Kreu Letërsi Shënime mbi libra Xhahid Bushati: Koha dhe “shenjat” artistike të Faik Ballancës

Xhahid Bushati: Koha dhe “shenjat” artistike të Faik Ballancës

Të jesh udhëtar – dhe shkrimtarët shpesh janë udhëtarë – do të thotë të të kujtohet gjithnjë njëkohëshmëria e ngjarjeve, në botën e vetvetes dhe në botën  tjetër, të cilën e ke vizatuar. Një përgjigje e parë ndaj këtij përceptimi të dhëmbshëm mund të qëndrojë në atë që mund të themi: është çështje e ndjesisë, e kufijve të fuqisë sonë përfytyruese. Po ashtu do të mund të thuhej se nuk është e “natyrshme” që përherë t’ia kujtosh vetes se bota është e madhe. Se njera ndodh për aq kohë sa do të ndodhë tjetra. E saktë. Por, pikërisht për këtë na duhet letërsia – për të zgjeruar botën tonë.

Susan Sontag,

Mënyra sesi hyn në fushën e letrave, në atë tempull të lavdishëm, të mundimshëm, gjurmëlënës e fisnik, mbetet një nga rrugët më interesante, më të vështira e me shumë të panjohura për një krijues, ku në startin e tij zë fill A-ja. Po ç’është A-ja? Çelësi, Jetëshkrimi i Krijuesit. Kur flasim për Jetëshkrimin e Krijuesit, në mes të tjerave shenjojmë edhe laboratorin e tij krijues, edhe ‘të pathënat’ e tij…

Kështu, duke ndjekur tipologjinë e shkrimtarëve të talentuar, ndalojmë tek ato të pakët. Por… përsëri ecim, vazhdojmë të ecim… dhe ndalojmë tek ato edhe më të pakët, te ato që quhen fenomene letrare. Personalisht, këto të fundit, në vështrimin tim, i kam quajtur të dinjitetshmit. I tillë në letërsi hyri Migjeni i Madh, për të cilin Kuteli shkroi kështu: “Nuk kish aso kohe as 27 vjet… po ç’janë vjetët përpara talentit? Ç’janë vjetët përpara zjarrit që rreh së brendshmi? Ç’janë vjetët përpara një shpirti të madh? Asgjë! Dhe pikërisht kjo asgjë nuk e ndaloi Migjenin të jetë poet megjithëse ish i ri fort. Poet sepse e njomi penën jo me trajtat konvencionale të një arti konvencional, po në nj’atë mellanin e dhembjes së të gjithëve, për të mjerët e të mjeruarit, me një gjenerozitet e sulm të pa shoq.”[1]

Hyri Migjeni i Madh!

U deshën afërsisht 35 vjet, që po dinjitetshëm, pra, si fenomen letrar, të hynte Faik Ballanca me prozën e tij të magjishme e moderne. Ashtu si për Migjenin, edhe për Faik Ballancën, letrat shqipe ndjenë dhimbje, u tkurrën e pësuan humbje. E zvogëlimi i hapësirave, është vdekjeprurës për artin letrar.

Po përmend disa nga titujt e librave të Faikut, për të kuptuar marrëdhëniet e tij me kohën që jetoi e pasjetoi, ndoshta për të kuptuar edhe kohën e shkrimtarit të vërtetë, që ai krijoi në lëndën artistike, si: “Rrëmbimi” (tregime, 1970), “Mbasdite të lagura” (tregime, 1971), “Katër orë larg shtëpisë” (novela, 1972), “Letra Anonime” (tregime e novela, 1973), “Pritësit e rrufeve” (tregime e novela, 1975), “Tregime të zgjedhura” (1976), si dhe disa botime pas vdekjes “Perëndia e shtëpisë” (1985), “Nomeja e largët” (roman, 1989), “Kënga e fundit e Marko Boçarit” (novelë, 2002), “Mbama pak pallton, çun” (tregime të zgjedhura, 2003), etj. Po t’i vërejmë me kujdes, këta tituj kanë një apo disa të  përbashkëta mes tyre, ndonëse në aspektin formal autori bën komunikimin e parë me lexuesin. Në këto tituj nuk është e vështirë të dallosh edhe simbolikat e largësisë e të moskomunikimit, të cilat janë brengosëse e tronditëse, dëshpëruese e tragjike. E ndodhte në një kohë…, kur Faik Ballanca me talentin e tij fin përpiqej, lodhej, mundohej, stërmundohej dhe sillte mjeshtërisht rrëfime ngjarjesh përmes subjektesh interesante, gdhendte personazhe deri në filigram me artin e tij magjik. E përsëris: magjik! Jo më kot poetja dhe studiuesja Dr. Mimoza Ahmeti ka një vështrim interesant e të panjohur për krijimtarinë e Ballancës, dhe në veçanti për romanin “Nomeja e largët”. Ajo shprehet: “E befasuar nga cilësia imazhiniste e gjenuine e prozës së Faik Ballancës,… … Këto imazhe të poetizuara të natyrës shqiptare, krijojnë ide rreth saj dhe na përsosin, duke na bërë më të ndjeshëm në mënyrën sesi e përthithim botën, vendin tonë ndaj të cilit jemi shpesh inertë.

