Kreu Letërsi Bibliotekë Florian Gantner: Për aq sa dihet

Florian Gantner: Për aq sa dihet

Përktheu nga gjermanishtja Anna Kove

Kapitulli 22

Hotel Dajti shtrihej si një kolos i fjetur pas bredhave hollakë. Por, edhe kur flinte, kolosi ishte i gjithëfuqishëm. Dihej që ai mund të zgjohej në çdo moment. Në krah të ekspertit të agronomisë, Cerai hyri në hotel dhe u gjend në një sallë të ndriçuar e me përmasa gjigante. Ata kaluan përpara recepsionit, ndërsa portieri bëri sikur  s’i vuri re. Megjithatë, ishte një e fshehtë që dihej, se ai punonte për Sigurimin. Si një bashkim i rolit të portierit dhe bashkëpunëtorit operativ të Sigurimit të Shtetit, ai e kishte vërejtur ardhjen e tyre më shumë se sa thjesht me një vështrim.

Saktësisht përpara tyre ishte një shkallë që të çonte në katin e sipërm, drejt dhomave. Ata u rrotulluan mbi tapetin e kuq, i cili përshkonte sallën në gjatësi dhe i largonte nga shkallët. Cerai ndoqi ekspertin e agronomisë, që dukej sheshit se nuk ishte për herë të parë në Dajt, dhe po vëzhgonte mjedisin përreth tij pa rënë në sy. Mermerin e shndritshëm. Llambat e varura, që ngjanin disi me gota gjigante çaji. Shtyllat me kënde të mprehta, përpara secilës nga një kolltuk. Karriget ishin të zëna në mënyrë të çrregullt. Para barit qëndronin tre burra, të përfshirë në një bisedë të zymtë e monotone. Njëri prej tyre, një burrë me shtat të fuqishëm e me shikim të murrëtyer, i vështroi të sapoardhurit për një moment, mandej iu kthye bashkëbiseduesve të tij dhe tha me zë të ngritur:

Natyrisht, kështu është.

Gazetari austriak po i priste. Ishte ulur në një tavolinë, me një gotë konjaku përpara. Këtu me siguri shërbenin “Skënderbeg” dhe jo atë lëngun “Iliria”. Cerai u përpoq të porosiste të njëjtën gjë, duke bërë shenjë me gisht drejt gotës së austriakut. A do sjellë kamarierja edhe atij të njëjtin konjak të mirë? Megjithatë, u kënaq me një kafe. Këtu ishte për punë dhe kjo gjë kërkonte paraqitje profesionale. Cerai përsëriti përbrenda qëllimin e tij: Nuk bëhet fjalë vetëm për të dalë nga kjo situatë pa pasoja, por edhe me një avantazh. Takimi u bë si të qe lojë fëmijësh: Eksperti i agronomisë referoi mbi objektivat e prodhimit dhe burimet, duke shmangur shifrat, por pa kursyer termat. Shfrytëzimi i kapaciteteve, zhvillimi teknik, siguria e prodhimit. Cerai nuk kishte pasur nevojë të përgatitej për takimin, ai e njihte fjalorin nga shumë fjalime që kishte përkthyer. I përktheu gazetarit në gjermanisht për plantacionet e ullinjve dhe portokalleve ose për tharjen e kënetës së Myzeqesë. Por gazetarit nuk dukej fare i interesuar për to. Këtë gjë e vuri re edhe eksperti i agronomisë, por nuk ia zuri për të madhe të huajit. Kur e përfundoi repertorin e tij, kërkoi ndjesë dhe u largua drejt tualetit. “Largimi i ekspertit të agronomisë” – këtë fjali e pati në majë të gjuhës Cerai.

E ndoqi pas me shikim. Kostumi i shkonte mirë ekspertit. I rrinte pak i ngushtë rreth shpatullave. Por një xhaketë pak më e vogël gjithsesi dukej më mirë, se ajo që po e hanin molat dhe që rrinte e varur në dollapin e tij. Kostumin që kishte veshur, e kishte marrë një ditë më parë nga magazina. Me sa dukej, përkthyesi s’duhet të linte përshtypje si shumë i varfër, prandaj i kishin dhënë leje për ta marrë kostumin nga rezervat e veçanta.

– A nuk duhet të shkoni edhe ju? – e pyeti austriaku, duke e parë Cerain me një buzëqeshje të sforcuar.

Çfarë donte të thoshte ai? A mos nuk kishte kuptuar Cerai ndonjë sinjal? Po, pse duhet t’i thoshte ndonjë gjë fshehtas eksperti i agronomisë, dhe për më tepër te Dajti? Gazetari ndoshta nuk e dinte se edhe tualetet në Dajt ishin nën përgjim. Nëse dëshiron të dalësh nga kjo situatë me një avantazh, duhet ta përfshish atë në një bisedë. Jashtë klisheve, që i dëgjon nga çdo shqiptar. Duhet të hedhësh hapin e parë, për të dalë nga situata mbrojtëse. Një hap të padukshëm për tavolinat përreth.

– A është hera juaj e parë në Shqipëri?

Kjo pyetje nuk ishte kushedi sa e mençur, por ndoshta e dobishme si nxitje për të biseduar.

