Nga Çmimet Kombëtare është hequr plotësisht drama, është hequr si kategori më vete poezia, është hequr si kategori më vete tregimi dhe po kështu edhe letërsia për fëmijë, nuk mendoj se duhet hequr dorë edhe nga përkthimi letrar
Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2024, nuk u dhanë si më parë, për të gjitha gjinitë, për poezinë, për tregimin, për romanin, për letërsinë për fëmijë dhe për përkthimin letrar, jo! krejt papritmas, pa vënë në dijeni pararaprakisht autorët, botuesit, publikun ato u mpakën vetëm në tri kategori.
Së pari, sivjet Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nuk dha një Çmim për poezinë shqipe të shkruar gjatë vitit 2024, si kategori më vete. Ndër dekada, me Çmimin Kombëtar për Poezinë janë vlerësuar poetët Entela Tabaku (2023), Olimbi Velaj, (2022), Visar Zhiti (2021, 1993), Bardhyl Londo (2020), Alisa Velaj (2019), Havzi Nela (2018), Rudolf Marku (2012), Rudian Zekthi (2011), Arian Leka (2010, 2004), Vilson Blloshmi (2009), Preç Zogaj (2008, 1999), Luljeta Dano (2007), Ali Podrimja (2005), Sokol Zekaj, (2003), Dhimitër Pojanaku (2002), Gentian Çoçoli, (2001), Luljeta Lleshanaku (2000), Sadik Bejko (1998), Ledia Dushi (1997), Xhevahir Spahiu (1994), listë e cila nuk është e plotë. Të gjithë këta poetë janë nderuar për veprën e tyre poetike në vitin përkatës sepse ky çmim jepej më vete për gjininë e poezisë.
Natyrisht, ne kemi disa breza autorësh që shkruajnë dhe botojnë poezi sot, përse tani e më pas qenka e tepërt që një libër poezi në vit të shenjohet ndër të gjitha botimet e tjera?
Librat poetik, le ta theksojmë, pranohen nga fare pak librari, më së shumti refuzohen. Përballë këtij refuzimi, dhe diktati të tregut, janë disa botues të cilët bëjnë një sakrificë që meriton nderimin më të lartë duke botuar libra me poezi të autorëve shqiptarë, duke organizuar takime paraqitëse nëpër panaire të librit, dhe më pas, duke u rrekur për t’i dhënë kësodore peshë artit të fjalës poetike dhe poetëve në mjedisin letrar. Zhdukja e pranisë së poetëve nga prania publike e vlerësimit të prurjeve letrare të një viti është një veprim shkurajues për këta botues, për librarët, për lexuesit dhe përveçse refuzues, për autorët, ai është në vetvete, kur bëhet papritur dhe papandehur, sipas gjykimit tim, ndoshta edhe fyes. Duhet të kemi parasysh, se ky çmim, ashtu si edhe çmimet për gjinitë e tjera, mbart në vetevete edhe domethënien e vet simbolike, është shprehje e një vlerësimi dhe përkujdesjeje për artin, në këtë rast artin poetik. Braktisja e kësaj tradite të krijuar prej gati tridhjetë vitesh është krejt në kundërshtim synimin për të krijuar një mjedis të mbështetjes dhe vlerësimit të poezisë.
Dhe, meqenëse nuk kemi një kategori më vete për gjininë e poezisë, kategoria e krijuar, ajo e Çmimit të Madh të Letërsisë është kthyer në një çmim “transgjinor” sepse mbart brenda vetes gjininë e poezisë, tregimit dhe romanit. Tani nuk vlerësohet më vetëm vëllimi i mirë poetik kundrejt botimeve të tjera poetike, vëllimi më i mirë me tregime krahasuar me librat e tjerë me tregime, dhe po kështu edhe me romanin, por pasi të jenë përzgjedhur në secilën kategori, ato bëhen bashkë në një kategori “trigjinore” le ta quajmë, për të zgjedhur një libër të vetëm.
Kjo lloj praktike, është vetëm disavjetëshe, dhe sikurse është përdorur për herë të parë në vitin 2006 kur Ministria e Kulturës dha vetëm dy çmime, atë për veprën letrare më të mirë dhe për përkthimin më të mirë, përgjersa është një praktikë prej së cilës u hoq dorë, kjo do të thotë se ishte e dështuar.
Kapërcimi nga vlerësimi për çdo zhanër, e jetësuar për vite e vite më radhë, tek ajo e vlerësimit vetëm të dy zhanreve, dhe pastaj kalimi prapë te çmimet letrare të fundvitit për të gjitha kategoritë dhe pastaj, sërish rikthimi te kjo praktikë ku vlerësohet një libër letrar, një studim dhe një përkthim joletrar është një tetëhapësh pas, them tetëhapësh, duke pasur parasysh se u zbatuar para tetë vjetësh.