Psikogjeografia është e përhapur në tërë lëndën e këtij autori, si diçka shumë e veçantë për letërsinë shqipe.”[2]

E ndodhte në një kohë…, kur Faik Ballanca me talentin e tij befasues u falte personazheve tok me shpirtin e krijimit edhe shpirtin e tij human. Sepse “Proza e Faik Ballancës, është kryesisht prozë e personazheve. Faik Ballancës i intereson më shumë personazhi se sa ngjarja. Atij i duket më e rëndësishme bota e brendshme, psikologjia dhe mënyra si personazhi e përjeton dhe e përballon problemin, intrigën se sa vetë problemi apo intriga. Personazhet janë ata që e bëjnë tregimin. Numri i personazheve në prozën e Faik Ballancës është i madh dhe përfshihen karaktere e tipa të ndryshëm që të mbeten në kujtesë për shumë kohë. Këto personazhe punojnë, vuajnë, qeshin, gabojnë, ëndërrojnë, shpifin, vrasin, vdesin ashtu si në jetën reale. Autori nuk i himnizon, por as nuk i paragjykon ato.[3]

Te personazhet, shkrimtari Ballanca shpaloste dije, vetëdije e nënvetëdije nga bota e personazheve që lëviznin nëpër hapësirat e krijimeve të tij, duke shpërfaqur gjithashtu natyra, karaktere, psikologji, dramë, etj. Kjo ndodhte në një kohë kur shkrimtari po gdhendte kohën e vet…Ky moment i rëndësishëm në procesin krijues të prozatorit Ballanca, më kujton një thënie të Balzakut: “Shkrimtari është… një kronikan i madh i konflikteve njerëzore.”[4] Thënie, që mendoj se i shkon për shtat krijimtarisë së Faik Ballancës. Krijimtari, ku “Surrealizmi poetik dhe kompozicioni piktoral i Faik Ballancës janë një ushqim shqisor i jashtëzakonshëm terapeutik, me frymëmarrjen e natyrës, pemët, shtazët, yjet, malet, hënën në rrokullimat dritore mes natës; me gra, burra, fëmijë, prej gjestesh e besimesh ende natyrale, por me një distancë të vetëmjaftueshme dallimi e përqendrimi drejt vetes, autoriteti i së cilës, vetja, frymëzon zbulimin.”[5]

 Po ç’po ndodhte në të vërtetë me të dhe me hapësirat letrare e krijuese të tij?.. Jo më kot, një mjeshtër i tregimit shqiptar siç ishte Vath Koreshi thoshte kështu për Faik Ballancën (Në fakt, Mjeshtri fliste për Mjeshtrin…) “Jo rrallë më ndodh që, duke lexuar tregime të Faik Ballancës, më vjen zëri i tij gjithmonë i shtruar dhe i mbushur me magjinë e zemrës dhe mendjes së tij aq të mprehtë. Faiku ngjallet sa herë, sepse gjithmonë ne kemi nevojë të na plotësojë me diçka që na mungon. Kur jemi të padrejtë, ai na ofron ndershmërinë e tij, kur na tut jeta, ai na bën më të guximshëm. Ai di të na shtyjë gjithmonë që të bëhemi më shumë njerëz, më shumë shokë dhe më shumë të mençur. … Sigurisht një shkrimtar i përmasave të tilla të shtyn të flasësh për shumë e shumë gjëra. Unë kisha për të bërë këtu një zbërthim të disa vlerave artistike të tregimeve të Faikut, po më rrëmben ideja se këto cilësi të shkrimtarit si talent, rrjedhin nga shumë cilësi të shkrimtarit si njeri.”[6]

