm ato si në rastin e alpinistit i cili paraqet rrezikun e shpërbërjes të atij realiteti, andaj mundohen ti bëhen pengesë e nisjes drejt majës së mistershme.

 Individi me formim dhe përvojë vetanake të urtisë, gjithmonë e thyen “mitin e gënjeshtrës” cilido që të jetë ai, me dijën, vetminë, guximin për të lëvizur drejt të panjohurës;

Vetëm do t’i qepej Vajzës dhe vetëm do të kullandriste atje kulmin e kësaj bote. Tek shkathtësia dhe dinakëria e zhvirgjërimit nuk donte dhe nuk do të kishte dëshmitarë”. Ky kuptim na ndërlidhë me traditën e zbulimit dhe punës individuale të njeriut që ka qenë gjithmonë fryt i një studimi, vetmohimi për arritje të rezultateve të caktuara.

Kuptimi i aventurës së alpinistit mund të zhvendoset dhe shihet në dy pamje; rrugëtimi i njeriut drejt njohjes së vetvetës nëpërmjet sprovave dhe dhimbjes e cila është interne dhe mundimshme, dhe rrugëtim drejt arritjes së destinacionit jetësor që ia vendosim vetës. Për të dyja rastet rrugëtimi është i vështirë; rrugëtim që kërkon gjallërinë, aktivitetin dhe dinamikën.

Për secilën rrugë që e zgjedhim duhet pasur mjeshtrinë e saj, durimin dhe maturinë dhe zotësinë individuale:

Ndër mjeshtrit fanatikë vetmia ishte shkalla më e lartë e përkushtimit dhe e esnafërisë”.

 Ne nuk mund ta njohim botën pa bërë hapa drejt saj, në të cilën e masim vetën se sa peshojmë me këmbënguljen dhe vendosmërinë tonë; për alpinistin problematika më madhore ishin njerëzit dhe tejkalimi i paragjykimit të tyre, që nuk zgjat dorën për ndihmë por vetëm bën mjegull dhe tym për paqartësi dhe demoralizim.

 Rrugëtimi sigurohet nga të kuptuarit dhe të gjykuarit e pastër se a duhet vazhduar a duhet hequr dorë; ngase mosdorzimi nuk është çdoherë profitabil kur nuk ka se çka të arrihet; Heidegger pohonte se “të kuptuarit nuk është një aktivitet njerëzor autonom, a historik, por një ndërmjetës, përmes të cilit bota vjen tek njeriu i cili, në një farë kuptimi, karakterizon qenien e tij”.

Vazhda e lëvizjes drejt majës e bënte alpinistin të mendoj gjëra nga më të ndryshmet duke e ditur që sado e vështirë të ishte rruga drejt majës ishte punë mes tij dhe shkëmbit, raport i konsideruar më i lehtë se me njerëzit. Ndaj vetëdija se këto vështirësi do i prodhonin kënaqësi dhe lumturi një ditë e mbushte me entuziazëm dhe forcë të vullnetit.

Lufta me vetvetën ishte pjesë e rrugëtimit që na dërgon drejt mohimit të natyrës së tij instiktive njerzore; të kurreshtjes në depërtimin e mistershëm të Shkëmbit të Vashës, në krijimin e qetësisë shpirtrore, evitimi i ëndërrave, menaxhim i emocioneve të ndryshme e veçmas frikës.

Metafora më e madhe e romanit është përshkrimi i rrugës dhe emërtimi i shkëmbit, të cilën autori e emërton si; Shkëmbi i Vashës, me konstrukt e atribute të personalizimit të vashës së skalitur në gurë. Çdo detaj gjatë rrugëtimit të alpinistit na ngritë pikëpyetje të mëdha, se gjithmonë vendi i ngecjes së alpinistëve paraprak ishte në pjesë të caktuara të vashës, e kjo e prodhon simbolikën e vet, se ku ndalen njerzit kur duan të njohin dikë a diçka?! Portretimi i Shkëmbit të Vashës realizohet me gjitha tiparet fizike të vajzës. Njohja është gjithmonë vetëm dëshirë e kurreshtje se alpinistët që donin të njihnin majën e shkëmbit ose dorëzoheshin në fillim ose aty nga mesi dhe koka gjithmonë mbetej mister që paraqitet me mjegullën. Kjo figurë flet dhe shtreson kuptime të pafundme konotative që varijojnënë forma të ndryshme.