Së dyti, sivjet është hera e parë qysh prej krijimit të Çmimeve Kombëtare Letrare që Çmimi i Përkthimit i jepet përkthimit të një vepre joletrare. Po të shohim historikun e paplotë të përkthimeve të vlerësuara me Çmim Kombëtar, asnjëherë nuk ka ndodhur që çmimi për përkthimin t’i jepet përkthimit të një vepre të filozofisë, të estetikës, të teorisë së letërsisë etj etj. Përkthimet e vlerësuara kanë qenë vepra letrare si “Daullja prej llamarine”, (G.Grass, 2023), “Vjeshta e patriarkut” (G. G. Marquez, 2022), “Njeriu i parë”, (Albert Camus, 2021), “Lepur vrapo” (John Updike, 2020), “Iliada” (Homeri, 2019), “Abadoni/Engjëlli i skëterrës” (E. Sabato, 2018), “Armëpushimi” (Primo Levi, 2017), “Kanali Musolini” (Antonio Pennacchi, 2016), “Robinja” (Marcel Proust – 2015), “Poezi” (Paul Claudel, 2014), “Orlando i çmendun” (Ludovico Ariosto – 2013), “Delfin” (Robert Lowell, 2012), “Nokturne” e Kilit (Roberto Bolano, 2011), “Ishulli i mundshëm” (Michel Houllebecq, 2010), “Mali magjik” (Tomas Man, 2009), “Fausti” (Gëte, 2008), “Tregime të zgjedhura” (Grup autorësh grekë, 2006-2007), “Kujtim kurvash të trishta” (G. G. Marquez, 2005), “Shtatë vëllezërit” (Aleksis Kivi, 2004), “Uliksi” (James Joyce, 2003), “Lumturia e mashtrimit” (Hubert Nyssen, 2002), “Poezi botërore” (Odiseas Elitis, 2001), “Armët e fshehta” (Julio Cortasar, 1999).
Kësodore, pasi nga Çmimet Kombëtare është hequr plotësisht drama, është hequr si kategori më vete poezia, është hequr si kategori më vete tregimi dhe po kështu edhe letërsia për fëmijë, nuk mendoj se duhet hequr dorë edhe nga përkthimi letrar për të kaluar tek përkthimi joletar, përkthimi i filozofisë, librave të estetikës, të teorisë se letërsisë, teksteve akademike etj etj., sepse kështu, ato një mijë apo dy mijë botime në vit, që duhet të shoshis juria bashkëme dhjetëra kategori të përkthimit joletrar, ajo jo vetëm nuk ka kohë t’i lexoj, por nuk do të ketë kohë as t’i njëjtësoj si tituj dhe mandej as t’i shfletoj rrëmbimthi.
Së treti, duke mos e publikuar këtë rregullore, askush nuk e di dhe nuk do ta dijë asnjëherë në të ardhmen se si do të procedohet me përzgjedhjen e romaneve, tregimeve, dhe poezive për një çmim të vetëm; askush nuk e di si do të vlerësohet përkthimi letrar; si do të përzgjidhet përkthimi joletrar apo të dyja bashkë; askush nuk do ta dijë se kur dhe si parashikohet të ngrihet juria, as nëse lejohet që një anëtar i kolegjiumit të QKLL-së të konkurojë për njërën nga këto kategori dhe më pas edhe të fitojë; a lejohet që Ministri i Kulturës, Inovacionit dhe Turizmit apo vetë Drejtori i QKLL-së, cilidoqoftë ai apo ajo, të fitojë Çmimin e Madh të Letërsisë? A parishikohet se sa herë mund ta marrë një krijues një Çmim? Fituesi i sivjetshëm i Çmimit për Përkthimit e mori per herë të pestë këtë vlerësim, pasi është vlerësuar në vitin 2019 (libër me tregime), në vitin 2014 (për përkthimin e një libri me poezi), në vitin 2009 (libër me tregime), dhe në vitin 2007, për përkthimin e një libri me poezi. Kemi një autor tjetër që deri tani e ka fituar pesë herë gjithsej Çmimin Kombëtar, a parashikon ndonjë kufizim rregullorja e re? A mundet që një autor deri në fund të jetës ta fitoj, le të themi, tetë apo dhjetë herë?
Pa e publikuar rregulloren, askush nuk do ta dijë as nëse është etike dhe e lejueshme që një anëtar jurie sivjet të konkurojë dhe të fitoj vitin tjetër; – praktikat e këqija të çmimeve letrare gjetkë, kanë treguar se është bërë rrokadë, fituesi i sivjetmë është përfshirë në juri dhe anëtari i jurisë së vjetme ka dalë si fitues një vit më pas, a e lejon këtë rregullorja e re? A e lejon që familjari i njërit prej anëtarëve të jurisë të marrë çmim po atë vit që bashkëshorti apo bashkëshortja është në juri? Si e shmang rregullorja konfliktin e interesit, parashikohet një deklaratë e secilit prej anëtarëve të jurisë? A reflekton ajo praktikat më të mira në këtë lëmë apo lë shteg për interpretime abuzive? A kërkon dhe a e bën rregullorja të detyrueshme transparencën me publikun?
Dhe së fundi, duke pritur që kjo rregullore të publikohet, le ta pranojmë se duke e vënë jurinë e sivjetme para një rregullore të re, (para një fakti të kryer), dhe duke i mpakur Çmimet e Letërsisë vetëm në tri, është jetësuar zhbërja brenda një dite e një tradite të krijuar mbi njëzet vite, traditë e cila edhe pse e papërsosur, nuk mendoj se duhej rrudhur e rroposur.
