Kreu Letërsi Shënime mbi libra Gentiana Softoli: Ringjallja e Kafkës — Në 77 vjetorin e lindjes së...

Gentiana Softoli: Ringjallja e Kafkës — Në 77 vjetorin e lindjes së Musa Ramadanit

Autori

Musa Ramadani (1941-2020), shkrimtar, gazetar e redaktor në gazetën Rilindja,  shkollimin e lartë e mbaroi në Prizren, Dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe. Kishte shpirt artisti dhe përveç krijimtarisë së tij letrare, ai e kishte sfiduar veten edhe në tekste muzikore, konkretisht në zhanrin e muzikës së lehtë. Është marrë po ashtu edhe me pikturë dhe me kritikë teatrore.. Musa Ramadani pas vetes la një krijimtari të pasur letrare, në prozë, poezi dhe dramë. Disa nga krijimet e tij janë: “Romani pa Kornizë”, prozë (1975, “Fluroma”, tregime, (1978), “Zezona”, roman, (1978), “Ligatina”, roman (1983), “Satana ma vodhi gurin e urtisë”, tregime (1987), “Vrapuesja e Prizrenit”, roman, 1995, “Antiprocesioni” (1997),“Inamor: 55”, minitregime (2000). Ndërsa, prej librave poetikë vecojmë “Mëkatet e Adamit”  (1969), “Neurosis” (1973), “Mëkatët e E(ha)vës”, 2006. Ramadani, në mes të tjerave ka përkthyer “Bufi i verbër” të Sadek Hedajatit  dhe “Dhe nuk gjeje vëlla më të mirë” të Maksud Ibrahimbekov. Ka qenë laureat i një sërë çmimesh vlen të përmendim këtu Çmimin “Kadare” për romanin “Profeti nga Praga” 2017.

Romani

Romani “Profeti nga Praga” i Musa Ramadanit trajton rikthimin apo ringjalljen hipotetike të shkrimtarit Franz Kafka, në qytetin e tij të lindjes, Pragë. Romani është ndërtuar në trajtë fiksioni i mbështetur jo pak te faktet, ndaj edhe ndërthurja e ngjarjeve dhe loja me kohën dhe personazhet arsyetohen plotësisht. Kafka rikthehet në Pragën e tij pas plot 41 vjetësh, që kur kishte ikur nga kjo botë dhe përmes 14 njësive rrëfimore, autori e shpie Franzin në vende dhe situata të ndryshme, pikërisht si një profet i cili kthehet për të përfunduar misionin e tij të lënë përgjysmë. Përzgjedhja e këtyre vendeve në të cilat zhvillohet fabula dhe storjet  janë tipike për personazhin real,vende këto të cilat mund të supozojmë se Kafka ka ende punë për të bërë.

Funksioni i fiksionit

Musa Ramadani në romanin e tij “Profeti nga Praga”, edhe përkundër faktit se te lexuesi sjell një rrëfim fiksional hipotetik, ai ndjek një rregull sa i përket shtjellimit të situatës, nismës së rrëfimit, shpalosjes së fakteve, përshkrimit të vendeve dhe strukturimit të romanit. Personazhin kryesor, Kafkën që në hapje na e prezanton dhe na informon për çdo imtësi rreth tij, madje rrëfimin e fillon edhe në trajtë paralajmërimi “Nëse dikund e shihni dhe identifikoni si F.Kafka, luteni të lajmëroni në telefonin me nr. 0123456789”, për anonimin gjenial.

Struktura rrëfimore e romanit ngrihet mbi një narrativë retrospektive, ku autori në këtë rast lëviz në kohë dhe hapësirë, me shtrirje të pakufizuar, çka mundëson kështu sintetizimin e jetës reale me atë fiksionale

“Profeti nga Praga” rrëfehet në dy rrafshe, mirëpo që janë të sinkronizuar me njëri-tjetrin; në njërën anë kemi fakte të vërteta nga jeta e Kafkës, ndërsa në anën tjetër kemi fakte mistike, metafizike dhe fiksionale. Madje, dy kaptina janë plotësisht të shkruara nga Kafka, çka e ka plotësuar edhe më shumë misionin e tij të ringjalljes si profet.  

Përveç anës fiksionale dhe shtjellimit të ndërthurur, në roman kemi edhe një parakaptinë dhe një paskaptinë si lloj informatorësh hapës dhe përmbyllës të rrëfimit. Për dallim nga romanet tjera, kur si subjekt trajtimi janë ngjarje ose tema me interes të gjerë, ku fundi lihet pezull ose u ofrohet mundësia lexuesve që fundin ta projektojnë vetë, romani “Profeti nga Praga” ka fillimin dhe fundin të hartuar në formë të tillë si një jetë të tërë kushtuar një misioni dhe pasi misioni përfundon, atëherë përfundon edhe jeta e personazhit.

