Kreu Letërsi Bibliotekë “Gjallë unë pashë”, poezi nga Preç Zogaj

“Gjallë unë pashë”, poezi nga Preç Zogaj

Nga vëllimi poetik me të njëjtin titull, 2007

PAK NGA PAK SHPIRTI

Pak nga pak shpirti fillon të shfaqet në bebëza,
sii një fëmijë
që nuk është rritur
bashkë me trupin.

Pa asnjë rrudhë,
pa asnjë damkë,
mbytur në ujë dhe në trishtim,
përndrit marramenthi
fytyrën
shpirti.

Asgjë nuk vazhdon më prej së vërteti!
Asgjëje s’i ka hije më vazhdimi!
Shpirti po sheh udhët e qiellit,
po përgatit çastin e shkëputjes
prej këtij zhgualli që gjatë e mbajti.

Unë nga t’ia mbaj, nga t’ia mbaj
në këtë ndarje?!
I kam ngjarë shpirtit tim,
Shpirti im më ka ngjarë mua.


AMOUR

Një brinjë më ikën e shkon të ngulet në rërë,
era fishkëllen në anën time të djathtë…
Me duar mbaj
zgavrën dhe mallin.


PËRTEJ VETVETES KALON DASHURIA

Si mund ta dua kaq shumë atë që njoh kaq shumë?!
Përballë kësaj pyetjeje do të qëndrojmë
si akejtë përballë tehut të shpatave dorike.
Në heshtjen epike do të durojmë
therjet zemrës, plagët e përgjigjeve.

Përtej vetvetes kalon dashuria.
Por unë nuk e njoh fjalorin e ri,
Nuk e njoh mënyrën e re të të folurit
Dhe nuk nuk mund të them tani
sa lëndë zhduku ndjenja në mishin tonë,
A po na i merr hopa shpirti këto trupa…
Apo, apo..
Fryma u kthye të ngjizë te ti
një tjetër fëmijë të qiellit dhe unë
me sytë e mbushur me dritë po shoh
si bahet Marie e vluara ime.


JETËSHKRIM

Sa shumë magji mu dha në vogëli,
Si pupël ngrihesha nga shtrati netëve,
Duke ndjekur shikimet e grave magjistare
në botën tjetër shkoja pa vdekur.
Por shpejt erdhi dita t’i lë aventurat,
të nis mësimet, leximet, ndeshjet.

Fati ka qenë bujar me mua.
Shumë herë shtiu rrufeja në rrugën time!
Shumë herë mu sul si përbindësh deti!
Shumë herë desh me shtypi makina,
Shumë herë desh me zuri nepërka.
Dhjetëra luftëra,
miliona mikrobe
kaluan majtas, djathtas pa më prekur.
Por unë nuk e dija se shigjeta vrasëse
gatitet në kohë në natyrën e thembrës.

Për së gjalli do të ndahem nga shpirti im
Sa për t’ju thënë: I bardhë, i pafund, i lëmuar, rrafsh
është horizonti. Deri këtu jetova
përtej miqësive dhe pakteve.

Një thikë të artë
nguli jeta
në zemrën time.


NE ZGJODHËM NDARJEN
SY NDËR SY

Zgjodhëm më të rëndën – ndarjen sy për sy.
Mua më thërrisnin qiparisat dhe era,
Ty të thërriste ora e gruas
për herë të tretë a të katërt, me ngut.
Dashuria rrinte mënjanë e mpirë,
Numëronte hapat e mi me një dremë frymë,
gdhendte në zemra kthimin e kokës tënde
si kthimin e stuhisë në gjirin e shkretë
para se të mbytet përgjithmonë në det.

Zgjodhëm më të rëndën – ndarjen sy për sy.


NË KËTË PRANVERË

Në të dalë të dimrit isha i tendosur
në batutat e fundit me shiun,
ikanakun e maleve që mbante sekretin
e tërë perëndive.
Në krahun tjetër të zemrës
ngrihej pranvera.
Më shpejt se ora vraponte marsi
në limfën time.
Po thosha:
“A vlen
të përsëris jetën
siç përsëris ngrënien, rënien apo zgjimin…?”
Mijëra vjet më duhen
të pikas ndryshimin.
Tani fundi të vijë kur të dojë.
Edhe unë përtej tij jam
në këtë jetë.


KUFIZIMET E DASHURISË

Nuk ban të ulen gjatë në tryezë,
E mira është të ushqehen në ecje
me një mollë të përjetshme,
me mendime të purpurta
të dashurit.

Nuk ban të shtrihen në shtretën të naltë.
Të dashurit duhet të dremisin në këmbë,
shumë – shumë mbështetur mbi gju, mbi dorë,
kurdoherë gati
për thirrjen e qiellit.

Plagosur njëherë e përherë,
Të mundur vetëm nga lumturia e tyre,
nuk kanë të drejtë të shkojnë te mjeku,
të falen në xhami, të rrëfehen te prifti.

Rasti i tyre nuk është yni.
Të dashurve u ndalohet të fotografohen,
Të intervistohen, të japin autografe…
Në puthjen e tyre popullohet bota e pëllumbave.


FYTYRA JOTE

Ngrihet mbi flatra dhe valë deti i Shëngjinit,
stuhitë e mjegullës dhe yjeve vetojnë në stere.
Ushtritë romake i afrohen bregut,
Por fytyra jote i pozon përjetësisë,
habinë e parakohshme të Princeshës Dajana
kur sapo ishte ndarë nga burri i saj
por ende me vdekjen s’kishte ndërruar unazë.


KOHA KALON E PAPREKUR

Gurë që herë – herë ecin.
Njerëz që herë – herë ngrijnë.
Mendimi end e end përmallimin.

E paprekur kalon koha.

Kur shiheshim gjatë, gjatë
në dritën amtare të heshtjes dhe territ;
kur jepnim e merrnim lajme, për të cilat
fjalët nuk ekzistonin –
në cilën anë të kohës, në cilat kambana
fshihej çasti i ardhshëm i ndarjes?

Kujtesa të mbyllura në shishe,
vështrime të djeshme –
nuk arrijnë më në asnjë breg, askund.

E parekur kalon e kalon koha.

Nuk kemi bërë gjë…
Gjatë do të mendohet vdekja,
dhe nuk do të dijë ku të na çojë.


10-LAJME TË TJERA
NGA NE MOS PRISNI

Pasardhësve

Mes popujsh që s’i pamë e s’do t’i shohim-
popuj të vdekur, popuj të palindur,
Ne u rrotulluam në këtë sferë hyjnore,
mes gjelbërimit të thellë dhe blusë së hallakatur
rrjedhë me rrjedhë.

Tani po shkojmë pa e ditur ku po shkojmë!
O fat që na nxore nga errësira,
Nuk ka arsye të na kthesh
sërish atje.

Pamë diellin! U mbushëm me frymë!
Jetuam, qamë, kënduam,
Njohëm frymën kapitëse
të mendimeve të arta,
Ëndërruam pasardhësit, heronjtë-
Udhëtarët e kozmozit, krijuesit e përjetësisë,
U deshëm symbyllur me të dashurat e zemrës,
duke shkuar drejt fundit,
pa menduar për fundin.

Lajme të tjera nga ne mos prisni.

Exit mobile version