E kujtoj dhe tani atë njeri njerëzor, që quhej Faik Ballanca. E kam, si tani para syve ecjen e tij paksa të shpejtë, dobësinë e trupit e të fytyrës si fragment brenge e drame, sytë shprehës që fshehnin një buzëqeshje të lodhur. Shpesh më dukej sikur rendte drejt një humbëtire të pafat, e herë drejt një panteoni të mermertë lavdie, që sigurisht, krijues të rrallë e kanë këtë fat. Shpesh, Faiku i ngjante një muzgu të kaltër, i bukur në ardhje, por misterioz në vetvete dhe po ashtu në ikje. Ai (Faiku, – nënvizimi im Xh. B.) edhe… “Në qoftë se bënte një zgjedhje, në dukje edhe të pamundshme, s’dinte të kthehej prapa. Edhe kur nuk e arrinte, ruante thellë vetes inatin që një ditë do ta mposhte. Para së gjithash ai sfidonte vetveten. Natyrës së tij, që ishte treguar disi e kursyer në krahasim me dëshirat, ai i bënte sfidën e kalitjes fizike. Në mos e ndryshonte dot trupin imcak, të paktën ta bënte muskuloz.”[7]

Nuk e di pse ecjen e tij e kam krahasuar gjithnjë me ecjen e poetit Frederik Rreshpja. Gjithnjë e kam menduar këtë krahasim ecjeje, të këtyre dy njerëzve që mbartnin një botë të pasur, sepse e kishin realisht, në shpirt botën e pasur e të vyer. Kjo pasuri e rrallë me dimensione vlerash qe fatmirë për letërsinë shqipe, por qe fatkeqe, sepse u krijua dhe u zhvillua në një kohë me sundimin e një perandorie tragjike, dhe tragjikisht u përball me të shkrimtari. Tragjikisht u përball talenti i tij. Tragjizmi, ndaj krijuesve të vërtetë, ndaj atyre që ishin fenomene letrare, ishte aleati më i ngushtë e më besnik, më i “dashtuni”  që metoda  famëkeqe e realizmit socialist u ofronte këtyre fenomeneve.

Duke u kthyer vite më parë e, duke u ndalur e ecur edhe në vitet në vazhdim…, përftesat e mësipërme (që përmenda lidhur me metodën… dhe perandorinë…) nisën lëvizjen e tyre në kohë e në hapësirë, përgjatë kohës, e cila “lëvizte” dhe “jetonte” sa te krijuesi, aq dhe te antikrijuesi. Në imazhin tim, këto dy nocione u bënë herë të afërta, e herë të largëta, sa herë i kaloja pranë e sa herë më kalonte pranë, aty, te ndërtesa e Lidhjes së Shkrimtarëve, ku ishte dhe revista “Nëntori”, ku punonte si redaktor, e unë atëhere isha student dhe botoja vjershat e para te kjo revistë.

Më vonë, pas ca viteve, lexova romanin “Nomeja e largët” (1989, botimi i parë). Teksti i sapolexuar më dha një shumësi përshtypjesh e mbresash të pashlyeshme, shpesh të çuditëshme e befasuese. Më bënte përshtypje mënyra e rrëfimit, struktura e romanit, vizatimi i personazheve, konceptet estetike që reflektonin në vepër dhe e “qëndisnin” atë, etj., e etj. Më sillej ndërmend teksa ballafaqohesha me tekstin, tipi i një letërsie jokonformiste brenda letërsisë socrealiste. Dukuri e pakët, dritë e mision i shumëndërruar… (për at’kohë e realitet kohe…).  Më bënin përshtypje disa raporte, si: tema e vdekjes si model letrar i shqipes, si çlirim nga jeta e personazhit, e vetë personazhit si humbje, e personazhit si flijim emancipues, etj., etj. Këtu, dua t’i jemi mirënjohës studiuesit Spiro Gjoni për analizën e thukët që i ka bërë kësaj vepre dhe krijimtarisë tij letrare, në monografinë autoriale me titull: “Paradigmat e një një krijimtarie”, për të cilën studiuesja Prof. dr. Klara Kodra thotë: “… është një monografi e llojit integral që synon të rrokë tërë krijimtarinë e një shkrimtari dhe në fakt të një shkrimtari origjinal bashkëkohor për të cilin mungon një studim i plotë i nivelit shkencor”.[8]

Duke vazhduar bashkëbisedimin me këtë vepër, se si më dukej kjo “Nomeja e largët”, herë si një jehonë e afërt, herë si një jehonë e largët, eherë, herë, edhe si një tufë xixëllonjash që ndriçonin qiellin e një nate edhe kur ajo s’do. Nuk e di për kë, ‘kjo e afërt dhe e largët’?.. Për shkrimtarin, për lexuesin… për… Po pse koha reale kërkonte heshtjen e magjisë së krijimeve të Faikut?.. Sigurisht, ishte mënyra e saj për të krijuar një vdekje të heshtur,  por që në të vërtetë ishte ajo që po heshtohej e sfidohej nga lavdia e letërsisë së vërtetë që bënte e krijonte talenti i Faik Ballancës, që realisht letërsia shqipe i kishte me pakicë.

