Kreu Letërsi Gjendet një dorëshkrim i humbur i nobelistit Naguib Mahfouz

Gjendet një dorëshkrim i humbur i nobelistit Naguib Mahfouz

Naguib Mahfouz

PËRMBLEDHJA ME TREGIME ISHTE E FSHEHUR NË NJË KUTI

Nga Marcia Lynx Qualey

Naguib Mahfouz është fytyra e njohur e letërsisë egjiptiane. Nëse egjiptianët nuk i kanë lexuar romanet e shumta të laureatit të Çmimit Nobel, me siguri kanë parë ndonjë nga filmat e tij. Për më tepër, ai ishte gjithmonë i afrueshëm me shkrimtarët e rinj dhe admiruesit, gjatë mbledhjeve shoqërore të përjavshme. E megjithatë, pas kësaj gatishmërie të ngrohtë, gjendej një burrë tejet i kujdesshëm që griste bocat, letrat dhe dorëshkrimet e tij.
Disa vite më parë, kritiku i mirënjohur egjiptian, Mohamed Shoair, i caktoi vetes detyrë të kërkonte dorëshkrimin e romanit më famëkeq të Mahfouz, Fëmijët e rrugicës. Libri në fillim u publikua rregullisht në gazetën Al Ahram në vitin 1959, ku u kundërshtua fort nga një radhë politikanësh dhe figurash fetare. Pasi ankesat vërshuan drejt presidentit Gamal Abdel Nasser, kjo shëmbëlltyrë e shkëlqyer, u bë romani i vetëm i Mahfouz që u ndalua në Egjipt. Ky ishte gjithashtu romani i cili nxiti atentatin që iu bë më vonë.
Shoair, i cili ishte pjesë e një brezi të re të kritikëve egjiptianë, ishte i vendosur për të gjetur dorëshkrimin origjinal. Ai foli me Philip Stewart, përkthyesin e parë të romanit në gjuhën angleze, i cili me shaka tha, “ndoshta gjendet në një kasafortë banke në Beirut!”
Stewart i tha Shoair se ndërsa po përkthente librin nga kopjet e gazetës, ai kishte kërkuar dorëshkrimin origjinal. Por Mahfouz nuk e kishte. Ai i kishte thënë se dorëshkrimin ia pati dhënë gazetës Al Ahram, dhe nuk ia kishin kthyer. Gati një dekadë më vonë, romani u gjend në Beirut, dhe Stewart supozoi se dikush te Al Ahram duhet ta ketë shitur dorëshkrimin. Megjithatë, botuesi nga Libani, Dar al-Adab, i tha Shoair se as ata nuk e kishin. E as arkivistët te gazeta Al Ahram.
Kur Shoair pyeti vajzën e vetme të gjallë të Mahfouz se ku mund të gjendej dorëshkrimi, ajo tha se familja nuk zotëronte ndonjë gjë përveç atyre që diheshin nga të gjithë. Por ndërsa ai vazhdonte ta pyeste, ajo kujtoi një kuti me fletë të vjetra të cilën e kishte mbajtur mamaja e saj. E kështu, caktuan një datë që Shoair të vinte ta kontrollonte.
Kjo kuti magjike ishte një pikë kthese në kërkimin e Shoair. Edhe pse nuk e gjeti dot atë që kërkonte, dorëshkrimin e librit Fëmijët e rrugicës, ai zbuloi plot boca të tjera. Ai tha se Mahfouz shkruante me laps, në letra me format të madh, dhe ato që shkruante i fshinte shpesh. Më pas Shoair hasi diçka tjetër: një dosje të trashë me një shënim të shkarravitur mbi të, i cili të linte të kuptoje se tregimet brenda ishin lënë për t’u botuar në vitin 1994.
Ndërsa shfletonte rreth 50 tekste të shkurtra, Shoair kuptoi se disa prej tyre nuk i kishte lexuar ndonjëherë. Për tre ditë, ai kërkoi për këto tregime në veprat e botuara të Mahfouz, dhe zbuloi se shumica prej tyre, ishin publikuar në revistën Nisf al-Dunia. Megjithatë, 18 nga këto tregime të shkurtra nuk ishin botuar asnjëherë. “Nuk mendoj se Mahfouz i la qëllimisht të pabotuara këto vepra”, tha ai. “Dhe vlera e tyre artistike është e fortë”.