Profesionist e peng i vetvetes alpinisti ikën e bën hapa përpara, di që do e thyej një mit, di që po ecën mbi ambicie viganësh dhe i rezervuar para befasive të rrugës nga ato të pritshmërive e deri tek ato spontanet që ndonjëherë devijojnë gjithçka.

Njeriu lidhet me atë që do dhe në mënyrë graduale të kohës ky pasion e pushton duke u bërë substancial për të e jetën e tij. Ajo që për dikë është kopallë, dikë e mban në jetë, konteksti shpjegon çdo ndjesi dhe qëndrim që ndjeket në jetë. Lidhja e alpinistit me alpinizmin dhe pushtimin e majës jepet me një finesë e kreativitet të naltë:

Nuk ndahet suksesi me tjetrin, siç nuk ndahet as gruaja, as e dashura, maja pushtohet vetëm dhe vetëm një emër duhet të shënohet më në krye. Alpinizmi është arti më egoist dhe më egocentrik që ekziston. Aty do ta realizosh vetveten do të dëshmosh forcën dhe burrërinë tënde. Nëse ke koqe, do të ecësh përpara, nëse s’ke, do të merresh me të tjera gjëra, do të endësh lart e poshtë jetën e varfër e të dështuar dhe do të arsyetohesh me interesa të vogla, banale dhe me një ushqim kllakë e të zaiftë”.

Nëse nisemi nga ajo që pohonte Harold Bloom se “kritika letrare nuk duhet të jetë edhe aq teorike porse eksperimentale dhe pragmatike”, në citimin e fundit nga romani pasqyrohet dhe reflektohet një vendosshmëri dhe kurajo për lexuesin tejet pragmatike, kujt do t’i fliste më shumë ky fragment se njeriut bashkëkohor në sensin universal të shoqërisë së sotme. Me një optimizëm të theksuar e të mirëmenduar, autori lëvizë nga poshtë – lart, nga terri drejt dritës, drejt majës, drejt idealit jetësor.

 Teoria ekzistencialiste mbi jetën se a mundet të zgjedhë njeriu për atë se çka duhet të jetë në jetë, modifikohet fund e krye në vepër që e përcjell si dyshim ekzistencial/ontik në kriza e ankthe që prodhojnë gjendje nga më të frikshmet e ballafaqimit të njeriut me vdekjen:

Për të pushtuar majën, duhet të mendosh njëherë vdekjen. Duhet ta kuptosh se jeta është një kartë cigareje, një fluskë sapuni, një fjalë goje, një bisht i hollë qelqi në gotën e brishtë që mban në dorë dhe që mund të ta thyejë para syve edhe një psherëtimë e papritur.”

 Rrjedha e gjithë gnosisit dhe e jetës jepet përmbledhurazi në një aventurë të rrezikshme të alpinistit që i flet shumë njeriut për caqet e tij në jetë, por mbi gjithë këtë tabor dhe gjithë këtë shtrirje të jetës në botë çka do të ngelet përtej saj, pyetja e madhe filozofike me pak fjalë e përmbyllë gjithë rrugëtimin e asaj që nuk shpjegohet dot. Se çka dhe çfarë pastaj pas gjithë kësaj ?

 “Ai vërtet ishte bërë mësymësi më i shkathët në pushtimin e të papushtueshmeve, por mësyemjeve të tij dukej se po u afrohej kulmi. Një ditë do të vinte maja e majave dhe ai kësaj i ishte trembur.”

Exit mobile version