Për romanin “Nomeja e largët”, të vetmin roman, rreth kohës së botimit, rreth kohës së shkrimtarit, rreth kohës së kohës, shkrimtari Teodor Laço rrëfen në këtë mënyrë: “Ndërkohë po mblidheshin re të zeza mbi atë që, edhe në ato ditë, ishte mundimi i tij më i madh dhe më i ëmbël krijues, romanin “Nomeja e largët”. Ishte një gjetje interesante që më parë ia kishin pritur mirë në novelën “Katër orë larg shtëpisë” dhe e kishin nxitur që ta bënte roman. Ai e ndiente se në një roman në dy kohë disi mungonte gjerësia dhe ngjyrimet e botës fshatare, prandaj bashkë me shokun e tij të ngushtë Pandeli Koçin, bënë ca inkursione në fshatrat e Tepelenës.

Kjo ndodhi në ato ditë kur kërkoheshin shembuj për të pranuar tezat mbi ndikimet e huaja. “Nomeja…” e Faikut u erdhi shumë për shtat drejtuesve të Shtëpisë Botuese për të provuar se dhe ata ishin të proekupuar për ndikimet liberale, pavarësisht se, meqë ishin sita e fundit, aty kishte më pak gjasa që të botoheshin vepra të gabuara. Fakti që autori i romanit qe një shkrimtar që punonte në Lidhje, ishte njëfarësoj goditje prapa krahëve për vetë Lidhjen. Drejtuesit e saj, meqë Faiku nuk ishte në Parti, vendosën që romani të diskutohej në organizatën profesionale, ku bënin pjesë të gjithë, dhe u ngarkua Kadareja, unë dhe shkrimtari i ri F. K., i emëruar në Lidhje para pak kohe. E lexuam shpejt, Kadareja u shpreh menjëherë: “Ç’gabime ka aty? Asnjë gabim nuk ka. Ata të Shtëpisë Botuese janë të shkrehur nga trutë. Shkruaje ti, meqë jemi të një mendimi, thuaji edhe F-së.” Dhe ashtu bëmë. Por F. donte të dilte me një recensë më vete. Meqë mendimi ynë ishte pozitiv dhe romani nuk kishte lajthitje ideore, u vendos të mos diskutohej fare dhe iu përcoll dërguesve. Faiku fluturonte. Por s’qe e thënë përfundimisht. Sepse vërtet Shtëpia Botuese u tërhoq nga akuzat e rënda ideore, por i dha autorit një përgjigje lesheli, për ta ripunuar veprën “thellë”, duke bërë edhe sugjerime skematike që kërkonin ndërhyrje, të cilat shmangnin linjën me origjinalin e romanit…”[9]

Më vonë, përsëri pas ca viteve, emri i Faik Ballancës do më shfaqej si një befasim i bukur, teksa më ra në duar libri me tregime të zgjedhura “Mbama pak pallton, çun!”. Botim i Botimeve Toena, Tiranë, 2013; zgjedhur e redaktuar nga Pandeli Koçi, i cili hap pas hapi të jetës, por edhe në atë të pasvdekjes, me shumë devocion e fisnikëri kërkoi, mblodhi e studioi krijimtarinë letrare të Faik Ballancës. Duke e njohur atë në thellësi e në gjerësi, me të drejtë ai  thotë: “Fatmirësisht sot mund të pranojmë se pjesa dërrmuese e prozës së Faik Ballancës na paraqitet e freskët në thelbin e saj palcor. Ajo na flet me gjuhën e njeriut që e do njeriun dhe që mirësia i rrjedh nga shpirti nëpërmjet artit.”[10]

Përsëri parapëlqej t’i rikthehem nocionit Kohë si shenjë e si emblemë në jetën e shkrimtarit Faik Ballanca. Ajo (Koha…) gjeti pasqyrim nërrëfimet e thjeshta, të qarta, tërheqëse, me plot të papritura të prozës së tij ngarkuar me jetë personazhesh, me dilema psikologjike, me konflikte shpesh të ashpra e tragjike. Duke u ndalur te kjo e fundit, disa personazhe tragjikë më kujtojnë tragjizmin e vetëautorit. Ky njëjtësim, sigurisht ka porcionet dhe raportet e veta, por ka edhe të përbashkëtën se jetojnë, ngaqë kanë jetën e autorit të fshehur mrekullisht e artistikisht brenda lëkurës së tyre. Dhe po ta kërkojmë burimin e gjejmë në “Falë talentit të lindur, intuitës artistike, ndjeshmërisë dhe syrit të mprehtë prej shkrimtari, Faik Ballanca arriti të na sjellë realitetin shqiptar të asaj kohe duke e prekur atë, duke e studiuar thellë dhe duke kuptuar anën më të fshehtë e më të bukur të gjërave. Faiku si krijues kishte aftësinë të zbulonte gjëra që për një  sy të zakonshëm ishin të padukshme. Ndërtoi fabula dhe subjekte mbi ngjarje të thjeshta, të zakonshme e të përditshme, duke i transformuar në lëndë letrare për të na i sjellë pastaj si vepra artistike që lexohen me ëndje edhe sot.”[11]

