Kreu Letërsi Shënime mbi libra Flurans Ilia: Vëzhgim mbi librin “Portrete pa kornizë” të tregimtares Ajkuna Dakli

Flurans Ilia: Vëzhgim mbi librin “Portrete pa kornizë” të tregimtares Ajkuna Dakli

Ajo që është për t’u përshëndetur, është forma e përjetimit të librit “Portrete pa kornizë” (Onufri, 2023) me autore Ajkuna Dakli. Si ritëm, e rëndësishme kjo në mbarëvajtjen e leximit. E kam fjalën ngushtësisht për lexuesin këtu. Sepse dihet, një libër mund të shkruhet për arsye dhe nga rrethana të ndryshme, por tek e fundit, ai është i farëzuar për lexuesin qysh në zanafillë. “Portrete pa kornizë” më foli në atë mënyrën e vet të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, pa shumë stërhollime letrare, në të njëjtën kohë kur pas kësaj thjeshtësie vëreja një ndërtim të brumosur nga një letërsi e mirë realiste. Është vështirë për krijuesin e sotëm ta mbajnë rrëfenjën në këto përmasa pa i humbur drejtpeshimet, çka në fakt është një teh teje i hollë dhe i mprehtë për të mos e lëshuar fillin e tekstit. Shumë prej nesh e thyejnë padashur këtë. Ajkuna ja ka dalë mbanë ta mbaj të pastër tekstin, në një linjë të atillë të njëtrajtshme që tërheq dhe zmbraps me ndjesi njerëzore.

  Për njerëz të brezit tonë dhe njëherazi emigrant, forca e përjetimit padyshim është e dyfishtë. Dua të them se ky libër i flet kësaj kategorie lexuesi.

  Te kapitulli “Rrugë të gjata” sa më e fortë bëhej forca e fërkimit po aq shpejtë përparonte leximi te tregimet : Karroca, Ditë celulash, Një ditë e shkëlqyer për të ecur, Epikë netësh pa drita, Mure të verdha, Gruaja e vjetër në verandën me lule, Rrugë e gjatë (sidomos ky i fundit). Sepse aty gjeta një dramë të përbashkët si rrëfim i pastër. Unë e quajta nën zë këtë kapitull si “kapitulli i mbyllur i brezit tonë” që duhet rrëfyer. Në faqen 66, ndërsa përshkoja me sy fjalinë e fundit të kapitullit, “Po tani ajo dorë iu duk si një germe e lënë përgjysmë.” Papritur, syri më tradhtoi! Dhe nuk e kam fjalën te ndjesia si lexues, apo stili dhe forma e tekstit, por te shkëndija njerëzore e ringjallur brenda njeriut. Kjo është, i thashë vetes, forca që duhet të përçoj teksti. Të tregosh historinë tënde dhe ndjesinë brenda saj ta bësh burim ndjeshmërie të tjetrit.

  Kapitulli “Portrete” kishte marrë ritmin e vet tashmë dhe përshkohej pa vështirësi leximi. Nga tematika e tregimeve ka kaq shumë për të thënë te lexuesi kanadez apo ai amerikan, aq sa gjithkush e gjen veten aty po aq sa lexuesi shqiptar. Sidomos njeriu (personazh tashmë) i të dy brigjeve. Nën zë e quajta si “kapitulli i rehabilitimit” apo njëfarë rimëkëmbjeje jo konvencionale të grackës tonë si emigrant. “Mbi vetminë dhe çështje të tjera” dëshmon integritetin e librit të Ajkunës. Që do të thotë : autorja nuk e lë të bjerë ritmin por e mban në këmbë drejt hapit final.

  Tani dua të ndalem në ca sekrete të vogla të ashtuquajtura “teknike” të stilit të Ajkunës si tregimtare. Dialogët e “Portrete pa kornizë’ janë organik dhe të natyrshëm, biseda të gjalla, në një trill të bukur letrar. Mbyllja, akti final i rrëfimit, është një gurë i çmuar që Ajkuna mbart si dhuratë falë talentit të saj. Për mua kjo dëshmon dy gjëra kryesore: 1. Që Ajkuna është një lexuese e ushqyer me letërsi të mirë. 2. Që autorja ndodhet përherë me përpikmëri në zotërim të tekstit të saj gjer në fjalinë (fjalën) e fundit, çka është pika ku kulmon një tregim i mirë. Stili i Ajkunës është kaq i thjeshtë sa sfidon çdo lloj forme dytësore. Ajkuna Dakli është një shkrimtare realiste.

  Ndoshta u zgjata pak, por e shoh si autore që është gati tashmë për romanin e saj të parë apo në kalimin nga tregimi i shkurtër te novelat. E them me sinqeritet këtë. E meqë jemi te sinqeriteti, më kujtohet se kur lexova “Çizme lëkure në kohë lufte” (libri i saj i parë me tregime, botuar po nga Onufri, 2020) i kisha shkruar diçka të përafërt, “Mund të bësh akoma edhe më mirë.”

  Me librin “Portrete pa kornizë” autorja Ajkuna Dakli e ka kapërcyer “hapësirën kalimtare” të identitetit si krijues dhe i uroj një udhë të mbarë në aventurën e bukur të radhës.

Exit mobile version