Shoair mendon se Mahfouz e humbi rrjedhën e tregimeve për shkak të asaj që ndodhi në 14 tetor të vitit 1994. Mahfouz hipi në makinë me një mikun e tij, kur një djalosh u afrua. Mahfouz, duke menduar se ishte një admirues, uli xhamin. Njëzetetrevjeçari me emrin Mohammed Nagui, i cili ishte riparues pajisjesh dhe një terrorist, u zgjat brenda dhe e goditi me thikë në fyt shkrimtarin e madh. Për mrekulli Mahfouz shpëtoi, por një nerv në qafën e tij u dëmtua në mënyrë të përhershme. Pas një shërimi të gjatë, Mahfouz nuk mund të mbante dot një stilolaps për më shumë se një ose dy minuta. Megjithatë, ai nuk ndaloi së krijuari dhe u detyrua t’i thoshte me zë veprat e shkurtra të fundit.
Mahfouz vdiq 12 vite më vonë, në 2006, kur ishte 94 vjeç.
Shoair thotë se tregimet në këtë përmbledhje të re – të titulluar Pëshpërima e yjeve – kujtojnë atmosferën e romanit të shkëlqyer të vitit 1977, The Harafish. Versioni arabisht u botua në 11 dhjetor: 107 vjetori i lindjes së Mahfouz. Çuditërisht, dhe me zhgënjimin e disa egjiptianëve, në Beirut do të botohet nga Dar al-Saqi. Shtëpia botuese motër e al-Saqi në Londër, vjeshtën e ardhshme do të botojë përkthimin e Roger Allen. Roger Allen, përkthyes dhe pedagog i dalë në pension, pati një marrëdhënie të gjatë me Mahfouz. Përkthimi i parë i botuar i Allen ishte përmbledhja me tregime të shkurtra e Mahfouz me titullin Bota e Zotit (1973), e cila u përkthye bashkë me Akef Abadir.
Në një shtëpi-varkë pranë vendbanimit të Mahfouz. “Në atë kohë”, shpjegon Allen, “Mahfouz ishte gati i verbër dhe jo pak i shurdhët, prandaj personi në të majtën e tij është ai çfarë ne e quanim “bërtitësi”, i cili, çdo disa minuta, i tregonte Mahfouz se për çfarë kishim biseduar. Sigurisht, të gjithë do të prisnim përgjigjen e tij e cila, shpesh ishte e mprehtë”.
Në fund të tetorit, Lynn Gaspard nga shtëpia botuese Saqi Books, ia dërgoi tekstet Allen-it që t’i bënte një përmbledhje. Pasi ma tha këtë në telefon nga shtëpia e tij në Philadelphia, Allen qeshi me të madhe. Ai tha se i lexoi shpejt këto tregime përpara se t’i thoshte Saqi-t, “me siguri po tallesh – sigurisht që ia vlen ta bësh!”
“Lashë gjithçka dhe nisa të merresha me to”, tha Allen. “U mahnita tej mase”.
Allen fliste me një entuziazëm të dukshëm, pasi kishte përfunduar një draft të parë të përkthimit. Agjentja Yasmina Jraissati, e cila përfaqëson këtë vepër, e quan Pëshpërima e yjeve një përmbledhje tregimesh që lidhen me njëri-tjetrin, secili prej tyre me një ndërlikim dhe “një përfundim që të tregon shumë mbi personazhet”.
Por Allen nuk donte t’i quante ato tregime të shkurtra.
“Janë rrëfime të shkurtra”, thotë Allen. “Ajo që më duket interesante … është se zhvillohen në të njëjtin vend, për të cilin përdor fjalën e veçantë hara, ose lagje. I njëjti ambient, të njëjtët personazhe, shfaqen te pothuajse të gjithë tregimet. Kemi kryetarin e lagjes. Imamin e xhamisë. Kafenenë aty pranë. Dhe mbi të gjitha, në cepin e lagjes, gjendet një fortesë e vjetër. Cilido që shkon te kjo fortesë kthehet disi i transformuar. Ashtu si shumë vepra të tij të fundit, sjell një nocion të fortë të dallimeve të sektit Sufi ndërmjet asaj që shihet dhe asaj që nuk shihet, asaj që dihet dhe asaj që nuk dihet”.
Për Shoair, puna e detektivit vazhdon. Në shtator, ai botoi pjesën e parë të trilogjisë së tij mbi Mahfouz: Fëmijët e rrugicës: Historia pas një romani të ndaluar. Pjesa e dytë është në punim, me titull Dorëshkrimet e Naguib Mahfouz.
Shoair shtoi përmes një mesazhi enigmatik në Twitter se “surprizat nuk mbarojnë këtu”. Ai tha se shpejt do të ketë njoftim për një zbulim “i cili është ndoshta më i rëndësishëm se tregimet”. Kur u pyet mbi natyrën e këtij njoftimi, Shoair u përgjigj me dy fytyra të buzëqeshura.

Exit mobile version