Ndryshe nga shumë krijues, Faiku i takonte moshës së pranverës. Pse ishte i tillë, krijimet e para, si ato të prozës, ashtu edhe reportazhet, nisën udhën e tyre fillimisht në faqet e gazetës “Zëri i rinisë”. Që nga libri i parë me tregime me një titull ngacmues, kureshtar e provokues “Rrëmbimi”, e në vijimësi me libra të tjerë,deri sa pati jetë, (por edhe pas vdekjes), të ndjek mrekullia e të lexuarit nga befasitë e shkrimtarisë së autorit. Mendoj se në pemën e zhanreve të tregimit e të novelës së tij, ai ishte i mirëseardhur dhe ulej pa frikë si zogu i pranverës dhe po pa frikë,  mund të ndërtonte një fole me gjelbërim pylli për të thurrur ëndrrat e së  ardhshmes aty.

Faiku ishte një krijues tragjik. I tillë në të vërtetë?!.. Jo. Kohë pas kohe, ca njerëz e ca institucione të asaj kohe ia injektuan, me pa të drejtë, tragjizmin. Dhe… “Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë më sugjestionon një prej tyre: humbja e sfidës, zhgënjimi prej disfatës. Ai ndoshta nuk e dinte ç’do të thotë të dalësh i mundur nga një betejë që e përjeton dita-ditës si sfidën më të madhe të jetës. Kjo sfidë quhej: ‘Nomeja e largët’. Vini re se si në dy variantet novela “Katër orë larg shtëpisë” dhe “Nomeja e largët”, sikur ky terren i vështirë ishte largësia që duhej mposhtur. Sfida e romanit po ndeshej me një mur heshtjeje, dhe kjo ishte e rrezikshme. Sepse kjo ndodhte në klimën e ndëshkimeve për të ashtuquajturat ndikime të huaja. Ishte klima që të priste krahët dhe sado sfidant i lindur dhe kryeneç, as ai s’mund të fluturonte pa krahë.

Pas kësaj, jeta na ndau…

Dikush më tha se Lidhja kishte dhënë urdhër që asnjë të mos shkonte për ngushëllim dhe për varrim. Vetëvrasja dënohej nga Partia. I kërkova nënës së tij disa fletë të tregimit të pambaruar “Vdekja e Ukshinit”. Në faqen e fundit ishte një njollë gjaku. Aktin e fundit po e nënshkruante me tërheqjen e këmbëzës të tekes së re automatike. Gjuetia po bëhej pasioni i tij i fundit.”[12]

Faiku ishte një krijues tragjik (?!..) Një tragjizëm i dyfishtë, që në krijimtarinë e tij shfaqej sa prozator, aq edhe poet, sa poet aq dhe prozator. Duke lexuar tregimin “Shushunjat”, një simbolikë e mbartur dhe e zhvilluar brenda një subjekti të thjeshtë të shfaqet mrekullisht. Por edhe një reflektim i një guximi krijues që përkon me fillimet e para letrare. Tregimi në fjalë është botuar në gazetën “Zëri i rinisë”. E përmenda këtë fakt, sepse mendoj, që në zanafillë duhet shqyrtuar dhe interpretuar guximi i tij krijues në trajtimin e problematikave të reja, koha e tregimtarit si mëvetësi, por e zhvilluar brenda kohës letrare dhe e përballur me kohën ekzistenciale e reale. Gjithashtu mendoj, që nocioni i Kohës merr zhvillime e përpjestime interesante në tipologjinë e këtij shkrimtari. Merr degëzime të çuditshme e të papritura. Ashtu siç është letërsia e penës së tij letrare dhe profili artistik. Tipologjinë e tij duhet ta kërkojmë sa te bashkëkohësia sa te vizionet, – këto dy margaritarë që i pati vetëm mosha jetëshkurtër e Faik Ballancës. Edhe pse e tillë, ai na la një krijimtari të begatë e fatlume, që duhej kthyer në Kolanë, si pjesë e trashëgimisë së vyer të letërsisë shqipe në gjinitë e prozës shqipe.Përse e vyer? Sepse gjatë studimit tim kam evidentuar disa fjalë kyçe, të cilat flasin më mirë se kushdo, si: *Jetë, dhembje, tragjizëm, vetëpërmbajtje, karakter shpërthyes, serioz, i ëmbël, i respektueshëm, studioz, jo bjerrakohës, vëzhgimhollë, i durueshëm deri në vetëmohim, dritëbutë, i mençur, fjalëkursyer, dashuri, guxim krijues. . *Trashëgimi, bashkëkohës, befasim, aftësi, talent, personalitet. *Konflikte të natyrshme e të pastisura, dinamikë e rrëfimit, frymë humane, lëvizje e elementëve të frazës,… etj.