Gjuha

Ramadani është cilësuar shumë herë edhe si shkrimtar me leksik dhe shprehje të zgjedhura me një përpikmëri në përdorimin e sintaksës shqipe. Te romani “Profeti nga Praga” shohim po ashtu edhe një përdorim tejet të kujdesshëm të fjalëve të vjetra shqipe. Përdorimi i shprehjeve apo fjalëve të vjetra shqipe, jo vetëm që e pasurojnë diskursin letrar, por edhe e bëjnë më bindës rrëfimin dhe e ofrojnë lexuesin edhe më shumë me personazhin çka i mundëson që ngjarjet brenda romanit t’i përjetojnë më thellësisht. Edhe pse për nga kategoria cilësohet si roman, përveç rrëfimit dhe përshkrimit, në vete përmban edhe dialogë të shpeshtë si shenja dramatike, aty-këtu hasim edhe monologë, si informues rreth biografisë së personazhit kryesor. Teksti është i ndërtuar si lloj miksimi,  një  intertekstualitet  të veçantë, meqë përveç pjesës fabulare fiksionale, autori  në roman ka futur edhe tekste të vetë Kafkas.

Romanin e tij Ramadani e titullon si “Profeti nga Praga” duke e krahasuar kështu Kafkën me Mesian e shenjtë, mirëpo kësaj radhe Kafka na vjen me një tjetër mision, përveçse për vetëdijesim letrar, në një farë forme vjen edhe për të shuar mallin për vendet e tij si dhe për të qëruar hesapet me mikun e tij, Max Brod-in, i cili nuk iu përmbajt testamentit për t’i djegur të gjitha dorëshkrimet.   

Procesi Kafkian

Kafka përveç në rolin e personazhit në roman na paraqitet edhe në rolin e narratorit, duke rrëfyer përshkruar e dialoguar me personazhe të tjera në vende të ndryshme, emrat e të cilëve janë ruajtur për aq kohë sa iu është referuar autori. Kafka vihet përballë situatash të ndryshme, të cilat shpeshherë janë në kontradiktë me njëra-tjetrën, p.sh. kemi rastin kur Kafka ndeshet me birin e tij apo edhe rrëfimi për “Sokakun liliputan, alkimistët”. 

Personazhi Kafka rikthehet në Pragë për të na dëshmuar edhe një herë relacionet e tij, të cilat mund t’i klasifikojmë apo shohim nga tri perspektiva; Kafka në raport me familjen, Kafka si prezantues i autobiografisë së tij (në suaza të ngushta) dhe Kafka në raport me letërsinë (qëndrimi i tij ndaj krijimeve letrare të të tjerëve dhe ndaj botimit të krijimeve të tij).

Përballja e personazhit kryesor me personazhe të tjera është e monitoruar gjithë kohës nga Ramadani. Në agjendën e tij, autori ka rezervuar një numër të madh takimesh me personazhe të tjera, që bëjnë pjesë në këtë roman e ku ndër ta janë miku i tij Max Brod, mikesha e dikurshme, Jelena, Kafka i ri si dhe personazhe mistike. Ballafaqimi me ta, përveç në formë mallëngjimi, na vjen edhe në trajtë diskutimi apo kërkim llogarie për sa i përket ndodhive, pasi që Frnazi u largua nga kjo botë. Diskutimet dhe dialogimet që pikasin janë ato me Max Brodin, ku diskutohet rreth publikimit të veprave, radhitjes së kapitujve, sidomos për “Procesin” dhe tema të tjera, pa e lënë anash edhe takimin me Kafkën e ri, i cili supozohet të jetë i biri i vetë  Kafkës. Përtej dilemave të cilat Ramadani ka trajtuar në romanin e tij për Kafkën, pjesë tërheqëse dhe interesante është padyshim edhe “Një natë në dhomën e Kafkës në Kierling”, ku përshkruan qëndrimin e tij në shtëpinë e Kafkës, respektivisht fjetjen në dhomën e tij; halucinacionet, errësira, emocioni dhe përvoja sa mistike aq edhe sfiduese janë brum i këtij romani. 

Përfundim

Me anë të admirimit dhe dashamirësisë që ka për Kafkën, Ramadani na ka lënë një roman me fiksion të pastër të ndërthurur mjeshtërisht me faktin real. Kafka do të mbetet përherë një vetmitar i heshtur, i përmbajtur, por Musa Ramadani shkrimtar unik, i cili ka arritur të na e ringjallë edhe një herë në trajtë fiksioni shkrimtarin më të madh të letërsisë moderne evropiane.

(Autorja është studente e vitit të dytë në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Gjuhës shqipe)

Exit mobile version