Kreu Opinion Floresha Dado: Për ty, Klara Kodra (në 80-vjetorin e lindjes)

Floresha Dado: Për ty, Klara Kodra (në 80-vjetorin e lindjes)

Klara, mikesha ime e vjetër, shoqja e mirë, gjithnjë e vëmendshme dhe e dashur ndaj meje, të dërgoj urimet dhe vlerësimin tim më të lartë! Para sa vitesh ne jemi shoqe të ngushta ? Janë shumë, rreth 55 vite. Kur unë, e sapo diplomuar, fillova punën në sektorin e Letërsisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, fshihja një pasiguri dhe dyshim për të ardhmen time shkencore. Të shihja ty, rezultatet që kishe arritur që në fillimet e karierës tënde të re shkencore, ndiqja informacionet letrare dhe kujtesën tënde të jashtëzakonshme, dhe, a e di, unë ndjehesha akoma më e vogël, më e pasigurtë. Ti lexoje shumë, kishe njohje të gjerë për letërsinë shqipe, arbëreshe, italiane etj. Ç’isha unë përpara teje ? Por, unë ndjeva që në fillim mirësinë dhe gadishmërinë tënde për të komunikuar. Mahnitja ime më e madhe ishte kur ti citoje përmendësh, nga faqet e librave që kishe lexuar,  një mendim, pohim të ndonjë personazhi… E habitur, e shtangur, unë ndjeja se sa larg isha nga ty, se studimi i letërsisë nuk mund të ishte thjesht dëshirë, por njohje e gjerë, lexim i pafund, formim teorik dhe origjinalitet. Vitet që kalova në këtë sektor mbeten të paharrueshme në përvojën time shkencore,  për miqësinë tëndë, për diskutime e shumta, shpesh me debat, për vërejtjet apo vlerësimet që i bënim punëve të njera tjetrës.

E dashur Klara, që në ato vite unë pashë te ty një model krejt të veçantë të studiueses së letërsisë, me  kulturë gjuhësore, letrare, me kurajën shkencore për të mbrojtur tezat e tua. Të kujtohet sa shumë debatonim atëhere në zyrën e përbashkët me kolegë të tjerë? Të kujtohet sa herë unë të provokoja në debat që ti të reagoje me pasionin këmbëngulës të një fëmije të guximshëm ? Ti dëshmove, shumë shpejt, kontribuesen e shquar në fushën e studimit të letërsisë arbëreshe, me monografitë shkencore dhe me artikujt e pafund, mbi autorë pak ose aspak të njohur, me thellimin e njohjes edhe për autorë që, ndonëse ishin trajtuar nga studiues të tjerë, mbeteshin ende të vakët në perceptimin tonë… Duke njohur shkëlqyeshëm italishten dhe stilin specifik të poezisë arbëreshe ti arrite të depërtosh në botën artistike të kësaj trashëgimie letrare historike, por dhe të asaj bashkëkohore. Prandaj je një nga studiueset më të spikatura, je një vlerë e shquar në historiografinë tonë letrare. Studimet për poezinë dhe prozën, jo vetëm arbëreshe por edhe për autorë të letërsisë sonë të traditës dhe bashkëkohore, ngërthyen në vetvete aftësitë e vëzhgimit të fenomenit letrar, talentin e një kritikeje origjinale dhe të guximshme, kokëfortë në interpretimet e diskutuara, prirjen për praktika metodologjike analizuese të ndryshme… 

Të kujtohen ngacmimet e mia lidhur me pasionin tënd për të shkruar poezi ? Unë ‘nuk e vlerësoja’ këtë pasion tëndin, të provokoja duke ‘ekzagjeruar’ vlerat e studimit letrar në raport me poezinë tënde. Ishin momente gazmore, shumë të këndshme; më kujtohet reagimi yt, si një fëmijë i zëmëruar, por shumë kapriçoz dhe i vendosur… Kënaqesha nga ky ‘debat’ i provokuar nga mua. Por vitet dëshmuan se talenti yt krijues artistik ishte aty, brenda teje, dhe ti, si me krenari ‘m’i theve turinjtë’, duke më dëshmuar se studiuesja e letërsisë mund të ishte edhe krijuese me poezi, tregime, me ese interesante. Ti ‘më munde’. Megjithatë, mikja ime e mirë, unë vlerësoj në radhë të parë kontributi tënd shkencor (sigurisht edhe nga që vetë nuk krijoj as poezi, as prozë!). Nga që kjo bela,  studimi shkencor mbi letërsinë, nisi dhe mbeti pasioni im i vetëm. A e di pse je jo vetëm studiuese por edhe poete ? Ata që kanë biseduar, qoftë edhe një herë me ty, nuk mund të mos mbeten të mahnitur me intonacionin tënd gjuhësor, me muzikalitetin që përmban në mënyrë të natyrshme e folura jote. Ti kur flet, dukesh sikur këndon, dhe fjalia bëhet aq e kendshme për bashkëbiseduesin. Është italishtja që ndikon ? Jo, është shpirti yt muzikor, është bota e brendshme plot ndjenjë e dashuri, plot ngjyra për atë që shpreh. Muzika nuk del vetëm përmes notave të këngës, por edhe përmes fjalës, tingëllimit të saj.

Klara e dashur, unë gëzohem shumë se ti vit pas viti shton aktivitetin tënd krijues, vit mbas viti bëhesh më sfiduese, vit mbas viti bëhesh më e re, sikur do t’u thuash të gjithëve se Klara Kodra nuk shteron kurrë në mendimet dhe ndjenjat e saj !  Sa u bëre, 80 vjeçe ? Jo, s’ka fare rëndësi, sepse një fenomen jo i zakonshëm ka ndodhur me ty. Ajo që kujtoj është se vazhdimisht, gjatë viteve, ti ke ardhur duke u rinuar, në të gjitha drejtimet, ke  ndryshuar, veshur me pasion krijues dhe energji të pashtershme. Prandaj jam krenare që je mikja ime e mire prej më shumë se 50 vitesh.

Po, ishim mikesha që në shekullin e shkuar (!!), jemi sot dhe kushedi deri kur do jemi akoma ! (mos qeshi njeri me këtë deklarim të fundit !).

Të përqafoj me dashuri,

Shoqja  jote, Floresha

Exit mobile version