Pasuria e krijimtarisë letrare të Faik Ballancës, ende edhe sot e kësaj dite, ka nevojë për shqyrtime e interpretime të mëtejshme. Sigurisht më të thelluara. Mendoj se ky krijues, në të shumtën e rasteve është vlerësuar si një ‘dashuri pas një fatkeqësie’. Faiku dhe krijimtaria letrare e tij nuk kanë nevojë për lëmoshë, as për fasada të rrejshme, e as për ditirambe. Se emri i Faik  Ballancës renditet në aradhën e nderuar të mjeshtërve të mëdhenj  të gjnisë sëtregimit të letërsisë shqipe  si: Migjeni, V. Prendushi, M. Kuteli, A. Pashku, M. Camaj, N. Bulka, N. Prifti, V. Koreshi, I. Kadare, D. Agolli, Dh. Xhuvani, N. Lera, K. Blushi, Z. Çela, Sh. Tigani, etj. Krijimet e tij mbartin histori, mbartin jetë njerëzish të vendosura në kontekste të caktuara historiko – shoqërore. Autori me shumë ndjeshmëri ka studiuar dhe ka vizatuar karaktere, ka bërë analiza gjer në imtësi të ndjenjave, pasioneve e të idealeve të tyre. Në të shumtën e rasteve rrëfimi i autorit është rrëfimi i personazhit. Personazhet perceptohen e tharmohen nga autori e vendosen në mjedise të caktuara poetike. Janë të mbushura me lëng jete. Janë realë, të besueshëm e të prekshëm. Kanë psikologjinë dhe fatin e tyre. Historia e rrëfyer, edhe pse e distancuar nga koha reale, ruan modulimin e bashkëkohësisë. Në këtë vazhdë, optika e shkrimtarit Aleko Likaj vë disa thekse rreth mjeshtërisë e kontributeve të Ballancës në pasqyrimin e realitetit shqiptar, të cilat janë: “Faik Ballanca vizaton me “penel” mjeshtërisht realitetin dhe krejt ambjentin shqiptar të atyre viteve, me detaje krejtësisht të kursyera, që e bën kështu prozatorin e viteve 70-të, të veçantë e të ndryshëm nga shkrimtarët bashkëkohës në fushën e tregimit shqiptar. Kjo duket edhe karakteret që na jep, tek natyra, që në tregimet e tij nuk ka thjesht një funksion dekorativ, por që është në funksion të vetë krijimit, si një metaforë e beftë dhe krejtësisht e fuqishme, e cila të kujton në strukturën e vet, linjën “çehoviane” të të shkruarit, edhe pse autori parapëlqente shkrimtarë, si: Tomas Mani, Kafka, Kamyja, Dostojevski, etj.”[13]