Gazetari porositi një konjak tjetër dhe tha se ishte vizita e tij e parë në Shqipëri. Ai kishte lexuar disa gjëra për vendin, por në vend ishte ndryshe nga sa e kishte imagjinuar.

Si e keni imagjinuar?

Ah, – tha gazetari, – Në të vërtetë nuk kisha një pamje të qartë.

Kur kamarierja solli konjakun, Cerai pati një ide: – Shpresoj që keni marrë “Skënderbeg”. Gazetari austriak u duk i habitur, duket se fjalia nuk kishte ndonjë kuptim për të.

Konjaku “Skënderbeg” është pije e vërtetë. Në krahasim me të, konjaku “Iliria” shijon si ujë nga këneta e Myzeqesë. Cerai bëri një buzëqeshje të padukshme me cepin e buzës, e cila u shpërnda gjer të bashkëbiseduesi i tij.

Është konjak i mirë, – tha austriaku: – Duhet të jetë “Skënderbeg”.

Kamarierja duket se ju pëlqeu.

Austriaku tha se gjermanishtja e Cerait ishte shumë e mirë.

Të dalësh nga situata me një avantazh!

– Faleminderit! Megjithatë, nuk kam qenë kurrë në Austri apo Gjermani. Mund të imagjinoni, kam studiuar gjermanisht në Pekin.

Austriaku qeshi: – Të paktën nuk e flisni me theks kinez.

Ai duhet të përpiqej ta mbante bisedën, pa u dukur dhe aq e ngrohtë. Edhe pse pothuajse askush nga ata që po dëgjonin në tavolinat përreth nuk mund ta kuptonte bisedën në gjermanisht, dyshimi rritej shpejt.

Megjithatë: Të dalësh nga situata me një avantazh! Si të veprojë më tej? Duke e krahasuar konjakun Iliria me ujin e kënetës, ai sugjeroi një distancë ironike ndaj produkteve të ekonomisë kombëtare. Kina. Pas largimit nga kinezët, mund të bëhen pa problem komente helmuese. Askush nuk do t’i bënte atij vërejtje, ndërsa për austriakun ai do të bëhej një bashkëbisedues interesant dhe gjuhëmprehtë. Mandej ai vëren pas qoshes ekspertin e agronomisë teksa po kthehet. Hapat i hedh të rregullt, pa gjallëri, dhe në përputhje me orientimin e partisë. Dhe atëherë, Cerai thotë thjesht e pa u menduar: „Kthimi i ekspertit të agronomisë.“

Ndërsa austriaku qeshi aq shumë, sa gjithë Dajti ktheu kokën drejt tij.

Momentin e tanishëm, kur Ilir Cerai kalonte një rrugë në Salzburg, e kishte konsideruar si atë moment kur nuk do ta gënjente më veten. Por tani e ka të qartë se edhe ky ishte thjesht vetëmashtrim. Ai e dinte këtë shumë kohë më parë. Që kur ishte me austriakun në hotel Dajti, ai e dinte: Nëse do të kishte edhe mundësinë më të vogël për të shkuar jashtë vendit, do ta shfrytëzonte atë. Që atëherë te Dajti, e kishte imagjinuar veten të përshkonte një rrugë në Salzburg, një rrugë pa gropa, ku do mund të zhdukej. Të zhdukej nga Shqipëria, të zhdukej nga shoku Enver Hoxha, të zhdukej nga shteti i patrisë së popullit.


Florian Gantner (1980) u lind dhe u rrit në Neukirchen am Großvenediger (Salzburg). Studimet për letërsinë e karahasuar i kreu në Innsbruck, St. Étienne dhe Vjenë, me tezën e diplomës mbi seksualitetin në romanin europian të shekullit të 18-të. Për disa vite ka punuar në profesione të ndryshme, ndër të tjera një vit në një qendër për refugjatë, dy vite si kujdestar për njerëzit me sëmundje mendore, si edhe në mësimdhënie në University of Jordan (Aman, Jordani) dhe University of Reading (Britani e Madhe). Jeton sot si shkrimtar në Vjenë.

Florian Gantner ka marrë shumë çmime letrare:

•              Çmimi Theodor-Körner 2014

•              Çmimi për promovim “Rauriser” 2018

•              Çmimi “Floriana” – Bienalja e Letërsisë 2018

•              Nominim për Çmimin e Letërsisë të AK 2021

Është anëtar i shoqatës së shkrimtarëve austriakë; që prej 2019 drejtues i festivalit „Letërsia gjen vend“, dhe nga viti 2022 i „Literatursalon Müller“ në Villa Müller, Feldkirch. Ka botuar romanet „Trockenschwimmer“ (2015) dhe „O.M.“ (2018), si dhe tekste në revista letrare (ndër të tjera në Lichtungen dhe Die Rampe). Fragmente nga „Soviel man weiß“/“Për aq sa dihet“ (2021) u shpërblyen me Çmimin Rauriser për promovim; dhe Çmimin Letrar „Floriana“. Botimi i këtij romani, personazhi kryesor i të cilit është shqiptari Ilir Ceraj, u bë në Residenz Verlag (2021). Romani i tij i fundit, i botuar para disa muajsh, mban titullin “Eternal Partner”.

Florian Gantner vjen në Tiranë në Festivalin Letrar “Tirana Gate 2024”, datë 09.10., me mbështetjen e Ambasadës Austriake.

Exit mobile version