Fillimjanari i këtij viti ngjalli debat për poezinë, tregimin, dhe letërsinë për fëmijë. Shkak u bënë çmimet letrare për prurjet letrare të para dy viteve, nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, si dhe deklarimi publik i drejtoreshës së saj se çmimet vjetore për poezinë, tregimin dhe letërsinë për fëmijë nuk ishin dhënë ngaqë ky kishte qenë propozim i jurive të mëparshme dhe se gjatë vitit 2024 “kategori si tregimi, letërsia për fëmijë apo poezia nuk kishin prurje të mjaftueshme për gjykim”.
E vërteta është se asnjëri prej anëtarëve të jurisë së çmimeve për vitin letrar 2024 nuk e ka pohuar me shkrim apo me gojë një gjykim të tillë për poezinë, tregimin apo për letërsinë për fëmijë. Z. Mehmet Kraja, kryetari i jurisë së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për veprat e botuara gjatë vitit 2022, u shpreh në fjalën e tij të rastit se vepra të mira ishin botuar edhe jashtë përzgjedhjes së atij viti dhe se “çmimet letrare janë një mjet i përshtatshëm dhe ndihmës për popullarizimin e veprave letrare, një ndihmesë sado e vogël që letërsia, që vepra letrare të kalojnë me lehtë në rrugën e vështirë të lexuesit”.

Kandidatë për çmimin e librit poetik të atij viti ishin poetën Niko Kacalidha, Erina Çoku, Flurans Ilia, Ndue Ukaj, dhe Olimbi Velaj me libër fitues. Kandidatë për vëllimin më të mirë me tregime ishin Zejnulla Rrahmani, Besnik Mustafaj, Behar Jacaj, (fitues), Dashnor Kokonozi dhe Flutura Açka. Po kështu edhe letërsia për fëmijë pati autorët e saj të dinjitetshëm. Të ketë propozuar kjo juri që poezia, tregimi dhe letërsia për fëmijë të mos jetë si kategori më vete sepse prurjet e autorëve të këtij viti nuk e përligjnin çmimin letrar? Kjo është e pagjasë.
Po kaq e pagjasë është që këtë ta ketë bërë juria që ka vlerësuar prurjet e vitit 2023 me kandidatë në kategorinë e tregimit, Shpëtim Kelmendin (fitues), Ardian Kyçykun,. Shqiponja Axhamin, Flurans Ilian, dhe Artur Bakun. Atë vit në listën e shkurtër për poezi ishin Maklena Nika, Entela Tabaku (fituese), Roland Gjoza, Enxhi Naumi, dhe Alban Tartari. Ta ketë propozuar juria e vlerësimit të prurjeve të vitit 2023 që kategoria e poezisë me këta përfaqësues nuk e përmbushte kriterin e një çmimi letrar dhe duhej hequr më pas si kategori më vete? Edhe kjo duket krejt e pagjasë sepse sipas asaj jurie vepra poetike fituese “e pasuroi poezinë shqipe me zërin e saj lirik unik”, ndërsa njëra nga poetet finaliste të atij viti, ishte anëtare e jurisë që gjykoi prurjet e një viti më pas.
Pra, asnjë gjasë nuk ka që ndonjëra prej jurive të mëparshme të Çmimeve Kombëtare të Letërsisë të ketë vlerësuar dhe lavdëruar botërisht veprat poetike, vëllimet me tregime dhe librat e letërsisë për fëmijë dhe ndërkohë të ketë propozuar zhdukjen e çmimeve për këto gjini në vitet e mëpasshme.
Letërsia shqipe sot është si një autostradë me disa “korsi”; me “korsinë” e botimeve të shtëpive botuese të Shqipërisë, me “korsinë” e botimeve të shtëpive botuese të Kosovës, dhe mandej, me “korsinë” e botimeve në Maqedoni, Mal të Zi dhe nëpër botë. Përballë këtij realiteti kaq dinamik, juritë e Qendrës Kombëtare të Leximit nuk përshkojnë dot as “korsinë” e botimeve që përfshihen në treguesin e botimeve në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Pa e çuar te Biblioteka e Kosovës, juria e përvitshme nuk mundet dot të përshkoj as vetëm “korsinë” e botimeve të Buzukut në Kosovë ku përveç një aradhe të gjatë librash që kanë fituar Çmimin Goncourt, apo të nobelistëve, përkthimi i veprës së Aristotelit “Retorika”, vlerësuar si përkthim në QKLL-në e vitit 2026, te Buzuku është botuar në vitin 2021. Dhe për çudi, kësohere, ndryshe nga juritëve të mëparshme të QKLL-së, nuk pati asnjë autor nga Kosova.
Le ta theksojmë, ka një paragjykim që përsëritet kohë pas kohe për librat që shkruhen nga autorët shqiptarë, domethënë, për letërsinë shqipe, se nuk është e të njëjtave nivele me të vendeve të tjera. Kjo është një marrëzi, letërsia shqiptare ka dinamikën e vet si të gjitha letërsitë e tjera. Çështja është që ky paragjykim, ky përgojim i autorëve shqiptarë duhet të luftohet, jo të zyrtarizohet, sepse kësisoj vetë QKLL krijon një pengesë, sado të vogël që letërsia, që veprat letrare të kalojnë në rrugën e vështirë të lexuesit.