Për krijimtarinë e Faik Ballancës, kritika letrare ka folur, por jo aq sa duhet mendoj, jo aq sa i takon një zëri kaq të fuqishëm të prozës shqiptare siç është zëri i tij. Dua të them  për thellësinë e fjalës së tij, për rrafshet e ligjërimit dhe tipologjitë, apo ‘imazhinizmin’,  siç e cilëson dhe thekson studiuesja M. Ahmeti. Megjithatë nuk duhen anashkaluar edhe disa interpretime të  studiuesve dhe të kritikës letrare me të cilat jam ballafaquar gjatëleximeve të mia, ku gjej edhe gjykime, frazime apo përfundime të cilat analizojnë thellë dhe e vlerësojë prozën e Faik Ballancës ashtu siç i takon, si këto: “…kompaktësi naracioni – qoftë si strukturë mendimi, qoftë si sistem shprehës, mandej prania e një dramaticiteti të lehtë psikologjik dhe, në fund, përvetësimi i shpejtë dhe autoritativ i lexuesit që në start, që në fjalinë dhe në pasusin e parë.”[14] Më tej… “…dëshmon forcën  e madhe krijuese të shkrimtarit: mundësia për të hetuar tinguj dhe ngjyra dramatiko-poetike te gjërat që i kemi pranë dhe përherë para syve.”[15] Përsëri më tej…” Aftësia e krijuesit për të hetuar lëvizje te pozitat e palëvizshme, për të hetuar klithje  te gjërat dhe pozitat e heshtura, për të hetuar dramë, tension, rrëmujë të brendshme te format e qeta, te syprinat e lëmueta, është më në fund natyrë imanente e krijuesit të mirëfilltë.”[16] Po përsëri më tej: “Origjinalitetin krijues e bën më të dukshëm edhe mënyra e të rrëfyerit, me natyrshmëri e rrjedhshmëri, që nuk kërcet, por gurgullon në shtratin e vet, herë e ngadaltë, herë më e vrullshme, herë lirike e herë dramatike, sipas situatave dhe veprimit psikofizik të personazheve, të dramës së tyre dhe dramaticitetit të tyre.”[17]… etj.

Duke respektuar vështrimet dhe gjykimet e të gjithëautorëve të shkrimeve, e shoh tëudhës të qartësoj edhe disa dukuri. Krijimet e Faik Ballancës mbartin kode e shenja të përveçme që nderojnë letërsinë shqipe. Mendoj se ende mungonsa duhet fjala e kritikës letrare për emërtesat, stilemat dhe analizat në qasjen e strukturës së tekstit e të vështrimit stilistikor. Duhet të shenjoj gjithashtu se krijuesi Faik Ballanca ishte një shkrimtar sa lirik aq dhe epik. I gërshetoi këto ngjyresa, i ruajti këto raporte, sa te fjala, aq edhe te fraza që ndërtoi. I ruajti duke njohur në thelb konceptin e gjinisë, të cilin e njohu mirë, i cili u shkri organikisht me talentin e tij si prozator i fuqishëm. Rrëfimi i tij kishte si tipar themelor hapësirën. Në fakt ishte shpirti i tij që u jipte udhë hapësirave. Në qoftë se në qerthullin e tregimeve dhe të novelave ngjarja ka një domethënie të pasur (veçori e krijuesit), të pasura janë edhe episodet, i pasur është edhe vetë subjekti me brumë jete (përsëri veçori e krijuesit). Të gjitha këto e kanë burimin tek shpirti i njeriut dhe shkrimtarit Faik Ballanca, i cili ishte sa i pasur, aq edhe i vyer stilistikisht. Jo çdo krijues e ka një pajë e stoli të tillë. Ndryshe nuk mund të ndodhte që krijimet e tij të kishin aq bindje e realizëm, aq modernitet e vizion. Dhe studiuesi Vasil Premçi, teksa analizon romanin “Nomeja e largët, si një roman ekzistencialist, shprehet kështu: “Në kohën kur u shestua dhe u shkrua romani, “Nomeja e largët” i Faik Ballancës, rryma filozofike e ekzistencializmit shijonte pranverën e vet të lulëzimit në Francë dhe në disa prej vendeve më të zhvilluara të Europës. Njohja e gjuhës frënge nga F. Ballanca dhe natyra e tij kërkimtare  nuk lënë aspak dyshim për njohjen e letërsisë bashkëkohore frënge dhe të veprave të Zhan Pol Sartrit.”[18]

Shkrimtari Faik Ballanca udhëtoi përmes ngjarjeve që thuri. Rrëfeu magjishëm përmes krijimeve të veta tregimtare, novelistike e romaneske. Udhëtoi… përmes rrjedhave të kohës. Pati gjithnjë shënjime e “stacione” nga një etapë udhëtimi, në tjetrën, ndonëse udhëtimi jetësor qe fare i shkurtër, por i kompensuar me vazhdimësinë e veprave të tij letrare, udhëtim e vazhdimësi që ende vazhdon…

E, për këtë vazhdimësi (duke e bërë kohën të tanishme), shkrimtarja Helena Kadare flet: “Kam pasur fatin të kem qenë një nga miqtë e afërt të Faik Ballancës. Ishe një miqësi që nuk kërkonte prova dhe as fjalë të bujshme. Sepse një gjë nuk ndryshoi kurrë tek ai: në të gjitha rastet, sido që të ishin rrethanat, kur gjendeshe në vështirësi, atë mik do ta kishe përherë në krah. Këtë e kanë provuar, pa përjashtim, të gjithë ata që e kanë njohur nga afër. Dhe kjo ishte arsyeja që miqësitë e tij ishin të qëndrueshme. Vetë karakteri i tij, edhe pse fare i ri në moshë, kishte atë cilësi të veçantë, që e kanë të gjithë njerëzit e fortë shpirtërisht: ai rrezatonte besim dhe siguri te të tjerët. Dhe kjo nuk ishte një gjë e vogël për kohën. S’ishte as rastësi. Faiku ishte nga ata njerëz që punonte me një përkushtim prekës, për përsosjen absolute të mendjes dhe të shpirtit të vet. Tërë qenia e tij, krejt fiziku i tij i brishtë iu vihej përherë provave të vështira, për të arritur më të lartën, më të pamundurën.

Qysh në tregimet e tij të para dukej që atje tej një tharm i veçantë, që kanë fatin ta kenë vetëm ata njerëz që kanë lindur me dhuntinë e të bërit të artit të madh.”[19]

Faik Ballanca i dha besën letërsisë (krijimit) si akt. Dhe po letërsia (krijimi) ia shumëfishoi këtë besë, po si akt. Akt besimi, mirëbesimi dhe shumëfish besimi!.. Sepse shkrimtari Faik Ballanca e artikuloi fjalën përmes një shqipeje të bukur e të pasur. Një pasuri përrallore! Fjalën e kishte të shenjtë. E shenjtëroi!  Po ashtu dhe personazhet: me psikologji dhe dramë, me dramë dhe psikologji.                 

           Shkodër, janar, 2023


[1] Buzo, Nadire: Kuteli, kontributi i panjohur i shkrimtarit e kritikut të letërsisë, Rilindasi, suplement i Shqiptarja.com, 07.05.2017, f. 14.

[2] Ahmeti, Dr. Mimoza: Peizazhet e qumështa të Faik Ballancës – psikogjeografi në art!, gazeta MAPO, e shtunë e diel 8 – 9 prill 2017, f. 21.

[3] Qormemeti (Berisha), Bleta: Faik Ballanca, si e çoi në vetëvrasje plenumi famëkeq i vitit 1973, gazeta Nacional, e diel, 05.03.2017, f. 21.

[4]  Balzak, De Honore: Shkrimtari duhet të shtrojë dhe të zgjidhë probleme të rëndësishme, Zëri i rinisë, 21.07.1986, përgatiti: Thanas Mustaqi.

[5] Ahmeti, Dr. Mimoza: Peizazhet e qumështa të Faik Ballancës – psikogjeografi në art!, gazeta MAPO, e shtunë e diel 8 – 9 prill 2017, f. 21.

[6]  Ballanca, Faik: “Mbama pak pallton, çun!” (tregime të zgjedhura), Toena, Tiranë, 2003; Mendime dhe vlerësime për veprën e shkrimtarit Faik Ballanca, f. 319.

[7] Laço, Teodor: Një jetë e djegur si meteor, gaz. Panorama, 05.03.2016.

[8] Kodra, Prof. dr. Klara: Ballanca një shkrimtar modern i shkatërruar nga diktatura, gaz. Nacional, 08.10.2017, f.22.

[9] Laço, Teodor: Një jetë e djegur si meteor, gaz. Panorama, 05.03.2016.

[10]  Ballanca, Faik: Mbama pak pallton, çun! (tregime të zgjedhura), Botimet Toena, Tiranë, 2003; Mendime dhe vlerësime për veprën e shkrimtarit Faik Ballanca, f. 319.

[11] Qormemeti (Berisha), Bleta: Faik Ballanca, si e çoi në vetëvrasje plenumi famëkeq i vitit 1973, gazeta Nacional, e diel, 05.03.2017, f. 21.

[12] Laço, Teodor: Një jetë e djegur si meteor, gaz. Panorama, 05.03.2016.

[13] Likaj, Aleko: Ballanca, tregimtari që u shkatërrua nga diktatura, gazeta Nacional, 23.07. 2017.

[14]  Ballanca, Faik: Mbama pak pallton, çun! (tregime të zgjedhura), Toena, Tiranë, 2003; Mendime dhe  vlerësime për veprën e shkrimtarit Faik Ballanca, f. 319.

[15]  Po aty.

[16]  Po aty.

[17]  Po aty.

[18] Premçi, Vasil: “Nomeja e largët” i Faik Ballancës, një roman ekzistencialist, Gazeta Shqiptare, 05.11.2017, f. 19.

[19]  Kadare, Helena: Si tani e kam para syve kur më shfaqej Faiku… (rrëfim), MAPO 26-27.12.2015, f. 13.

Exit mobile version